31 janar 2021/ B.Gilaj/ Porta Vendore
Rreth 66% e komunitetit rom në Shqipëri janë të papunësuar, ku shkak kryesor mbetet arsimimi, por nuk përjashtohet dhe diskriminimi. Ky rezultat del nga një anketim i realizuar në tre muajt e fundit të vitit 2020 nga Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA) në 14 bashki të vendit, ndërkohë që një tjetër shqetësim i ngritur në këtë studim është edhe mungesa e aksesit të këtij komuniteti në shëndetësi.
Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA, përgjatë periudhës Tetor – Dhjetor 2020 ka kryer një anketim në një vështrim për vitin 2020, me fokus “Aksesi i minoritetit Rom në Shërbimet bazë publike në Shqipëri”. Gjeografikisht, pyetësori u shtri në 14 bashki në Shqipëri, konkretisht në 33 vendbanime rome, ku u pyetën rreth 1 mijë persona të komunitetit rom, përkatësisht 563 gra (56%) dhe 437 burra (44%).
Sipas IRCA, intervistuesit u zgjodhën bazuar në kushtet e tyre socio – ekonomike dhe të jetesës duke filluar nga familjet rome që jetojnë në banesa të improvizuara, familjet rome që jetojnë në shtëpi sociale të siguruara nga bashkitë, dhe familjet rome që jetojnë në apartamente apo shtëpi private.
Është kryer punë kërkimore në mbledhjen e studimeve, dokumenteve rekomanduese dhe përmbledhje të politikave përkatëse që adresojnë përfshirjen sociale.
Punësimi i romëve
Nga anketimi i bërë rezulton se 66% e të intervistuarve deklarojnë se janë të papunësuar dhe sipas tyre kjo ndodh për disa shkaqe, ndërsa 34% pranojnë se janë të punësuar. Duke iu referuar shifrave për papunësinë, rezulton se 45% punojnë në punë informale, kryesisht në shitjen e rrobave të përdorura, mbledhjen e materialeve të riciklueshme, bujqësi, muzikë e parukeri, ndërkohë që 21% nuk punojnë fare. Në raportin e IRCA deklarohet se shkaqet kryesore janë mungesa e formimit profesional, mungesa e aftësive profesionale dhe edukimi përkatës, mungesa e informacionit rreth programeve të nxitjes së punësimit dhe diskriminimi në punë.
Sa i përket pjesës së personave të punësuar, pra 34% e të intervistuarve rezultojnë se kanë punë me kohë të plotë dhe asnjë me kohë të pjesshme. Ndërkohë, sa i përket pjesës së të papunësuarve, shifrat janë si më poshtë :
Arsimi i romëve
Një tjetër alarm që vjen nga ky anketim është arsimimi i komunitetit rom. Sipas intervistave, rezulton se 30.5 % të minoritetit Rom nuk kanë ndjekur asnjëherë arsimin, nga të cilët 20.5 % gra rome dhe 10% burra romë të grupmoshës 25 vjeç. Ajo që vihet re është se edhe ata që janë arsimuar, kanë arsim bazë, deri 9-vjeçar, pasi arsim të mesëm dhe arsim të lartë, ka vetëm një numër i vogël. Konkretisht, sipas tabelës më poshtë, vihet re se me arsim fillor ka më shumë burra sesa gra (13% burra dhe 12% gra), ndërsa me arsim 9-vjeçar ka më shumë gra sesa burra (18% burra dhe 19% gra). Ndërkohë, me arsim të mesëm dhe me arsim të lartë, numri i grave është më i lartë sesa i burrave (3% burra dhe 5% gra).
Ndërkohë, mbi 60 % e të intervistuarve pranojnë që përballen me një sërë sfidash në aksesimin e sistemit arsimor të lidhura me ekonominë, diskriminimin, mungesa e orientimit arsimor, barrierat gjuhësore dhe analfabetizmi funksional. Madje, 64.1% thonë se ata janë bullizuar në shkollë, punë, rreth shoqëror. Kjo ka ndikuar në largimin e tyre nga puna, shkolla, duke krijuar një ndjenjë inferioriteti ndaj një bashkëmoshatari dhe duke ndikuar në zhvillimin psikologjik sidomos tek fëmijët.
Strehimi dhe infrastruktura
Një tjetër shqetësim për romët mbetet dhe strehimi. Nëpërmjet këtij anketimi rezulton se nga 1000 të intervistuar, 728 persona nga komuniteti rom, ose 73% e tyre jetojnë në shtëpi private, ndërsa 79 prej tyre ose 8% jetojnë në banesa të improvizuara, ose çadra. Ndërkohë, 193 romë ose 19% e të anketuarve jetojnë në pallate.
Pra vihet re se 92% e të anketuarve jetojnë në një banesë, qoftë private ose në pallat. Madje, sipas tabelës më poshtë vihet re se 13% e tyre jetojnë shumë mirë, 67% jetojnë mirë, 13% jetojnë keq dhe 7% shumë keq.
Ndërkohë, ajo që vihet re është mungesa e theksuar e mungesës së informacionit mbi programet e strehimit. 65% e qytetarëve romë të anketuar deklarojnë se nuk kanë njohuri rreth programeve të ndryshme të strehimit, Kryesisht ata ngrenë kërkesa për sesione informacioni, marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të strehimit, lehtësimin e kritereve për akses në kredinë e butë dhe banesa sociale, rikonstruktim banesash dhe lehtësimin e procedurave të aplikimit për legalizimin e banesave. Por, pavarësisht se 92% e komunitetit rom deklaron se jeton në banesa, në anketim rezulton se aksesi në shëndetësi lë për të dëshiruar, pasi 59% e të anketuarve romë thonë se nuk kanë karta shëndetësore dhe si rezultat përballen me një mungesë të konsiderueshme të qasjes në shërbimet shëndetësore. Të pyetur për praninë e një qendre shëndetësore, 32% e tyre thonë se e kanë larg dhe ka mungesë të ambulancave. Duke u ndalur te shëndeti, CRCA ka bërë dhe disa rekomandime, sidomos sa i përket pandemisë, duke kërkuar për komunitetin rom sigurimin e informacionit dhe paketave mjekësore për mbrojtjen ndaj COVID19, dhe prioritizimin pakicën rome në procesin e vaksinave, duke synuar izolimin e infeksionit së koronavirusit në komunitetet e disavantazhuara dhe të segreguara.