Vëzhgim/Analizë

FACT CHECKING/ Rindërtimi në Tiranë, mes premtimeve dhe shtyrjes së afateve

4 shkurt 2021/ Elisa Gjerani/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Tirana është një nga bashkitë që ka hapur më shumë kantiere ndërtimi për procesin e rindërtimit sa çdo bashki tjetër e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por, edhe pse në shumë dalje publike, si kreu i qeverisë, ashtu dhe Ministri për Rindërtimin, apo kryetari i bashkisë Tiranë kanë deklaruar se procesi i rindërtimit po ecën me hapa të shpejtë dhe kanë përuruar shumë kantiere, situata në terren paraqitet shumë disi problematike, ku duket se ora ka ngelur pikërisht në ditën e inaugurimeve.

Një javë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, në seancën plenare të Kuvendit të datës 5 dhjetor deklaroi se deri në Krishtlindje të vitit 2020, 80-90% e familjeve që mbetën të pastreha nga tërmeti, do të futeshin në banesat e tyre të reja. Të tilla zotime ka dhënë dhe kryeministri Edi Rama natën e ndërrimit të viteve 2019-2020. Kreu i qeverisë deklaronte në një video mesazh drejtuar shqiptarëve, se deri në fund të vitit 2020 “të gjithë qytetarët që humbën banesën individuale do të futen në banesa të reja të rindërtuara”, thoshte Rama, ndërsa theksonte më tej se “deri në gjysmën e parë të vitit 2020 në të gjitha qytetet e prekura do të jenë ngritur të gjitha kantieret për ndërtimin e lagjeve të reja”.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka përsëritur shpesh në daljet e tij publike, se nën shembullin e rindërtimit të banesave të prishura nga tërmeti i 21 shtatorit 2019, do të procedohej edhe me ato të tërmetit të 26 nëntorit të të njëjtit vit. Në 18 qershor të vitit 2020, Erion Veliaj, teksa dorëzonte çelësat e banesës së rindërtuar në familjen Rrushi në Zall Her, shprehej se në “10 muaj u ndërtuan të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit”. Më tej, Erion Veliaj premtonte se nën këtë shembull do të vijohej puna për ndërtimin e më shumë se 800 banesave individuale në Tiranë, me qëllim që deri në 26 nëntor 2020 të strehoheshin sa më shumë familje në banesat e reja. “Për më pak se 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e shtatorit. Na dhëntë Zoti kohë të mirë, vullnet, zemër të madhe, që gjatë gjithë verës të punojmë non- stop. Kur qytetarët të ikin me pushime, të rikuperojmë edhe një pjesë të madhe të shtëpive të nëntorit dhe sa më shumë familje të futen në banesë para datës 26 nëntor. Më pas do fillojmë me pallatet, që sigurisht do marrin pak më shumë kohë”, shprehej Veliaj. Por, a u mbajt premtimi për banesat individuale në Tiranë?

Përgjigjen duket se e ka dhënë vetë kreu i qeverisë, Edi Rama. Më 3 nëntor, Rama u shfaq në konferencën e përjavshme me gazetarët së bashku me ministrin Arben Ahmetaj, ku bëri një bilanc për ecurinë e rindërtimit deri më tani. Gjatë konferencës, kryeministri Rama deklaroi se në disa zona, Tiranë, Vorë, Krujë dhe Thumanë janë në proces rindërtimi rreth 850 banesa individuale. “Në zonat Krujë, Vorë, Thumanë dhe Tiranë janë ndërtuar ose janë proces rindërtimi 850 shtëpi dhe tre lagje të reja”, tha Kryeministri Rama. Pra ky është informacioni për totalin e banesave që po ndërtohen apo janë ndërtuar në katër nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Por, më tej, Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj publikoi shifrat e specifikuara për zonat ku po rindërtohet.

Konkretisht, për Tiranën, që është një nga zonat më të mëdha me banesa individuale, shifrat reale janë larg premtimeve të bëra rreth një vit më parë nga vetë Arben Ahmetaj, kryeministri Rama apo kryebashkiaku Veliaj. “Aktualisht në Tiranë janë 599 banesa individuale në proces, nga 850 në total. Nga këto procesi i ndërtimit ka nisur për 357 banesa, ndërsa kanë përfunduar vetëm 37 prej tyre”, tha ndër të tjera Ahmetaj, duke theksuar gjithashtu se janë ende në proces vlerësimi dhe rreth 2000 dosje. Pra, deri në 3 nëntor, nga rreth 850 banesa individuale që do të rindërtohen në Tiranë, duke përjashtuar ë rreth 2000 dosje që vijojnë rivlerësimin, kanë ndërtuar vetëm 37 banesa individuale. Por si kanë ecur punimet në më shumë se dy muaj, tashmë që kemi hyrë në vitin 2021?!

Lagjet e reja në Tiranë dhe ecuria e punimeve

Tirana është një nga zonat ku do të ketë më shumë kantiere ndërtimi për rindërtimin e banesave individuale dhe lagjeve të reja, ku do të strehohen familjet që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në total janë 9 zona ku do të ketë ndërtim të lagjeve të reja: 5 Maji, Ndroq, Vaqarr, Kombinat, Uzina e Autotraktorit, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Baldushk, Pezë dhe Zall Herr.

Zona “5 Maji”

Zyrtarisht, kantieri i parë për ndërtimin e një lagje të re në Tiranë u hap në 30 tetor të vitit që lamë pas. Pikërisht në zonën e “5 Majit”, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në 30 tetor për nisjen e punimeve në këtë kantier, ndërsa duket se justifikoi edhe vonesën për ndërtimin e lagjeve të reja. “Kur vijmë këtu, kemi bërë një punë të madhe përpara. Me rindërtimin, puna më e madhe ka qenë e gjithë puna për verifikimet, derë më derë, me inxhinierë, me procesverbale, pastaj për përputhjen e të gjithë situatës së verifikuar me dokumentet e pronësisë. Histori tjetër ajo. Pastaj riverifikimet me ankesat. Janë riverifikuar një për një. Edhe sot që flasim janë një grup familjesh dhe nuk janë pak, janë disa qindra në total, që ose janë jashtë shtetit dhe ne vazhdojmë t’i kërkojmë me telefona, me bashkitë, për të marrë dëmshpërblimin dhe për të filluar punën për dëmtimet e riparueshme, ose kanë prapë ankesa se thonë nuk jam DS1, jam DS2, apo nuk jam DS3, po DS4. Përsëri, bashkitë i vënë në dispozicion grupe inxhinierësh. Paralelisht me këto është puna me projektet. Si mund të ndërtohet një lagje e re për 11 mijë banorë, duke filluar me ‘ecim përpara, se na tregon rrugës, puna se çfarë duhet të bëjmë’. Ka nevojë për masterplanin dhe më pas për projektin e infrastrukturës, për projektin e detajuar të çdo godine, se nuk bëhet fjalë për një shtëpi, por për pallate dhe për ngrehina ku do të futen institucione brenda”, tha ndër të tjera Rama gjatë nisjes së punimeve tek lagja “5 Maji”.

Harta e gjurmës ku do të ndërtohen 11 pallate te “5 Maji”.

Ndërkohë, Porta Vendore shkoi për të parë nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier ndërtimi. Edhe pse punimet kishin disa javë që kishin nisur, në datën 24 nëntor 2020 në këtë kantier ndërtimi në lagjen “5 Maji” punonin vetëm disa mjete të rënda që po largonin inertet nga zona, ndërsa ende nuk kishte nisur hapja e gropës për ndërtimin e 11 pallateve të reja. Porta Vendore bëri një tjetër vëzhgim më 12 janar, ku vetëm një mjet ishte duke punuar në zonën e 5 Majit. Gjithashtu, edhe pse një zonë ndërtimi prej më shumë se 3 muajsh, nuk kishte asnjë tabelë sqaruese rreth firmës që po ndërton 11 pallatet, vlerës së projektit, afateve apo dhe detajeve të tjera për rindërtimin. Një banor i kësaj lagjeje u shpreh për Portën Vendore se: “Po kanë disa javë që po punojnë, por shumë avash. Dy makina punojnë këtu. Unë nuk prekem nga rindërtimi, por mendoj se kjo do e zhvillojë lagjen se thonë që do bëhen 11 pallate”, tha i moshuari. Ndërkohë, për të marrë më shumë informacion lidhur me procesin e rindërtimit në Tiranë, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion dhe Bashkisë së Tiranës. Kërkesa është protokolluar, sipas një përgjigje paraprake të dërguar nga bashkia, por pyetjeve tona bashkia nuk u është përgjigjur deri në publikimin e këtij shkrimi.

Foto nga punimet në lagjen “5 Maji”. Foto: J. Hoxhaj

Kombinati, Autotraktori dhe Vaqari ende në pritje

Porta Vendore bëri një vëzhgim edhe në disa nga zonat e tjera ku do të ndërtohen lagje të reja në Tiranë. Një prej tyre është Kombinati. Në këtë njësi është përcaktuar zona ku do të rindërtohet lagja e re, e cila është shenjuar me vijë të kuqe në hartën e mëposhtme. (Harta është botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Rindërtimit). Siç shihet, në Kombinat do të ketë një zhvillim tërësor për projektin e rindërtimit, i cili zë një sipërfaqe të madhe. Megjithatë, në këtë zonë vetëm sa ka nisur shembja e disa pallateve, lajmëruar në datën 1 dhjetor nga Kryeministri Edi Rama në faqen e tij në Facebook. Rama nuk jepte detaje se kur do të nisin pallatet e reja në Kombinat, por shprehej se familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë do të vijojnë ta marrin atë deri në momentin e përfundimit të banesave të reja. Ndërkohë, Porta Vendore pyeti qytetarët në Kombinat rreth këtij procesi, të cilët u shprehën me skepticizëm dhe pak të informuar për procesin e rindërtimit. “Nuk e di o djalë ku do ndërtohen pallatet. Kanë një vit që thonë do ndërtohen por deri tani nuk kemi parë gjë. Këtu s`ka për t`u ndërtuar”, tha një qytetar për Portën Vendore. “Unë nuk jam i prekur nga rindërtimi, por këtu është folur shumë kohë më parë për një lagje të re. Por deri tani s`ka ndonjë lëvizje. Nuk e di ku do ndërtohet”, tha një tjetër qytetar i pyetur në këtë lagje. Në total në Kombinat do të prishen rreth 23 pallate në një nga zonat që preket nga rindërtimi. Megjithatë, gjatë inspektimit në terren ditën që nisi shembja e këtyre pallateve në Kombinat, Kryeministri Rama ka pasur dhe debate me banorët. Një nga banorët që shfaqet në videon e publikuar nga vetë kryeministri shprehet se: “nuk do të lëviz, s’kam pse të lëviz, hajde ta shohësh shtëpinë time, nuk ka asgjë”, i thotë qytetari kryeministrit Rama. Ndërkohë vetë kreu i ekzekutivit iu përgjigj se: “kjo nuk është mendja ime”. Të tjerë qytetarë kanë shfaqur gjithashtu ankesa se grupet e inspektimit nuk i kanë vlerësuar tamam pronat e tyre. një qytetare u shpreh se “asaj i kanë thënë se nuk i takon të marrë shtëpi sepse ishte e ndarë nga trungu familjar”.

Harta ku do të ndërtohet lagja e re në Kombinat.

Ndërsa në zonën e Kombinatit puna për prishjen e 9 pallateve të para të shpallura të pabanuara, nga 23 të tillë nisi në 1 dhjetor të vitit që lamë pas. Më 23 nëntor Veliaj i premtoi banorëve të Kombinatit se për pallatet e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të fillonte rindërtimi në këtë zonë deri më 31 dhjetor 2020, por deri më tani ka nisur vetëm shembja e 9 prej tyre.

Ndërsa mësohen edhe disa nga detajet e projektit që do të ndryshojë këtë zonë njëherë e përgjithmonë. Projekti KombinART parashikon ndërtimin e një kompleksi pallatesh në këtë zonë për strehimin e familjeve, shtëpia e të cilave rezulton e pabanueshme, dhe në total rindërtimi në këtë zonë do të kushtojë 76 milionë dollarë. Afati i përfundimit të rindërtimit të kësaj zone është 3 vjet.

Harta ku do të ndërtohet lagja e re në ish-Uzinën e Autotraktorit.

Ndërkohë, një tjetër zonë ku do të rindërtohet është ish-Uzina e Autotraktorit, por ende nuk ka nisur puna për rindërtimin. Deri më tani zyrtarisht nuk ka asnjë datë lidhur me afatet për rindërtimin në këtë zonë.

Ish uzina e Autotraktorit.

Një zonë tjetër, ku duket se janë hedhur hapat e parë të rindërtimit është ajo e zonës së Vaqarrit. Porta Vendore pa nga afër edhe këtë zonë, por konstatoi se në vendin ku do të ndërtohen banesat e reja, ka nisur puna për 3-4 banesa dhe është bërë rrethimi me gardh i vendit. Në fakt, ndryshe nga lagjet e tjera të Tiranës, në Vaqarr është fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ai që ka marrë përsipër të rindërtojë banesat për familjet e prekura nga tërmeti.

Harta ku do të rindërtohet lagja e re në Vaqarr.

Procesi i rindërtimit vijon në Vaqarr .

Porta Vendore kontaktoi me Arbër Hajdarin, drejtuesin e Fondacionit Fundjave Ndryshe, teksa e pyeti për ritmin në procesin e rindërtimit në zonën e Vaqarrit, ku pritet të ndërtohen 22 banesa individuale 1-katëshe. Ai tha se nëse gjerat do të kishin vijuar normalisht, banesat do të ishin gati së paku rreth 3 muaj më parë. “Rindërtimi mund të ishte më i shpejtë, por në disa raste nuk kanë pasur faj as donatorët e as shteti. Në Vaqarr ishte një pronë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por ish pronarët me të marrë vesh projektin e rindërtimit për atë zonë e hodhën në gjyq shtetin dhe i gjithë ky procesi zgjati rreth 9 muaj, ku pasi mbaruan dy seancat gjyqësore, shteti dëmshpërbleu pronarët dhe procesi mori rrjedhën normale. Kjo na ka shkaktuar një vonesë të madhe. Por tani që puna ka nisur për rreth 1 muaj e gjysmë familjet e dëmtuara nga tërmeti do të jenë në shtëpitë e tyre”, rrëfen Hajdari për Portën Vendore, teksa thekson se nga fondi i grumbulluar i fondacionit që ai drejton deri më tani janë blerë 15 apartamente në Durrës, dhe pritet që të përzgjedhin edhe 5-6 familje të tjera për t’i strehuar përfundimisht. Ai gjithashtu sqaroi se zonat dhe familjet që do të ndihmoheshin janë përzgjedhur nga shteti.

Baldushk/Fadroma pret për nisjen e punës

Në fshatin Mustafakoçaj në njësinë administrative të Baldushkut, vetëm 40 minuta larg qendrës së Tiranës rindërtimi gjithashtu është duke ecur me hapa të ngadaltë, kjo pasi para disa javësh janë prishur magazinat e grurit që kanë ekzistuar në këtë zonë që në kohën e komunizimit për t’i hapur rrugë kështu rindërtimit të rreth 25 shtëpive individuale. Magazinat e rezervave kryesisht janë përdorur nga banorët, të cilët janë pothuajse të gjithë nga fisi Grecaj. Një prej tyre është Naim Grecaj, i cili aty ka ndërtuar mullirin, që bluan i gjithë fshati. Madje, ai kishte dhe një nga ndërtesat që e përdorte si banesë. “Por atë e prishën atë ditë. Erdhën me policë, sikur ne ishim kriminelë dhe i prishën, bashkë me godinën që është përdorur si shkollë. Godinat janë të shtetit, ne e pranojmë, por toka është e jona dhe ne kemi futur dokumentacionin me kohë për privatizimin dhe legalizimin e godinave. Megjithatë, kur doli ky plani i rindërtimit, ata e kanë pezulluar këtë proces”, shprehet Naim Grecaj.

Në foto Naim Gracaj duke folur për Portën Vendore.

Ndërsa Refik Grecaj, i cili ka ndërtuar një vilë trekatëshe, ngjitur me zonën ku ka ndërhyrë IMT bashkë me policinë, shprehet se nuk u kanë shpjeguar asgjë si do veprohet. “Nuk e di se deri ku do zgjerohet zona e rindërtimit, se 25 shtëpi nuk i zë në atë tokë që ata kanë zaptuar se toka është e jona. Ndoshta vijnë nesër të më prishin dhe mua shtëpinë, se nuk e dimë se shteti të bën gjëmën. Këtu asnjë shtëpi nuk është dëmtuar nga tërmeti. Madje në gjithë Baldushkun vë dorën në zjarr se nuk ka pasur dëmtime nga tërmeti, as tek ata që kanë hequr vetë nga një tullë nga shtëpia, për të përfituar nga rindërtimi. Shumë prej atyre që thonë që do vijnë këtu janë nga fshati lart dhe duan të zbresin këtu në mes të shtëpive tona. Nuk e kuptoj këtë logjikë”, shprehet Refiku.

Banorët e fshatit Mustafakoçaj, duke disktuar rreth problemit të rindërtimit në zonën e tyre. Foto: E. Gjerani

Por, dhe më i revoltuar është një tjetër djalë i fisit. “Ku do vijnë ata, do futen në tokën tonë. Shteti mund të na burgosë, mund të na vrasë, por tokën tonë nuk e gëzon njeri. Le ta ndërtojë shteti lagjen e re ku të dojë, pse duhet të vijë pikërisht të na rrënojë shtëpitë ne, për të lejuar të tjerët që pretendojnë se janë dëmtuar nga tërmeti”, thotë ai i revoltuar gjatë bisedës me Portën Vendore. Megjithatë, deri më tani duket se asgjë nuk ka ndodhur nga dita e përplasjes së banorëve me policinë dhe IMT-në më 10 nëntor 2020 Ata tregojnë se atë ditë është bërë shembja e dy godinave, ndërsa kur ikën kanë lënë aty një fadromë, por askush nuk ka ardhur më që të duket në fshat, duke treguar kështu një pezullim të aksionit të nisur me vrull për rindërtimin edhe në këtë zonë.

Projekti teksa pritet të prekë edhe shtëpi të tjera të zonës. Foto: E. Gjerani

Në Tiranë ka nisur gjithashtu puna zyrtarisht, siç është raportuar nga Bashkia, edhe për ndërtimin e konvikteve të reja në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në fakt, kjo zonë do të ketë një rikualifikim tërësor urban ku do të ndërtohen veç konvikteve edhe institucione të tjera publike për komunitetin. Gjatë përurimit të punimeve në 26 nëntor 2020, kryebashkiaku Veliaj tregoi detaje nga projekti, por ai nuk dha afate për përfundimin e tij. “Bëhet fjalë për një komunitet që nuk kishte as çerdhe, as kopshte, as 9-vjeçare, as gjimnaz e as universitet sepse ishte zaptuar. Për herë të parë mund të themi që kush banon në Institutin Bujqësor, nga mosha 2 vjeç deri në moshën 22 vjeç, do i ketë të gjitha në lagjen e tij. Pra nga çerdhja, deri te diploma e universitetit dhe master e doktoraturë po të dojë. Besoj që partneriteti që kemi gjetur me rektorin e ri, na ndihmon jashtë mase. Ndërtesat janë bërë më të mëdha, pikërisht për të akomoduar jo vetëm ambientet e strehimit për studentët, por edhe pjesën studimore, bibliotekë, laborator, ndoshta disa klasa, qendër rinore, qendër këshillimi, sepse vetëm atëherë mund të themi që jetojmë në komunitet”, tha Erion Veliaj.

Harta ku do të ndërtohen konviktet e reja në Universitetin Bujqësor të Kamzës

Eksperti: Banesat individuale duhet të ishin përfunduar

Arkitekti Astrit Seranaj është një nga vëzhguesit aktivë të procesit të rindërtimit në vend. Vazhdimisht në rrjetet sociale dhe në media, arkitekt Seranaj ka komentuar, kritikuar apo ngritur dyshime rreth procesit të rindërtimit në vend. Ai ka polemizuar shpesh edhe kundër kryeministrit Rama, lidhur me cilësinë e banesave të reja që po rindërtohen nga tërmeti në Tiranë. Fillimisht, ai shprehet se procesi i rindërtimit në Tiranë është i ngadaltë, ndërsa thekson se banesat individuale duhet të kishin përfunduar të gjitha. Sipas Seranajt koha për ndërtimin e një banese individuale nuk është më shumë se 45 ditë. “Për mua një nga arsyet është kalimi i punës dorë më dorë. Ka një zinxhir përfitimi dhe ai fundori që bën punën, ai paguhet pak dhe fitimet ndahen në shkallë sipërore. Ka disa ngërçe, që lidhen me urbanistikën, shpronësimet etj. Ndërtesat individuale janë në zonat rurale, ku objekti rindërtohet në të njëjtin vend ku ka qenë banesa e mëparshme e të prekurit nga tërmeti. Këto mund të kishin ecur shumë shpejt sepse nuk ka pasur nevojë për shpronësime”, thotë Seranaj.

Ai shprehet më tej se edhe objektet që janë marrë përsipër nga fondacionet si “Fundjavë Ndryshe”, “Shqiptarët për Shqiptarët”, “Fondacioni Behgjet Pacolli”, “Rrënjët Shqiptare në bashkëpunim me gazetarin Marin Mema”, do të duhet të kishin ecur me ritme të shpejt. Por pse ka ndodhur kjo vonesë? Arkitekt Seranaj e ka një përgjigje. “Edhe objektet që do të ndërtohen nga fondacionet duhet të ishin përfunduar sepse ato ishin gati. Ose nuk duhet të ishin futur në komitetin e rindërtimit. Nëse ju kujtohet, në mbledhjen e dytë të komitetit të rindërtimit, Rama i tha Marin Memës ‘pse fillove pa leje’. Arbër Hajdarit do t`i japin leje kur projektet e shtetit kanë ecur, me qëllim që të barazohen në fund”, thotë arkitekti Astrit Seranaj për Portën Vendore.

Për lagjet e reja, që pritet të ndërtohen në Tiranë, arkitekti i njohur shprehet gjithashtu se ato do të kërkojnë kohë të ndërtohen. Sipas tij, së paku në Kombinat dhe Paskuqan, ku janë vendosur të ndërtohen dy lagje të reja, nuk është thjesht proces rindërtimi por më shumë se kaq. Astrit Seranaj shprehet se në këto zona po zbatohen projektet e dy arkitektëve të njohur Boeri dhe Kazamonti, “Tirana 2030”. Këto projekte parashikonin lagje të reja në Tiranë, ku do të duhej të bëhen shpronësime për rindërtimin e tyre. Por tërmeti i 26 nëntorit 2019 i ka hapur rrugë zbatimit të këtyre projekteve më herët se sa ishin parashikuar, shprehet Astrit Seranaj. “Pallatet do tu vijë radha shumë mbrapa. Tirana, Kombinati dhe Paskuqani nuk kanë qenë pjesë e rindërtimit. Planet e Boerit dhe Kazamontit janë pjesë e masterplanit Tirana 2030. Situata e tërmetit po shfrytëzohet në mënyrë të artë nga këta. Shpronësimet që do bëheshin pa rënë tërmeti dhe problematika që do ishte në Kombinat, do ishte shumë e vështirë që ta implementonte këtë plan. Por tërmeti u dha të drejtën që edhe pallatet apo objekte të padëmtuara do shemben. Disa do shpronësohen, disa do marrin sipërfaqe vetë sa kanë sipërfaqe”, thotë Seranaj.

Në fund ai ngre dyshime edhe për kompaninë shtetërore të krijuar nga Bashkia Tiranë, “Tirana DS”, e cila me një kapital prej 500 milionë lekësh, do të ketë të drejtë të ideojë, projektojë, zbatojë dhe rindërtojë projekte në infrastrukturë. Sipas Seranajt, kjo kompani e krijuar në vjeshtën e vitit të kaluar, do të ketë në dorë gjithë programin e rindërtimit në Tiranë. “Si afat rindërtimi i lagjeve të reja në Tiranë do të zgjasë. Jo një vit por do të duhen disa vjet. Janë shumë pak përfitues nga tërmeti, sepse nuk ka shumë të demtuar në Kombinat dhe Paskuqan. Ky është preteksti për ta futur në procesin e rindërtimit. Këtu do jenë pak përfitues, pjesa tjetër do jetë zonë e zhvillimit. Aq më tepër për ta lidhur me kompaninë Tirana DS, që do projektojë, do menaxhojë, do zbatojë etj. Pra e gjitha kjo po bëhet vetëm për këto dy zona. Tiranën do ta kontrollojë gjithë procesin kompania bashkiake Tirana DS. Këtu u jepet e drejta privatit që të zhvillojë pronën në emër të rindërtimit. Këtu u jepet hapësirë klientëve të bashkisë të rindërtojnë”, thotë Seranaj.

Ndërsa për inxhinieren Luljeta Bozo organizimi që është kryer mund të ishte më i mirë, në mënyrë që procesi të vijonte me intensivisht.

“Për mendimin tim janë duke punuar, ndoshta mund të kishte qenë një organizim më i mirë i punës por edhe zonave që janë përcaktuar për rindërtimin. Ideja ka qenë që së pari të rregulloheshin ata që ishin në zona rurale sepse familjet në qytet po trajtohen me bonus qiraje, pra një shtëpi që së paku të fusnin kokën. Të gjitha janë me projekt por duke qenë të shpëndara është pak e vështirë edhe nga ana e kompanive ”, shprehet ajo.

Megjithatë ajo thotë se fondet nga BE nuk kanë mbërritur ende në vendin tonë, kjo edhe për shkak të pandemisë duke bërë që gjithçka që po ndodh me investimin të kryhet nga buxheti i shtetit.

“Ato fondet e mëdha që u premtuan nga BE nuk erdhën asnjëherë, kjo mbase edhe për arsyet e pandemisë pasi tani çdo shtet ka hallin e vet me Covid 19. Tani gjithçka po bëhet me lekët e buxhetit të shtetit, pra nëse ke lekun edhe procesi do të ecte më shpejt”, sqaron inxhinierja Bozo.

Përsa i përket asaj që është bërë deri më tani, inxhinierja Bozo shprehet e kënaqur pasi rindërtimi thotë ajo ka filluar që në themel. “Ajo që më pëlqen është se procesi i rindërtimit ka filluar përsëmbari, pra që nga kanalizimet, ndriçimi e më pas ndërtimi, pra një punë për të mos ju kthyer sërish. Siç dihet lagjet e mëdha duan edhe më shumë kohë, por kur ke lekun i bën, ndërsa kur ske, je në vend numëro”, përfundon inxhinierja e njohur Luljeta Bozo i cili pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 u bë “zëri i qetësisë” për mijëra familje, apartamentet e të cilëve shfaqen probleme.

Ahmetaj shtyn afatin për rindërtimin

Ndonëse kishte premtuar se deri në fund të këtij viti do të ishin strehuar mbi 90% e familjeve të prekura nga tërmeti në banesa të reja, Arben Ahmetaj ka dhënë të tjera afate për përfundimin e procesit të rindërtimit. Pak ditë më parë në një intervistë televizive në News 24, Ahmetaj ka caktuar si afat të fundit të përfundimit të rindërtimit marsin e vitit 2022. “Puna që po bëj për rindërtimin është një ndër më të rëndësishmet në karrierën time. Është më e rëndësishme pasi është e plotë në shpirtin tim, pasi ka të bëjë me njerëz që kanë nevojë për përkujdesje. Brenda marsit të vitit që vjen të gjitha njësitë individuale do të kenë mbaruar. Brenda majit edhe të gjitha DS4 do të jenë riparuar, patjetër dhe DS1 deri në DS3. Laçi, gjysma e pallateve do të jetë gati në mars. Rreth 90 % e pallateve do të jenë gati në tetor 2021. Në mars 2022 nuk do të shihni asnjë shenjë të tërmetit, dhe të gjitha banesat do të jenë të rindërtuara ose rikonstruktura. Kjo është përgjigje zyrtare por dhe personale. Në emër të kryeministrit ky është një skedë të mirëmenduar. Askush nuk do të ngelet pa shtëpi”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë Ministri për Rindërtimin ka justifikuar edhe veten lidhur me premtimin e parë po në të njëjtën intervistë. Ai është shprehur se vonesat u krijuan për shumë arsye duke filluar nga projektet, te gjetja e financimit, strukturimi i borxhit etj. Ndërkohë ka marrë si referencë edhe vende të huaja, pa dhënë shembuj konkretë, duke u shprehur se jashtë vendit procesi i rindërtimit shkon deri në 6 vjet. Mirëpo për të mësuar më shumë rreth këtyre deklaratave Porta Vendore kërkoi të komunikonte me zyrën për mediat të Ministrisë së Rindërtimit, por nuk mori përgjigje. Megjithatë, përgjigjja sa i përket kryeqytetit vjen nga kantieret e ndërtimit në Tiranë, të cilët janë shumë larg ditës kur në këto zona do të ketë përfunduar rindërtimi.