19 janar 2021/ Porta Vendore/ Mat
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur në favor të banorëve të Zall Gjoçaj, duke shfuqizuar licencën e kompanisë për të prodhuar energji elektrike të marrë nga ERE. Me këtë licencë, kompania “Seka Hydropoëer” kishte të drejtën e prodhimit të energjisë elektrike në park kombëtar, por gjykata ka vlerësuar se dhënia e kësaj licence është në kundërshtim me ligjin për dy arsye. E para se prodhimi i energjisë nuk është objekt i veprimtarisë së kompanisë, ndërsa e dyta që cenohet ligji për mbrojtjen e mjedisit, duke qenë se shtrihet në zonë të Parkut Kombëtar.
Gjykata Administrative ka shfuqizuar specifikisht Vendimin Nr. 146, dt. 10.09.2020, “Mbi licencimin e shoqërisë “Seka Hydropoëer” shpk, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et “Sekë” me kapacitet të instaluar 12667kË dhe “Zais”, me kapacitet të instaluar 2295 kË, me kapacitet total të instaluar 14962kË”. Kjo do të thotë se edhe nëse ndërtohet HEC-i, kompania nuk mund të prodhojë energji elektrike nga ky HEC.
Sipas padisë të depozituar në gjykatë, shoqëria “Seka Hydropoëer”shpk në momentin që ka aplikuar për licencën e prodhimit të energjisë elektrike pranë ERE, nuk ka pasur të drejtë ligjore që të aplikojë për licencë për HEC-in Zais. Referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, dhe ekstraktit historik të shoqërisë, rezulton se projekti dhe kontrata për HEC-in Zais jo vetëm që nuk kanë qenë të përfshira në fushën e ushtrimit të veprimtarisë në QKB, të palës së paditur në momentin e lidhjes së kontratës dhe në momentin e aplikimit për licencë, por nuk janë as në momentin e paraqitjes së kësaj padie përpara gjykatës.
Ndërkohë, dy HEC-et për të cilat pala e paditur ka miratuar licencën e prodhimit të energjisë elektrike, do të realizohen në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe Zallit të Melthit, në Bashkinë Mat, Qarku Dibër dhe në Bashkinë Mirditë, Qarku Lezhë. Me VKM Nr.661, dt.31.10.2018,“Për zgjerimin e sipërfaqes së PK “Lurë” dhe krijimin e PK “Lurë-Mali i Dejës”është vendosur bashkimi i dy parqeve kombëtare dhe krijimi i një parku të vetëm “Lurë-Mali i Dejës”. Si rezultat i kësaj VKM-je, tashmë, projekti i realizimit të dy HEC-ve shtrihet 2.08 km brenda këtij parku kombëtar, duke e bërë të paligjshme çdo veprimtari që zhvillohet në këtë park.
Pikërisht këto kanë qenë argumentet e gjykatës që kanë hedhur poshtë licencën.
Banorët, të cilët kanë 2 vite rezistencë për mbrojtjen e një pjese të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj ashtu sikurse ka raportuar edhe më herët Porta Vendore, tanimë po shijojnë frytet e një fitoreje pas betejave të gjata nëpër dyer e gjykatave. “Kjo është një fitore e vogël që mund t’i paraprijë një fitoreje tjetër më të madh. Ideja është që kompania edhe nëse ndërton nuk prodhon dot energji, ndonëse mund ta ndërtojë HEC-in”, tregon për Portën Vendore Aurora Leka, aktiviste e shoqërisë civile e cila është marrë me çështjen e Zall Gjoçajt në mënyrë të vijueshme.
Banorët nuk e prisnin fare një vendim të tillë dhe ata thonë që ky ishte shumë surprizues. Ky vendim duket se ka rikthyer edhe njëherë shpresën te skeptikët për drejtësinë shqiptare, por edhe tek ata që po rezistojnë me mish e me shpirt në këtë kauzë për ta çuar deri në fund.
“Procesi do të vijojë deri në fund, pasi banorët kanë edhe dy padi të tjera në gjykatë që presin vendimin, të cilin urojmë të jetë pozitiv”, shprehet aktivistja Leka.
Banorët kanë edhe dy procese të tjera të hapura në Gjykatën Administrative, njëra në shkallë të parë e tjetra në Apel. E para është për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe për Ministrinë e Transportit dhe Energjisë, teksa të hënën pritet vendimi mbi këtë padi. Banorët kërkojnë ndalimin e punimeve.
“Detyrimi i palëve të paditura për të vepruar duke marrë masat e duhura ligjore për zbatimin e pikës 5 të VKM-së Nr.661, dt.31.10.2018, ‘Për zgjerimin e sipërfaqes së PK Lurë dhe krijimin e PK Lurë-Mali i Dejës, lidhur me projektin për ndërtimin e HEC-ve Sekë dhe Zais, që prekin këtë zonë të mbrojtur, duke ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të këtyre HEC-ve brenda zonës së mbrojtur”, thuhet në kërkesë padi.
Në padinë tjetër banorët e Zall Gjoçaj paditën një sërë institucionesh si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqërinë “Seka Hydropoëer”shpk, duke i kërkuar gjykatës shpalljen absolutisht të pavlefshme të akteve që këto insitucione kishin lëshuar për qëllim ndërtimin e HEC-eve Sekë dhe Zais si dhe sigurimin e padisë duke qënë se në zonë kryheshin ndërhyrje me pasoja të rënda e të pandreqshmë. Gjykata rrzëoi këtë padi si të pabazuar megjithatë banorët kanë vazhduar betejën duke e ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin.
Proceset gjyqësore janë asistuar nga avokatët e Klinikës Ligjore, si dhe aktivistët janë mbështetur nga Leviz Albania për ti dhënë më shumë zë kauzës së tyre.
Disa ditë më parë banorët e Zall-Gjoçaj kanë rishprehur kundërshtinë e tyre mbi ndërtimin e HEC-eve në lumin Flim me djegien e një prej makinerive të kompanisë. Por pavarësisht rezistencës së gjatë të banorëve të zonës, diga është pothuajse e përfunduar duke e devijuar kështu rrjedhën e lumit, ndërsa si shkak i këtyre punimeve banorët dhe ekspertët e mjedisit dëshmojnë se ka humbur cilësia e ujit për të cilën kjo zonë shquhet, dhe rrjedhimisht është shkatërruar mjedisi.
Ndërkohë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura pohon nëpërmjet një shkrese të datës 29.12.2020 drejtuar avokates së banorëve të Zall-Gjoçajt, Dorina Ndrekës nga Klinika e Ligjit, se përgjatë një viti AKZM së bashku më një grup ekspertësh ka realizuar një studim për sistemin e vlerësimit të zonave të mbrojtura, në bazë të të cilit zona e Melthit dhe Zall-Gjoçaj parashikohet të lihet jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura. Rreth dy vite më parë i njëjti institucion e përfshiu këtë zonë në zonat e mbrojtura, ndërsa tanimë nëpërmjet një studimi propozon që zona ku po ndërtohet, pjesë e Parkut Lurë-Mali i Dejës të jetë jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura.