21 dhjetor 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Vjosë
Një draftvendim i përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ende i pa publikuar, rrezikon të zhbëjë përpjekjet disa vjeçare për ndalimin e deritanishëm të digave mbi Vjosë, veçanërisht asaj të Kalivaçit, Deklarata Mjedisore e të cilës u refuzua në shtator nga e njëjta ministri.
Porta Vendore ka siguruar një kopje të dokumentit, i cili parashikon të shpallë Luginën e Vjosës “Peizazh i mbrojtur”, por vetëm në Rrjedhën e Sipërme të lumit, duke lënë pa mbrojtje pjesën poshtë tij, në koordinatat e digave të Kalivaçit dhe të Poçemit, pikërisht aty ku Vjosa, sipas një numri të madh shkencëtarësh, falë proceseve ekologjike unike ofron larminë më të lartë biologjike.
Kësisoj, rreziku prej hidrocentraleve, që në Twitter-in e Kryeministrit, në 25 shtator, u konsiderua “imagjinar”, sot është real: Rrjedha e Sipërme nuk do të shpallet “Park Kombëtar”, siç ai tha. Sipas draftvendimit (i programuar për t’u miratuar në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT)), ajo do të klasifikohet vetëm “Peizazh i mbrojtur”, një kategori, shkalla mbrojtëse e së cilës është disa herë më e dobët se mbrojtja që siguron statusi “Park Kombëtar”, veçanërisht për të frenuar projektet e hidrocentraleve që mund të propozohen në të ardhmen. Por i njëjti rrezik kërcënon akoma më shumë rrjedhën poshtë tij, e cila mbetet fare pa mbrojtje, ndërkohë që kontratat koncesionare të hidrocentraleve, të Kalivaçit e Poçemit, qëndrojnë në fuqi.
Sipas hartës (së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM)) që i bashkëngjitet këtij vendimi, shihet qartë se kufijtë e “Peizazhi i mbrojtur” arrijnë pranë qytetit të Memaliajt, duke përjashtuar pjesën në vazhdim, e cila parashikohet të përmbytet prej rezervuarit, nëse do të ndërtohet hidrocentrali i Kalivaçit.
Përpara një viti, AKZM-ja, agjencia që administron Zonat e Mbrojtura të vendit, premtoi publikisht se do të mbronte Luginën e Vjosës, duke i siguruar një status mbrojtës. Kundrejt një presioni edhe ndërkombëtar, në favor të një Vjose me rrjedhë të lirë, Agjencia hyri për herë të parë në bisedime me grupet e interesit, veçanërisht me organizatat mjedisore, dhe premtoi të shqyrtonte propozimet e tyre. Në shtator, një tjetër agjenci, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, i refuzoi kompanisë koncesionare të Kalivaçit dhënien e Deklaratës Mjedisore, çka e pengonte kompaninë për kryerjen e mëtejshme të punimeve, një surprizë e këndshme për komunitetin shkencor, e cila entuziazmoi edhe më skeptikët ndaj qeverisë.
Por në 11 dhjetor, gjatë një diskutimi mes grupeve të interesit, në një konferencë virtuale (Zoom meeting) me temë “Zhvillim i Qëndrueshëm në një Ekosistem Ndërkufitar”, i organizuar me inisiativën e “Konfindustria”, “rrëshqiti” kjo hartë, e cila zbuloi kufijtë e Luginës së Vjosës, nën statusin e ri: “Peizazh i mbrojtur”. Harta u prezantua nga eksperti i të dhënave gjeografike (GIS) Elson Salihaj, në emër të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Prej kohësh, grupet e interesit, veçanërisht organizatat mjedisore, ishin në pritje të një harte, brenda së cilës, përflitej se mund të përfshihej dhe pjesa e mbrojtur e Vjosës. Por a mund të mbrohej edhe Rrjedha Qëndrore? Interesi shtrihej përtej kureshtjes.
Në dhjetor të 2019-s, Eco Albania, në emër të një grupi akadamikësh dhe natyralistësh i dërgoi AKZM-së propozimin e tyre për shpalljen e Rrjedhës Qëndrore të Vjosës, Park Kombëtar. Më pas, përgjatë 2020-s pasoi një heshtje, deri kur AKZM-ja prezantoi në konferencë për herë të pare, hartën. Të dhënat gjeografike të prezantuara treguan se sipërfaqja që do mbrohej ishte shumë herë më e vogël se sipërfaqja e propozuar prej ekspertëve mjedisorë; Rrjedha Qendrore ndodhej jashtë! Me gjasë, do të jetë kjo hartë e cila mund t’i bashkëngjitet draftvendimit që Porta ka siguruar, kur të shkojë në KKT.
A ishte ky prezantim, kjo rrjedhje informacioni një mënyrë për t’i paraprirë shpalljes “surprizë” nga KKT-ja në ditët e ardhshme; një manovër, jo vetëm për të legjitimuar një proces, në dukje transparent, por edhe një përpjekje për të zbutur, apo për të demotivuar reagimet e natyralistëve, duke i vendosur ata përpara, të ashtuquajturit fakt i kryer?
E vërteta është se në pesë vite “luftë” për Vjosën, autoritetet shmangën çdo ballafaqim mes palëve; çdo përpjekje shkencore që kundërshtonte ndërtimin e digave mbi Vjosë. Në pesë vite “luftë” autoritetet shpërfillën çdo tryezë, çdo propozim, duke refuzuar çdo alternativë zhvillimi për një Vjosë pa diga, duke shpresuar, se me kohë presioni do të shuhej. Kur e panë se kjo nuk ndodhi, pohuan më në fund atë çka shmangën ta bëjnë në pesë vjet.
Më tej, gjatë diskutimit, drejtori i AKZM-së, Z. Zamir Dedej, pohoi pamundësinë për të shpallur pjesën tjetër të Vjosës “Park Kombëtar” për shkak të dy kontratave koncesionare, të Kalivaçit dhe të Poçemit
Por diskutimet e 11 dhjetorit u zhvendosën në një tjetër plan, jo vetëm shkencor por dhe ekonomik, duke i dhënë çështjes së Vjosës një dimension të ri, i preferueshëm edhe për vendimmarrësit.
Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm (IISD), një grupim ekspertësh dhe strategësh ndërkombëtar që kontribuon në dhënien e zgjidhjeve të qëndrueshme të problemeve të shekullit të 21-të, prezantoi studimin “Vlerësimi i qëndrueshëm i aseteve të hidrocentralit të Kalivaçit dhe të Poçemit” (SAVi). Studimi sugjeron se energjia hidrike nuk mund të konsiderohen një zgjidhje e preferueshme për prodhimin e energjisë elektrike për popullin shqiptar, pasi shkakton kosto më të larta për komunitetet, mjedisin dhe për shtetin, sesa përfitime. Të dhënat e studimit tregojnë se ndërtimi i dy hidrocentraleve në Pellgun Ujëmbledhës së Vjosës, për nga karakteristikat e vetë Basenit, mund të shkaktojë humbje ose përfitime të konsiderueshme ndaj komuniteteve dhe në sektorët ekonomikë (si bujqësia dhe turizmi), në varësi të strategjive zhvillimore të pranuara. Kështu, sipas studimit në fjalë, rezultatet e analizës kosto-përfitim kapin një vlerë negative prej 233 ml Euro për hidrocentralin e Poçemit dhe 321 ml Euro për hidrocentralin e Kalivaçit.
Sipas SAVi-t, i njëjti konkluzion mund të arrihet përmes vlerësimit të LCOE-së (tërësia e kostove për prodhimin e një MWh elektricitet). Nga përllogaritjet konvencionale, kostoja për prodhimin e një MWh elektricite do të kushtojë 121 Euro për Poçemin dhe 158 Euro për Kalivaçin. Nëse përfshijmë në LCOE edhe tërësinë e externaliteteve (impakti, pozitiv dhe negativ i hidrocentraleve kundrejt të tretëve), kostoja për një MWh elektricitet do të rritet, respektivisht me 184 Euro dhe 203 Euro. Nëse më tej, do të integrojmë edhe ndikimin e rreziqeve që vijnë prej ndryshimeve klimatike, kostoja e prodhimit të energjisë për njësi do të rritet edhe më shumë.
Të mos harrojmë se çmimi i shitjes në tregun e brendshëm (Shqipëri) është vetëm 55 Euro për MWh, çka sugjeron se kompanitë e hidrocentraleve mund t’i drejtohen tregjeve të jashtme për të siguruar një çmim më të lartë shitjeje, përmes eksportimit të energjisë, e cila, sidoqoftë, bie ndesh me devizën se ndërtimi i hidrocentraleve në Vjosë i shërben rritjes së sigurisë energjetike në vend.
Një tjetër raport vlerësimi për sistemin hidro-ekologjik dhe social-ekonomik të Lumit të Vjosës, i përgatitur nga “Instituti i Mjedisit të Stokholmit” (SEI), një tjetër organizatë ekspertësh ndërkombëtar, (i publikuar më parë nga UNDP Albania), ofronte përfundime të ngjashme. Sipas tij, ndryshimet klimatike në tridhjetë vitet e ardhshme do të jenë përcaktuese për kapacitetin ujëmbajtës të rezervuarëve që do të krijohen nga ndërtimi i dy hidrocentraleve: Kalivaçit dhe Poçemit. Duke lënë mënjanë ndikimin në mjedis që mund të shkaktojë ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit, studimi konkludon se përfitimi prej këtij investimi mbetet një çështje seriozisht e diskutueshme. Nisur edhe nga kostoja relative e ulët e energjisë dhe e ardhmja e paqëndrueshme e rrjedhës së Vjosës për shkak të ndryshimeve klimatike, studimi parashikon se kostot e larta të investimit nuk do të mund të rikuperohen deri në 2050, duke marrë në konsideratë skenarë me përmasa të ndryshme të ndryshimeve klimatike. Por studimi vazhdon më tej. Ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit pritet të ndryshojë kalimin e sedimenteve dhe temperaturat e rrymave në shtratin e Vjosës, duke ndikuar jo vetëm biodiversitetin , por dhe Lagunën e Nartës në grykëderdhjen e saj.
Më herët, në maj të 2019-s, profesori austriak nga “Universiteti i Burimeve Natyrore të Vjenës”, Christoph Houer, në një studim më të thelluar mbi impaktin e kalimit të sedimenteve dhe të hidrodinamikave të Vjosës, arriti në një konkluzion më praktik: rezervuarët do të mbushen deri në 80% të volumit, brenda një periudhe, prej rreth 90 vjetësh, nëse nuk do të mirëmbahen.
Ekspertët e SAV-it vlerësuan se përfshirja e kostove për drenazhimit e këtyre sedimenteve, veçanërisht të larta në Pellgun Ujëmbledhës të Vjosës, do të zvogëlojë normën e brendshme të kthmit (IRR), një tregues që analizon kthimin investimit në kohë.
Në konferencë, përfaqësuesit e qeverisë, veçanërisht ata të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ishin të vetmit që refuzuan rezultatet e studimit të SAVi-t.
“Ju lutem të mos nxitoni me vendimmarrjen, sepse Vjosa e meriton atë”, – u shpreh në fund të konferencës, Boris Erg, Drejtori Rajonal Për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore i Bashkimit Ndërkombëtar për Mbrojtjen dhe Konservimin e Natyrës (IUCN), organizata ndërkombëtare më e rëndësishme për konservimin.
“Ne kërkojmë shtyrjen e procesit të vendimmarrjes për gjashtë muaj, apo për një vit, për të diskutuar sërish, që të arrijmë një mendim të përbashkët, për të vendosur ose një zhvillim infrastrukturor në shkallë të gjerë, ose një konservim të natyrës dhe natyrisht, është e panevojshme t’ju them, IUCN është na favor të kësaj të fundit”, – deklaroi ai.
Kanë mbetur fare pak ditë përpara se KKT-ja të shpallë kufijtë e Rrjedhës së Sipërme. Ende “Beteja për Vjosën” nuk ka arritur t’i sigurojë asaj të ardhmen. Por të paktën të gjithë jemi qartë: çfarë po humbasin ose çfarë mund të fitojmë… Nesër, askush nuk mund të shfajësohet, apo të fshihet pas kontratave koncesionare.
E ardhmja mund të shndërrohet lehtësisht në një katastrofë, nëse sot do të mjaftohemi me përfitime afatshkurtra.