31 dhjetor 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Edhe pse në pandemi, e njerëzit do të mbyllen me detyrim në shtëpi që në orën 20.30 të mbrëmjes deri në 06.00 të mëngjesit, kjo nuk i ka ndaluar disa bashki që të shpenzojnë mbi 140 mijë dollarë për drita, fishekzjarre dhe zbukurime për natën e ndërrimit të viteve.
Nga një vëzhgim i kryer nga Porta Vendore rezulton se disa prej këtyre bashkive i kanë zhvilluar tenderët për zbukurimet për ndërrimin e viteve që në fillim të muajit dhjetor, por sërish nuk ndryshon fakti se edhe në atë kohë ka ekzistuar kufiri i orarit për orët e natës, pasi ka qenë në fuqi urdhri që lejonte qëndrimin jashtë deri në orën 22.30 të mbrëmjes. E tashmë, kur bashkitë kanë harxhuar rreth 140 mijë dollarë, qytetarët, ndryshe nga vitet e tjera, do i shijojnë zbukurimet dhe fishekzjarrët, vetëm nga televizori.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Porta Vendore pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se nga 61 bashki, vetëm 7 prej tyre kanë menduar të harxhojnë paratë në zbukurime për natën e ndërrimit të viteve, duke shpenzuar rreth 140 mijë dollarë në total.
Bashkia e Vlorës, qytetarët e të cilës shpesh herë ka ngritur zërin, si për mungesën e infrastrukturës, ashtu dhe për ujin e pijshëm, është ajo që ka thyer rekord sivjet për shpenzimet për festat e fundvitit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, Bashkia Vlorë ka shpenzuar 3.35 milionë lekë për realizimin i dekorit në Bashkinë Vlorë me rastin e festave të fundvitit 2020.
Vendin e dytë për shpenzime e zë kryeqyteti me fishekzjarret për natën e ndërrimit të viteve në Tiranë, e cila ka shpallur një tender me vlerë 2.9 milionë lekë, pa tvsh.
Ndërsa në vendin e tretë renditet Korça me 2.9 milionë lekë, e ndjekur nga Dibra me 2 milionë lekë. Po ashtu, Bashkia Kavajë dhe ajo e Kolonjës, pavarësisht se janë bashki të vogla nuk janë kursyer në shpenzimet për festat e fundvitit, duke harxhuar përkatësisht 1.6 dhe 1 milion lekë. Bashkia që ka shpenzuar më pa lekë, është Divjaka, e cila ka tenderuar 328 mijë lekë të reja.
Tenderë, me një konkurrent
Porta Vendore shkoi dhe më tej, duke analizuar tenderët e zhvilluar për festat e fundvitit nga këto 7 bashki. Sipas të dhënave nga openprocurement.al, ajo që vihet re është fakti se në secilin tender ka pasur vetëm një konkurrent të vetëm, ose janë skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë dhe është kualifikuar vetëm fituesi. Edhe pse kjo nuk cenon ligjet shqiptare është një hapësirë që shpesh herë përdoret nga institucionet për të favorizuar kompanitë klienteliste. Shpesh këto procedura më shumë sesa mungese konkurrence shfaqin opsione te formulimit të kritereve dhe afateve në favor të një kompanie të paramenduar.Megjithatë, fakt mbetet se paratë e derdhura për këtë fundvit, shqiptarët do mund t’i shohin vetëm nga televizori, pasi sapo të bjerë nata e ndizen dritat, qytetarët duhet të mbyllen brenda për shkak të “orës policore” të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve për parandalimin e përshkallëzimit të pandemisë.
Bizneset, edhe më të goditura
“Ora policore” nuk ka dëmtuar vetëm paratë e taksapaguesve në shtatë bashkitë e sipërcituara, por ka sjellë reagime të shumta nga sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e biznesit. Mbyllja e lokaleve, bareve dhe restorantet në periudhën e festave të fund vitit, kur shumica e këtyre aktiviteteve kanë dhe të ardhurat më të mëdha, cilësohet nga sipërmarrësit si një faliment, sidomos në kohën, kur shumë prej tyre kishin pranuar prenotime për festat e fundvitit. Pronarët e lokaleve kanë deklaruar se qeveria duhet t’u kompensojë dëmin që po u shkakton. Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës së Restoranteve, Bareve dhe Klubeve të Natës, deklaron se qeveria po i falimenton dhe po nxjerr në rrugë mijëra punonjës. “Kanë qenë rreth 30 përqind e jona që prisnin këto festa të merrnin pak ajrosje ekonomike. Sot gjenden përballë një fakti që do të duhet të ulin qepenat dhe ndoshta nuk do ta ngrenë më atë qepen. Sektori ynë është një ndër më të prekurit në shkallë botërore dhe jo vetëm në Shqipëri. Ky kufizim me një orë e gjysmë është absurd, pasi nuk besoj se kjo kohë bën ndryshim të madh”, u shpreh Jahja në një prononcim të datës 24 dhjetor. Megjithatë, deri më sot, ky orar nuk ka ndryshuar dhe sivjet, shqiptarët do e presin Vitin e Ri nga shtëpitë në pamundësi për të shijuar fishekzjarrët e ndërrimit të viteve në sheshet e qyteteve.