Vëzhgim/Analizë

Sfida e punësimit për personat me aftësi ndryshe, bashkitë nuk përmbushin detyrimin ligjor

2 janar 2020/ Julian Hoxhaj/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore                  

Shqipëria numëron rreth 144.135 persona me aftësi të kufizuar, sipas një raporti të bërë nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga BE, botuar në mars të vitit 2019. Në këtë raport citohet gjithashtu se rreth 74,392 janë përfitues në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe 69,743 persona në sistemin e ndihmës sociale. Prej tyre, 19,288 persona me aftësi të kufizuara përfitojnë edhe pagesë kujdestarie. Ky raport analizon në mënyrë të detajuar Planin e Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016-2020 në të gjitha hallkat e tij. Një ndër këto hallka është punësimi dhe integrimi i personave me aftësi të kufizuar në jetën shoqërore. Lidhur me këtë fakt, Porta Vendore bëri një vëzhgim në 37 bashki të vendit, por vetëm 20 prej tyre pranuan të japin informacion mbi këtë çështje, ku rezulton se numri i të punësuarve nga PAK është pothuajse inekzistent.

Kuadri ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Shqipëria ka rregulluar me ligjin “Për nxitjen e punësimit” edhe krijimin e hapësirave për punësim për personat me aftësi të kufizuar. Sipas këtij ligji, në Nenin 14, përcaktohen rregullat për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Në këtë nen ka disa pika, që detyrojnë sipërmarrësit dhe institucionet shtetërore të ofrojnë mundësi punësimi për personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë arsimin e duhur, janë trajnuar apo kanë një përgatitje të caktuar. Kështu, në Nenin 15 të këtij ligji thuhet: “Çdo punëdhënës që punëson më tepër se 24 punonjës, është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25 punonjës të personelit të tij. Një punëdhënës mund të punësojë një person me handikap të rëndë në vend të pesë personave me handikape të lehta”, thuhet në ligj, ndërsa është Ministria e Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Punës që kontrollon zbatimin e këtij neni. Ky është vetë një aspekt i ligjit, që favorizon dhe mbështet punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Madje, në ligj përcaktohen dhe masa ndaj subjekteve në rast të mos punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Megjithatë, kjo vlen kryesisht për subjektet private, pasi vetë shteti është një tjetër mekanizëm që duhet të ofrojë punësimin në administratën publike të këtyre personave. Ndaj në këtë shkrim do të fokusohemi pikërisht te zbatimi i ligjit nga institucionet publike, konkretisht bashkitë e vendit.

Andit Cani është 33-vjeçari për të cilin Porta Vendore i është referuar edhe më  parë lidhur me problematikat që ndjente ky target-grup gjatë karantinës. Ai jeton në periferi të Gramshit. Ai ka studiuar për Gazetari Politike dhe Marrëdhënie me Publikun, në ciklin bachelor dhe master shkencor në Universitetin e Tiranës, por tregu i punës për të është i vështirë. Andit Cani për shkak të një temperature të lartë që ka kaluar në moshën 2-vjeçare ka mbetur i verbër, por pavarësisht këtij handikapi ai kërkon që shkollimin e tij dhe njohuritë e marra t’i vendosë në funksion në qytetin e tij të lindjes. Ka mbi 5 vite që shkon 2-3 herë në javë në zyrat e Bashkisë së Gramshit, për të parë nëse ndonjë njoftim i mundshëm ka dalë së fundmi për një pozicion të përshtatshëm për të. Ka takuar çdo kryetar bashkie që ka marrë “frerët” e këtij institucioni në këto 5 vite, porsërish asgjë. Ende nuk ështëgjetur njëpozicion pune për të, duke bërëqëshpresa t’i vdesë pak nga pak.

“Kryetari i ri i Bashkisë më premtoi që  në kohën kur ishte kandidatë do të bënte diçka për mua, por deri më tani më kanë  mbajtur me gënjeshtra, jo këtë vit, jo tjetrin dhe kështu ka kaluar koha. Dua realisht të integrohem në tregun e punës, dhe të  mund të vënë praktikë njohuritë e marra, pasi shkollimi në kryeqytet ishte një investim për mua nga ana e familjes time dhe një sakrificë shumë e madhe për ta menaxhuar i vetëm”, shprehet Andi disi i zhgënjyer, teksa rrëfimi i tij ngjan thuajse njësoj si ai i disa muajve më  parë, pasi duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Aktualisht Bashkia Gramsh ka 341 punonjës dhe 6 prej tyre rezultojnë me aftësi të kufizuar. Megjithëse një ndër bashkitë më të vogla në qarkun e Elbasanit, kjo bashki ka punësuar një numër më të konsiderueshëm personash se bashkitë e tjera, por sërish është shumë larg respektimit të ligjit. Porta Vendore kontaktoi me Joana Zanin, përgjegjëse e Burimeve Njerëzore në  Bashkinë Gramsh,e cila ishte në dijeni të rastit në fjalëdhe premtoi me dashamirësi ta ndihmonte tëriun.

“Jam në  dijeni të situatës së Andit, pasi vjen shumë shpesh të interesohet në bashki. Edhe kryetari e ka me përzemërsi këtë rast, por nuk kemi mundur dot ta punësojmë, pasi nuk ka pasur një zgjerim të strukturës së stafit gjatë vitit 2020, ashtu sikurse ishte premtuar dhe ndërkohë vështirësia më e madhe është tek gjetja e një pozicioni pune të përshtatshëm për Andin. Unë jam përpjekur dhe do të përpiqem edhe gjatë strukturës që po përgatisim për vitin 2021, por s’duhet harruar fakti që këto vendime në zgjerim stafi dhe buxheti kalojnë  edhe në  këshillin bashkiak për miratim. Shtesa stafi gjatëkësaj periudhe kohe ka pasur vetëm në shërbimin komunal dhe në stafin dezinfektues të bashkisë, pozicione këto të pafavorshme për Andin”, thotë Zani.

Tirana, vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar

Tirana, si bashkia më e madhe në vend dhe me rreth 6 mijë të punësuar në të gjithë administratën dhe sektorët e saj, mësohet se në total në këtë bashki janë 5 punonjës me aftësi të kufizuar me detyrë specialistë. “Po, në Institucionin e Bashkisë së Tiranës ka të punësuar persona me aftësi të kufizuara. 3(tre) punonjës të emëruar, si dhe 2 (dy) kandidatë fitues, të cilët në përfundim të procedurës së emërimit në zbatim të kërkesave ligjore të legjislacionit për shërbimin civil do të emërohen përkatësisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Sociale dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Teknologjisë së Informacionit dhe të Dhënave”,shprehet Bashkia e Tiranës në përgjigjen e saj për Portën Vendore. Një nga pyetjet tona drejtuar bashkive është dhe ajo që nëse ky institucion ka krijuar aksesin logjistik, që punonjësit me aftësi të kufizuar të shkojnë lehtësisht në punë apo të mos kenë problem në kryerjen e detyrës së tyre. Sipas bashkisë së Tiranës “asnjë nga punonjësit e sipërcituar, referuar karakteristikës së paaftësisë nuk ka nevojë për akses logjistik për të shkuar në vendin e punës”. Pra, nga sa shihet nga informacioni zyrtar, bashkia më e madhe në vend, ka të punësuar gjithsej vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar, ndonëse në total ka njëadministratë me më shumë se 6 mijë punonjës referuar raporteve zyrtare.Pra, nëse do të bënim nëpërpjesëtim të drejtë të numrittë përgjithshëm të të punësuarve në bashkinë e Tiranës, pra rreth 6 mijë punonjës, me detyrimin ligjor që 1/25 punonjës të jetë me aftësi të kufizuar, del se sot bashkia e Tiranës do të duhet të kishte së paku 240 persona me aftësi të kufizuar të punësuar. Por kjo bashki ka aktualisht vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar në administratën e saj.

Bashkia Fier, 6 persona me aftësi të kufizuar të punësuar

Fieri është një nga bashkitë e mëdha të vendit, me numër punonjësish që kalon mbi një mijë vetë. Edhe në këtë bashki, vihet re përsëri një numër i ulët i personave me aftësi të kufizuar. Në total në bashkinë e Fierit punojnë vetëm 6 persona me aftësi të kufizuar, të cilët kanë role si nëpunës apo dhe sanitare. “Në bashkinë e Fierit janë punësuar 6 individë me aftësi të kufizuar, që mbulojnë pozicione të ndryshme pune, në administratën dhe ndërmarrjet vartëse të institucionit. Dy nëpunës në Drejtorinë e Shërbimit Social, një punonjës sanitare në Qendrën Ditore të Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, një bibliotekare, një edukatore dhe një specialist nëndërmarrjen e shërbimeve publike”,thuhet ndër të tjera nga përgjigja e bashkisë Fier për Portën Vendore. Bashkia Fier shprehet më tej se nuk ka persona me aftësi të kufizuar në pozicione drejtuese, ndërsa shton se kësaj kategorie punonjësish u është krijuar akses për të shkuar në vendin e punës.Sa i përket shifrave, e njëjta situatë si në dy bashkitë e para është edhe në Fier, ku numërohen në total rreth 1300 punonjës gjatë vitit 2020. Nëse do bënim një përpjesëtim, sot në Bashkinë Fier do të duhej të ishin të punësuar sëpaku rreth 50 persona me aftësi të kufizuar.

Bashkia Durrës, vetëm një të punësuar

Durrësi është një nga dy bashkitë me numrin më të madh të punonjësve të administratës. Megjithatë, ashtu si Tirana, edhe në këtë bashki duket se hapësirat për aftësinë e kufizuar kanë qenë të paktë. Nga informacioni zyrtar i raportuar nga kjo bashki për Portën Vendore, mësohet se në administratën e bashkisëështë vetëm një punonjës. Durrësi ka në total rreth 1900 punonjës për vitin 2020, dhe nëse do të kishte një përpjesëtim të drejtë sipas detyrimit ligjor, sot në këtë bashki do të duhet të ishin rreth 100 punonjës me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, nga 37 bashki të cilave Porta Vendore u dërgoi kërkesë për informacion lidhur me numrin e punonjësve me aftësi të kufizuar që punojnë në pushtetin lokal, u përgjigjën vetëm 20 prej tyre, ndërsa bashkitë (Vlorë, Shkodër, Kurbin, Bulqizë, Përmet, Finiq, Himarë, Elbasan, Gjirokastër, Divjakë, Cërrik, Librazhd, Sarandë, Pukë, Malësi e Madhe, Dropull, Këlcyrë nuk kthyen përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Portës Vendore). Në tabelën e mëposhtme shfaqen numrate personave me aftësi të kufizuar të punësuar në bashkitë që i janë përgjigjur kërkesës tonë, duke dhënë gjithashtu edhe pozicionet e tyre.

Numri i personave me aftësi të kufizuar në 20 bashki të vendit

Siç shihet dhe në tabelën e mësipërme, nga 20 bashki që i janë përgjigjur kërkesës për informacion, 4 prej tyre, Klos, Kolonjë, Lushnjë dhe Korçë, nuk raportojnë asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu një e dhënë tjetër interesanteështë fakti se në bashkitë që kanë persona me aftësi të kufizuar në administratën e tyre, vetëm në tre bashki ka punonjës që kanë pozicione drejtuese, konkretisht në Roskovec, 3 persona, Kukës dhe Vau i Dejës nga një person. Pjesa tjetër janë të punësuar në role specialistësh, punonjës në qendrat sociale, qendrat kulturore, roje, sanitare etj. Fakt interesantështë gjithashtu se Pogradeci është bashkia që zyrtarisht raporton numrin më të madh të të punësuarve me aftësi të kufizuar në administratën e saj. Kjo bashki ka 8 persona me aftësi të kufizuar, të cilët kanë pozicione të ndryshme pune. Ndërkohë, Porta Vendore i ka pyetur këto bashki lidhur me aksesin logjistik, në mënyrë që këta persona të kenë mundësi të punojnë dhe ofrojnë shërbimet e tyre. Nga 20 bashkitë që kanë dhënë përgjigje, vetëm 10 prej tyre raportojnë se kanë mundësuar akses logjistik në mënyrë që punonjësit me aftësi të kufizuar të shkojnë në vendin e punës dhe të ofrojnë shërbimet e tyre (përkatësisht Berat, Lushnje, Dibër, Maliq, Kolonjë, Fier, Tiranë, Kamëz, Kukës, Roskovec). 10 bashki të tjera ose nuk i janë përgjigjur pyetjes, ose janë shprehur se nuk e kanë këtë akses apo janë duke punuar për ta ofruar.

INSTAT s`ka statistika për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Në mungesë të një përgjigje nga shumica e bashkive në vend, lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Porta Vendore iu drejtua institucionit kryesor të statistikave në vend lidhur me shifrat zyrtare. “Në përgjigje të kërkesës suaj, ju bëjmë me dije se INSTAT nuk disponon të dhëna lidhur me punësimin e personave me aftësi ndryshe (të kufizuar)”,-thuhet në përgjigjen e INSTAT. Duket e habitshme, por ky institucion e ka të paktën dy herë detyrim ligjor grumbullimin etë dhënave dhe publikimin e tyre lidhur me personat me aftësi të kufizuar në vend. Konkretisht, Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, në Kreun VI, Neni 17, detyron INSTAT të grumbullojë të dhënat për personat me aftësi të kufizuar. “INSTAT-i dhe strukturat përgjegjëse mbledhin të dhëna të përshtatshme statistikore dhe kërkimore, në përputhje me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave, për të mundësuar politika dhe planifikime të aksesueshme dhe përfshirëse. Institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, mbledhin të dhëna statistikore për aftësinë e kufizuar sipas fushave ku ato operojnë. Llojshmëria e periodiciteti i mbledhjes së të dhënave dhe mënyra e raportimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”,thuhet në Ligj. Pra sipas këtij ligji, INSTAT duhet të grumbullojë të dhënat, të cilat më pas mund të përdoren për të hartuar politika dhe planifikime për aksesueshmërinë dhe përfshirjen. Gjithashtu Ligji “Për nxitjen e punësimit”, rregullon mbledhjen e të dhënave për punësimin në tërësi, ku përfshihen dhe personat me aftësi të kufizuar. Në Nenin 18 të këtij ligji thuhet: “Ministria përgjegjëse për çështjet e punës i siguron Institutit të Statistikave (INSTAT) statistikat e papunësisë së regjistruar, përveç atyre që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë dhe vëzhgimet statistikore të autorizuara nga INSTAT-i, si anketa e forcave të punës.Ministria administron informacionin e mbledhur, në koordinim me INSTAT-in, në mënyrë që të ketë një sistem të harmonizuar të sistemit të mbledhjes të të dhënave dhe analizave”, citohet nga ligji. Ndaj mbetet e paqartë përgjegjësia mbi mungesën e të dhënave lidhur me personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë.

Porta Vendore pyeti gjithashtu pranëInspektoratit Shtetëror tëPunës përsa i përket respektimit tëligjit për punësimin e personave me aftësi tëkufizuar nëinstitucione shtetërore dhe jo vetëm, por nuk pati njëpërgjigje zyrtare nga ky institucion deri nëpublikimin e shkrimit, nëlidhje me pyetjet e parashtruara.

Raporti, PAAK pak të informuar për programet e punësimit

Siç e përmendëm dhe në krye të këtij artikulli, në analizën e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016-2020, jepen të dhëna lidhur me raportin që kjo kategori qytetarësh ka me punësimin. Në të gjitha të dhënat e tij, raporti tregon se personat me aftësi të kufizuar kanë pak informacion me programet e punësimit dhe janë pakënaqur me mundësitë që u ofrohen për punësim. “69% e tyre raportojnë se janë ‘të pakënaqur’ me mundësitë që iu ofrohen personave me aftësi të kufizuara për t’u punësuar në përputhje me aftësitë e tyre. Ndryshe nga personat me aftësi të kufizuara, përfaqësuesit e organizatave janë të informuar për aktivitetet e këtij objektivi. Gati gjysma e përfaqësuesve të ojf-ve, 57.4% raportojnë se janë ‘të pakënaqur’ me mundësitë që iu ofrohen personave me aftësi të kufizuara për të punuar në përputhje më aftësitë e tyre. Në lidhje me programet qe ofrohen nga zyra e punës, 58.8% e PAK pohojnë se nuk janë aspak të kënaqur dhe 31% shprehen se janë ‘pak’ të kënaqur, ndërkohë që 68.8% pohojnë se janë të pakënaqur me mundësitë që iu ofrohen personave me aftësi të kufizuara për të kryer praktika profesionale në institucione apo biznese. Niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuara është i ulët, duke theksuar një pakënaqësi për pjesën më të madhe të pjesëmarrësve në këtë studim (89.6% të shprehur ‘të pakënaqur’ dhe ‘pak të kënaqur’)”,thuhet ndër të tjera në raport.

Privati apo shteti, kush e favorizon punësimin e personave me aftësi të kufizuar?

Jetmir Kallallori është një person me aftësi ndryshe. Megjithatë, ai prej 10-vjetësh punon në një kompani celulare si ekonomist. Kallollari rrëfeu eksperiencën e tij për Portavendore, duke folur gjithashtu edhe si përfaqësues i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri. Jetmiri tregon se sektori privat është më komod për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Madje sipas tij, sektori privat është më i hapur se ai shtetëror për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. “Unë kam 10 vjet që punoj në kompaninëVodafone Albania, pasi kam mbaruar fakultetin e ekonomisë. Kam kontakte me persona të aftësi të kufizuar. Numrin më të lartë të të punësuarve e ka sektori privat. Sa i përket sektori publik le të themi se numri është më i kufizuar. Shpjegimi është shumë më i thjeshtë dhe i qartë. Kompanitë private janë shumë më të hapura për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ato e shohin situatën përtej thjesht zbatimit të ligjit. E shohin si përgjegjësi sociale. Kjo është diferenca mes dy sektorëve. Ka një qasje më pozitive sektori privat se sa sektori shtetëror. Kur flasim për biznesin privat flasim për kompanitë e mëdha që kanë mundësi punësimi”,shprehet Jetmir Kallollari. Gjithashtu ai tregon se nuk ka trokitur kurrë në institucionet shtetërore për t`u punësuar. Megjithatë nga njohjet me miq të tij, tregon se peshën më të madhe të punësimeve e zë sektori privat. Shqetësim, i konstatuar më herët dhe në këtë shkrim, edhe sipas Jetmir Kallallorit është mungesa e statistikave të punësimeve. Për Kallallorin sektori shtetëror punëson më pak persona me aftësi të kufizuar se sa duhet të jetë realisht. “Nuk kam bërë asnjë kërkesë për punësim në shtet. Ka shumë raste të punësimit të personave me aftësi ndryshe në shtet. Unë njoh shumë të rinj e të reja të punësuar. Por nëse i vendosim në peshore, ajo do anojë nga sektorin privat. Kur vjen puna te statistikat, nuk kemi shifra ekzakte. Nuk dua të jap ndonjë shifër të jo të saktë , por numri është i ulët në sektorin shtetëror në raport me atë që duhet të jetë”, shprehet ai.

Jetmir Kallallori nuk e shikon situatën thjesht si nevojë të zbatimit të ligjit, kur vjen puna tek punësimi i personave me aftësi të kufizuar në institucionet publike. Ai shprehet se kjo duhet të tejkalojë ligjin, në mënyrë që çdo institucion shtetëror të jetë shembull pozitiv në punësimin e personave me aftësi të kufizuar. “Çështja e punësimit e personave me aftësi ndryshe për mua e kalon zbatimin e ligjit. Nëse ne arrijmë një ndërgjegjësim të plotë dhe të mirë, që çdo institucion shtetëror duhet të ketë në skuadrën e vetë një person me aftësi të kufizuar, unë them se po, jemi në rrugën e duhur. Punësimin e personave me aftësi të kufizuar le ta kthejmë në një shembull pozitiv. Shteti duhet të jetë një shembull shumë pozitiv, jo vetëm në punësimin e personave me aftësi ndryshe, por edhe në mirëmenaxhimin e personave me aftësi ndryshe”, thotë Jetmir Kallollari.