Ngjarje/Personazhe

Në luftë për mbijetesë, njerëzit e rrugës mes pandemisë dhe natës së ndërrimit të viteve

4 janar 2020/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Tiranë

Kur virusi shpërtheu edhe në Shqipëri, strukturat shëndetësore nëpërmjet televizionit udhëzuan disa rregulla të cilat shërbenin për mos infektimin nga koronavirusi. Komiteti Teknik, apo edhe vetë kryeministri njoftuan shqiptarët që duhet të tregonin kujdes me higjienën vetjake, të lajnë duart sa më shpesh me sapun ose të përdorin dezinfektues. Por sot, kur 2020 po mbyllet me plot halle, këto udhëzime janë edhe më shumë të pamundura të respektohen nga personat e pastrehë, që flenë në rrugë, poshtë urave, dhe herë mbulohen me një batanije të vjetër e herë e kalojnë natën ashtu në të ftohtë.

Të gjithë kemi parë në çdo rrugë të Shqipërisë, persona që flenë rrugëve, apo që lypin për të fituar disa qindarka e të siguruar kështu të mbijetuarit. Kjo panoramë është edhe në Tiranë, kryeqyteti në të cilën mblidhet dhe qarkullohen më shumë para se në çdo qytet tjetër. Në kryqëzimin e “7 xhuxhave” ndodhet Durim Berberi, 54 vjeç nga Berati, me njërën këmbë të prerë pasi vuan nga diabeti. Atë e shohim të ulur në cepin e një rruge teksa po lyp. Sytë e Durimit tregojnë mjerimin që ai po kalon prej tre vitesh. Porta Vendore komunikoi me 54-vjeçarin dhe gjatë gjithë bisedës, sytë e tij përcillnin qartë se sa i pashpresë ndihej.

“Prej 3 vitesh jetoj rrugëve, fle poshtë urave, ku të gjej vend. Edhe gjatë karantinës kam qëndruar në rrugë, nuk kam çfarë të bëj, do vazhdoj të rri në rrugë se nuk kam ku të qëndroj, nuk kam shtëpi. Nëse më kap virusi nuk kam mundësi të blej ilaçe, apo të bëj analiza. Le të ma marrë jetën më mirë ky virus sa më shpejt, se kjo nuk është jetë, as unë nuk dua të jetoj rrugëve. Unë vuaj nga diabeti, bëj insulinë, i blej vetë. Dal në rrugë e lyp për tu ushqyer, por edhe për të blerë insulinat. Njërën këmbë e kam prerë si pasojë e diabetit,” tha Durim Berberi.

Në foto Durim Berberi, i cili qëndron i pozicionuar në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit. Foto: M. Dushi

Ai ka tre vite që jeton në rrugë, por askush nuk është treguar sadopak solidar me të. Strukturat Sociale ekzistojnë, por Durimi nuk i ka parë ndonjëherë. Ai vijon të jetojë në rrugë duke luftuar që të sigurojë bukën e gojës si dhe duke u kujdesuar për shëndetin e vet me aq sa mundet.

Gjatë vëzhgimit që Porta Vendore kreu në rrugët e Tiranës, konstatoi se janë të shumtë ata persona që ushtrojnë lypjen, por në fund të ditës e kanë një strehë ku të fusin kokën. Flamur Zerollarin, 40 vjeç, e gjejmë teksa ishte ulur në cepin e kryqëzimit po në rrugën e Elbasanit përballë BKT, duke lypur. Ai tregoi se vuan nga diabeti dhe se të dyja këmbët i kishte me plagë. 40-vjeçari dilte në rrugë sa herë që kishte nevojë për lekë, për të siguruar lekët që i duhet për të blerë ilaçet.

“Dal ndonjëherë në rrugë e lyp kur ngel pa lekë. Jam me diabet. Marr 100 mijë lekë ilaçe. Jam pa punë, kam tre fëmijë. Unë jetoj me pensionin e prindërve. Sigurisht që kam frikë nga virusi, por nëse infektohet do marr lekë borxh për të blerë ilaçet”, tha Flamur Zerollari.

40-vjeçari gjysmën e ditës e kalon në rrugë, ku plagët e të dyja këmbëve ishin të hapura dhe të infektuara. Edhe për këtë qytetar, higjiena personale është e pamundur të respektohet, për shkak të kushteve të jetesës që bën. Qëndrimi mbi një karton dhe lypja në rrugë mes pluhurit për orë e orë të tëra e vështirësojnë dhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore.

Pamundësia për të siguruar ushqimin në rrugë tjetër, lypja është e vetmja alternativë për të mbijetuar, pavarësisht moshës. Nëna Makbule është 80 vjeçe. Shpesh udhëton nga Elbasani drejt Tiranës duke u kërkuar kalimtarëve që t’i falin lëmoshë. Atë e takojmë në kryqëzimin e “Librit Universitar”. “Vij nga Elbasani për të kërkuar lekë, fitoj 4 mijë lekë sa për një kafshatë bukë. Askush nuk të jep lekë borxh. Jetoj me pensionin dhe çfarë fitoj këtu. Nëse infektohem nga virusi, nuk kam lekë për ilaçe apo për analiza, do jem në dorë të zotit. Kur ishte karantina dilja ndonjëherë në Elbasan dhe kërkoja lekë nëpër rrugë sa të blija bukë. Kur kam qenë e re, kam shitur shpesh gjakun e trupit sepse më duheshin lekë”, tha nëna Makbule.

Nëna Makbule duke ushtruar lypjen pranë pallatit të Kongresit. Foto: M. Dushi

Edhe për Vjollcën nga Elbasani, Tirana është vendi më i mirë për të siguruar disa të holla duke lypur nëpër rrugë. 55-vjeçaren e gjejmë të ulur në cepin e një rrugë anash Pallatit të Kongreseve. Vjollca kishte vendosur një shami të bardhë në kokë si dhe një maske, duke respektuar kështu masat anticovid, por ajo e di që maska gjithashtu e mbron nga “sytë e botës”.

“Unë vij ndonjëherë në Tiranë për të punuar, sepse këtu s’më njeh njeri, ndërsa në Elbasan më vjen turp, pasi kam miqësi atje. Vij e fitoj 4-5 mijë lekë në ditë. Kur vij në Tiranë qëndroj te një e afërmja ime, ndërsa komshinjve u them se iki për biznes dhe jo për të lypur. Gjatë karantinës kam marrë ndihma ushqimore nga shteti. Nëse infektohem nga virusi, nëse shteti nuk më ndihmon, unë do vdes se nuk kam lekë për ilaçe apo analiza. Ku është shteti, po lenë njerëzit të vdesin çdo ditë”,tha Vjollca teksa pranon se i vjen turp për situatën e rrugës në të cilën ndodhet.

Ndërsa Sania është një prej gjysheve që e gjejmë në zonën e Pazarit të Ri. Vendi duket se është kthyer në një “stacion” të qëndrimit të saj. Ajo rrëfen për Portën Vendore se ka shumë vite që qëndron në këtë zonë, për të ushtruar lypjen, ndërsa jeton në rrugë.“Kam 10 vite që jetoj rrugëve, ha rrugëve, e fle rrugëve. Me ato pak lekë që nxjerr nga lypja shtyj ditët me shkop kur i thonë. Më vdiq burri dhe më nxori djali me nusen nga shtëpia, kjo është historia ime me pak fjalë. Nuk më ka ndihmuar askush përveç vetes. Kemi vuajtur shumë në jetë dhe vazhdojmë të vuajmë, megjithëse nuk e kisha menduar këtë fund timin, pasi fëmijët i kam rritur më sakrifica të mëdha, por tani askush s’më shikon, më kanë lënë në mëshirë të fatit, rrugëve. Nuk e di fare se çfarë kanë bërë me jetën e tyre ata, as nëse kam nipër e mbesa, u bënë gjithë këto vite tanimë”, tregon Sania, me lot në sy, ndërsa rrëfen gjithashtu se fle në qoshe pallatesh ose dyqanesh, në zonën e Pazarit tëRi.“Jeta qenka e paparashikueshme, nuk marr as pension, asgjë. Dhe kur s’kam të ardhura të mjaftueshme për të ngrënë, shkoj e kontrolloj kazanët e mbeturinave, ose shes ndonjëkanaçe që të mbaj frymën gjallë. Nga shteti s’kam parë deri tani asnjë ndihmë. Lutem çdo natë, pasi besoj në zot, që mos më zërë Covidi”, thotë Sania për Portën Vendore.

Në rrugë gjejmë edhe nëna të reja që qëndrojnë në mes të shiut e të ftohtit me fëmijë të vegjël, madje edhe të porsalindur në kërkim të bukës së gojës. Megjithëse ato pohojnë se zemërgjerësia e njerëzve pas pandemisë së Covid 19 është rrudhur disi, kjo mbase edhe për faktin thotë Sonila se edhe ne jemi shtuar shumë së fundmi rrugëve të Tiranës.

“Nuk kam nga t’ia mbaj, dalim të gjithë si familje të lypim. Punova disa muaj në shërbimin komunal me kontratë 4-5 mujore para ca vitesh por kaq, u shkurtua vendi i punës, e njëjta gjë i ndodhi edhe burrit, ndërsa kemi 4 kalamaj. Nuk kemi me çfarë t’i mbajmë, me çfarë t’i ushqejmë. Dihet se ne romët kështu jetojmë, por ama shteti duhet ta vë dorën nëzemër edhe për ne. Kjo pandemia na i vështirësoi edhe më shumë gjërat”, tregon Sonila teksa mban në duar një bebe jo më shumë se 6 muaj. Ajo shton se së fundmi ka nxjerrë në rrugë për të kërkuar lëmoshë edhe 3 fëmijët e tjerë, dy vajza e një djalë.

“Ky vit ka qenë shumë i keq, sidomos për ne, pa punë pa gjë, mezi po jetojmë. Jemi të varfër, jetojmë vetëm në sajë të lypjes, por nëse më përpara unë e burri çonim në shtëpi 5-10 mijë lekë në ditë, tani aq nuk i bëjmë dot familjarisht. Nuk e di si do të vejë halli jonë, pasi nuk ia dalim me një 50 mijë lekësh që na jep shteti përkrahje sociale, se jam edhe me qira, aq nuk më bën qiraja”, përfundon e dëshpëruar ajo.

Por Durimi, Flamuri, Makbulja, Sania dhe Sonila nuk janë të vetmet që e bëjnë këtë lloj jete, nëpër rrugët e Tiranës duket se njerëzit vunerabël që për arsye të ndryshme i drejtohen rrugës janë të shumtë. Aktivistët përpiqen hera-herës që të evidentojnë këto raste duke i referuar nëpër institucionet përgjegjëse, por teksa janë më qindra të tillë duket se edhe kjo nuk mjafton.

“Ne si grup ndihmuam në identifikimin e personave në situatë rruge, duke bërë kështu edhe një raport të detajuar për personat që janë në  Bashkinë e Tiranës gjatë vitit 2018. Dy prej tyre janë dhe Ylli e Qemali, që tashmë historia e tyre është bërë publike disa herë. Ata të dy jetojnë në zonën e Pazarit të Ri në situatë rruge dhe pavarësisht tentativave tona si aktivistë nëpër institucione të ndryshme, ata për fat të keq vazhdojnë te jenë ende të pastrehë, edhe pse ne ndihmuan që ata të dilnin fitues të bonusit të qirasë, por ngërçi konsistonte tek masa e subvencionit, pasi ishte 6000 lekë të reja në muaj, shumë që asnjë nga të dy nuk mund të gjenim banesë me qira duke vështirësuar edhe më shumë situatën e tyre. Ata janë në një moshë të thyer tashmë dhe nuk janë më të gatshëm t’i përgjigjen tregut të punës, shto këtu edhe faktin që situata e rrugës i ka ‘falur’ edhe një sërë sëmundjesh kronike”, thotë Romina Sefa drejtuese e Qendrës për Advokim Social.

Përsa i përket situatës së pandemisë që vendi ynë po kalon dhe që bëhet shumëfish më shqetësuese për këtë kategori në nevojë, kjo përsa i përket distancimit social e fizik por edhe ndihmës në ushqime dhe referimin e rasteve pranë institucioneve të pushtetit vendor.

“Mesituatën e Covid-19 si të gjithë familjet në nevojë, të pastrehët e kanë më të rëndë sepse rreziku i përhapjes së infektimit është më i lartë pasi gjenden në terrene jo të mbrojtura. Fakti që ata gjenden në këtë situatë ka vështirësuar edhe më shumë punën tonë, pasi në kohe pandemie gjithçka është më e rezervuar, duke filluar nga dalja në terren apo takimi me njerëz personalisht. Ndërsa nga pikëpamja institucionale, është parë dhe raportuar gjithashtu edhe nga Porta Vendore, se pushteti lokal i ka ndihmuar të pastrehët me disa pako ushqimore vetëm gjatë valës së parë, pra nëmuajit mars-prill dhe më pas nuk kanë shkuar më drejt tyre”, thotë Romina Sefa për Portën Vendore.

Ndërsa psikologia Marsida Simo jep një mesazh lidhur me këtë problematikë që manifestohet nga qindra qytetarë në të gjithë vendin dhe për ata që në fakt qëndrojnë jashtë festës.

“Ky fundvit i vështirë, i cili mbart shumë problematika, por edhe pasiguri, na shoqëron edhe me pamjen e shtuar të fëmijëve që lypin apo të personave, të cilët kanë dalë në rrugë nga varfëria. Është e frikshme nëse do të mendojmë se kjo pamje na është kthyer në normalitet, pasi do të ishte një ndjenjë e pranimit të një realiteti, i cili nuk duhet të ishte i tillë. Nëse pranojmë, nuk veprojmë për të ndryshuar. Ndërrimi i viteve është më shumë si një reflektim i asaj që lamë pas dhe asaj që na pret, dhe nxitja për të bërë gjëra më të mira. Në këtë mënyrë angazhimi duhet të jetë i gjithanshëm, si nga bashkia e cila lidhet më drejtpërdrejtë me këtë situatë, por edhe nga secili prej nesh me ndihma sado të vogla, por shumë ndihmuese për situatën e tyre. Kjo është një thirrje për të gjitha pushtetet dhe vendimmarrësit të cilët, nën presionin e vendimmarrjeve të reja të tregohen të kujdesshëm për mos thellimin e hendekut të varfërisë”, thotë Simo për Portën Vendore.

Porta Vendore i dërgoi një kërkesë për informim Bashkisë së Tiranës për masat që janë marrë për strehimin e personave të pastrehë, kryesisht gjatë periudhës së pandemisë. Në përgjigjen e kthyer, Bashkia Tiranë informon se përgjatë vitit 2020 janë identifikuar 120 persona të rritur të cilët janë menaxhuar nga Qendra Komunitare e Terrenit. Gjithashtu Bashkia bëri të ditur se janë në dispozicion 5 Qendrave Komunitare që ofrojnë shërbime ditore për ushqim ndërsa është në dispozicion gjithashtu edhe qendra “Strehëza Tirana” në të cilën janë strehuar aktualisht 30 persona. “Përgjatë vitit 2020, janë 120 raste të rritur identifikuar dhe menaxhuar nga Qendra Komunitare e Terrenit , prej të cilëve 67 marrin shërbime komunitare rintegruese, dhe 30 raste janë strehuar në qendrën “Strehëza Tirana”. Rastet e tjera janë referuar dhe ndjekur me Bashkitë përkatëse”, tha Bashkia Tiranë.

Bashkia Tiranë njofton që prej muajit shtator është krijuar Qendra Komunitare e Terrenit për identifikimin e personave të pastrehë për tu ofruar ushqim dhe strehim në qendrat sociale. “Qendra Komunitare e Terrenit ka filluar ofrimin e shërbimeve prej muajit Shtator 2020 dhe këto shërbime i ofron 24 orë në 7 ditë të javës, nga 16 specialistë terreni, psikologë dhe punonjës socialë, të cilët realizojnë punë në terren për identifikimin dhe shoqërimin drejt shërbimeve të çdo rasti që identifikohet në rrugë. Vendosja e kontakteve me strukturat publike dhe jopublike dhe institucionet në nivel vendor dhe qendror, që kanë përgjegjësi si në shërbime ashtu edhe hartimin dhe zbatimin e politikave të adresuar për këtë kategori, ka bërë të mundur që këta persona të jenë të monitoruar në çdo kohë”, shton në përgjigjen e saj për Portën Vendore Bashkia Tiranë.

Por, pavarësisht ekzistencës së strukturave sociale, Qendra Komunitare e Terrenit deri në muajin dhjetor ende nuk i ka identifikuar këto personazhe që Porta Vendore raportoi, megjithëse shumica prej tyre jetojnë në rrugë prej vitesh, madje edhe pandeminë, por edhe Vitin e Ri e kaluan po në rrugë, me shpresën që po i shuhet çdo ditë e më shumë, për një jetë më të mirë, apo se një ditë do t’i zgjatet një dorë për t’i ndihmuar dhe nxjerrë nga ky rreth vicioz që jeta i ka futur krejt pa të drejtë.