Ndodhi

Universiteti i Tiranës nuk pret ekspertët: Provimet do jepen online

2 shkurt 2021/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë                                       

Rektorati i Universitetit të Tiranës nuk ka pritur vendimin e komitetit të ekspertëve për të vendosur mbi mënyrën sesi do të zhvillohet sezoni i provimeve. Rektorati ka vendosur që provimet të zhvillohen online, ndonëse Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se vendimi do merret deri në fund të javës.

Më 1 Shkurt, Rektorati i Tiranës njoftoi se ka marrë vendimin përsa i përket menaxhimit të sezonit të provimeve nga ana e studentëve dhe e universitetit, në këtë kohë pandemie. Në vendim rektorati parashtron që një pjesë e provimeve të bëhen online, por pa dhënë në këtë faza detaje ta tjera lidhur me infrastrukturën dhe se si do të menaxhohet procesi.

Ndërsa thuhet se: “Sezoni i parë i provimeve do të zhvillohet online, ndërsa në vendimin e marrë më datë 1.2.2021 theksohet gjithashtu se lëndët të cilët kërkojnë prezencë në auditore për shkak të specifikës do të merret një vendim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas kërkesës së titullarëve të lëndës”.

Ky vendim i cili hyn në fuqi menjëherë ka ngjallur shumë diskutime dhe pakënaqësi tek studentët, pasi sipas këtyre të fundit e gjitha kjo i ka kapur të papërgatitur.

I kontaktuar nga Porta Vendore, Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare, e cila merret gjerësisht me universitetet dhe studentët tha se ky është një vendim i nxituar.

Qëndresa Qytetare ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Rektorit të UT për zhvillimin e provimeve online. Universiteti i Tiranës ka marrë një vendim të nxituar, pasi provimi online ka specifika që duhet t’u përgjigjet një metodologji e posaçme për të ruajtur fshehtësinë, integritetin dhe transparencën e procesit të provimeve. Momenti i certifikimit të dijeve është thelbësor dhe nëse edhe këtu nuk ka përgjegjshmëri ky universitet do të prodhojë diploma të pavlera. Për të realizuar provime online sipas standardeve të universiteteve të BE duhej që minimalisht përpara marrjes së vendimit  të ishte publikuar metodologjia e zhvillimit të provimeve, platforma që do përdoret, elementet e sigurisë dhe mënyra se si do të vlerësohen dijet, pasi kemi të bëjmë me një moment shumë delikat lidhur me kredibilitetin e këtij universiteti”, thotë Xhemollari, teksa ngre një sërë pyetjesh:

Në këtë situatë ngrihen disa pikëpyetje që lidhen me atë se kush do të akreditojë, ligjërojë dhe legjitimoje këtë proces? Kush do mbajë përgjegjësi nëse vlerësimi për arsye subjektive dhe objektive cenohet? Kush do na sigurojë që 100% e studentëve do kenë akses të plotë tek të gjitha provimet?”, pyet me të drejtë ai.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe një pedagog i Universitetit të Tiranës, teksa thotë se procesi i mësimdhënies online ka problematikat e mbartura që nga viti i kaluar dhe kjo e fundit nga rektorati ishte një surprizë për ta dhe studentët. “Nuk e di sa do të mund t’ia dalim, ndaj më e mira do ishte ose rikthim në auditor, siç studentët kanë kërkuar, duke respektuar protokollin anti-covid, ose shtyrje të provimeve siç ndodhi në semestrin e dytë të vitit të kaluar akademik”, thotë ai, pa dashur që t’i bëhet publik emri.

Ndërsa për Rigels Xhemollarin nga Qëndresa Qytetare zgjidhja e mirë në këtë situatë do të ishte rikthimi i studentëve në muajin shkurt në auditor. “Kthimi i studentëve do ishte zgjidhja, duke kufizuar aktivitete të tjera si baret, restorantet apo aktivitetet e partive, në mënyrë që të certifikohen dijet jo të bëhet sikur po bëhet mësim dhe provime, për të justifikuar thjesht tarifat e studimit”, përfundon ai.

Më 18 janar 2021, një peticion prej 6000 firmash u dorëzua nga studentët pranë Kryeministrisë për rikthimin e tyre në auditore, ndërsa Ministrja e Arsimit tha se kjo do të vlerësohej nga Komiteti Teknik i Ekspertëve hap pas hapi.

Nga ana tjetër po më 1 shkurt, rreth orës 14:30 Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se ende nuk ka marrë një vendimin për zhvillimin e mësimit në universitete, kështu që mësimi do të vijojë online në universitete për shkak të situatës aktuale me Covid 19 teksa është rritur incidenca në disa zona të vendit.

Në lidhje me kërkesën e universiteteve që meqë hyjnë në sezonin e provimeve t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave”, tha Prof. Mira Rakacolli, e cila mban njëkohësisht edhe vendin e Zv/ministres së Shëndetësisë.

Teksa shumë zëra janë kundra mësimit online, që nga studentët që janë më të prekurit nga kjo situatë e deri tek stafi e ekspertët e arsimit, duke u shqetësuar për faktin se çfarë po mësohet gjatë kësaj kohe, sërish duket se situata nuk do të ndryshojë, tarifat për degë të ndryshme në universitete kanë qëndruar po njësoj, duke mos njohur një lehtësim për studentët që tanimë kanë rreth 1 vit të plotë kalendarik që po përfitojnë dijet teorike përmes mësimit online.