8 shkurt 2021/ Martin Marku/ Porta Vendore/ Lezhë
Lezha ishte një ndër qytetet me të prekura nga reshjet e shiut, ku post përmbytjet kanë nxjerrë në pah dëme të shumta. Porta Vendore vizitoi tre familje konkretisht në Torovicë, lagjen Shehër, dhe në lagjen “Nënë Tereza”, të prekur nga përmbytjet e përvitshme në këtë zonë, dhe që ende nuk kanë mundur të marrin dot zgjidhje.
Gëzim Gjoni nga fshati Torovicë në njësinë Administrative Balldre thotë së ai ka nën ujë 13 hektarë tokë, nga këto 10 të marra më qira, ku janë të mbjella me grurë dhe hasëll. Gjoni shprehet se uji ka depërtuar deri në oborrin e shtëpisë, ku i janë dëmtuar disa krerë pula si dhe ushqimi i mbledhur për 120 krerë dele.
“Kam pasur dëme, pasi 130 dynym tokë është ende nën ujë, prej tyre 105 që i kam me qira. 60 dynym i kam të mbjella, 25 grurë, 25 tërshërë dhe 10 dynym jonxhe, të cilat i kisha edhe për kullosje bagëtish, pasi kam 150 krerë dele që tani i kam në stallë pa ngrënë, pasi e gjithë kullota është e përmbytur në ujë”, thotë Gëzim Gjoni, banor i prekur nga përmbytjet në zonën e Lezhës. Teksa rrëfen për Portën Vendore ai thotë se edhe ambienti ku mbante pulat është mbushur me ujë. “Dëme kam pasur edhe në oborrin e shtëpisë, pasi magazina që kam me 1 mijë krerë pula, është mbushur me ujë. Jam detyruar që t’i heq nga aty, pasi gjysma më kanë ngordhur nga i ftohti dhe uji. Dëme të mëdha kam pasur gjithashtu edhe në pemë frutore, të cilat janë dëmtuar pasi uji ende nuk është larguar prej dy javësh dhe nuk e dimë se kur do të largohet. Toka ime është prej 15 ditësh nën ujë”, vijon Gëzim Gjoni teksa shprehet se hall të madh ka për bagëtitë, pasi i ka në stallë pa ushqim.
“S’kam me çfarë t’i ushqej, pasi e gjithë baza ushqimore është nën ujë. Unë s’jam dëmshpërblyer asnjëherë, pasi nuk është hera e parë që përmbytem. As nuk kam marrë subvencionim nga shteti. Ndonëse kemi dëgjuar nga qeveria të jenë shpërndarë miliona euro për fermerët, ne s’kemi marrë asnjëherë. As verifikim për përmbytjet nuk kanë bërë ende”, thotë i trishtuar ai.

Përveç përmbytjeve në tokat bujqësore, kryesisht ne fushën e Torovicës dhe atë të Zadrimës, probleme të mëdha u evidentuan edhe në banesa. 6 banesa në lagjen Varosh, në afërsi të Spitalit Rajonal, si dhe 4 banesa në Lagjen Shehër rrezikuan shembjen nga rrëshqitja e dherave.
Pjetër Nikolli është njeri nga banorët në lagjen Shehër që banesa e tij rrezikoi shembjen nga rrëshqitja. Ai thotë se ende askush nuk i ka verifikuar nëse është në rrezik të qëndrojë në banesë apo jo, por thjesht i kanë paralajmëruar që të largohen, por pa dhënë asnjë detaj.
“Shembjet e para nisën që në muajin tetor 2020, por shirat e fundit krijuan rrëshqitje më të forta. Nga masivi i dheut po rrezikohen edhe familje të tjera. Autoritetet na kanë thënë qe të largohemi, por s’kemi ku të shkojmë dhe nuk i braktisim dot shtëpitë, t’i lemë vetëm pasi kemi gjithë mallin e jetës brenda. Rrëshqitja ka devijuar rreth 1 metër, ndërsa rreziku është prezent me rikthimin e reshjeve të shiut”, thotë Nikolli për Portën Vendore.
Pjetër Nikolli rrëfen se në 25 vite që banon në këtë zonë nuk ka ndodhur të ketë pasur rrëshqitje të tilla. “Kanë ardhur inxhinierët, të cilët kanë bërë verifikimet e para, ndërsa ende nuk ka një ndërhyrje konkrete në mbrojtjen e banesave që janë në këtë zonë”, përfundon ai.

Në shtëpinë e Kolë Nikës në lagjen “Nënë Tereza”, dëmet janë ende më të mëdha. Uji i depërtoi brenda në banesë duke i shkatërruar të gjitha orenditë shtëpiake. Kryefamiljari Kolë Nika pohon faktin se uji brenda në banesë arriti deri në 1 metër, duke dëmtuar të gjitha elektroshtëpiaket.
“Unë kam vite që përmbytem. Që kur u ndërtua rruga, banesa ime mbeti nën nivelin e rrugës. Ndërtimet e bëra vitet e fundit mbi kolektorin kryesor, kanë bllokuar qarkullimin e ujit”, tregon ai për Portën Vendore ndërsa shton se: “Më janë dëmtuar të gjitha çfarë kam pasur brenda duke dalë jashtë përdorimit. Uji brenda në banesë ka qëndruar më shumë se 5 ditë, ndërsa jemi munduar ta largojmë me pompa nga shtëpia. Gjatë periudhës që kishte ujë familjen e nxora tek kunata, ndërsa vetë qëndrova në banesë. Nga bashkia nuk kemi pasur asnjë lloj ndihme. Kanë bërë një verifikim sipërfaqësor, pasi banesa është e dëmtuar edhe nga tërmeti, ndërsa tre komisione e kanë nxjerrë të pabanueshme. Sa herë do te bjerë shi këtu do të përmbytemi”, tregon i dëshpëruar ai.

Aktualisht situata në Lezhë vijon të mos jetë e stabilizuar, pasi përmbytjet po kapin njëra-tjetrën, pa i lënë asnjë sekondë në paqe banorët e këtyre zonave. Ndërsa Porta Vendore kërkoi një sqarim dhe bilanc nga Bashkia Lezhë dhe Prefektura e këtij qarku, por sipas tyre nuk ka ende një llogari mbi përmbytjet e ndodhura rreth dy javë më parë në këtë zonë.
Porta Vendore u interesua prane Bashkisë edhe për tre familjet e mësipërme, por mësoi se ende nuk ka nga pushteti vendor asnjë zgjidhje, as për fermerin në Torovicë, dhe as për banorin që i rrezikohet banesa nga shembja e dherave. Ndërsa për familjen e Kolë Nikës, që përveçse u është përmbytur shtëpia, është dhe e dëmtuar nga tërmeti, zyrtarë të bashkisë thanë se kjo familje është vlerësuar nga ekspertët në shkallën DS1 dhe ka marrë shumën e 1 milion lekëve të vjetra, ndërsa për përmbytjet, familjet e prekura në zonën e Lezhës janë ende në pritje të një grupi verifikimi për përllogaritjen e dëmeve.