28 dhjetor 2020/ Porta Vendore/ Divjakë
Në fshatin Adriatik të Divjakës koha ka ndaluar. Ata që jetuan dikur në këtë fshat skajor të rrethit të Lushnjës, ishin të izoluar dhe internuar nga komunizmi, ndërsa banorët e sotëm janë harruar nga të gjithë. Ky fshat i njësisë administrative Remas, vuan për gjithçka, që nga varfëria, punësimi, rruga, uji e arsimi, ndërsa 20 familje të mbetura aty, gdhihen e ngrysen me shpresën se dikush do kthejë sytë nga ata.
Fshati Adriatik ishte dikur skaji më i vështirë i rrethit të Lushnjës për t’u arritur. Prandaj sistemi i para viteve ’90, vendosi që të ndërtojë një bllok prej katër pallatesh për izolimin e personave të internuar. Në vitin 1991, të gjitha ato familje që ishin të internuara u arratisën nga ky fshat, duke lënë pas gjithçka, me qëllim për t’u larguar një herë e përgjithmonë nga vuajtjet e pandërprera.
Por fshati nuk mbeti bosh, ai u popullua nga familje të ndryshme, që vinin nga Pogradeci, Gramshi, Librazhdi dhe fshatra të tjerë të Lushnjës dhe Fierit, por dhe nga Tirana. Në këtë fshat u bënë rreth 40 familje, të cilat u regjistruan dhe morën në përdorim me ligjin 7501, tokë bujqësore. Por, për këtë fshat nuk u kujtua askush.
“Sot në fshat jetojnë rreth 30 familje. Kryesisht jemi pleq dhe fëmijë, rinia ka emigruar me kohë. Ndonjëherë na ndihmojnë, ndonjëherë nuk kanë mundësi. Fshati është lënë në harresë totale. Rruga është e pashtruar dhe e mbushur me pluhur në verë dhe me baltë në dimër”, shprehet Qamili, i cili për të jetuar ka dy lopë që i kullot në tokat që ka në përdorim. Ai shpjegon se ka qenë bari dhe në fillimet e tij vinte me dele për t’i kullotur, por më pas u vendos përfundimisht me familjen e tij. “Në vitet ’90, fillimisht kullosja kopetë nga kjo zonë, por më vonë, nga viti 1993, në pamundësi, zura një copë tokë, bleva dy lopë dhe kam jetuar këtu. Gjithë jetën jam marrë vetëm me blegtori, por kaq është mundësia ime. Qumështin e shes në baxho dhe mundohem të jetoj”, shpjegon ai.
Një pjesë e familjeve, blegtorinë kanë të vetmen të ardhur, por ata i shqetëson një problem që i përfshin të gjithë, pronësia e tokës! “Në fillim na i dhanë tokat në përdorim dhe më pas na thanë se do na i kalojnë në pronësi. I bëmë dokumentet të gjitha, aplikuam, por na e ndaluan këtë proces, duke mos na e njohur pronësinë, pasi do e jepnin me PPP. E ka marrë privati pjesën më të mirë të tokës, ndërsa ne kemi mbetur pa asnjë mbështetje”, shprehet Agroni, një tjetër banor i fshatit Adriatik. Të njëjtin shqetësim kanë të gjithë.

Madje, banorët shpjegojnë se pikërisht për t’i shpërngulur nga ky fshat, pra të mos përfitojnë prona, ata i kanë lënë pa ujë dhe kanale kulluese. “Edhe tokën nuk e kemi përdorur dot për bujqësi, por vetëm për ushqim për kafshët, pasi nuk ka kanale kulluese dhe nuk ka asnjë investim në zonë”, shpjegon një tjetër blegtor. Ata kanë të gjithë të njëjtin hall. Sipas tyre, tokat i kanë marrë në vitin 1992, por tashmë nuk mund t’i gëzojnë duke u nxjerrë pretendime të ndryshme. “Kam 29 vjet banor i fshatit. Në shkurt të vitit 1992, komisioni i ndarjes së tokave më dha tokën. 27 vite i kam paguar taksën dhe kam bërë punim e plehërim të saj, sot qeveria ia jep tjetrit dhe mua nuk më jep pronësinë. Madje bën dhe një ngatërresë, duke më fajësuar e duke më akuzuar se e ke lejen e banimit në vitin 1999, kur të gjithë e dinë se unë kam ardhur që në vitin 1992. Tani kam katër vite që nuk shkoj dot në tokën time, se ai i ka vënë portën atje dhe unë nuk shkoj dot. Madje, kanë vënë parulla “pronë private, mbrohet nga shteti”. Po unë i kujt jam? Kemi ngelur duke jetuar me të lypur, lyp 10 ballo jonxhe, një thes miell që të shtysh muajin, me shpresën se diçka do të rregullohet”, shprehet Avniu. “Tokat nuk na i kanë dhënë me dokumentacion të rregullt për pronësi. Madje, po na i marrin fare, vijnë ata të PPP-ve dhe të qeverisë dhe na i marrin. Ne nuk kemi fare shpresë se do ndryshojë gjë. Ne që kemi ngelur këtu nuk kemi as mundësi të lëvizim, të ikim diku tjetër, kemi ngelur si mos më keq”, thotë një tjetër banor. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur, pasi një kompani private ka marrë me qira tokën, që cilësohet tokë shtetërore, por që ata e kanë mbajtur gjithë këto vite dhe kishin aplikuar që ta kalonin në pronësi, ashtu siç është vepruar në të gjitha fshatrat e vendit. Megjithatë, kjo tokë, kur dikur dërgoheshin të internuarit, duket se është “mollë e ndaluar” për banorët e mbetur e të dënuar për të jetuar në skamje.
Banorët shpjegojnë se të vetmit që kanë pasur ndonjë të ardhur të vogël dhe që kanë bërë një jetë më modeste, janë ata që janë marrë me peshkim. “Këto kohë nuk na ka dalë keq me peshkim, aq marrim ne sa për të jetuar. Se tani ka kohën ngjala dhe na del mirë. Tani shpresojmë dhe këtë muaj se pastaj ndërpritet. Kjo është e vetmja mundësi punësimi dhe jetese për mua. Po u ndërpre gjuetia në Kënetë, mbaruam ne këtej, nuk kemi me çfarë të jetojmë tjetër sepse toka jonë është kripë këtej, është shëllirë, nuk bëhet asgjë. Pra çdo gjë në familjen time varet nga kjo (bën me dorë nga peshku). Po nxora unë këtu, do hanë kalamajtë, por nuk nxora unë… nuk ka për të ngrënë”, shpjegon një nga peshkatarët, i cili sapo është kthyer nga peshkimi dhe ka kapur rreth 5-6 kg peshk dhe ngjalë.

Një tjetër problem jetësor që i shqetëson këto familje të fshatit Adriatik, uji i pijshëm. Ata kanë 30 vite që vit pas viti ngrenë shqetësimin e ujit të pijshëm, por nuk marrin asnjëherë zgjidhje. “Jemi shumë keq për ujin, behari këtu është tmerr, por edhe muajt e tjerë. Se uji vjen dhe shumë i ndotur, për të pirë nuk bëhet fjalë, se detyrohemi ta blejmë. Jemi ankuar për ujin disa herë, madje ka ardhur dhe drejtori i ujësjellësit, thotë nuk kam ç’të bëj, jo nuk ka para, jo nuk ka tuba, vetëm justifikime”, shprehet Qamili.
Por, harresa nuk ka lënë jashtë fokusit të saj dhe rrugën. “Ujë s’kemi, rrugë s’kemi. Siç e shihni, rruga është prishur. Edhe ato 2-3 makina që kemi në fshat, të cilat i përdorim të gjithë për ndonjë shërbim, po i shkatërrojmë. Na kanë premtuar, por asgjë nuk kanë bërë. Të paktën të kishin mirëmbajtur atë që ishte, por edhe ajo u la në harresë dhe u shkatërrua si gjithçka tjetër në këtë fshat”, shprehet një tjetër banor, i cili po kthehet në fshat bashkë me fëmijën e tij të mitur, të cilin e ka marrë nga shkolla
E kur vjen puna te fëmijët, një shesh plot pluhur e me gurë është i vetmi vend, ku luajnë e argëtohen disa orë në ditë. Shkolla i përngjan tokës së harruar, por fëmijëve u pëlqen të bëjnë mësim aty, ndërkohë që është mbyllur prej 4-5 vitesh dhe ata janë të detyruar të shkojnë në shkolla të tjera. “Në fillim ishte shkolla, ishte çdo gjë. Tani e kanë lënë shkollën si mos më keq. Fëmijët i marrin me autobus dhe i çojnë në një shkollë tjetër në një fshat tjetër e me zemër në dorë jemi për ta dhe për shkak të pandemisë sepse pyesim veten kush i mbron këta në autobusë, kush i mbron në shkollë. Ne i kemi larg, nuk i shikojmë dot, t’u japim një këshillë. Jemi në mëshirë të zotit. Këtu kanë ardhur kanë kërkuar votat, thonë llaf do bëjmë këtë e atë, e pastaj s’vijnë më”, shprehet Qamili. Kurse një tjetër banor, i cili ka fëmijën e vogël me aftësi ndryshe është dhe më i irrituar me këtë realitet mbytës. “Jam banor që në vitin 1991 dhe gjithçka ka ardhur drejt përkeqësimit. Kemi qenë me shkollë 9-vjeçare, na e mbyllën shkollën. Një vit më parë mbyllën dhe kopshtin për fëmijët. Siç e shikoni, jemi dhe më keq se kur kemi ardhur, të paktën ka pasur gjallëri, të gjithë këto pallate kanë qenë të banuara me familje e tani nuk kemi mbetur as 30 familje. Jemi shkatërruar si fshat fare. Njerëzit kanë ikur shumica. Mungesa e kushteve i ka detyruar të largohen. Nipi im, 5 vjeç është fëmijë me aftësi ndryshe. Nuk ka as kujdestare, as KEMP, asgjë për të, edhe kopshtin e mbyllën fare, nuk ka as mësuese ndihmëse. Madje jam interesuar dhe në seksionin e arsimit në Divjakë për mësues kujdestar, nuk japin asnjë përgjigje. Ky ka nevojë të shkollohet, aktualisht në kopsht nuk shkon dot, ku do vejë ky, si do veprojmë me të”, shprehet Veliu i pashpresë.

E përballë gjithë këtyre problemeve, varfëria nuk i lë të ngrenë kokë banorët e paktë të fshatit të harruar, të cilët mundohen të mbajnë bagëti për të mbajtur frymën gjallë. Disa prej tyre kanë përfituar dhe ndihmë ekonomike, por vlera e saj është shumë e vogël përballë gropës së madhe të varfërisë. “Shteti në vend që të na shtrojë ndonjë rrugë, ndonjë punësim apo ujë, merret me ndihmën ekonomike të njerëzve. Kisha ndihmë ekonomike, por nuk me dilte të rrisja fëmijët. Ika të punoja tre muaj në Greqi, që të siguroja bukën e fëmijëve, kur u ktheva më hoqën ndihmën ekonomike, duke më cilësuar si kategori që nuk përfitoj. Vallë u pasurova unë me tre muaj në Greqi?!”, shprehet i indinjuar një banor, i cili nuk pranon të identifikohet, pasi ndihet i pashpresë se e drejta e tij mund të triumfojë.
Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Divjakë në lidhje me problematikat që shqetësojnë banorët e këtij fshati. Nënkryetari i bashkisë Avni Snalla tha se janë duke monitoruar situatën jo vetëm në këtë fshat por në shumë fshatra të kësaj bashkie për ti dhënë një zgjidhje sa më adekuate problemeve të komunitetit.
“ Jemi në momentet e dizajnimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe sapo të qartësohet do të kemi një informacion më të qartë mbi atë çfarë pritet që të konsiderohen si investime në këtë fshat . gjithçka është në proces e sipër”, tha shkurtimit Snalla për Portën Vendore.
Tashmë atyre u ka mbetur vetëm pak aromë deti, pasi pranë fshatit ndodhet plazhi Adriatik, që mban të njëjtin emër. Aty gjithçka është si para viteve ’90. Hapësira bregdetare prej dy kilometra është plazh publik. Argëtimi i vetëm për fëmijët është loja me top.
Larg gjithçkaje dhe larg vëmendjes, jeta vijon të jetë çdo ditë e më e vështirë për këta pak banorë, që kanë mbetur aty dhe që nuk shohin asnjë perspektivë për të ardhmen e tyre, ndërsa të rinjtë largohen për të mos u kthyer më kurrë.