Vëzhgim/Analizë

Shqipëria, nën pushtetin e privatit, 220 koncesione në 16 vite. Ekspertët: Krijojnë monopole

14 janar 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

Autoritetet qendrore e vendore kanë miratuar në 16 vite, 220 kontrata koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat, me vlerë totale 4.27 miliardë euro. Pjesa dërmuese e këtyre koncesioneve kanë shkuar për shfrytëzimin e burimeve natyrore, ku vendin kryesor e zënë hidrocentralet. Të dhënat janë grumbulluar dhe publikuar nga Birn Albania, e cila ka ndërtuar një databazë të gjerë të dhënash, duke realizuar një panoramë të gjerë se cilat janë autoritetet kontraktore që kanë dhënë më shumë koncesione, dhe cilët janë përfituesit më të mëdhenj të tyre. Ekspertët mendojnë se ky është një numër i lartë koncesionesh për vende si Shqipëria, pasi krijojnë monopole dhe rrisin çmimet dhe kostot e shërbimeve.

Koncesionet për burime natyrore dhe shërbime

Sipas të dhënave të mbledhura nga Birn Albania rezulton se që nga viti 2004 deri në fund të vitit 2020 janë miratuar 190 kontrata koncesionare me vlerë 3.33 miliardë euro për burimet natyrore, dhe 30 kontrata koncesionare me vlerë 946 milionë euro për shërbime të ndryshme. Kontrata me vlerën më të madhe në këto 16 vite rezulton se është “Ndërtimi i Hidrocentralit mbi lumin Devoll”, me vlerë 1 miliard e 46 milion euro, që përbën pothuajse 1/3 e vlerës së totalit të koncesioneve. Ndërkohë, koncesioni me vlerën më të vogël i dhënë nga viti 2004 rezulton koncesioni për “Rehabilitimin e hidrocentralit Labinot Mal – Elbasan”, me vlerë 100 mijë euro.

Sa i përket kontratave për burimet natyrore rezulton se 181 koncesione me vlerë rreth 3.2 miliardë euro janë dhënë për HEC-e, një koncesion me vlerë 37.5 milionë euro për një minierë, dhe 8 koncesione me vlerë 104.4 milionë euro, për burime të tjera natyrore. 

Nga 181 koncesione për HEC-e rezulton se pjesa më e madhe, konkretisht 161 koncesione janë dhënë nga Ministria aktuale e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, 16 janë dhënë nga ish-Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dhe 4 nga ish-Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu dhe koncesioni për një minierë është dhënë nga Ministria aktuale e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Ndërsa për 8 koncesionet e tjera në burime natyrore, rezulton se 4 prej tyre janë dhënë për ndërtimin e porteve, konkretisht ndërtimi i Portit të Jahteve në Kalanë e Turrës, ndërtimi i porti të jahteve në qytetin e Durrësit, ndërtimi i portit të formës MBM në Porto Romano, Durrës dhe ndërtimi i Portit të jahteve në Shëngjin.

Lista me vlerën e investimit për kontratën koncesionare

Nga këto tetë koncesione vihet re se tre prej tyre janë dhënë nga ish-Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Po ashtu vihet re se një koncesion nga këto është dhënë nga Bashkia Kamzë, me vlerë 10.8 milionë euro për pastrimin, grumbullimin, transportimin dhe seleksionimin e mbetjeve urbane në Kamëz.

Lista me numrin dhe vlerën totale të koncesioneve sipas autoriteteve kontraktore

Veç Bashkisë Kamëz, dy bashki të tjera që kanë dhënë koncesione në këto 16 vite, janë Bashkia Tiranë dhe Bashkia Vlorë. Bashkia Tiranë rezulton se ka dhënë dy koncesione me vlerë 36. 6 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe për ndërtimin e parkimit nëntokësor në parkun Rinia. Kurse Bashkia Vlorë ka dhënë një koncesion me vlerë 161 milionë euro për sistemimin dhe menaxhimin e parkimit në qytetin bregdetar. Të tria këto kontrata koncesionare nga Bashkia Tiranë dhe Vlorë rezulton se janë dhënë për kategorinë e shërbimeve.

Në total, siç përmendet dhe më lart, kontratat koncesionare për shërbime janë 30 të tilla. Nga këto rezulton se 18 janë dhënë për logjistikë dhe transporte, 5 për shëndetësi, 4 për mjedisin dhe 3 për sektorin financiar dhe ekonomik.

Ekspertët: Koncesionet e shumta, monopole dhe rritje çmimesh

Ekspertët e ekonomisë në analizën e tyre për koncesionet thonë se ato mund të jenë të suksesshme në shtete me demokraci të stabilizuar, me ekonomi tregu funksionale, me sisteme me nivel të ulët korrupsioni dhe ku funksionojnë institucionet e drejtësisë. Ndërsa në rastin e Shqipërisë ata e shohin shqetësuese dhënien e shumë PPP-ve, pasi krijojnë monopole dhe rrisin kostot e shërbimeve për qytetarët e rrisin çmimet.

“Problemi i koncesioneve në vetvete është se krijon monopole. Pra shteti i jep një shërbim të caktuar një privati dhe ky privat në një farë mënyre e transformon në monopol. Të gjitha koncesionet për shfrytëzimin e burimeve natyrore shndërrohen në monopole. Dhe kjo rrit kostot, rrit çmimet dhe redukton konkurrencën. Ky është problemi i parë. Problemi i dytë është se shteti herë pas herë edhe i subvencionon. Pra shteti edhe i paguan në vitet e para. Një problem tjetër është fakti se këto koncesione disa vite më vonë deklarojnë fitime që shkojnë nga 40 deri në 60%. Të gjitha bizneset në botë, qofshin këto kompani të suksesshme siç mund të jetë Amazon, Google apo Facebook, nuk kanë fitime që shkojnë nga 40-60% të xhiros, vetëm në Shqipëri ndodh kjo. Pra edhe ky është problem më vete”, argumenton eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, për Porta Vendore.

Në lidhje me raportin e publikuar nga reporter.al, ku rezulton se janë dhënë 181 koncesione vetëm për HEC-et, shumica prej të cilave me propozim të pakërkuar, Muço thotë se këto janë koncesionet më pak të dëmshme për ekonominë shqiptare, pasi shteti përfiton një investim që rrit prodhimin vendas të energjisë dhe redukton importin.

“Koncesionet e pakërkuara të hidrocentraleve, janë koncesionet më pak të dëmshme në ekonominë shqiptare. Në periudhën e qeverisë ‘Berisha’ Shqipëria ishte një vend importues i energjisë dhe nga ana tjetër konsiderohemi si vendi i dytë në Europë për burimet hidrike, për energjinë hidrike për frymë. Kishim shumë energji dhe potencial për shfrytëzimin e energjisë. Në atë moment lindi ideja pse mos i japim me koncesion duke i privilegjuar. Pra përtej kësaj çfarë bën shteti pasi jep një çmim të privilegjuar tek privati, nga ana tjetër përfiton investimin. Pra që të investosh në hidrocentral kushton nga 900 mijë euro deri në 1.1 milionë euro investim. Kështu që hidhen ca lekë në ekonomi, prodhohet energji dhe Shqipëria importon më pak. Dhe pas 35 vitesh nga data e  dhënies së koncesionit, kjo pronë i kalon shtetit.  Kuptohet që edhe vlera nuk është kaq e lartë, pasi hidrocentralet pas 15 vjetësh amortizohen, pra i ulet vlera, pas 35 vjetësh vlera e tij bëhet pothuajse zero, pasi duhet ndryshuar teknologjia nga fillimi. Ajo që është avantazh është se rrit prodhimin vendas dhe redukton importin. Shteti nuk u jep para këtyre, por u merr disa taksa. Konsiderohen si koncesionet më të mira që ka dhënë shteti në përgjithësi”, sqaron Muço.

Por ndryshe mendojnë ekspertët e mjedisit, të cilët vleresojnë  se koncensionet në HEC-e po shkatërrojnë burimet natyrore, mjedisin dhe të ardhmen tonë.

Më ‘i ashpër’ ndaj koncesioneve është eksperti i mjedisit Abdulla Diku. Sipas tij dhënia e HEC-eve me koncesion po shkatërron mjedisin dhe burimet tona hidrike. Për të treguar rëndësinë e burimeve ujore, zoti Diku citon poetin anglo-amerikan Wystan Hugh Auden i cili ka shkruar se “mijëra njerëz jetojnë pa dashuri, por askush nuk jeton dot pa ujë”.

“Ekosistemet tona ujore janë tashme të shkatërruara. Askush nuk i monitoron HEC-et për prurjen ekologjike. Askujt nuk i bëhet vonë për mjedisin. Nëse do shohim liqenin e Fierzës (më të madhin e vendit tonë), përgjatë gjithë këtij viti ka qëndruar në kuotat me minimale të tij. Nuk ka më reshje si dekada më parë. Dhe ne vazhdojmë të shkatërrojmë lumenjtë tanë për të njëjtën arsye që Fierza nuk punon më. Sepse nuk ka ujë. Ne po shterojmë dhe po shkatërrojmëçdo burim ujor. Ndaj, përveçse e kemi shkatërruar mjedisin me praktika të tilla të dëmshme, asnjë e mirë publike nuk është përfituar nga ky shkatërrim i madh. Siç thotë H.Auden: “Mijëra njerëz jetojnë pa dashuri, por askush nuk jeton dot pa ujë”, shprehet eksperti i mjedisit për Porta Vendore. Ai sjell në vëmendje se në shumë vende të botës po investohet në burime energjie alternative, si energjia e diellit dhe erës, ndërsa në Shqipëri vijon ende shfrytëzimi i burimeve ujore, të cilat për shkak të koncesioneve po shkatërrohen. “Tashmë në të gjithë botën sytë janë hedhur nga burime më të qëndrueshme dhe me impakte minimale në mjedis, siç është energjia e diellit dhe erës. Ndërsa ne vazhdojmë të shkatërrojmë mjedisin dhe të ardhmen tonë. Janë shkatërruar gjithçka qëkanë dashur koncesionarët deri tani; parqe kombëtare, kanione, ujëvara, liqene akullnajore, monumente natyre etj. Dhe shkatërrimi vazhdon kudo ku koncesionarët vënë gishtin. Është një humbje e madhe e burimeve tona natyrore. Aktualisht ishim ndër vendet me burimet më të pasura ujore e pyjore, por tashmë po kthehemi si vendi më i varfër në këto burime, për shkak të keqmenaxhimit të tyre”, shprehet Diku.

Shqetësuese për të mbetet fakti se nuk bëhet vlerësime të vërteta mjedisore për impaktin që HEC-et kanë në mjedis, si dhe mungojnë konsultimet me banorët e zonës, për të cilët Diku thotë se nuk përfitojnë asgjë nga këto koncensione. Madje ai thotë se ky shqetësim është ngritur edhe në progres raportet e funditt të KE për Shqipërinë sa i takon mjedisit.

Eksperti Klodian Muco e sheh shumë shqetësuese politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare sa i takon partneritetit publik privat.

“Për mendimin tim është shumë shqetësuese politika e ndjekur nga qeveria në raport me koncesionet. Cili është ai vend në botë që jep kaq shumë PPP? Për çfarë i jep, cili është motivi? Në çdo vend të botës PPP janë problem. Ju kujtohet ura e Genovas që u shemb? Koncesionari merrte para dhe nuk bënte investime, riparime, prandaj u shemb. Asnjëri nuk është kundër ndërtimit të rrugëve. Marrim rrugën Milot-Fier. Rreth 60 km rrugë është e bërë. Kjo tani do jepet me shërbim një privati dhe privati thotë se do ndërtoj një pjesë të rrugës nga zero, dhe do mirëmbaj pjesën tjetër dhe do e bëj  me pagesë. Bypassi i Fierit është bërë me taksat tona. Ne paguajmë tek nafta taksë për infrastrukturën rrugore. Pra nëse rruga bëhet me pagesë, shqiptarët do paguajnë dy herë për rrugën dhe do paguajnë shtrenjtë. Ky është problemi që kritikojnë të gjithë”, thotë Muço, i cili i referohet edhe raporteve të ndërkombëtarëve që kritikojnë qeverinë për dhënien e koncesioneve 13% në raport me GDP.

“Në raportin e fundit, FMN kritikoi ashpër qeverinë duke i thënë mos shpenzoni më para për ndërtimin e infrastrukturës, mos jepni më koncesione të tjera, sepse duhen mbajtur nën kontroll financat publike. Shteti duhet të jetë i përgatitur se pandemia nuk do mbyllet në 2020. Pra shteti duhet të jetë i parapërgatitur për vazhdimin e krizës dhe të shtrëngojë rripin, për të ndihmuar biznesin e konsumatorët. Aspekti i dytë është se Shqipëria po abuzon shumë pasi raporti i koncesioneve të dhëna në raport me GDP është gati 13 %, dhe kjo bën që shteti po transformohet, po jep çdo shërbim me koncesion dhe vë në rrezik financat publike në të ardhmen. Po të shikojmë buxhetin për vitin 2021, 118 milionë euro janë parashikuar të shkojnë vetëm si pagesa për koncesionet”, thotë Muço.

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, që koncesionet të funksionojnë duhet shtete me kapitalizëm klasik si Britania e Madhe, ku përveç ekonomisë së tregut funksionale, ka dhe shtet të fortë ligjor me institucione të forta të drejtësisë.

Përdorimi i partneritetit publik privat është një karakteristikë e vendeve me sistem të ekonomisë së tregut funksional. Që do të thotë se ka institucione rregullator të rëndësishme. Që sistemi karakterizohet nga një nivel minimal i korrupsionit, që aspektet juridike janë të trajtuara deri në përsosmëri. Kjo do të thotë se vetëm vendet klasike të kapitalizmit siç është Britania e Madhe apo ndonjë vend tjetër kanë mundur të kenë suksese në përdorimin e kësaj forme. Thelbi i së cilës qëndron në mobilizimin e kapitalit privat në ofrimit e shërbimeve apo të mallrave që janë përgjithësisht karakteristikë e sektorit publik. Natyrisht që këto mallra e shërbime nuk prekin akset bazë të shtetit. Është e paimagjinueshme që prodhimi i pasaportave të jepet me koncesion apo doganat të jepen me koncesion, apo mbledhja e taksave etj. Përveç kësaj karakteristike, në këto vende, PPP i nënshtrohen një procesi shqyrtimi që kalon në disa hapa, minimalisht janë 44 hapa të cilat kalon që nga ideja e një partneriteti deri në firmosjen e kontratës përkatëse. Dhe koha e nënshkrimit të kontratës që nga ideja është minimalisht 2 vjet, dhe këto kontrata marrin në konsideratë ciklin e biznesit. Nëse është një shërbim kompjuterësh që zgjat 4 vjet nuk mund ta bësh kontratën siç ndodh në Shqipëri 20 vjet apo 30 vjet, sepse do të thotë t’i garantosh përfitime të pamerituara thjeshtë për shkak të kontratës me risk zero një operatori  ekonomik privat”, thotë zoti Preçi për Portën Vendore. Sipas tij, në shtete perëndimore, shumica e koncesioneve kanë kriter parësor transparencën dhe janë të hapura për publikun. “Nga ana tjetër kriteret janë shumë të rrepta sa i takon performancës dhe transparencës kudo në botën perëndimore ku përdoren PPP. Kriter performance do të thotë se janë të hapura për publikun dhe dihet si dotëperformojë. Kriteri tjetër është edhe përgjegjësiae titullarëve të institucionit që e propozon. Dmth se nuk është sjellje prej pushtuesi që e kam unë pushtetin, e firmos, iki unë dhe të tjerët detyrohen shkojnë në parlament e gjykatë. Pra është e blinduar kontrata dhe miqtë e mi vazhdojnë të rrjepin taksat e qytetarëve apo merret borxh për të mbajtur kontrata të tilla që nuk preken as nga tërmeti e as nga pandemia, siç ndodh rëndom në kushtet e Shqipërisë tonë hallemadhe”, shprehet zoti Preçi.

Ai thotë se në shtete të tilla si Shqipëria ku ka një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, dhe mungojnë institucionet efikase të drejtësisë, PPP-të janë fatale për ekonominë, pasi shumica janë kontrata të garantuara nga buxheti i shtetit.

“Në vendet që kanë nivel të lartë informaliteti, korrupsion të lartë dhe institucione të dobëta, mungesë të një sistemi efikas të drejtësisë përdorimi i tyre është fatal për ekonominë. Pra çon në atë situatë ku ndodhemi ne sot ku të vetmet kontrata të paprekshme janë kontratat e partneritetit publik privat. Ndërkohë ka një dallim midis koncesioneve të dhëna në sektorin energjetik dhe koncesionet e tjera të dhëna në shërbimet e tjera publike, që në thelb përfaqësojnë sipas mendimit tim monopole të krijuara me ligj. Dmth nëse në sektorin e energjetikës janë dhënë kontrata ku riskun e ka investitori, i cili thotë do gjej burimet e financimit, do ndërtoj projektin etj, ndërsa shteti ka një risk për të blerë energjinë me nivelin e investimit. Në sektorët e tjerë, siç është ngjyrosja e karburantit etj, janë krijuar posaçërisht për të dhënë favore që nga Rapiskani, skanimi i kontejnerëve; pra janë krijuar kontrata që e kanë riskun të varur nga buxheti, pra janë kontrata të garantuara, ofrohet ose nuk ofrohet shërbimi. Dhe nga ana tjetër janë të shtrira në periudha kohore goxha të gjatë të cilat kompromentojnë qëllimin e mirë dhe e vendosin ekonominë shqiptarë përballë detyrimeve të panevojshme të dëmshme, të dyshuara gjerësisht për korrupsion”, argumenton eksperti Zef Preçi.

Për të, nga koncesionet, përfituesit janë të njëjtët: oligarkët e korruptuesit, pavarësisht ndryshimit të qeverive, ndërsa qytetarët shqiptarë humbasin mirëpërdorimin e taksave të tyre me qëllim përmirësimin e nivelit të jetesës.

“Problemi i kontratave të tilla është se nga momenti i nënshkrimit dhe i realizimit të kontratës kalon shumë kohë dhe ndryshojnë qeveritë dhe përfituesit e përzgjedhur prej tyre, oligarkë apo lobistë apo klientë apo korruptues apo të korruptuar, mbeten po ata. Qytetarët shqiptarë nuk e ndjejnë drejtpërdrejtë efektin e kësaj; duket sikur po bëhet një investim, sikur po rregullohet diçka. Nëse një shkollë ndërtohet normalisht me një kosto të caktuar, kur jepet me koncesion kushton 30, 40% më shumë, sepse u garantohen përfitime të pamerituara lobistëve të cilët i fitojnë këto kontrata pa tender. Dhe në këtë kuptim qytetarët shqiptar nuk e ndjejnë efektin, dhe janë të paqartë dhe bien nën mjegullën e spekulimeve të ulëta politike siç ka qenë një fjalim i zotit Ahmetaj para disa vitesh në parlament kur tha se zero lekë do paguajnë nga xhepat e tyre qytetarët shqiptarë, 100% do i paguajë buxheti. Po buxheti nga del? Kështu që qytetarët shqiptarë humbasim mundësinë që taksat e tyre të mirëpërdoren, të përdoren për të prodhuar mallra e shërbime publike, të përdoren për qëllimin final në botën demokratike që është përmirësimi i nivelit dhe i cilësisë së jetesës të qytetarëve të vendit”, përfundon Preçi.