27 janar 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Banorët e Tiranës do të mund të kenë 24 orë ujë të pijshëm në çezmat e tyre vetëm në pranverë të vitit 2024. Të paktën ky është parashikimi optimist i dhënë nga Alqi Bllako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili bëri të ditur në një konferencë për shtyp të në fund të 2020, në krah të kryeministrit Rama, se Bashkia e Tiranës ka arritur një marrëveshje me Bankën Europiane të Investimeve, e cila do të financojë në modernizimin e sistemit të brendshëm të ujësjellësit të Tiranës, ç’ka do të garantojë 24 orë ujë për kryeqytetasit.
Porta Vendore edhe më herët ka raportuar për situatën e furnizimit me ujë të Tiranës dhe ndryshimet që ka sjellë impianti i ri Bovillës, duke shfaqur qëndrimin e qytetarëve, të cilët pohuan se ende furnizohen me orare të caktuara dhe jo 24 orë ujë në ditë.
“Një lajm i mirë për banorët e zonës urbane Tiranë është marrëveshja e arritur tashmë mes Bashkisë Tiranë dhe Bankës Evropiane të Investimeve që do të garantojë 24 orë ujë /ditë. Me financimin e kësaj marrëveshje do të modernizohet sistemi brendshëm, do të ndërtohen unazat e presioneve për qytetin e Tiranës. Me përfundimin e këtij investimi, që mendohet të përfundojë 6 mujorin e parë të 2024, do të garantohet 24 orë ujë në çezmat e çdo qytetari të Tiranës”, u shpreh Bllako.
Edhe kryeministri Rama në konferencën për shtyp deklaroi se përmes investimeve në Bovillë, qytetarët e Tiranës aktualisht furnizohen me 16 orë ujë në ditë. “Tirana është një histori më vete, ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, në tërësi flas, sepse ka edhe zona me 24 orë. Në tërësi, nga 7 orë në ditë furnizim mesatarisht, sot, vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit”, tha kryeministri.
Më herët gjatë korrik 2020, në inaugurimin e këtij investimi nga Bovilla, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj thanë se 62% e popullsisë urbane në Tiranë do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në çezmat e tyre.
Ndërkohë, Porta Vendore kërkoi informacion zyrtar nga UKT, që në përgjigje, bëri të ditur se janë 19 zona në Tiranë, ose 62% e popullsisë së kryeqytetit që furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
“Pas përfundimit të vendosjes në punë të Impiantit të Bovillës, kemi shtuar me 40% kapacitetin e trajtimit të ujit, duke prodhuar 2500 litra/sekondë ujë të pijshëm dhe prurjet e ujit që trajtohen nga ky Impiant janë shtuar me 700 litra/sekondë. Kemi shtuar orët e furnizimit, nga 10.9 orë në vitin 2015 në 18 orë, në të gjithë Tiranën Urbane. Gjithashtu, u bëjmë të ditur se 62% e popullsisë së Tiranës Urbane ka furnizim 24 orë. Konkretisht : Zona Xhamllikut, Rruga Hoxha Tahsim, Zona Brryli, Zona Pazari i Ri, Rruga 5 Maji, Rruga Siri Kodra, Bulevardi i Ri, Zona Don Bosko, Zona Laprakë, Rruga Mine Peza, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga Myslym Shyri, Zona Fusha e Aviacionit, Zona ish-Parku i Autobusëve, Zona Nesheraku, Zona Astir, Rruga e Dibrës dhe zona e Doganës. Sasia e shtuar e ujit të trajtuar, siguron furnizim të qëndrueshëm, pa ndërprerje, përmes Impiantit”, shpjegon UKT.
Por sipas vëzhgimit të kryer në muajin shtator nuk rezultonte i tillë, madje shumë qytetarë të këtyre zonave pohuan se ato vijon të furnizoheshin me orare dhe jo më shumë se 6-10 orë në ditë.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me banorë në zonën e Laprakë, Mine Pezës, Kinostudios, Siri Kodrës, Myslym Shyrit, e Fushës së Aviacionit ku i pyeti nëse kanë vërejtur shtim të furnizimit me ujë të pijshëm nga 16 korriku e mbrapa, por përgjigjet e tyre qenë thuajse njëzëri JO.
Pjesa tjetër e Tiranës, që furnizohet nga Burimi i Selitës e Burimi i Shën Mërisë marrin ujë sipas orareve të caktuara në bazë të dendësisë së popullsisë. Këtu përfshihet pjesa Lindore dhe Juglindore të qytetit, duke filluar nga Zona e Shkozës, Qyteti Studenti, Kombinati, Liqeni i Thatë, Tiranë e Re deri te Komuna e Parisit. “Në të gjitha këto zona ka një regjim të rregullt dhe të qëndrueshëm të furnizimit me ujë”, bën të ditur UKT.
Të pyetur për projektet prioritare, UKT bën të ditur se në fokus është mirëmbajtja e rrjetit shpërndarës, që në një pjesë të konsiderueshme të qytetit është ndërtuar ne vitet ’50 ’60, si dhe shtimi i mëtejshëm i kapacitetit të Bovillës.
“Jemi duke zëvendësuar tubat e gizës në material PE, i cili ofron më jetëgjatësi dhe më cilësi për konsumatorët. Ujësjellësi i Tiranës ka në fokus investimet strategjike. Investimi i radhës planifikohet te jetë shtimi i mëtejshëm i kapacitetit të Impiantit të Bovillës, për të bërë të mundur trajtimin tërësor të ujit të transmetuar përmes linjës së re, duke arritur një prodhim rreth 3600 litra/sec. Do të vijojmë me ndërtimin e unazës së presionit, i cili është ndryshimi më i rëndësishëm hidro-teknik në sistemin e furnizimit me ujë si dhe me shfrytëzimin e burimeve të reja për të rritur kështu sasinë e ujit për Kryeqytetin”, bën të ditur UKT për Portën Vendore.
Qeveria premton ujë 24 orë në 55 qytete brenda 2022
Kryeministri Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës Balluku bënë të ditur në konferencën për shtyp të datës 17 nëntor, se brenda vitit 2022, jo pak por 55 zona urbane në mbarë vendin do të furnizohen me 24 orë ujë në ditë.
“Aktualisht janë në punë 128 kantiere të hapura, të cilat do të mbyllen brenda vitit të ardhshëm. Ndërkohë që brenda pranverës së ardhshme do të hapen plot 70 kantiere të tjera, për të garantuar 24 orë furnizim me ujë në vitin e ardhshëm në 55 zona të mëdha urbane të vendit, dhe në vitin 2022, edhe në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit”, tha Kryeministri Rama, i cili tha se përgjatë periudhës 2014-2019, janë investuar në total 514 milionë euro për ujësjellësit, nga të cilat, 202 milionë janë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër janë financime të huaja.
“Përsa i përket vitit 2020, vetëm për rrjetet e ujësjellësve janë investuar rreth 44 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe mbi 30 milionë euro nga financimet e huaja. Në vitin 2021 do të alokohen për ujësjellës-kanalizime, 52 milionë euro dhe financime të huaja gati 46 milionë euro”, tha Kryeministri.
Sipas të dhënave të qeverisë në vitin 2013, vetëm Korça furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm. Gjatë vitit 2020 furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm 22 qytete: Bilisht, Pogradec, Lezhë, Fier, Pukë, Tropojë, Fushë-Arrëz, Maliq, Konispol, Vau i Dejës, Koplik, Rrëshen, Tropojë, Krujë, Cërrik, Peqin, Përmet, Ersekë, Poliçan, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë.
Eksperti i hidrologjisë, Klodian Zaimi i tha Portës Vendore se shtimi i orareve të ujit sidomos në vendet me popullsi të lartë, që konsiderohen tanimë metropole nga ana e dendësisë së popullsisë siç janë Tirana dhe Durrësi, është një lajm i mirë, por gjithashtu edhe për shumë qytete të tjera që kanë pasur probleme me furnizimin me ujë.
“E shoh pozitiv faktin, dhe po ta analizojmë nga ana e resurseve ujore që Shqipëria ka kjo është e mundur. Sigurisht që kërkon një investim shumë të madh që të shfrytëzohen dhe vihen në punë burimet e ujit në zona të ndryshme të vendit, që kanë ujë të pastër dhe cilësor, por gjithashtu unë do ta shikoja me interes edhe ujërat sipërfaqësor, si ai i Bovillës por që normalisht kërkojnë një kosto edhe më të madhe për trajtimin e tyre”, tregon ai, ndërsa vë theksin tek arkëtimet që duhet të ketë ujësjellësi në këto kushte, në qytetet kryesore të vendin.
Sipas projeksionit optimist të qeverisë në vitin 2021 do të furnizohen 24 orë ujë në ditë, 52 zona urbane: Laç, Rubik, Kavajë, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Shijak, Peshkopi, Bulqizë, Burrel, Klos, Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Leskovik, Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, Çorovodë, Lushnje Patos, Roskovec, Ballsh, Selenicë, Delvinë, Finiq, Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Belsh.
Ndërsa burimet në institucionet vendore dhe jo vetëm, i thanë Portën Vendore se Këlcyra ka përfunduar rrjetin e brendshëm dhe qyteti ka 24 orë furnizim përveç rasteve kur ka punime meqë po bëhet edhe rrjeti i jashtëm dhe mund të ketë ndërprerje disaorëshe. Po ashtu, Erseka ka probleme aktualisht, e ka me orar të reduktuar. Sidomos në fshatra situata është e vështirë për furnizimin me ujë.
Memaliaj ka 24 orë ujë aktualisht. Tepelena gjithashtu, pasi e merr direkt nga burimi i Leklit. Burimet thanë gjithashtu se Lezha qytet furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë që në vitin 2011, ndërsa Shëngjini nuk ka 24 orë ujë në ditë dhe në sezonin e verës, uji i pijshëm është një problem shqetësues. Pogradeci në sajë të burimeve të Portës Vendore ka 24/7.
Por deri sa premtimi i qeverisë të mbahet dhe të respektohen afatet kohore të investimeve që kapim vlera të larta financiare, shumë qytetarë edhe në qytetet e mëdha do të vuajën furnizimin me kohë të pjesshme me ujë të pijshëm, ndërsa të tjerë do të vuajnë mos furnizimin me ujë ashtu sikurse Porta Vendore ka raportuar edhe më parë në Vlorë, Prrenjas, Elbasan, Fier, Korçë, Klos, Bulqizë e shumë qytete të tjera të vendin që kanë probleme të theksuara me furnizimin me ujë, e ku në raste të tjera cilësia e ujit është e keqe.