10 shkurt 2021/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore
Historia e përmbytjeve vazhdon të përsëritet dhe të shkaktojë dëme të konsiderueshme financiare. Brenda pak ditësh si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, 8.342 hektarë tokë bujqësore, dhjetëra banesa e biznese u përmbytën. Dëmet më të mëdha u shkaktuan në bashkitë Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës dhe Vlorë, por edhe në zona të tjera, por më dëme më të lehta.
Shqipëria, vitet e fundit, është goditur herë pas here nga fatkeqësitë natyrore, ngjarja më e rëndë ishte tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, që përveç humbjeve njerëzore, këto ndodhi tregojnë edhe aftësinë që ka shteti shqiptar për t’i përballuar ato. Në ditët e para të janarit 2021, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëroi reshje të dendura dhe përmbytje, që do të arrinin pikun e tyre në datat 6-11 janar, e pikërisht kështu ndodhi. Pavarësisht investimeve të bëra në digat, argjinaturat e lumenjve, në kanalet ujitëse dhe kulluese si dhe nëpër hidrovore përmbytjet ishin të pashmangshme.
A ishim të përgatitur për të përballuar këto përmbytje?!
Për kryetarin e shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali vendi edhe në këtë rast nuk ishte i përgatitur për të përballuar një fatkeqësi natyrore, pasi problemi sipas tij është tek mospasja e një plani konkret për t’i parandaluar ngjarje të tilla që ndikojnë negativisht në jetë dhe ekonominë e secilit që preket. Haxhimali thotë se duhet një strategji kombëtare e harmonizuar me strategjitë vendore për të pasur efektivitet në parandalimin e fatkeqësive të tilla.
“Fatkeqësitë ndodhin pa marrë leje dhe lajmëruar. Nuk mendoj se ishim të përgatitur. Madje sistemi jonë institucional dhe strukturor duhet të përmirësohet që të jetë efektiv në kohën që kemi fenomenin e fatkeqësisë, por problemi është më i thellë. Duhet të krijojmë një sistem mbrojtje efektive me burime njerëzore dhe mjete teknologjike dhe infrastrukturë dedikuar përmbytjeve dhe mbrojtjes civile. Duhet të kemi institucione të planifikimit dhe inspektorate të kontrollit të lidhura me sistemin e kanalizimeve dhe argjinaturave të lumenjve. Një strategji kombëtare e menaxhimit të rreziqeve të harmonizuar me strategjitë vendore, duhet bërë efektive, duhet të këtë të qarta veprimin real, dhe të shoqëruar me burime financiare”, shprehet kreu i shoqatës së Bashkive Haxhimali për Portën Vendore.
Nga ana tjetër nënkryetari i Bashkisë së Lezhës Ermal Pacaj shpjegon se kullimi ka funksionuar duke ndihmuar në përmirësimin e situatës.
“Janë përmbytur rreth 5000 hektar tokë bujqësore, por që gradualisht u normalizua, edhe pse reshjet i kalonin 120mm shi në 24 orë, kullimi ka funksionuar dhe këtë e tregon edhe shpejtësia më të cilën uji po largohet. Në fakt duhet përmendur se në situatën e fundit, problem i madh krahas përmbytjeve, ishte edhe rrëshqitja e dherave. Janë evakuuar 23 familje nga Ungrej, Zejmen dhe Balldreni, si rezultat i rrëshqitjes së dherave, si dhe është dëmtuar aksi rrugor Kallmet-Ungrej dhe ura mbi lumin Vomë në Kalivaç të njësisë Ungrej. Dinamika e situatës në fakt nuk na ka lejuar që ne të kemi një përllogaritje të saktë për dëmet sepse ne edhe në këto momente jemi në terren për reshjet që vijojnë, por janë ngritur grupet e punës dhe verifikimi i dëmeve vijon”, thotë Pacaj për Portën Vendore, ndërsa shpjegon se: “Buxheti i Bashkisë për emergjencat është afro 30 milionë (te reja) dhe falë punës së realizuar në muajt paraardhës, ndihmës nga Ushtria dhe Emergjencat Kombëtare e kemi pasur më të lehtë ta kalojmë si situatë”, shprehet nënkryetari i Bashkisê së Lezhës Ermal Pacaj.
Pas disa ditësh pa prezencë të madhe të reshjeve situata në Shkodër është normalizuar. Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni shprehet se aktualisht nuk ka më prezencë uji në biznese dhe familje, por ende nuk ka faturë për dëmet.
“Aktualisht vijojnë reshjet e shiut në mënyrë periodike në të gjithë territorin e Qarkut, si dhe në lartësitë mbi 1000 m kemi reshje dëbore. Nga monitorimi në terren dhe verifikimi i hidrometrave në Lumin Buna dhe Drin, konstatohet një tendencë në rënie e niveleve. Ne po vijojmë ta monitorojmë situatën. Ndërkohë nuk jemi në një situatë të rënduar sa i takon nevojës për evakuim të banorëve apo gjësë së gjallë. Në vijim të kësaj nuk kemi, familje dhe biznese të përmbytura. Kemi vetëm sipërfaqe tokë nën ujë, dhe kjo në një tendencë në rënie. Sot, flasim për 700 sipërfaqe toke nën ujë, ndërkohë që rruga e Dajcit dhe Obotit janë të kalueshme. Në Obot ka 15 cm nivel uji në rrugë, i kalueshëm edhe pse me vështirësi nga mjete të ulëta. Kjo është situata aktuale, ndërkohë po e monitorojmë, dhe po e menaxhojmë deri më datë 26 Janar, ku sipas parashikimeve pritet të kemi reshje në të gjithë territorin e Qarkut. Krahas kësaj është ofruar mbështetje për fermerët nga Ministria e Bujqësisë dhe është bërë shpërndarja në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, me të cilën kemi një bashkëpunim të mirë”, sqaron prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni e pyetur nga Porta Vendore.
Por vetëm disa ditë më parë kryebashkiakja Voltana Ademi, në një status në rrjetin social FB, dëshmonte se banorët nuk janë ndihmuar për ushqime e për furnizime për gjënë e gjallë, pavarësisht kërkesave të Bashkisë Shkodër.
Ndërsa kryetarët e bashkive Krujë dhe Kurbin thonë për Portën Vendore se ata ishin të përgatitur për të përballuar situatën, teksa tregojnë edhe pasojat që po lë pas përmbytja. Majlinda Cara, kryetare e Bashkisë Kurbin pohon se përpos masave të ndërmarra pas paralajmërimit të IGJEUM, u përmbytën 700 hektarë tokë bujqësore, ndërsa jep edhe të dhënat për familjet e dëmtuara. Të kontaktuar nëpërmjet celularit, ata thonë në mënyrë të shkruar se janë të përgatitur nëse reshjet vijojnë.
“Sipërfaqe toke (bujqësore), përmbytur 700 ha, kryesisht në kultura bujqësore grurë dhe jonxhë, e gjitha kjo, vetëm në Gjorm, Nj/A/Mamurras. Banesa me prezencë uji, brenda tyre, vetëm 6. Nga këto, vetëm një familje u evakuua nga ana e strukturave të Bashkisë, së bashku me blegtorinë. Rreth 12 familje, patën prezencë uji, në oborret e tyre, por jo në banesa. Të gjitha këto familje, janë po në Gjorm, Nj/A/Mamurras. Duhet theksuar, se edhe sipërfaqja e tokës së përmbytur, ashtu edhe banesat nën ujë, ka qenë si shkak i mosfunksionimit të pjesshëm të kanaleve të ujërave të larta, aset i Drejtorisë Rajonale të Bordit Kullimit Lezhë”, shprehet kryebashkiakja Cara.
Ndërsa dëmet nga përmbytjet në Krujë, sipas kryebashkiakut Artur Bushi kanë qenë në nivel të konsiderueshëm, por nuk ka pasur probleme me familjet që jetojnë në çadra për shkak të shembjes së banesave nga tërmeti i 2019.
“Në zonën fushore të Krujës, patëm prezencë të ujit në toka bujqësore në fshatin Murqinë, Mallkuç, Derven dhe Miliskaj, por në asnjë rast nuk kishim përmbytje të shtëpive apo bizneseve. Sipërfaqja e tokës me prezencë uji ishte rreth 350 ha në Njësinë Administrative Bubq dhe 70 ha në Njësinë Administrative Thumanë. Ndërkohë në Fushë Krujë, si asnjëherë në këto dy dekada dimri, lumi Zezë nuk doli nga shtrati dhe qindra familje e dhjetëra biznese nuk u përmbytën. Mbi strehimin e banorëve të prekur nga tërmeti, Bashkia Krujë ka ofruar që prej 1 viti bonusin e qirasë dhe sigurisht do ofrohet deri në strehimin përfundimtar të banorëve që kanë humbur shtëpitë. Numërohen rreth 50 familje në çadra, të cilët pavarësisht se marrin bonusin e qirasë kanë zgjedhur të banojnë në çadra, kjo për shkak të lidhjes me tokën bujqësore. Deri më tani, nuk kemi asnjë rast të raportuar mbi ndonjë vështirësi që kanë banorët nëpër çadra”, sqaron për ‘Porta Vendore’ Artur Bushi.
Përveç faktit që bashkitë shprehen se e kanë përballuar mirë gjendjen, shqetësues është fenomeni që po përsëritet dhe shkakton dëme të mëdha financiare, në një kohë kur investimet për kanalet kulluese, diga dhe argjinaturë vijojnë të rriten. Për këtë vit, vetëm për Menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes janë parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë 3.6 miliardë lekë.
Ndërkohë vendi ka edhe burime të kushtëzuara financiare për katastrofat natyrore. Shqipëria nuk ka një fond të veçantë të dedikuar për të përballuar këto ngjarje. Por ka sasi të konsiderueshme parash për mbrojtjen dhe emergjencën civile të ndarë në disa institucione, me burim kryesor financimi buxhetin e shtetit.
Konkretisht një pjesë e parave merren nga fondi i Emergjencës Civile që është strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për këtë vit është parashikuar 1.1 miliardë lekë, pjesa tjetër është nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit që është në vlerën e 4 miliardë lekëve, por vetëm 2 miliardë lekë do përdoren për rastet e paparashikuara, më pas kalohet tek buxheti që Bashkitë ndajnë për emergjencat civile dhe që e kanë detyrim ligjor.

Ndërkohë për herë të parë për vitin 2021 është parashikuar edhe një fond prej 500 milionë lekësh për pushtetin vendor pikërisht për mbrojtjen civile.
Konkretisht, bashkitë e nisën këtë vit me humbje të mëdha financiare, për shkak të pandemisë, pasi deri në shtator të 2020 të ardhurat nga pushteti vendor ishin -2 miliardë lekë, ndërsa u duhet të mbulojnë dëmet e ditëve të para të këtij viti.

Sqarim: Rënia është shkaktuar nga pandemia. Pra si pasojë e pandemisë pushteti vendor humbi 2 mld lekë.
Për tu rimëkëmbur, Ministria e Financave ka akorduar këtë vit për bashkitë 56.3 miliardë lekë, si dhe është parashikuar që t’u jepet në formën e transfertës së pakushtëzuar 18.2 miliardë lekë për të përballuar nevojat emergjente, të cilat duhet t’i vënë menjëherë në zbatim.

Bashkitë e kanë detyrim ligjor që 4% të buxhetit të tyre t’i ndajnë për këto ngjarje, ndërsa kryebashkiakja Cara thotë se ky fond do të shkojë për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. “Në buxhetin e planifikuar për këtë vit, për zërin ‘Mbrojtja Civile’, është parashikuar fondi prej 20 milionë lekë të reja, e thënë ndryshe, destinuar për të përballuar situata të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, për dëmshpërblimin e banesave që dëmtohen nga këto të fundit, ndërhyrjet në infrastrukturë dhe investimet për minimizimin dhe parandalimin e tyre”, shprehet Cara. Ndërsa Bashkia e Krujës kishte 25 milionë lekë në dispozicion të emergjencës civile. “Si çdo Njësi e Qeverisjes Vendore, 4% e buxhetit është fond për emergjencat civile, çka praktikisht për ne do të thotë rreth 25 milionë Lekë. Për shumë vite, fondi i Emergjencave është përdorur më së shumti për dëmet që shkaktoheshin nga përmbytjet në Fushë Krujë, apo për pasojat e tërmetit. Për Fushë Krujën mund të flasim për një investim të suksesshëm, pasi me një sasi reshjesh prej 200 mm shi, nuk përbën më problem, ndërsa për zonat e tjera nuk kishim dëme në shtëpi. Ndërkohë puna për normalizimin e situatës në rrugë apo ujësjellës është bërë nga burimet njerëzore dhe kapacitet logjistike që ka bashkia, pa pasur nevojën e përdorimit të fondit të emergjencave civile”, shprehet Artur Bushi.
Por tashmë fondet e akorduara nga buxheti i shtetit do të përdoren edhe për të shlyer faturën financiare që shkaktuan përmbytjet, përveç eliminimit të pasojave të pandemisë. Viti 2021 duket që do të jetë sfidues për të ardhurat e pushtetit vendor pasi ata nuk do të mbledhin të ardhura as nga biznesi i vogël tashmë, pasi qeveria e zeroi tatimin e thjeshtuar që ishte e ardhur për bashkitë. Nga ana tjetër, që në nisje të vitit, biznesi përballet me humbje që përkthehen në më pak të ardhura për ata e familjet e tyre, e për pasojë më pak taksa për buxhetin e bashkive.
Për shoqatën e Bashkive humbjet ekomomike nga përmbytjet do të jenë shumë të mëdha, por që ende nuk mund të kalkulohet një shifër konkrete, pasi dëmet janë në vlerësim e sipër dhe në disa pjesë uji ende nuk është tërhequr nga tokat e përmbytura. “Edhe nëse s’do kishin këtë ndikim nga përmbytjet duhet thënë se shëndeti ekonomik i bashkive nuk është i mirë. Kjo pasi në këto përmbytje i gjetën bashkitë vështirësi ekonomike edhe nga pandemia, por disa të tjera si e Durrësit edhe nga tërmeti. Po e ndjek situatën nga të gjitha drejtimet dhe burimet lokale dhe qëndrore. Për momentin, fokusi i bashkive por jo vetëm, është përqendruar te përballimi i situatës dhe sigurim i jetes. Pasi të kaloj përmbytja, bashkitë do fillojnë të vlerësojnë dëmet dhe ndjekin procedura për riaftësimin e familjeve dhe ekonomisë së tyre. Sigurisht nuk është dëm i vogël, është dëm që do të zërë një peshë të madhe në buxhetin e bashkive të prekura, por do të prekë edhe buxhetin kombëtar”, thotë Agon Haxhimali.
Bujqësia, sektori i rrënuar nga përmbytjet
Sektori i bujqësisë është më i prekuri nga përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara konsiderohen të mëdha, megjithëse ende nuk ka një raport përfundimtar. Me dhjetëra hektarë tokë bujqësore e mbjellë me grurë dhe jonxhë brenda pak orëve u shkatërruan. Deri në 15 janar 2021 nga informacioneve të siguruara Këshilli Rajonal i Agrobiznesit rezulton se janë përmbytur në Shkodër 6200 ha tokë bujqësore. Janë evokuar 470 familje fermerë në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Novoselë, Vlorë etj. Në Shkodër krahasuar me rrethet e tjera qëndroi pak më gjatë uji në parcela. Edhe në Lezhë, dëmi ishte kolosal, sidomos në fushën e Torovicës. Fermerët që nga dita e parë kur nisën përmbytjet kërkuan mbështetje për të mbrojtur prodhimet e tyre.
Tonin Shkëmbi, fermer nga Torovica thotë se gjendja është e vështirë pasi i gjithë gruri që kishte mbjellë është kalbur nga uji, ndërsa humbjet janë në disa miliona lekë. “Kisha mbjellë grurë dhe jonxhë, kisha mbjellë 8 hektarë grurë dhe 2 hektarë jonxhë, dhe çdo gjë ka marrë fund, pavarësisht se nuk ka reshje uji vijon të jetë aty. Dëmi është i madh pasi për një hektar të mbjella grurë na shkon 1.5 milionë lekë për hektar. Vjet kishim prodhim të mirë grurin dhe ndaj zgjodhëm të mbjellim edhe këtë vit. Kam që në 93’ që merrem me këtë punë, si të thuash e kemi burim që të ushqehemi. As nuk na shkon në mendje të kërkojmë dëmshpërblim sepse asnjëherë nuk e kemi marrë, pasi unë tokën e kam me qira dhe nuk e kam me noteri dhe shteti nuk më jep mua dëmshpërblim sepse tokën e kam pa letra. Pra duhet një dokument për shtetin që të marr dëmshpërblim dhe ndaj nuk përfitojmë”, thotë për Portën Vendore fermeri.
Sipas kreut të Këshillit të Agrobiznesit, Shqiptar Agim Rrapaj duhet të merren masa të menjëhershme për fermerët. Ai liston për ‘Porta Vendore’ hapat që duhet të ndërmerren pas kësaj situate. “Çfarë presin fermerët? Presin grupet e vlerësimit të dëmeve sa më shpejt të jetë e mundur. Vlerësim real të dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Furnizime naftë pa tre taksat për të gjitha zërat e punimeve që do të vlerësohen si të domosdoshme për stabilizimin e situatës. Parashikimin në skemat kombëtare të mbështetjes për vitin 2021 të një fondi të dedikuar vetëm për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet. Asistencë nga projektet e donatorëve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Nisjen pa humbur kohe te procedurave për hartimin e një ligji për sigurimet jo vetëm ne bujqësi, por në të gjitha hallkat kryesore të zinxhirit ushqimor. Korrigjimin ne rritje te buxhetit te akorduar Ministrisë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit për vitin 2021, mbas është programuar 10 % më pak se sa viti 2020 kur buxheti është rritur me 20 %”, sqaron Agim Rrapaj.
Dëmet ekonomike nuk janë vetëm pasojat e para ku prodhimet bujqësore janë të rrënuara, por situata rëndohet në momentin që të mbjellat bujqësore janë burimi i të ardhurave për shumë familje në zonat rurale. “Dëme të shkaktuara nga reshjet dhe vështirësitë e problemet që po hasin aktualisht dhe do të ndeshen fermerët edhe në të ardhmen: Mbushje me inerte të kanaleve kulluese dhe vaditëse, gjithashtu edhe të një pjesë të sipërfaqes së tokës bujqësore. Dëmtime të strukturës së tokës në zonat fushore që rezultojnë nga inertet e ngurta, nga mbetjet e ngurta dhe ato organike të pa përpunuara. Konsum tej parashikimit me ushqime të thata dhe koncentrate për nevojat e blegtorisë, dëmtime në stalla. Parashikohet një ulje e ndjeshme e rendimentit të kulturave bujqësore te përmbytura, rritje të shpenzimeve dhe të kostove të produkteve. Të gjitha sa më sipër do të kërkojnë fonde shtesë për tu riparuar dhe sjell në kushte normale”, thotë kreu i agrobiznesit.
Mirëpo nga ana tjetër jo vetëm problemet me sistemin e kullimit, dhe mungesa e investimeve të mjaftueshme për të ndaluar përmbytjet janë probleme që dalin në pah në situata të tilla, por edhe kultura e qytetarëve për tu siguruar. Përpos goditjeve që marrim herë pas here nga natyra, kultura e shqiptarëve për të siguruara jetën, pronën, apo dhe biznesin është në nivel minimal. Në rast se sigurimi do të ishte i përhapur gjerësisht humbjet financiare të qytetarëve do të ishin më minimale, pasi nuk do të prisnin vetëm nga shteti mbështetje, por për dëmin që ju është shkaktuar do të dëmshpërbleheshin nga kompanitë e sigurimit.
Domosdoshmëria për projektligjin e sigurimit është sjellë edhe një herë tjetër në vëmendje nga Banka Botërore, e cila së fundmi ka publikuar raportin “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat në Shqipëri”. Referuar këtij dokumenti mungesa e sigurimit të pronës nga katastrofat natyrore është domosdoshmëri pasi Shqipëria është një vend i rrezikuar nga këto ngjarje, që dëmtojnë të ardhurat e pushtetit lokal dhe ekonominë e vendit në tërësi.