16 shkurt 2021/ Porta Vendore
Shqipëria u përfshi për më shumë se 48 orë nga reshjet e dëborës dhe moti i acartë, duke lënë qindra qytetarë të bllokuar në rrugët e vendit, të cilët nuk ishin përgatitur të udhëtonin me goma dimri apo zinxhirë dhe qindra fshatra pa energji elektrike. Ngricat krijuan probleme në të gjithë territorin, ndërsa pushteti vendor u gjet i papërgatitur për një situatë të tillë, ndonëse sinoptikanët kishin paralajmëruar prej kohësh se vendi do të përfshihet nga një stuhi e tillë.
Zona që u godit më fort nga moti i acartë dhe që ishte më i papërgatitur se të gjithë ishte Lezha, por shumë probleme u krijuan dhe për Shkodrën, ku qindra banorë ndodhen prej më shumë se 40 ditësh nën pushtetin e ujit për shkak të përmbytjeve nga reshjet e shumta të shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve. Por nuk munguan dhe bllokime aksesh nacionale në vendet malore si në qarqet Dibër, Kukës, e Korçë, ndërsa në disa zona të ultësirës perëndimore, reshjet e dëborës u manifestuan me zbavitje, pasi prej vitesh nuk kishin parë në qytetet e tyre.
Lezha, e bllokuar dhe pa drita për 48 orë
Lezha ishte bashkia që u godit më fort dhe u gjet më e papërgatitura përballë përkeqësimit të menjëhershëm të motit. Situata ka qenë e vështirë për mbi 24 orë në aksin Lezhë-Milot, që u bllokua si pasojë e ngricës dhe dëborës në rrugë. Radhët e gjata të makinave shkuan në dhjetëra kilometra. Udhëtarët qëndruan në automjete në temperatura të ulëta, duke rrezikuar mbarimin e karburantit, pasi makinat janë mbajtur ndezur për tu ngrohur. Ndërkohë dhjetëra qytetarë e kaluan natën e parë (14 shkurt) jashtë, për shkak të bllokimit të automjeteve në aksin Lezhë-Milot, në të cilën lëvizja është mjaft e vështirë për shkak të mosndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka ndërhyrë për të hapur qarkullimin e rrugës. Policia e Lezhës deklaroi se kanë dërguar për ndjekje penale firmën kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës Balldre-Lezhë-Milot, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk është marrë asnjë masë në këtë aks. Megjithatë, burimet nga Prokuroria e Lezhës, që konfirmuan nisjen e hetimeve deklaruan se firma kontraktore është Geci shpk, por në kontratën e lidhur me Bashkinë Lezhë nuk ka në objekt të saj pastrimin dhe kriposjen e rrugës në rastet e ngricave dhe dëborës.
Por, veç qytetarëve të bllokuar në rrugë, mijëra të tjerë kaluan dy netët me temperatura nën zero pa energji elektrike. Fshatrat Manati, Tresh, Spiten, Zejmen, Pllanë si dhe disa fshatra të njësive Shënkoll dhe Kallmet mbeten pa energji elektrike që nga mëngjesi i të dielës (14 shkurt) deri mëngjesin e së martës (16 shkurt). Bashkia dhe OSHEE arritën të ndërhyjnë vetëm pas 48 orësh, duke zhbllokuar rrugën nacionale Lezhë-Milot dhe duke bërë të mundur rikthimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, shumë fshatra ende vijojnë me rrugë të bllokuara dhe në disa raste, banorët kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e rrugës, duke bërë vetë pastrimin e dëborës. Një rast i tillë u shënua dhe në Njësinë Administrative Ungrej.
Shqipëria në dëborë, Shkodra nën ujë
Por ndryshe nga i gjithë territori i vendit, që u mbulua nga dëbora, zona e Shkodrës vazhdon të jetë e mbuluar nga uji në këto temperatura të acarta. Sipas raportimeve të prefekturës Shkodër, janë mbi 4300 hektarë tokë bujqësore nën ujë dhe mbi 30 banesa të përmbytura në dy Njësitë Administrative, Ana e Malit dhe Dajç. Ndërkohë mbi 200 banesa kanë prezencë uji në oborret e tyre. Përballë kësaj situate, banorët e këtyre njësive administrative janë përballur me temperatura nën zero dhe mungesë të energjisë elektrike. E vetmja mënyrë komunikimi me këto fshatra mbetet lundrimi me varkë, pasi as makinat e ushtrisë të dislokuara prej më shumë se 40 ditësh në këto zona, nuk mund të hyjnë për shkak të nivelit të lartë të ujit. Por, problem për banorët mbetet uji i pijshëm, ku Bashkia Shkodër ka shpërndarë me bidonë për familjet e bllokuara.
Megjithatë, sikur të mos mjaftonin përmbytjet, Shkodra u përball dhe me bllokim rrugësh nga reshjet e dëborës. Kryesisht ngricat dhe bora kanë krijuar probleme në qarkullim nga Ura Gjon Lulit në Qafë Shtiqen dhe qendër Velipojë si dhe në rrugën e Reçit dhe Çasit në Velipojë. Bashkia Shkodër tha për Portën Vendore se pas masave të marra nga Bashkia Shkodër u ndërhy me mjete borëpastruese për pastrimin e borës dhe akullit, u bë edhe hedhja e kripës duke krijuar kushtet normale për qarkullimin rrugor. Në zonat e thella të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, trashësia e dëborës shkoi deri në dy metra. Banorët e Thethit apeluan për ndihmë, ku sipas tyre borëpastrueset kanë liruar vetëm një pjesë të rrugës dhe më pas e kanë braktisur punën.
Edhe zonat turistike si Lepushaj dhe Vermoshi patën reshje të dendura dëbore, duke shkaktuar izolim të plotë të tyre dhe mungesë të energjisë elektrike.
Kukësi e Dibra, me rrugë të bllokuara dhe pa drita
Reshjet e dëborës kanë rënduar situatën dhe në zona, ku temperaturat e ulëta janë më të zakonta. Në qarkun Kukës, trashësia e borës ka kaluar 40 centimetra, duke shkaktuar mjaft probleme në qarkullimin rrugorë. Probleme janë shfaqur edhe në rrugët e brendshme të lagjeve të qytetit, ku një pjesë e tyre janë të bllokuara, ndërsa mjetet borëpastruese kanë mbajtur hapur nyjet kryesore të qytetit. Njësitë administrative Shishtavec, Zapot, Kalis, Grykçaj, Ujmisht e Surroj në Kukës si dhe Lekbibaj në Tropojë janë bllokuar totalisht. Rrugët nacionale Kukës-Peshkopi, Fush-Arrës, Shishtavec, Krumë, Krumë-Kam-Bajram Curri kalohen vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi. Probleme janë shkaktuar dhe në Rrugën e Kombit për shkak të pranisë së akullit e ngricave, por kompania kontraktuese ka ndërhyrë disa herë për normalizimin e situatës. Ndërkohë, mijëra banorë kanë mbetur në errësirë për më shumë se 48 orë. Probleme me energjinë elektrike ka pasur në njësitë administrative Malzi, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, por dhe në qytetin e Kukësit. Po ashtu, në Bashkinë Tropojë ka pasur probleme me energjinë në fshatin Valbonë dhe Margegaj.
Edhe në qarkun e Dibrës, reshjet e dendura të dëborës kanë vijuar për orë të tëra, duke bllokuar shumicën e rrugëve. Trashësia e borës në qytet ka shkuar mbi 40 centimetra, ndërsa në zona të thella kalon mbi 60-70 centimetra.
Akset rrugore Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë, ku pjesa më e vështirë mbetet nga Pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit, pasi fryn erë e fortë dhe mbush me borë trupin e rrugës. Disa nga akset e rrugëve që mbeten të bllokuara janë aksi Ura e Çerenecit-Librazhd dhe aksi Peshkopi-Qafë Draj-Kukës. Po ashtu, të gjitha fshatrat dhe njësitë administrative të Dibrës dhe Bulqizës janë bllokuar dhe rrugët janë të pakalueshme. Ndërkohë, në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Selishtë, Ostren dhe Martanesh ka munguar energjia elektrike për 48 orë.
Korça, probleme në qytet dhe në fshatra
Ndërsa në qytetin juglindor të vendit, konkretisht në Bashkinë Korçë, niveli i borës ka arritur deri në 2 metër trashësi. Sipas të dhënave nga emergjencat civile, si pasojë e reshjeve të dëborës janë bllokuar fshatrat Velçan, Dardhë, Trebinjë dhe Proptisht. Të bllokuara janë gjithashtu dhe disa fshatra në njësinë administrative Gorë e Moglicë si dhe në fushën e Maliqit, ku trashësia varion nga 30-70 centimetra. Trashësia më e madhe e borës është në Mashkullorë mbi 2 metra, ndërsa në fshatin Panarit situata është vështirësuar edhe më tepër për 200 banorët, të cilët vijojnë të jenë të izoluar prej fillimit të Janarit.
Ndërsa në qytetin e Korçës, për shkak të reshjeve të dëborës është shënuar dhe një rast i pazakontë. Ambulanca, e cila kishte shkuar për të marrë një pacient afër zonës së quajtur “Trekëndëshi”, ka ngecur në borë. Është dashur ndihma e personave përreth për të nxjerrë ambulancën nga akulli.
Një problematikë e theksuar është shënuar në aksin nga Qafë Thana drejt doganës së Maqedonisë, e cila mbeti e bllokuar për tetë orë. Dhjetëra automjete kanë pritur në rrugë për orë të tëra, pasi shkak është bërë stuhia e dëborës dhe 3 mjete që janë braktisur nga drejtuesit për shkak të temperaturave të ulëta. Vetëm, pas ndërhyrjes së borëpastrueseve u bë e mundur zhbllokimi i rrugës.
Dëbora në qytetet e tjera
Reshjet e dëborës nuk munguan dhe në qytete të tjera, si Krujë, Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Gjirokastër e Vlorë. Megjithatë, në këto zona, problem kryesor mbeti furnizimi me energji elektrike dhe ngrohja. Madje, në Topojë të Fierit, banorët e zonës përdorën karroca të modifikuara për të shkuar drejt pyllit me pisha shekullore të Semanit, si i vetmi vend ku mund të merrnin lëndë drusore për ngrohje.
Në qytetet e jugut pati kryesisht ngrica në rrugë dhe mungesë energjie në fshatra, ndërsa bllokime të përkohshme u shënuan vetëm në zona të caktuara. Një prej këtyre rasteve ishte në Vlorë, ku u bllokua aksi Llogara-Palasë, i cili u përdor nga qytetarët më së shumti për të kaluar disa orë çlodhëse, por që mbeten për tetë orë të bllokuar në rrugë.

Krahas problemeve të shumta, reshjet e dëborës krijuan dhe atmosferë në disa qytete si Berati, ku shtëpitë karakteristike u zbardhën nga bora.

Ndërsa në Durrës, përkeqësimi i motit shkaktoi pezullimin e lundrimeve në det, ndërsa porti u zbardh nga reshjet e dëborës.
Edhe Tirana u zbardh nga dëbora 4 vite nga bora e fundit që kishte rënë në kryeqytet. Por kjo dukuri ka shkaktuar edhe probleme në rrugë për shkak të qarkullimit të mjeteve. Dukuria e rrallë për kryeqytetin mbushi rrugët dhe parqet me njerëz, ndërkohë që rrjetet sociale u pushtuan nga foto, video dhe ekzibicione të banorëve të qytetit, të etur për të shijuar bukurinë e borës.

Megjithatë, ajo që u vu re ishte reagimi jo i shpejtë i pushtetit vendor dhe qendror përballë problematikave të shumta që krijuar reshjet e dëborës sidomos në qarkullim rrugor dhe në furnizimin me energji elektrike të shumë zonave, ku mijë banorë mbetën në pritje për orë dhe ditë të tëra. Sinoptikanët kishin lajmëruar që në fillim të muajit janar se vendi do të përfshihej nga rryma të acarta, por ky paralajmërim duket se nuk i zgjoi në kohë institucionet për të reaguar në ndihmë të qytetarëve.