23 Dhjetor 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Gjatë ditës së djeshme, më 21 dhjetor 2020 në një komunikim për mediat, Komiteti Teknik i Ekspertëve ndërmori një sërë masash të reja në përballimin e pandemisë së Covid 19, në vendin tonë. Në prag festash, përveç shtrëngimit të orës policore nga 22:00 në 20:30, gjithashtu do të ketë një mbyllje të restoranteve, bar dhe ushqimeve fast-food gjatë kësaj fashe orare, duke nisur nga data 24 dhjetor e deri më 4 janar të vitit të ardhshëm. Por biznesi i vogël dhe sidomos bizneset e shërbimit duket se janë më të impaktuarit ekonomikisht nga këto masa, ku menaxherët dhe punonjësit deklarojnë për Portën Vendore se që prej një viti tanimë nuk po munden të ngrenë dot “kokën”, kjo pasi gjendja ekonomike sa vjen e rëndohet.
Shqipëria si e gjitha bota është duke u përballur me virusin e Covid 19 prej marsit të këtij viti, ku u shfaq edhe rasti i parë pozitiv me koronavirus, ndërsa mes njerëzve po rritet frika për një kufizim edhe më drastik përsa i përket masave anti-covid të ndërmarra nga institucionet shëndetësore në vend. Në vazhdën e kufizimeve të orarit, gjatë ditës së djeshme pati një tjetër komunikim nga komiteti teknik i ekspertëve përsa i përket masave të reja në këto vigjilje festash përballë virusit vdekjeprurës, i cili i ka marrë jetën rreth 1100 qytetarëve që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, ndërsa janë infektuar në total rreth 30 000 qytetarë në vendin tonë.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi:
- Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.
- Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.
- Prej datës 5 Janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim.
- Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery.
- Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00.
- Po ashtu rekomandojmë të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore.
Ndërsa gjithashtu u theksua se e gjithë dinamika e pandemisë do të vlerësohet rast pas rasti, ku nuk përjashtohet marrja e masave të reja ose rivlerësim i atyre ekzistuese, me synim mbrojtjen e popullatës. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha gjithashtu mesazhin që këto festa të festohen pranë familjeve të vogla e të evitohen grumbullimet, si dhe të vijojnë në mënyrë rigoroze respektimi i distancimit social e fizik.
Bizneset me duart lart, po falimentojmë
Por, duket se ky vendim i qeverisë shqiptare për një shtrëngim edhe më të madh të orës policore, sidomos tani në këtë periudhë festash, ka sjellë një lloj irritimi tek bizneset e prekura, të cilat me keqardhje tregojnë se i kishin të fokusuara të gjitha energjitë në këto ditë, që të paktën deri në orën 22:00, të mund të bënim aq xhiro sa për të paguar rrogat e punonjësve, pasi nëse kjo situatë vijon do të detyrohen vetvetiu që të kenë shkurtime në vendet e punës.
Dori është menaxhere e një bari në rrugën Misto Mame dhe ajo tregon se që tani kishin filluar organizimet në barin e saj, të cilin e frekuentojmë së shumti banorët e kësaj zone për të konsumuar një kafe pas punë, por me këtë vendim duket se i janë prerë krahët.
“Në fakt i frikësohesha që diçka e tillë do të ndodhte, por gjithsesi ne kishin menduar që si e si të tërhiqnim klientët tanë, duke ofruar shërbime long bar për natën e krishtlindjeve dhe vitit të ri, por tani i bie që puna do të reduktohet dhe të ardhurat do të tkurren doemos. Nuk mendoj se ishte një vendim i drejtë në këto kohë pandemie, pasi ne në fakt këto ditë të fundvitit kemi pritur, pasi ky vit dihet që ka qenë gropë, dhe ne në fakt kemi investuar, kemi bërë zbukurime dhe jemi përpjekur të mos shkurtojmë staf por në këto kushte se di se çfarë realisht do të na ketë rezervuar viti tjetër, pasi jemi në krizë totale”, tha Dori për Portën Vendore.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Enri Jahaj, menaxher i Çokos, dhe gjithashtu përfaqësues i shoqatës së lokale dhe restorante në Shqipëri. Ai tregon se nuk e kupton se çfarë diference përbën fakti që të mbyllemi një orë e gjysmë më parë nga orari aktual i përcaktuar po nga qeveria, pasi dihet se kush ka për tu mbledhur dhe festuar do e bëjë këtë gjë në shtëpi.
“Dëmi dhe impakti që sjell është shumë i madh dhe i pallogaritshëm pasi tek ne nuk ka kulturë të konsumohet darka në orën 19:00, kështu që vetëkuptohet që turni i dytë është i përjashtuar dhe praktikisht pa punë. Ne besojmë që ky orar më së shumti është vënë për arsye që qeveria mos të kompensojë bizneset sesa për tu ruajtur nga festat”, thotë Jahaj për Portën Vendore, teksa shton se ishin të shumtë bizneset që po prisnin këto festa që të mund të rikuperonin diçka nga humbjet e pësuara. “Tani jo vetëm që nuk rikuperojnë dot por përkundrazi gjenden në udhëkryq e përballë rrugës së falimentit. Në janar parashikohen të mbyllen rreth 30 % e këtij sektori ku do të sjellë një dëm social- ekonomik të pariparueshëm”, përfundon ai.
Ndërsa Emiljano, i cili punon si kuzhinier i dytë në një nga restorantet e Tiranës, tregon gjithashtu se nuk e prisnin këtë vendim, pasi ky vit ka pasur ulje-ngritje të tmerrshme si në klientelë ashtu edhe në financa.
“Festat po i prisnim krahëhapur, por përsëri asgjë. Jemi shumë të indinjuar, pasi ato të paktë klientë të mbetur kishin rezervuar, dhe ne tani jemi të mbyllur. Kosto shumë e madhe për biznesin që mban në punë me dhjetëra e mijëra punonjës, dikush duhet të mendojë për në, për sektorin tonë, pasi nuk po mundemi dot të shohim një ditë të bardhë. Kështu siç e kemi nisur do përfundojmë të gjithë nëpër shtëpia, duke eksploruar gatimet tona vetëm familjarët”, thotë Emiljano jo pa ironi.
Teksa vendi po përballet me valën e dytë të pandemisë së Covid 19, bizneset e jo vetëm janë të paqartë se çfarë do ti rezervojë e nesërmja, ndërsa presin me fije të pakta shprese që viti i ardhshëm të jetë një vit më i mirë në jetën, profesionin dhe financat e tyre.