8 janar 2021/ Eljona Ballhysa/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Prej gati një muaji, nxënësit e klasave të ndryshme po zhvillojnë mësim online përmes platformës akademi.al, por prindërit, mësuesit dhe nxënësit janë të pakënaqur nga ajo çka ofron platforma. Porta Vendore bisedoi me krijuesin e kësaj platforme, Dean Çelaj, i cili na tregoi problematikat kryesore, si u vendos bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe vizionin e tij që kjo platformë të përdoret gjatë edhe pas Covid 19. Ndërsa Ministria e Arsimit nuk jep asnjë detaj lidhur me procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e kësaj platforme si më favoritja, ekspertët e arsimit ngrenë pyetje e dyshime për cilësinë e mësimin online që po ofrohet.
Ende pa u prezantuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Arsimit, prindërit u prezantuan me platformën akademi.al, nëpërmjet bisedave me mësuesit kujdestarë, ose të lëndëve të ndryshme në shkollat ku studiojnë fëmijët e tyre. Fakti që ekzistonte një platformë që do t’i ndihmonte ata për të marrë mësim online, duke u alternuar kështu mësimi fizik me atë online, bëri që fjala të merrte dhënë dhe prindërit t’ia rekomandonin njëri-tjetrit këtë platformë. Por vështirësia për të marrë informacion në një platformë të sofistikuar, bëri që shumë prindër, nxënës e mësues të gjendeshin në vështirësi serioze, ndërsa ishin të detyruar të përdornin këtë platformë si të vetmin burim informacioni për mbarëvajtjen mësimore.
“Është një platformë e pakuptueshme fare. E kam djalin në klasë të 8-të dhe nuk kuptoj gjë unë si funksionon e gjitha kjo, jo më fëmija. Kemi shumë vështirësi në gjetjen e mësimeve aty dhe më pas për kryerjen e detyrave. Të njëjtën gjë thonë edhe mësuesit kur i referohemi për ndonjë ndihmë. Mendoj që së paku për këta të fundit duhet të kishte ndodhur një tip trajnimi, se është një gjë e re mësimi online në Shqipëri. Kisha shumë shpresë që nuk do të bënim sërish të njëjtat gabime si arsim, si gjatë karantinës, ku mësimi online më shumë nuk u bë, se sa u bë”, tregon Alketa, e cila ka djalin nxënës në shkollën 9-vjeçare “1 Maj”.
Të njëjtën gjë tregon edhe mësuese Moza, e cila punon prej vitesh në një nga shkollat e mesme të Kamzës. Ajo rrëfen se si shumë kolegë të tjerë, të cilët kanë vite të tëra në arsim, e ndjen veten paksa mbrapa nga pikëpamja teknologjike, pasi koha ka ecur, por ata e kanë të vështirë tanimë të bëhen pjesë e ndryshimeve të mëdha.
“Platforma, shumë mirë që ekziston dhe që është hapur e vënë në dispozicion në këtë situatë, por për ne mësuesit që kemi mbi 15-20 vite në arsim është e vështirë që të adaptohemi kaq shpejt me ndryshime kaq të mëdha. Në fillim të pandemisë mësuam lloj-lloj platformash se si të kryenim mësim online në mënyrë dinjitoze, tani duhet se si të gjejmë mësime të ndryshme në këtë platformë të vënë në dispozicion nga ministria për t’ia referuar më pas nxënësve. Është e vështirë, pasi mendoj se përbërja në vetvete e platformës duhet të ishte më e thjeshtëzuar, pasi kemi të bëjmë me një sërë shtresash të ndryshme prindërish, sidomos në zona periferike siç është e jona. Dmth prindërit me të drejtë referohen tek ne, por edhe ne ka raste që s’i japim dot zgjidhje, ndaj mendoj se duhet të ishte një çështje më e studiuar. Mbase mund të ishte marrë në konsideratë nga qeveria dhe Ministria e Arsimit trajnimi i mësuesve për këtë shërbim specifik, ishte e gjithë koha e nevojshme gjatë pushimeve të verës, por jo, kjo nuk ndodhi dhe ndaj tani përballemi me situata aspak të këndshme, dhe ç’është më e bukura, nuk e dimë realisht se sa kjo do të zgjasë”, tha mësuese Moza për Portën Vendore.
Por në bazë të burimeve që folën për Portën Vendore, por edhe të një hulumtimi në faqe, konstatohet se janë hasur probleme për mënyrën e regjistrimit, ku në shumicën e herëve prindërit i janë drejtuar një IT për të fituar aksesin në këtë faqe. Gjithashtu ka probleme se bie serveri dhe mezi lidhen nxënësit për të kryer mësimin online.
Platforma u prezantua zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi më 16 tetor 2020.
Në prezantimin e platformës së re mësimore, ministrja Kushi tha se ajo do të jetë e gatshme edhe në rastet nëse do të ketë një ndërprerje të procesit mësimor për shkak të koronavirusit, ndërsa shtoi se në këtë platformë ishin regjistruar 5000 video-shpjegime nga mësues për lëndë të ndryshme shkollore. “Në këtë platformë do të kenë akses dhe prindërit së bashku me fëmijët dhe mësuesit. Deri më tani janë regjistruar 100 mijë nxënës dhe 20 mijë mësues”, tha Kushi gjatë fjalës së saj.
Por platforma e vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit, shfaqi problemet e para që në ditët e para të mësimit online, i cili ashtu sikur u lajmërua rifilloi në mënyrë të alternuar në datën 1 dhjetor.
“Për shembull, hapim mësimin, por faqja nuk funksionon. Herë pas here ka shumë shkëputje, kështu që ne vijojmë që mësimin online ta bëjmë në whatsapp sipas metodës së vjetër”,tha Ediona, nxënëse e klasës së 7.
Përjashtim nga zhvillimi i mësimit online bëjnë klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, si dhe nxënësit e klasave të 12-ta.
Ndërkohë Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit të cilës i drejtoi disa pyetje: A është testuar më herët kjo platformë dhe si ka rezultuar? A keni zhvilluar ndonjë sondazh, si është pritur kjo platformë nga mësuesit dhe nxënësit?Pse u përzgjodh pikërisht kjo platformë për zhvillimin e mësimit online?Cilat ishin opsionet e tjera? Si u përzgjodh kjo platformë, a u zhvillua ndonjë konkurs, u hap tenderi, u bë ndonjë shpallje publike? Sa është buxheti i vënë në dispozicion nga ministria për këtë platformë? (pra sa paguhet kompania krijuese dhe mirëmbajtëse)? etj. E ndërsa emaili i është dërguar ministrisë më 2 dhjetor, deri ditën e sotme ende nuk ka një përgjigje nga Ministria e Arsimit.
Krijuesi Dean Çelaj rrëfen problemet e platformës: Asnjë pagesë nga shteti
Por për të kuptuar më shumë rreth kësaj platforme, Porta Vendore bisedoi me krijuesin e saj, Dean Çelaj, i cili është diplomuar një vit më parë në Information Management nga University College London (UCL) me rezultatin First Class Honors në nivelin bachelor.
Thotë se ideja i ka lindur që kur ndiqte gjimnazit në Oksford dhe që të kapte nivelin e shokëve të tij i duhej të mësonte online në mënyrë të pavarur. Dhe sot përfaqëson praktikisht kompaninë e tij Akademi.al Shpk.
“Ideja ka lindur gjatë studimeve të mia në Angli. Unë për të kapur ritmet e kolegëve të mi, pasi unë e kam bërë gjimnazin në Oksford dhe duhej të mësoja shumë individualisht, kam përdorur shumë mësimin online. Pastaj gjatë universitetit kjo ka qenë një detyrë kursi në vitin tim të dytë. Më pas punova 1 vit me një nga kompanitë më të mëdha në botë që merren me platforma të ndryshme dhe aty mora goxha eksperiencë. Gjatë vitit të fundit të universitetit unë fillova me ndërtimin e platformës. Pra e përfundova në shtator të vitit 2019. Kam vetëm një vit që jam diplomuar”, tregon Deani për Portën Vendore.
Ai thotë se duke qenë një nga studentët e ekselencës, u thërrit në Ministrinë e Arsimit, por e gjitha kjo përkoi me ditët e para të marsit kur vendi u fut në karantinë, dhe mësimi u kthye befas online. Ka qenë pikërisht ai që ka ofruar platformën e tij, fillimisht falas.
“Unë jam një nga studentët e ekselencës. Ishte rastësi se ditën që u mbyllën shkollat nga Covid unë kisha 2-3 ditë që më kishin marrë nga ministria në telefon dhe më thanë hajde na sill diplomën. Ka qenë një nga këto ditët, ku i thashë dikujt aty në ministri që e kam gati platformën për mësimin online dhe e bëjmë bashkë. Kisha dhe një mijë video që kisha bërë gati. Këto një mijë video të miat u ofruan që ditën e parë dhe u transmetuan në TVSH shkolla dhe kështu lindi bashkëpunimi. Ata kishin shumë nevojë për videot e mia. Videot i bëra që në shtator të vitit 2019, mora ca mësues e ca ekspertë, bëmë ca kurrikula. I kisha bërë paraprakisht këto video, sepse e dija që në një moment ose tjetrin mësimi do ishte online. Kjo është një suplement. Përveç mësimit që bën në klasë, online ke informacione shtesë. Pra nuk është vetëm për Covidin, por është edhe për të ardhmen”, tregon Deani. Ai thotë në atë periudhë ka pasur kompani të tjera që i kanë kërkuar shifra marramendëse Ministrisë së Arsimit për krijimin e një platforme online, por ai e ka ofruar falas, me idenë që pagesa do të vijë në një moment të dytë, por deri tani Çelaj thotë se nuk ka marrë asnjë pagesë nga qeveria, por gjithçka e ka financiar vetë dhe me fondet e UNICEF.
“Në muajin mars kur u mbyllën shkollat ka pasur shumë të tjerë në atë moment kyç që i kërkuan shifra marramendëse ministrisë. Unë e bëra falas. Në momentin e parë po. Unë akoma nuk kam asnjë kontratë me Ministrinë e Arsimit në lidhje me pagesën. Në fund të ditës, unë jam biznesmen dhe gjithë këtë shërbim që i bëj shtetit është që unë të marr një kontratë, por deri tani jo akoma nuk kemi asnjë pagesë nga shteti shqiptar. U ndërrua dhe ministrja dhe mendohej se do financohej me donacione. Dhe aty ka mbetur. Dihej që ne kemi nevojë për financim. Pasi vetëm kostot e serverit ne na shkojnë 100 mijë euro në muaj, dhe këto lekë që kemi mbledhur një ditë do na mbarojnë. Një pjesë e madhe e investimit është nga familja ime, dhe një pjesë e konsiderueshme është nga UNICEF”, tregon Çelaj. Ai thotë se janë gjithsej 20-30 të punësuar që menaxhojnë platformën akademi.al për mësimin online që ka gjithsej deri tani 350 mijë përdorues në Shqipëri.
I pyetur nga Porta Vendore për më shumë detaje rreth kontratës me UNICEF, Deani thotë se ajo është konfidenciale, dhe nuk mund të jap shifra konkrete, por kostot mujore për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e platformës aktualisht shkojnë rreth €100,000. “ UNICEF ka mbuluar pothuajse 80% te kostove çdo muaj. Fatkeqësisht kontrata me ata nuk është afatgjate dhe se shpejti mbaron”, deklaron ai.
Çelaj thotë se punohet çdo ditë për të përmirësuar platformën bazuar edhe në feedback që marrin nga nxënësit dhe mësuesit, ndërsa shton se këta të fundit kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme. Ai thotë se shumica e ankesave vijnë nga fakti se përdoruesit kanë nevojë për trajnim dhe se shumica ngatërrojnë platformën. “Kam parë shumë ankesa që thonë që jo s’punon kjo, jo s’punon ajo. Ne na vijnë mbi 2500 mesazhe në ditë. Por 75% e tyre nuk janë fare te faqja akademi.al, por janë te akademia.al. dhe shumica e problemeve është se nuk hapin dot një açount, që është më e thjeshtë se facebook. Për 10 sekonda e hap, mjafton të kesh një adresë emali. Ka nevojë për trajnime rigoroze. Jo t’i trajnojmë mësuesit një herë në dy vjet. Trajnimi duhet të jetë shumë herë më i madh. Duhet të kemi suport teknik. Kemi vetëm 4-5 veta për suportin teknik. A kanë mundësi ata t’i kthejnë përgjigje 2500 mesazheve në ditë?!”, thotë Çelaj, i cili njofton se shumë shpejt do hapet portali për prindërit, i cili do tu krijojë mundësinë që të monitorojnë fëmijët se sa minuta kanë studiuar.
“Çdo dy javë ne lançojmë produkte të reja. Në dy javët në vijim ne do lançojmë portal për prindërit ku prindi do monitorojë se çfarë bën fëmija, çfarë videosh sheh, sa minuta ka punuar. Do jetë një ndihmë shumë e madhe për prindërit”, thotë Çelaj. Ai sqaron dhe problemet që patën në ditët e para nxënësit që nuk munden të futeshin në platformë.
“Problemet erdhën si pasojë e serverëve, se për arsye të kostos ne po mundohemi të marrim variantet më të lira se neve vetëm tani po na shkojnë 100 mijë euro. Një server për të mbajtur 400 mijë vetë online që flasin me kamera kushton shumë. Ato i ka pasur për shkak të serverit, nuk ka qenë më i shtrenjti. Por ne i kemi përforcuar tani. Ditën e parë problemi më i madh ndodhi se kemi një faqe reklamuese akademi.al, dhe më pas ku rifillon mësimin shkon tek app akademi.al. Ditën e parë ra faqja reklamuese, sepse ka server të lirë, aplikacioni jonë nuk ra”, thotë ai. Sipas tij, ky është një projekt afatgjatë, që nuk mbyllet me Covid. “Ky është një projekt longterm. Pasi mësimi online do vijojë. S’duhet menduar si një gjë vetëm për Covidin dhe mbaroi. Ne po përpiqemi pa fund. Kemi bërë më të mirën tonë që ta meritojmë kontratën. Po japim shërbim perfekt. Bëjmë shërbime në kohë reale, bëjmë trajnimet e mësuesve. I kemi bërë të gjitha që një ditë të vijë kontrata. Unë tani jam me shumë humbje. Por mendoj se fitimi im do jetë nëse do kem një kontratë afatgjatë”, thotë Deani, i cili pyetur se sa fitojnë krijuesit e platformave të ngjashme në vendet e tjera të botës, sjell shembullin e një platforme të njohur në Angli, ku ai ka jetuar, e cila merr 30-40 milionë dollarë donacione.
Ndriçim Mehmeti: Mungesë transparence, asnjë dokument që tregon se platforma është e certifikuar
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti i drejton shumë kritika Ministrisë së Arsimit në lidhje me mësimin online dhe mungesën e transparencës në lidhje me platformën akademi.al. Ai thotë se Ministria e Arsimit nuk ka ende një bazë ligjore për të zhvilluar mësimin online dhe se nuk ka një dokument përmes të cilit të tregojë që platforma akademi.al, të jetë e certifikuar.
“Kam shumë dyshime në lidhje me platformën që është aprovuar nga Ministria e Arsimit. Cila është baza ligjore në të cilën mbështetet ministria. Nuk e kemi të rregulluar ende me dispozita ligjore zhvillimin e mësimin online. Ne kërkojmë platforma që të jenë të bazuara në ligj. Më e rëndë për mua është që është aprovuar. Si është aprovuar, cili është dokumenti ligjor? Kush kanë qenë platformat e tjera që kanë marrë pjesë? A është bërë konkurrimi? Kush është kjo platformë. A është e certifikuar? Për mua nuk ofron asgjë. Mësim falas thonë. Cili është mësimi falas? Që ai jep kaseta?! Ne nuk dimë a janë të certifikuar mësuesit. A janë të përgatitur se duhet ditur kjo punë. Kush i zgjedh, mbi ç’kritere përzgjidhen? Në shtetet e rajonit janë platforma të certifikuara”, thotë Mehmeti për Portën Vendore.
Sipas tij minimumi që duhej të bënte ministria e Arsimi ishte që të shpallte një konkurs të hapur që të merrnin pjesë disa kompani që mund të ofronin mësimin online dhe të zgjidhej më e mira. “Ky është një problem pasi akademi.al , nuk është e regjistruar në Shqipëri, nuk është e certifikuar dhe nuk e dimë se cila është marrëveshja që ka bërë me ministrinë, dhe pse është e vetme dhe pse i është dhënë ekskluziviteti vetëm kësaj. Kjo shfaq dyshime të mëdha”, thotë Mehmeti.
Por, aktualisht, qeveria shqiptare rezulton se nuk paguan asnjë lek për platformën kjo në sajë të të dhënave nga thesari i shtetit, e cila u ngrit mes shumë polemikash dhe që do të vijojë të ofrojë mësim online në Shqipëri, ndërkohë që Ministria e Arsimit e ka prezantuar këtë platformë si një arritje të saj. Por të gjitha këto mangësi e probleme, duket se të vetmit që do t’i vuajnë deri në fund të praktikës së mësimit online, që sërish po i mundësohet nxënësve në mënyrë të cunguar, do të jenë brezat e rinj që po mësojnë e rriten në kohë pandemie.