Vëzhgim/Analizë

Urbanët ‘stresojnë’ Tiranën/ 90% të pakënaqur: Frikë nga covid, grabitjet e ngacmimet seksuale

10 janar 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë

Njerëz me maska e pa maska, që ngjishen pas njëri-tjetrit, shtyjnë, shajnë e mallkojnë. Kjo është panorama e përditshme në pjesën dërrmuese të urbanëve në Tiranë. Mbipopullim, grumbuj, mungesë higjiene dhe në shkelje totale të masave anti-covid. Studimi i kryer nga nisma ‘Artivizëm’, e ndërmarrë nga qendra STEPS, tregon me shifra situatën shqetësuese të transportit publik në kryeqytet, dhe vë theksin tek domosdoshmëria e ndërmarrjes së disa hapave për të sjellë ndryshim e përmirësim. Bashkia e Tiranës pranon problematikën dhe angazhohet për përmirësim të situatës.

Porta Vendore bëri një vëzhgim të shpejtë në disa nga linjat e urbanëve në kryeqytet gjatë kësaj jave për të kuptuar më shumë rreth situatës, dhe për të dhënë një panoramë të qartë të asaj se çfarë ndodh në transportin urban në Tiranë gjatë kësaj kohe, teksa jemi duke përjetuar edhe pandeminë e Covid 19.

“Punoj edukatore në një kopsht privat dhe hipi çdo ditë në autobus për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna. Ç’të them. Linja jonë është skandaloze. Çdo ditë e pres autobusin të paktën çerek ore, por ka raste edhe më shumë, ndaj dal gjithmonë herët nga shtëpia që mos bëhen vonë për punë. Për shkak se vijnë rrallë, autobusët mbushen gjithmonë plot. Harroje të gjesh vend për t’u ulur. Edhe tani që është situatë covidi shumë e vështirë është se ka njerëz që nuk mbajnë maska megjithëse rrinë ngjitur me njëri-tjetrin. Unë kam shumë frikë mos më ngjisin sëmundjen, por çfarë të bëj”, shprehet Marieta e cila udhëton çdo ditë me urbanin e Ish Uzinës sëAutotraktorëve.

Xhevdeti është rreth të 70-ave. I mbështetur mbi një bastun rri e pret urbanin pranë shkollës 1 Maji në Tiranë. “Kam shtëpinë te banesat sociale lart në Shkozë dhe po pres autobusin. Njëri më iku se ishte plot. U futën kalamajtë e shkollës dhe unë s’pata mundësi të hipja. Tani po pres tjetrin. Frikë kam sa të duash. Jam pleqëri më ngjitet sëmundja. Po ça të bëj do lëvizim dhe ne se na u mor fryma mbyllur. Shteti të vërë dorë të rregullojë autobusët. Të ketë më shumë, të vijnë mëshpesh, të mos rrijë unë 20 minuta duke pritur se është ftohtë. Pastaj mbushen ka njerëz plot. Unë futem brenda dhe rri gjysmë ore në këmbë se s’ka vende për t’u ulur. Të mos flasim pastaj për të tjera, që ka sherre, zihen njerëzit me fatorinon e shoferin për vonesat, ka pisllëk, njerëzit të parët nuk mbajnë maska”, shprehet Xhevdeti me origjinë nga Bilishti.

Në urbanin e unazës, Anila, rreth të 30-ave, i kërkon ndihmë një të riu ta ndihmojë të ngjisëkarrocën me beben e vogël. “Do shkoj ta çoj gocën te mami se do shkoj në punë. Hipi çdo ditë në urban dhe çdo ditë për fat të mirë ka çuna të mirë që më ndihmojnë ta ngre karrocën se vetë s’e mbaj dot dhe autobusi nuk ka ndonjë mënyrë që të më lehtësojë”, thotë Anila.

Edhe linja e Kombinatit është mbushur plot. Flavia është studente e vitit të dytë dhe thotë se pavarësisht se mësimi është kthyer online, i duhet të lëvizë me urban për të blerë libra a për t’u takuar me shoqet, por në asnjë rast nuk ka mundur ta sigurojë kartën e studentit apo të përfitojë prej saj.

“Sa herë kam kërkuar kartë studenti më thonë ka mbaruar. Nuk e di a më ndodh vetëm mua kjo gjë, apo është për të gjithë, por unë s’kam fituar asgjë nga kjo kartë megjithëse jam studente”, thotë Flavia.

Si në linjën e ish Uzinës së Autotraktorëve dhe të Unazës,ajo që çfarë konstatohet është se urbanët janë gjithmonë të mbipopulluar. Veçanërisht në oraret e drekës kur përfundon mësimi në shkolla, apo pas orës 16.00 kur përfundon orari zyrtar i punës, autobusët e kësaj linje janë plot. Në disa raste urbanët nuk ndalojnë në stacione, pasi nuk ka më vend për të tjerë pasagjerë. Vihet re se ka mungesë autobusësh pasi të duhet të presësh mbi 15 minuta në stacion.

Studimi: 90.7% e qytetarëve të pakënaqur me transportin urban

Një panoramë më të gjerë të gjendjes së transportit urban në Tiranë e sjell qendra STEP përmes nismës “Artivizëm” që ka realizuar së fundi një studim të hollësisht bazuar në anketimin e qytetarëve, por edhe monitorimin në terren, me mbështetjen e Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

Studimi është kryer gjatëperiudhës korrik-tetor 2020, dhe janë anketuar 1020 persona, prej të cilëve 60.8% vajza dhe gra, dhe 39.2% djem dhe burra, të cilët janë pyetur për sigurinë në transportin publik, komunikimi i stafit (shoferi e fatorino), respektimi i orareve, çmimi i biletës, hapësira personale, shërbimet për moshën e tretë dhe personat me aftësi ndryshe. Studimi ka përfshirë edhe monitorimin në terren të 5 linjave kryesore në Tiranë si: Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio, Porcelan, Yzberisht dhe Unaza, duke realizuar gjithsej 109 monitorime, ose afërsisht 22 monitorime për çdo linjë të targetuar.

Siguria

Cilësia e shërbimit. Burimi: Qendra Steps.

Gjetjet kryesore të studimit tregon se 82 .4% e qytetarëve të anketuar raportojnë nivel të ulët të sigurisë gjatë udhëtimit në urban. Kryesisht vajzat dhe gratë raportojnë episode të ngacmimeve seksuale, ndërkohë që një tjetër fenomen shumë i përhapur është dhevjedhja e objekteve personale (si portofoli, aparati celular, bizhuteritë me vlerë, etj.), të cilat ndodhin kryesisht kur urbani është tejmbushur me njerëz.

Oraret dhe mbipopullimi

Më shumë se 70% e qytetarëve kanë përzgjedhur si shqetësuese elementet që lidhen me shpeshtësinë/ frekuencën e qarkullimit të urbanëve, dhe mos respektimin e orareve ose më saktë mungesën e orareve fikse. Lidhur me kohën mesatare që një qytetar pret në stacion për urbanin, për 31.2% të pjesëmarrësve është 10-15 minuta, dhe 15-20 minuta për 28.2% të tyre.

Bazuar në rezultatet e mbledhura nga monitorimi në terren, rezultoi se koha minimale e pritjes në stacion ka qenë 3.3 minuta, dhe koha maksimale 50 minuta e raportuar kjo në linjën e Unazës. Mesatarisht koha e pritjes së urbanit në stacion ka qenë 13 minuta e 39 sekonda. Duke mos pasur orare fikse, shpeshherë ndodh që të kalojnë urbanë njëri pas tjetrit në kohë shumë të shkurtër, dhe ka raste të tjera të shumta që kemi orare tejet të gjata pritje.

Kështu edhe mbipopullimi është një shqetësim madhor për qytetarët përdorues të transportit publik.Nga raportimet rezulton se në thuajse gjysmën e monitorimeve të realizuara, popullimi është shumë i madh dhe se shumë pasagjerë qëndrojnë në këmbë gjatë udhëtimit të ngjeshur pas njëri tjetrit e në shkelje të hapur me masat anti-covid.

Shpeshtia e përdorimit të transportit publik. Burimi: Qendra Steps

Mungesa e higjienës

94.31 % e pjesëmarrësve kanë shprehur si problematikë kryesore mungesën e higjienës në mjetet e transportit publik. Pastërtia e sediljeve është vlerësuar në 70% të rasteve si aspak e mirë.

Gjithashtu në nivele aspak të kënaqshme raportohet të jetë dhe pastërtia e ajrit, ndërkohë që mungesa e kondicionimit të ajrit, veçanërisht gjatë stinës së verës ku temperaturat janë tejet të lartë, vijon të mbetet një problem shqetësues.

Problematikat më të shpeshta. Burimi: Qendra Steps.

Studentët dhe PAK

Një shqetësim i madh për studentët vijon të jetëpërdorimi dhe pajisja me abone studenti. 58.7% e studentëve të anketuar kanë raportuar se nuk e përfitojnë abonen e studentit (me çmim të reduktuar). Studentët thonë se në shumicën e rasteve marrin përgjigje të tilla si:“Nuk ka gjendje”, “Shitennë tregun e zi” dhe “Duhet të presësh në radhë shumë të gjata për ta përfituar”.Gjithashtu nga një numër i lartë studentësh është raportuar se të qenurit në universitet privat automatikisht i ka përjashtuar ata nga mundësia e përfitimit të abonesë së studentit.

Problematike vijon të mbetet edhe vështirësia e personave me aftësi ndryshe për përdorimin e mjeteve të transportit publik. Nëpër urbanë nuk ka asnjë ndihmë për personat në karrige me rrota, personat me aftësi të kufizuar në shikim dhe personat që nuk dëgjojnë. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në studim (67.16%) e kanë vlerësuar Transportin publik si të paaksesueshëm për personat me aftësi ndryshe. Edhe nënat me fëmijë të vegjël në karrocë kanë vështirësi në përdorimin e urbanëve pasi mungojnë hapësirat për karrocën, vendndodhja e urbanit për ngjitjen lart të karrocës.

Koha mesatare e pritjes së urbanit. Burimi: Qendra Steps.

Bashkia Tiranë pranon problemet me transportin, angazhohet për zgjidhje

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në studim (64.8%) raportuan një nivel të ulët tëkënaqësisë në lidhje me komunikimin dhe sjelljen e stafit të shërbimit gjatëpërdorimit të transportit publik. Qytetarët kanë raportuar se nuk janëaspak të kënaqur në lidhje me uniformën, rregullsinë dhe higjienën e stafit tëshërbimit.Bazuar në gjetjet e studimit, Qendra Steps ka nxjerrë edhe disa rekomandime mbi çështjet e ngritura, të cilat ia kanë adresuar pushtetit vendorpër përmirësimin e cilësisë së këtij shërbimi.

“Gjetjet e studimit dhe rekomandimet u prezantuan në një aktivitet të zhvilluar në datën 27 nëntor 2020, duke sjellë bashkë qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues nga Bashkia e Tiranës specifikisht nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoria e Inspektimit, Monitorimit për Infrastrukturën dhe Shërbimet Publike. Në këtë aktivitet përveç prezantimit të studimit u zhvillua dheEkspozita ‘Arti i të shtypurit në Urban’ ku u paraqitën fotografi dokumentuese të realizuara nga aktivistët e nismës duke paraqitur situatën dhe problematikat e këtij shërbimi. Gjithashtu u shfaq dhe një videomesazh nga personat me aftësi të kufizuar mbi sfidat dhe të drejtat për transport publik të aksesueshëm. Përfaqësues të Bashkisë së Tiranës pranuan se transporti publik ka probleme, dhe se janë duke punuar për ta përmirësuar. Nuk mungoi dialogu midis të rinjve aktivistë të nismës, ku bashkisë iu kërkua të përmbushë premtimet e saj, për rritjen e cilësisë së shërbimit të transportit. Gjithashtu ky raport studimor u dërgua dhe pranë Këshillit Bashkiak, ku nuk mungoi reagimi institucional duke u përgjigjur pozitivisht rekomandimeve të dala nga ky raport, dhe që gjetjet e këtij studimi do të jenë një referencë në punën në përmirësimin e shërbimit të transportit publik. Përtej faktit që këto të dhëna sollën një reagim institucional pozitiv, shpresojmë që Bashkia të ketë sa më parë një plan konkret mbi përmirësimine këtijshërbimi tejet te domosdoshëm për qytetarët”, shprehet Lorela Musta nga nisma Artivizëm e Qendrës Steps

E pyetur se cili do të jetë hapi i radhës dhe nëse kanë një plan për ta shtrirë projektin edhe në qytetet e tjera, Musta pranon se është pikërisht ky synimi i nismës Artivizëm. “Po, është një nismë që planifikohet të shtrihet më gjerë në Qytetin e Tiranës duke përfshirë në monitorim të gjitha linjat e transportit publik. Në terma kohor pak më afatgjatë, plani është që nisma “Artivizëm” të zhvillohet dhe në qytete të tjera, bazuar kjo së tepërmi dhe nga disa kërkesa që na kanë ardhur prej qytetarëve ne Bashki të tjera”, shprehet Musta.

previous arrow
next arrow
Slider