27 janar 2021/Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Durrës
Katundi i Ri në Durrës, i cili përbëhet nga disa fshatra është përmbytur dy herë brenda 72 orëve për shkak të daljes së Erzenit nga shtrati. Banorët tregojnë se një situatë e tillë nuk ishte përsëritur prej vitit 2016, ndërkohë që shkolla 9-vjeçare e Fllakës i është rikthyer mësimit online. Dëmi i shkaktuar nga përmbytjet është kolosal dhe banorët ankohen se nuk kanë marrë ndihmë, ndërsa Bashkia e Durrësit deklaron se ka marrë masat për vlerësimin e dëmeve.
Për shkak të reshjeve intensive të shiut ashtu sikurse kishin paralajmëruar në fakt edhe meteorologët, në dy ditët e fundit kanë bërë që Lumi Erzen të dalë nga shtrati duke shkaktuar pasoja të mëdha në rreth 400 familje të periferisë së Durrësit. Situata në Sukth, Katund i ri, Fllakë dhe Shijak është tejet problematike.
*Pamjet nga Katund i Ri
Në 72 orët e fundit, lumi ka dalë dy herë nga shtrati duke alarmuar banorët e këtyre zonave. Ndërsa shumë prej tyre që pastruan shtëpitë nga balta e mbetur dhe mbetjet që solli lumi u përballën sërish me të njëjtën situatë, teksa mobiliet kanë dalë jashtë funksioni.
“Vdiqa kam shkuar të marr gjilpëra, pasi më ka hyrë e ftohura në mushkëri, duke larë e pastruar llumin që na është futur në shtëpi”, tregon një e moshuar.
Në fshatin Katund i Ri e Fllakë ka ende prezencë të ujit në katet e para të banesave.
*Banorët duke hapur rrugën e pastruar.
Ndërsa shumë prej familjeve të përmbytura tregojnë për Portën Vendore se nuk e kanë për herë të parë përmbytjen, teksa apelojnë për ndihmë.
“Nuk kam marrë ende pajisjet elektroshtëpiake pas përmbytjes së dy-tre viteve më parë, frigorifer, e lavatriçe se u shkatërrova komplet. S’kam mundësi financiare për t’i blerë. Tani mu lagën edhe gjithë ç’kishin mbetur, dhoma e gjumit, divanet, tavolina janë lagur. Jemi të dëshpëruar. Kërkojmë ndihmë nga shteti”, thotë Asllani, banor i Katundit të Ri. “Punova një jetë për të rregulluar këtë shtëpi dhe tani u shkatërruan të gjitha. Shteti nuk më ndihmoi as në përmbytjen e 2016. Një kamion me mall kam hedhur në 2016”, thotë Diana e dëshpëruar.
*Shtëpitë nën ujë
Situata mbetet kritike në zonat që ky lumë përshkon megjithëse ende nuk ka një bilanc për dëmet e shkaktuara në toka bujqësore. Me sy të lirë duket gjithçka që lumi ka mundur të shkatërrojë në tokat me të mbjella të banorëve.
“Ça kishim të mbjella në kopsht për veten na janë shkatërruar, nuk po marrim vesh ça po ndodh. Mbrëmë uji u tërhoq ndërsa sot prapë vërshoi më shumë. Ne qenkemi të destinuar të vuajmë, thjesht kaq. Kemi dëme kolosale dhe askush nuk ka ardhur deri tani për të na thënë si jeni, se përsa i përket dëmeve, s’kemi marrë kurrë asgjë as vitet e kaluara”, thotë Admiri, banor i Sukthit.
*Sukthi si Venecia.
Situata duket dramatike pasi në brendësi të banesave, uji ka pushtuar gjithçka, duke sjellë dëme të pallogaritshme për qindra familje të prekura. Në mënyrë të befasishme, ai rrëmbeu gjithçka gjeti përpara, pa i lënë mundësi banorëve që të shpëtonin asgjë.“Edhe ushqimet na i ka lagur, s’bën më asgjë në shtëpi. Jemi në pikë të hallit, është një situatë shumë e vështirë dhe më e keqja është që nuk është hera e parë që e kalojmë. U mësuam tani, jemi bërë të fortë, por ama këto përmbytje na i kanë bërë xhepat gropë, pasi nuk po ngremë dot kokë, duke blerë e zëvendësuar gjërat e prishura, thuajse një herë në dy-tre vite”, tregon Moza, e cila është duke larë e pastruar, teksa shenja që ka lënë ujë në mur është më se e dukshme.
*Uji pushton gjithçka
Në shumë banesa të tjera uji shkoi mbi 1 metër dhe banorët e zonës tregojnë se nuk kanë ushqim as për gjënë e gjallë.
“Na e mori uji ushqimin për gjënë e gjallë. Kërkojmë ndihmë nga bashkia a qeveria të bëjë diçka për ne. Ne me ato pula, lopë e dele mbahemi, të na ngordhin dhe ato, të vrasim veten pastaj se nuk kemi me ça ushqehemi. Dikush të vërë dorën në zemër në të gjithë këtë situatë”, apelon një tjetër banor i zonës së përmbytur.
*Situata aktuale në zonat e përmbytura.
Rreth 18 persona mësohet se janë evakuuar, teksa janë akomoduar në ambientet e Konvaleshencës, ndërsa Bashkia Durrës deri më tani, bën të ditur se ka shpërndarë rreth 250 pako ushqimore.
*Uji teksa ka depërtuar në brendësi të banesave
Të prekur nga kjo situatë janë edhe banorët e Fllakës, të cilët prej më shumë se 72 orësh janë në të njëjtën situatë, nën pushtetin e ujit.
Banorët tregojnë se prej dy ditësh nuk kanë çuar fëmijët në shkollë pasi janë të izoluar në banesat e tyre, ndërsa ata që kanë pësuar përmbytje nga ujë i kanë lënë banesat e kanë shkuar tek të afërmit e tyre, pasi situata është alarmante.
*Ujë në shtëpitë e banorëve mbi një metër
Madje, nisur nga kjo situatë, shkolla 9-vjeçare e Fllakës i është rikthyer mësimit online, pasi uji ka pushtuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës.
“Ditën e djeshme, pra në dt 26 janar kemi hyrë me autobus deri tek shkallët e shkollës, pasi ishte e pamundur, ndërsa shumë nxënës munguan. Ndërsa sot i jemi rikthyer mësimit online. Nuk kemi informacion se deri kur do të vijojë kështu, por shpresoj që situata të normalizohet sa më shpejt”, thotë mësuesja e ciklit të ulët në shkollën “Bajram Gashi”.
*Situata në Fllakë
Dëmet janë të konsiderueshme për të gjitha familjet, teksa numërohen rreth 400 familje të prekura në fshatrat e Durrësit nga kjo situatë, ndërsa ka pasur gjithashtu edhe humbje të bagëtive teksa në shumë zona niveli i ujit i kalon 2.8 metra, duke kapërcyer kështu edhe gardhet e shtëpive.
*Situata në zonat e përmbytura në njësinë administrative Katund i Ri
Ndërsa gjatë ditës së mërkurë, zonën e vizituan gjithashtu edhe Kryebashkiakja e Durrësit Sako, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi.
Porta Vendore u përpoq të lidhej me Administratorin e njësisë Administrative Katund i ri, Kujtim Shahini, por ai kishte fikur telefonin. Porta Vendore gjithashtu kontaktoi për këtë situatë Bashkinë Durrës
“Janë shpërndarë të gjithë grupet e vlerësimit. Do vlerësohen të gjitha dëmet të familjeve që janë përmbytur. Do të kemi një investim afatgjatë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, një plan strategjik për investime madhore që të mos kemi më situata të tilla, pra për të shmangur këto situata në të ardhmen, pra investime në infrastrukturë, megjithëse pastrimi i kanaleve kulluese të nivelit 1 dhe 2 janë bërë. Pra ishin marrë masa paraprake, por sërish kishte përmbytje, megjithëse jo në nivelet e viteve të kaluara”, tha Bashkia Durrës, ndërsa theksoi se gjithë grupet e bashkisë dhe shtabit të emergjencave janë në terren, teksa për çdo familje që kërkon ndihmë i ofrohet në terren, duke i evakuuar.
Njësia administrative Katund i Ri ka nën administrim 8 fshatra, përkatësisht: Adriatik, Bisht-Kamëz , Erzen, Fllakë, Jubë , Qerret , Rinia , Sukth i Ri , ku 4 prej tyre janë të prekur drejtpërdrejtë nga përmbytjet e tre ditëve të fundit.