Ngjarje/Personazhe

Makinat i duam benza, por mund t’i përballojmë të vjetër dhe me naftë. Ja sa paguajmë taksa

22 janar 2021/Aurora Sulce/Porta Vendore/Tiranë

Kur Jeremy Clarkson, drejtuesi i emisioni të njohur në të gjithë botën “Top Gear” do të zhvillonte në 2011-ën një episod të tij në Shqipëri, do të çuditej nga numri i madh i makinave Benz në qarkullim. 10 vite më pas, shqiptarët mbeten të “dashuruar” pas brandit gjerman. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, mbi karakteristikat e mjeteve rrugore (botohen për herë të parë) rezulton se në qarkullim janë gjithsej 499.779 automjete.

Marka që dominon është Mercedez Benz me 30.7% e totalit, ose me 153.432 makina të tilla në rrugë. Pas Benz-it, shqiptarët preferojnë Volksswgen dhe të kësaj marke janë 16.6% e totalit të automjeteve në qarkullim, pasuar nga Ford me 10 % të totalit.

Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho shpjegon arsyet pse shqiptarët preferojnë këto tre marka makinash. “Makinat Benz, pasuar edhe nga Volkswgen janë ndër modelet më të forta. Nga aksidentet në rrugë kemi parë që këto marka kanë edhe qëndrueshmërinë më të madhe. Një tjetër faktor është që shqiptarët i kanë pasur idhull makinat gjermane dhe kryesisht markën Benz. Ne si popull kemi pasur më shumë marrëdhënie me Italinë, por edhe emigrantët prej andej sillnin kryesisht Benza dhe Volkswgen dhe më pas, Fiat. Kjo edhe pse në gjykimin tim, disa modele të markës Fiat e përballojnë rrugën shumë më mirë se Benz-at”, shprehet Hasho.

Një tjetër karakteristikë e makinave që përdorin shqiptarët është mosha e madhe e tyre. E thënë ndryshe, shumica përdorin makina të vjetra. Sipas të dhënave të INSTAT-it, 64.4% e totalit të automjeteve në qarkullim janë të prodhuara gjatë periudhës kohore 2000-2010. Autoveturat e prodhuara para vitit 2000, përbëjnë 28.2 %, ndërkohë që vetëm 7.4% e automjeteve në rrugë janë të reja ose që janë prodhuar gjatë periudhës kohore 2011-2019.

Niveli i ulët i jetesës konsiderohet arsyeja kryesore pse në qarkullim janë kryesisht makina të vjetra. Kjo pasi blerja e një automjeti për shumë familje shqiptare konsiderohet luks i papërballueshëm. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, publikuar nga INSTAT, një familje shqiptare shpenzon mesatarisht për transport 5.9% të totalit të të ardhurave mujore.

Një tjetër karakteristikë e makinave që qarkullojnë sot në Shqipëri dhe që lidhet me faktorin ekonomik është lënda djegëse që përdorin. Sipas të dhënave, 73.3% e automjeteve në rrugë janë me naftë, 19.4% janë me benzinë, 7.1% e mjeteve përdorin lëndë djegëse të kombinuar benzinë dhe gaz dhe vetëm 0.2 % e mjeteve përdorin lëndë djegëse si naftë, benzinë ose gaz të kombinuara me energjinë elektrike.

“Arsyet që përdoren më shumë makinat me naftë janë ato ekonomike. E para është se nafta kushton më lirë sesa benzina, ndërsa elementi i dytë është se makinat me naftë harxhojnë më pak sesa ato me benzinë”, shprehet Fatmir Hasho, ekspert për sigurinë rrugore.

Por përhapja kaq e madhe e automjeteve me naftë është në dëm të ambientit, pasi këto të fundit, veçanërisht kur janë edhe të vjetra, shkaktojnë ndotje në nivele të larta.

“Përdorimi i makinave me naftë shkakton ndotje më të madhe se makinat me benzinë. Ndotja është e madhe veçanërisht brenda qyteteve, ku për shkak të trafikut ecet me shpejtësi të ulët. Në makinat e reja me naftë ky problem është zgjidhur, por mbetet shqetësues për ato me moshë të madhe”, shprehet Hasho.

E një tjetër element që dëshmon se makina është ende luks në Shqipëri është vëllimi i motorit, prej nga ku varet edhe shpejtësia e saj. INSTAT konstaton se numri më i lartë i autoveturave në qarkullim ose 66.8% e totalit kanë një fuqi motorike deri në 2000 centimetra në kub, 30.6% e makinave në rrugë janë me vëllim 2001-3000 centimetra në kub dhe vetëm 2.6% kanë vëllim motorik më të madh se 3000 centimetra në kub.

 

Taksat për të demotivuar përdorimin e makinave të vjetra

Qeveria dhe strukturat e saj, si Ministria e Financave apo Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor kanë bërë vazhdimisht përpjekje për të demotivuar përdorimin e makinave të vjetra nga qytetarët, me argumentin kryesor uljen e ndotjes që shkaktojnë këto mjete. Instrumenti që është përdorur ka qenë politika fiskale. E thënë ndryshe, niveli i taksave, duke i ulur to për makinat e reja dhe duke i rritur për automjetet e vjetër.

Përpjekja e fundit ishte ndryshimi që u bë në vitin 2020 në ligjin për taksat kombëtare, i cili ishte në favor të gjithë qytetarëve që kishin në përdorim një automjet që konsiderohet luksi.

Sipas ligjit, makinë luksoze konsiderohet çdo mjet që ka çmim të barabartë ose më të madh se 5 milionë lekë. Ndryshimi ligjor parashikonte që vlera e automjetit të luksit do të amortizohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur, duke iu kursyer të gjithë qytetarëve paratë që paguanin për mjetin e tyre. Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi në masën 70 000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21 000 lekë çdo vit. Me këtë ndryshim të ri, nëse çdo vit kësaj kategorie automjetesh i zbritet amortizimi 10%, qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e luksit, por taksë si makinat e thjeshta apo të përdorura. Për makinat e përdorura, taksa vjetore përcaktohet nga cilindrat, koeficienti i vjetërsisë dhe taksa fikse për llojin e karburantit.   

Po sa taksa paguajmë konkretisht për një makinë?

Kemi marrë si shembull taksat që duhen paguar për tre automjete me naftë dhe benzinë në vite të ndryshme prodhimi. Vetëm fuqia motorike që përcaktohet nga cilindrata është e njëjtë për të gjitha rastet në 1600 CC.  Për një automjet me naftë, me cilindrat 1600 CC me vit prodhimi 2000, duhen paguar 13.600 lekë taksa. Për një automjet me naftë me cilindrat 1600 CC me vit prodhimi 2010 duhen paguar 5600 lekë taksa, ndërsa për një automjet me naftë, me cilindrat 1600 CC dhe vit prodhimi 2015, duhen paguar 4000 lekë taksa. Pra, sa më e vjetër është makina, aq më shumë taksa paguhen me formulën që është aktualisht në fuqi.

E njëjta gjë vlen edhe për automjetet me benzinë. Për një makinë me benzinë, me cilindrat 1600 CC dhe vit prodhimi 2000, duhen paguar 10.880 lekë taksa. Për të njëjtin automjet, por me vit prodhimi 2010 duhen paguar 4480 lekë taksa, ndërsa për vit prodhimi 2015, shuma që duhet paguar është 3200 olekë. pra, sa më e re makina, aq më pak paguhen taksa.

*Llogaritjet dhe grafiku nga Porta Vendore në bazë të të dhënave nga https://www.dpshtrr.al/

Por pse nuk ka funksionuar deri më tani kjo politikë e qeverisë? Për ekspertët, arsyet janë kryesisht ekonomike. “Një ndër arsyet themelore është se përdoruesit e automjeteve përpiqen të mos paguajnë ato taksa që konsiderohen si taksa të reja, për të cilat ata mendojnë se është një padrejtësi rritja e shumës së taksës lidhur me vjetërsinë e saj. Pra, kemi një mosbindje për pagesë të saj për arsye mentaliteti. Pjesë tjetër e përdoruesve të makinave të vjetra është ajo kategori që janë të varfër dhe me aftësi paguese të ulët dhe realisht kjo kategori, përpos mungesës së dëshirës për ta paguar, u shtohet edhe pamundësia. Shumë pronarë të tyre nuk nxjerrin ato në qarkullim, pasi u rezulton se taksa është shumë e lartë, ndërkohë që këto raste shtojnë nivelin e gjobave, të cilat detyrojnë herë pas here qeveritë ta përfshijnë këtë kategori në faljet fiskale”, shpjegon Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës studimore Altax.

Të mbash një makinë kushton. E sot, edhe pse për një pjesë të mirë të familjeve konsiderohet luks, nuk është aspak e tillë. Por për ata që kanë mundësi ta përballojnë një automjet, logjika ekonomike të sugjeron ta zgjedhësh sa më të ri.