Ngjarje/Personazhe

Në Kishën e Shën Ndout në Laç, për pak lutje e shpresë në këtë fillim viti

16 janar 2021/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Kurbin

Janë të shumtë njerëzit që i drejtohen kishës së Shën Ndout në Laç, e kjo nuk ka munguar as në këto ditët e para të këtij viti. Rruga që të çon drejt Kishës së Laçit, ose quajtur ndryshe kisha e mrekullive, gjarpëron. Ndërsa sa më gjatë që ngjitesh, aq më shumë shtohen shitësit e vegjël ambulantë të qirinjve, rruzareve dhe suvenireve të vogla me mbishkrimet dhe simbolet e kësaj kishe.

Është e diel, e diela e parë e këtij viti të ri pandemik. E megjithëse i tillë, kjo nuk ia ka ndalur shpresën njerëzve për të uruar familjet e të afërmit e tyre për një vit më të mirë e më të begatë, e pse jo edhe më të shëndetshëm, ndaj në të dielën e parë janë të shumta ata njerëz që i janë drejtuar Kishës së Laçit.

Gra, burra, vajza, të moshuar, fëmijë e të rinj, luten, megjithëse nën masa jo të rrepta mbrojtëse siç është barriera mbrojtëse dhe distancimi fizik. Mesa duket, atyre i intereson tanimë në këtë vend të shenjtë. veçse lutja.

Para objektit të shenjtë janë të shumtë fëmijët, të rinjtë dhe gratë që shesin qiri, dhe jo vetëm.

Kjo kishë vizitohet çdo ditë nga qindra e mijëra besimtarë, ndërsa këta të fundit shtohen edhe më shumë në numër gjatë fundjavës dhe gjatë ditëve të shenjta për këtë kishë, ku kulmin e ka në datë 13 qershor, kur ky vend kthehet në një pelegrinazh. Janë të shumtë njerëzit që flasin për mrekullitë që kanë ndodhur në lutje e sipër, pikërisht në këtë kishë paleokristiane, në lindje të qytetit të Kurbinit.

Por ashtu si besimtarët, edhe tregtarët ambulantë janë të shumtë. Shaqja na rrëfen se ka plot 12 vite që ky vend, përpara parkimit të kishës së Laçit, është kthyer në vendin e saj të punës. “Mos rrjedh, pikon. Kështu jemi mësuar ne këtu në Kurbin, nga pak, por sa për të jetuar mbahemi. Dal këtu prej 12 vitesh dhe më ndihmon gjithashtu edhe një prej djemve. Me këtë punë mbahemi ne këtu, pasi mundësitë e punësimit për çdo moshë dhe gjini janë të pakta”, thotë ajo.

Situata e pandemisë duket se ka ndikuar edhe tek familjet e shitësve ambulantë. Shaqja na rrëfen se tani njerëzit nuk blejnë më si më parë, por megjithatë dëshiron me gjithë zemër që kjo situatë të marrë fund, e të gjithë bashkë të mund t’i rikthehemi normalitetit.

“Ka një tkurrje, nëse më përpara blinin më shumë, tani nuk kanë më aq lekë njerëzit mesa kuptojmë. Megjithëse kur vijnë këtu në kishë, gjërat kryesore si qirinj dhe ndonjë simbol të kishës e blejnë”, tregon Shaqja, teksa psherëtin lehtë.

Historia e saj është ajo tipike e një gruaje shqiptare, një himn për jetën, fëmijët dhe familjen.

“Kam probleme të mëdha në familje. Djali i madh është përdorues droge, dhe megjithëse është në rrugën drejt rehabilitimit, herë pas here konsumon lëndë narkotike. Ai edhe më kërcënon dhe shpesh merr të gjitha lekët e xhiros së ditës ose të muajit për të konsumuar hashash. Ky është halli më i madh i një familjeje, fëmijë në rrugë të keqe. Sado që unë përpiqem t’ia dal sërish kjo nuk është maksimumi”, tregon Shaqja. Sikur të mos mjaftonin problemet financiare, marrëdhënia e djalit të madh 23-vjeçar me lëndët narkotike, duket se hallet dhe problemet nuk kanë të sosur për të, ashtu sikurse na rrëfen që nga lindja, por këto dy vite kanë qenë me të vërtetë të vështira, dhe jo vetëm për të, por edhe për shumë familje të tjera në Kurbin, të cilat u prekën edhe nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Shtëpia është shpallur e pabanueshme nga ky tërmet dhe sot për sot që flasim, ende nuk ka nisur shembja e pallateve të dëmtuar për të filluar rindërtimi. Jemi me qira, po jetojmë si mos më keq. Duam vetëm që viti i ardhshëm të jetë më i mbarë për ne, dhe për të gjithë njerëzit, pasi realisht ne shqiptarëve na ka lodhur kjo pandemia dhe tërmeti”, përfundon rrëfimin Shaqja, e cila kërkon që të identifikohet thjesht dhe vetëm me emër.

Ngjitur me të, shet produkte si rruaza, kryqe të gdhendur me mjeshtëri dhe pllakata të vogla të kishës së Laçit, edhe Edi, një i ri i zonës që e ka parë si mundësi për të fituar ca të holla më shumë në këto ditë të para të vitit. Ai na rrëfen se ka vite të tëra që del në këtë vend, që në moshën 7 vjeçare, ndërsa tani pret të mbushë18 vjeç.

“Mami më ka angazhuar që në fillim që të dal, pasi ajo në atë kohë shiste byrek, salçiçe e qoftë pranë hyrjes për në kishë, ndërsa tani nuk lejohet më dhe ajo punon si pastruese në disa lokale të Kurbinit. Jemi vend shumë i vogël dhe ndaj mundësitë për punë janë të pakta, por e rëndësishme është që edhe ne të rinjtë kemi vullnetin që të punojmë për tja dalë mbanë dhe për të bërë mbase pse jo një jetë më të mirë. Ndjehem mirë që i shërbej besimtarëve dhe vizitorëve të kësaj kishe, madje përpiqem që pjesën me të madhe të produkteve t’i gdhend vete me dorë, pasi ato vlerësohen më së shumti. Nuk mungojnë ata njerëz që i pëlqen shumë puna ime dhe më lenë edhe bakshish. Me këtë mbahemi ne kurbinasit”, rrëfen Edi, teksa sytë i shkëlqejnë prej gëzimit, pasi mesa duket kjo nuk ka qenë një e dielë zhgënjyese për tregtarët e vegjël të këtij qyteti.

E lëmë atë në stendën e saj të improvizuar, teksa rregullon produktet e pakta që ofron për besimtarët që vizitojnë Kishën e Laçit, mbi një batanije në tokë.

Në rrugën drejt zbritjes nga kisha, janë gjithnjë e më të paktë shitësit ambulantë të këtij qytetit të varfër, që dalin për të fituar jetesën në të tillë formë. Qyteti bie thuajse në heshtje, dhe lëvizjet e vetme në mesditë janë makinat e të tjerë besimtarëve që kanë marrë rrugën për të shkuar drejt këtij kulti të shenjtë fetar.

Pallatet e dëmtuara nga tërmeti thuajse në qendër të këtij qyteti, qëndrojnë hijerëndë, të gatshëm për të pritur pa droje fadromat, të cilat s’po dinë të mbërrijnë, megjithë premtimet e shumta të qeverisë dhe pushtetit vendor. Tërmeti dhe pandemia e Covid 19, ka afektuar keqas banorët e Kurbinit, të cilët mbijetojnë mes vështirësive ekonomike dhe dramave sociale.