Ngjarje/Personazhe

Autoritetet lejojnë panelet e erës brenda zonave të mbrojtura natyrore

21 janar 2021/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Karaburun

Dy aplikime të reja për ndërtimin në Karaburun të impianteve që prodhojnë energji elektrike  nga burimet e erës, kanë marrë javët e fundit të vitit që shkoi miratimin paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Por Karaburuni, gadishulli i vetëm i vendit, i pozicionuar në kategorinë IV të klasifikimit, sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Konservimit të Natyrës (IUCN), është zonë natyrore e mbrojtur, nën statusin e “Rezervat Natyror i Menaxhuar”. Ndërtimi impianteve të prodhimit të energjisë brenda zonave të mbrojtura nuk përputhet me objektivat e mbrojtjes se mjedisit.

Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria vuajti pasojat e një boomi ndërtimesh të impianteve gjeneruese të energjisë elektrike, veçanërisht prej burimeve hidrike. Nën moton – Shqipëria një mini-superfuqi energjitike – autoritetet mbështetën një zhvillim kaotik e të pakontrolluar të këtyre impianteve, disa dhjetëra prej tyre, brenda zonave natyrore të mbrojtura.

Të propaganduara si nevojë për të siguruar energjinë e nevojshme, një pjesë e licencave përfunduan si shkëmbime favoresh, mes zyrtarëve të korruptuar dhe aksionerëve të kompanive private. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1300 MW fuqi e instaluar, (e barabartë me kapacitetin total të energjisë që sigurohet prej Kaskadës së Drinit), u parashikua të sigurohej prej gjeneratorëve që do të viheshin të lëvizje nga energjia e erës.

Për shumë faktorë, përparimi i mëtejshëm i impianteve të prodhimit të energjisë nga burimet e erës ndaloi. Aktualisht, pothuajse e tërë energjia që prodhohet në vend sigurohet ende nga burimet hidrike.

Por në korrik të 2019-s, qeveria miratoi një plan të ri. Si nevojë edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë, plani parashikoi mbështetjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme nga era, me një volum, të paktën prej 150 MW-ësh. Kësisoj, kompanive të interesuara do t’u garantohej blerja e prodhimit deri në 3 MW, për një periudhe 15-vjeçare. Është ky momenti kur interesi për ndërtimin e impianteve të erës u rikthye, natyrisht në një shkallë ‘agresiviteti’ më të ulët.

Deri tani në Karaburun, autoritetet kanë miratuar kapacitete gjeneruese me fuqi të instaluar 20 MW (2019). Dy aplikimet e fundit, dhjetorin e shkuar, prej 3 MW secila (gjithsej 6 MW), sapo kanë marrë miratimin paraprak.

Ndërkohë, disa gjëra kanë ndryshuar. Karaburuni u shpall zonë me rëndësi kombëtare, i vlerësuar për potencialin turistik në dobi të vendit. Kufiri i tij parashikohet të zgjerohet me Lagunën e Orikumit, si dhe me një pjesë tjetër, në faqen perëndimore të Malit të Çikës, mbi Llogara. Gjeografikisht, ai është pozicionuar në rrugëkalimin e Adriatikur Lindor, i njohur si korridor shtegtimi për shpendët migratorë, duke qenë, njëkohësisht, i klasifikuar një zonë e rëndësishme për shpendët (IBA).

Një studim mbi përshtatshmërinë e zonave të mundshme për zhvillimin e projekteve të erës në Shqipëri, i komisionuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sapo është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Studimi konkludon se 20% e territorit të vendit, rreth 350,000 ha, rezulton e qëndrueshme për zhvillimin e paneleve të erës. Për herë të parë, mbrojtja e natyrës i paraprin potencialit teknik. Dimensioni mjedisor është caktuar treguesi kryesor i vlerësimit. Zonat e mbrojtura janë përjashtuar dhe fizibiliteti i paneleve eolike (të erës) në territore me ndjeshmëri të larta mjedisore vlerësohet me qëndrueshmëri të ulët. Ndonëse kjo nuk ndodhi gjatë dekadës së shkuar me impiantet e prodhimit të energjisë prej burimeve hidrike, studimi në fjalë i jep shpresë përpjekjes së vazhdueshme të grupeve të interesit për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe konservimit të natyrës.

Por ministria nxitoi. Ndërkohë që studimi s’kishte përfunduar, vetëm pak ditë përpara publikimit të tij, ajo miratoi ndërtimin e dy paneleve të reja të erës, brenda Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit.

Ka një pyetje! Përse qeveria vazhdon të mbështesë impiantet e prodhimit të energjisë elektrike brenda zonave të mbrojtura, ndërkohë që refuzimet prej grupeve të interesit po shtohen? Kujt i shërben “kokëfortësia” e vendimmarrjes?!