23 janar 2021/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë
Lagjja e spitalit në qytetin e Lezhës ka marrë pamjen e një fshati për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturë. As ambulanca apo zjarrfikësja nuk mund të depërtojë në këtë zonë që ndodhet 2 km larg qendrës së qytetit.
Rruga e dëmtuar në zonën e njohur si Spitali e ka bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve si dhe është kthyer në rrezik edhe për këmbësoret. Kjo për shkak se sa herë ka reshje shiu, uji vërshon në rrugë dhe banorët detyrohen të ndërhyjnë vetë për ta rehabilituar sadopak këtë rrugë, që të paktën të jetë e kalueshme për këmbësorët. Kjo situatë vijon prej shumë vitesh dhe banorët fajësojnë pushtetin vendor se i ka lënë jashtë vëmendjes.
“Kjo rrugë gjithmonë ka qenë problem. Sa herë bie shi, këtu nuk kalohet as në këmbë. I gjithë uji që vjen nga zona e kalasë kalon në këtë rrugë sepse nuk ka fare kanalizime. Detyrohemi të ndërhyjmë vetë që ta bëjmë të kalueshme të paktën për këmbësorët sepse për automjet këtu as nuk bëhet fjalë që të depërtojnë. Ne jemi më keq se një zonë e thellë malore dhe është e turpshme për bashkinë që nuk merr masa. Jemi ankuar disa herë, na kanë premtuar në çdo fushatë që do ta rregullojnë këtë rrugë dhe pasi kanë marrë votat asgjë nuk kanë bërë,” thotë një banor i kësaj zone.
Në këtë lagje jetojnë rreth 200 banorë, të cilët i duhet të përballen çdo ditë me këtë problematikë. Zef Filipi na rrëfen se vuan nga një sërë problemesh shëndetësore dhe ka pasur nevojë për autoambulancën, por për shkak të mungesës së rrugës e ka pasur të pamundur t’i afrohet shtëpisë së tij. “Ne jemi të izoluar totalisht. Këtu vetëm me ndonjë kamion mund të kalosh, se për makinë tjetër është e pamundur. Rruga është në gjendje skandaloze dhe besoj se as në fshatin më të largët nuk është kështu. Ne jemi pensionistë dhe invalidë, vjen ambulanca dhe nuk ka ku të futet. Asgjë nuk është bërë për këtë rrugë, kemi bërë vetë rregullime. Me duket e turpshme që të lihet 1 km rrugë pa u rehabilituar për 30 vite. Unë kam nevojë për shërbim shëndetësor se jam i moshuar, por vetëm në këmbë mund të shkoj në spital sepse këtu nuk hyn asnjë makinë. Me pak fjalë jam bëre të largohem nga kjo lagje se s’po ka zgjidhje tjetër. Jemi mësuar vetëm me gënjeshtra dhe asgjë nuk është bërë nga kryebashkiakët e këtyre 30 viteve,” thotë Filipi për Portën Vendore.
Ndërsa Pjetër Marku u zhvendos vite më parë nga zona malore e Ungrejt për një jetese më të mirë, por ai tregon se është i zhgënjyer, pasi i ka rezultuar e kundërta. “Unë kam jam zhvendosur nga zona e Ungrejt në këtë lagje vite me parë, për një jetesë më të mirë. Por të them të drejtën jam zhgënjyer totalisht. Këtu është rruga më e keqe se në fshatin ku unë kam jetuar, pasi të paktën atje vërtet larg, por makina më vinte deri te shtëpia. Këtu jemi të izoluar si në mesjetë. Po të lëvizesh natën mund të rrëzohesh e të ngelesh me fraktura, pasi nuk ka as ndriçim. Me duket e pafalshme për pushtetin vendosur të na lejë në këtë gjendje, duke qenë se jemi dhe krejt afër qendrës së qytetit. Të paktën ta rehabilitojnë rrugën që të na vinë makina deri në shtëpi, s’po kërkojmë më shumë”, thotë Pjetër Marku.

Problematika është e njohur për Bashkinë Lezhë, por nuk mund të investohet pa përfunduar projekti i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza që pritët të nisë vitin që vjen. “Siç e dini në Lezhë do të nisë përmes donacioneve një investim mjaft i rëndësishëm për rehabilitimin e ujërave të bardha dhe të zeza që do ti japin njëherë e mirë zgjidhje problemit të përmbytjeve në këtë qytet. Ky projekt do të nisë në muajin mars të vitit që vjen dhe do të hapen të gjitha rrugët e qytetit dhe të lagjeve. Pa përfunduar këtë investim ne nuk mund të bëjmë asnjë ndërhyrje infrastrukturore në qytet. Me përfundimin e këtij projekti do të investohet në shumë zona të Lezhës, përfshirë dhe lagjen e spitalit të cilën e kemi prioritet numër një. Atje do të zbatohet një projekt për rehabilitimin e të gjithë lagjes, çka do të thotë do bëhen rrugët me trotuare dhe ndriçim, se vërtetë është lënë pas dore. Po ashtu sapo të zgjidhet problemi i përmbytjeve do të ketë ndërhyrje në infrastrukturën e të gjithë qytetit”, thotë kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu.
Lagjja e Spitalit në Lezhë është populluar masivisht gjatë viteve të demokracisë, por në këtë zonë nuk është investuar asnjëherë për t’ju krijuar kushte normale jetese banorëve të cilët e konsiderojnë veten të braktisur nga pushteti vendor dhe ai qendror.