Ndodhi

Lezhë, 150 familje vuajnë prej vitesh për 800 metra rrugë: Vetëm premtime, asnjë kovë inerte

6 janar 2021/ Porta Vendore/ Lezhë

Prej 30 vitesh, banorët e lagjes Sera në Njësinë Administrative të Zejmenit në Lezhë kërkojnë nga pushteti vendor e qendror shtrimin e rrugës së fshatit. Të mërzitur nga premtimet e pambajtura në çdo zgjedhje, ata “kërcënojnë” me mospjesëmarrje në zgjedhjet e 25 prillit, nëse nuk shtrohen 800 metra rrugë, që i shërben rreth 150 familjeve të zonës.

Lagjja Sera është krijuar pas viteve ’90, kur u ndanë tokat bujqësore me ligjin 7501. Shumë familje ndërtuan shtëpitë në këto toka, duke marrë dhe lejet përkatëse, ku sot numërohen mbi 150 shtëpi. Por, rruga e  kësaj lagjeje nuk i shërben vetëm 150 familjeve të këtij fshati i cili ndodhet vetëm 10 km larg nga qyteti i Lezhës, por gjithashtu edhe një sërë lagjesh e fshatrash të njësisë administrative që mban të njëjtin emër. Rruga e pashtruar ka një me një gjatësi prej vetëm 800 metrash, shërben gjithashtu si urë lidhëse për banorët midis fshatit Zejmen dhe rrugës nacionale Lezhë-Fushë Krujë.

Banorët e zonës tregojnë vështirësitë, me të cilat hasen çdo dite duke kaluar këtë rrugë. “Kur bie shi bëhet gjithçka baltë dhe fëmijët e kanë të vështirë te kalojnë teksa i duhet më ik në shkollë. Pavarësisht se është një copë rrugë e që s’besoj se do ti kushtojë shumë shtetit e bashkisë sërish na kanë lënë në harresë pasi këtu krijohen gropa të mëdha me ujë”, thotë Beni, banor i zonës.

Por, situata është gjithashtu e vështirë për shoferët, pasi ata ankohen me të drejtë që makinat e tyre po dalin jashtë funksioni për shkak të degradimit dhe amortizimit të rrugës.

“Është shumë e vështirë të kalosh në këtë rrugë, ngelëm duke çarë sadokartet e makinës dhe kjo s’bën sens, pasi realisht është kthyer në një rrugë stresuese kjo, por që ne jemi të detyruar të kalojmë me shku në shtëpi”, tregon Eltoni, një i ri i këtij fshati.

Banorët shprehen të mërzitur me këtë gjendje të infrastrukturës së tyre rrugore, pasi sikur të mos mjaftonin të gjithë anomalitë në shërbimet e fshatit, siç është furnizimi me ujë të pijshëm, mungesa e ujit vaditës, subvencionet për bujqësinë, punësimit etj, ata vuajnë prej vitesh tanimë edhe mungesën e infrastrukturës rrugore.

“Kështu si po vazhdon situata, e sigurt që ne si fshat nuk do marrim pjesë fare pjesë në zgjedhje, do t’i bojkotojmë, kjo pasi pushtetarët kujtohen për ne si popull vetëm gjatë fushatës elektorale. Për aq kohë sa premtimet nuk janë mbajtur për ne, pse do duhet që ne të votojmë”, pyet Kola, duke vijuar se, kanë pasur shpresë që kjo rrugë të bëhej që në vitin 2015.

Porta Vendore i drejtoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës, ku e pyeti në lidhje me ndonjë investim të mundshëm në rrugën e fshatit Zejmen, por kërkesa e referuar Bashkisë Lezhë e cila mban datën 23 nëntor 2020, por që deri në publikimin e këtij lajmi nuk u përgjigj kërkesës tonë.

Ndërsa Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me administratorin e kësaj njësie teksa ky i fundit premtoi zgjidhjen e problematikës së banorëve gjatë vitit të ardhshëm.

“Është prioriteti jonë kryesor, pasi ajo rrugë nuk është nevojshmëri vetëm për banorët e fshatit Zejmen por edhe për një sërë fshatrash të tjera të kësaj njësie administrative. Unë vetë kam bërë takim me banorët ku kam marrë angazhimin se kjo rrugë do të bëhet. Kam folur edhe me Kryebashkiakun dhe do të jetë në planin e investimeve të 2021-it. Pra uroj që kjo rrugë të jetë në buxhetin e vitit të ardhshëm si investim, e bashkë me të do të jenë edhe 50 rrugë të tjera problematike në të gjithë territorin e Lezhës që do të jenë në listën e investimeve që në fillim tëvitit. Së shpejti do ta ndajë këtë lajm të mirë edhe me banorët”, rrëfeu për Portën Vendore, administratori i njësisë administrative Zejmen Gjergj Malshi. Por, ky premtim është dhënë herë pas here, vit pas viti, e deri më sot nuk është hedhur asnjë kovë inerte.