20 dhjetor 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Vendimi i marrë në shtator 2020 nga Gjykata e Shkallës së parë Tiranë ishte në favor të familjeve të Selitës, banesat e të cilëve u shembën 4 vite më parë për ti hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. Porta Vendore evidentoi nëpërmjet një shkrimi në muajin korrik 2020 familjen Jashari, si një prej 137 familje të komunitetit rom e jo vetëm, që mbeten në qiell të hapur për shkak të planit të ri urbanistik të Tiranës, ku në vend të shtëpive të ndërtuara para dhe pas viteve ’90 në zonën e Selitës u ndërtua ajo që quhet sot si Unaza e Madhe e Tiranës. Ndërsa përpjekjet e shoqërisë civile dhe Klinikës Ligjore nuk kanë munguar për t’i dhënë zgjidhje familjeve që u prekën nga ky projekt, e që enden ende dyerve të gjykatave për një zgjidhje nga shteti, megjithëse jetojnë prej vitesh tanimë me qira.
Gjykata e Shkallës së parë Tiranë vendosi në favor të Fatmira dhe Gëzim Jasharin, duke kërkuar dëmshpërblimin e kësaj familje nga Bashkia Tiranë në vlerën e 3 485 000 lekë për dëmin pasuror të shkaktuar për prishjen e banesës dhe në vlerën 300 000 lekë për dëmin jopasuror. Bashkia Tiranë ka ankimuar vendimin dhe çështja ka shkuar sërish në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, teksa procesi po ndiqet nga juristët e Klinikës Ligjore.
E pyetur nga Porta Vendore Fatmira tha se do të vijonte të “luftonte” dyerve të gjykatave deri në dhënie zgjidhje nga shteti për çështjen e saj.
“Unë po qesh gjallë do ta ndjek deri në fund procesin gjyqësor dhe djersën time të ballit, pasi kam hedh punën time të mbi 30 viteve në atë shtëpi. Do t’i shkoj këtij procesi deri në fund. Jemi në pikë të hallit, vetë sëmurë, burri invalid, ndërkohë që shkojmë tutje-tu për të gjetur banesa me qira, nuk mund të jetojmë më në këtë mënyrë. Kam 6 vite me këtë muhabet, u lodha. Shteti ose të më japë shtëpi ose të më japë lekët për atë që më prishi dhe të ble edhe unë një shtëpi tjetër e të jetoj si njeri këto 5 ditë që na kanë mbetur me jetu”, tregon me zërin që i dridhet ajo.

Nga Klinika Ligjore e Fodacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, janë trajtuar 11 raste, 3 raste janë iniciuar në vitin 2016 (që i përkasin komunitetit rom & egjiptian), dhe 8 të tjera janë nisur në vitin 2017.
“Çështjet e familjes Gatali dhe Jashari janë nisur në vitin 2016, përpara 4 vitesh dhe ende janë në proces. Çështja Jashari ka pasur një rrugëtim të gjatë, pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin e datës 03.11.2016 vendosi rrëzimin e padisë. Avokatët e çështjes ankimuan vendimin pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Me vendimin e datës 22.09.2020 Gjykata vendosi pranimin e padisë dhe detyrimin e Bashkisë Tiranë të shpërblejë Fatmira dhe Gëzim Jasharin në vlerën 3 485 000 lekë për dëmin pasuror të shkaktuar për prishjen e banesës dhe në vlerën 300 000 lekë për dëmin jopasuror. Bashkia Tiranë ka ankimuar vendimin dhe çështja ka shkuar sërish në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë”, tha për Portën Vendore, Arbesa Kurti, avokatja që ka ndjekur këtë çështje prej kohësh në Klinikën Ligjore.
Një pjesë e konsiderueshme e familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian aplikuan në ARRSH për kalimin në pronësi të tyre të banesave, përpara se të niste edhe shembja e tyre, rreth 4 vite më parë . Procedura sipas ekspertëve ligjorë ishte e tillë: bashkia kishte si detyrë të shikonte në terren se ku ishin ndërtuar këto banesa, por kjo e fundit i dërgoi një shkresë Arkivit qendror teknik për identifikimin në hartë të këtyre banesave, por nuk bëri asnjë verifikim vetë në terren ndërsa filloi shembja e tyre. Ngërçi ishte i tillë, vetë njësia 5 i kishte pjesë të hartës së tyre këto banesa të ndërtuara para viteve 90, ndërsa arkivi jo.
Përsa i përket familjeve që Klinika Ligjore po përfaqëson, kjo e fundit ka bërë të mundur me anë të juristëve që të gjenin hartën e banesave, duke i thënë Bashkisë Tiranë se ja ku e ke të vërtetuar që këto banesa kanë ekzistuar vite më parë.
Avokatja Arbesa Kurti tha për Portën Vendore se bëhet fjalë për banesa, ku personat kanë jetuar mbi 25 vite, kanë investuar, kanë paguar detyrimet si drita/ujë, si rrjedhojë nuk mund të procedohet me prishjen e banesave pa asnjë procedurë dhe shpërblim/akomodim tjetër të përshtatshëm, duke i lënë në mëshirë të fatit dhe në qiell të hapur.
“Të gjitha rastet e ndjekura kanë të njëjtën specifikë, pasi banesat e familjarëve/paditësve janë prishur për shkak të ndërtimit të “Unazës së Madhe të Tiranës”, pa i mundësuar një dëmshpërblim apo akomodim tjetër të përshtatshëm. Theksojmë që banesat e familjarëve/paditësve janë ndërtuar përpara viteve 1991 dhe në bazë të VKM-së nr. 608, datë 05.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre” duhej të ishte bërë kalimi i pronësisë së banesave nga Bashkia Tiranë, procedurë e cila do t’i jepte të drejtën për të përfituar shpërblimin e drejtë për shpronësimin e pronës. Në mungesë të regjistrimit të banesave në emër të paditësve, nga ana e autoriteteve janë prishur banesat, pa respektuar asnjë procedurë dhe pa i akorduar një shpërblim apo akomodim tjetër”, vijon ajo.
Kërkimi i dëmit në gjykatë bazohet jo vetëm në aktet ligjore të brendshme, duke filluar që nga Kushtetuta, por edhe nga praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila posedimit të një banese familjare i jep një mbrojtje të veçantë sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërkohë, në seancat gjyqësore është trajtuar gjithashtu edhe shkelja e Bashkisë, e cila duket se nuk kishte çuar deri në fund procedurën e saj, me verifikimet përkatëse në terren, por ishte mjaftuar vetëm me një shkresë ndaj Arkivit Teknik. Ndërsa ekspertja private e marrë nga vetë familjarët vërtetoi në ditën që u prishën banesat, se çimentoja i përket fabrikës së Elbasanit, duke dokumentuar në këtë mënyrë faktin që këto ndërtesa janë bërë para viteve ‘90.
“Aktualisht të gjitha çështjet ndodhen në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Kjo gjykatë ka pasur shumë vonesa në gjykimin e çështjeve, për shkak të mbingarkesës, mesatarisht një çështje mund të gjykohet në një afat 2-3 vjeçar. Në kushtet kur sistemi gjyqësor ndodhet në një fazë reformimi, i cili ka sjellë shkarkimin e shumë gjyqtarëve ose disa prej tyre kanë dhënë dorëheqjen, si dhe vendet vakante të krijuara nuk janë plotësuar. Kjo do sjellë një vonesë më të madhe në shqyrtimin e çështjeve. Çështjet mund të shkojnë dhe në Gjykatën e Lartë dhe nëse mund të ketë një vendim-marrje për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve që mund të fitohen dhe në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, ekzekutimi i vendimeve dhe marrja e shpërblimit nga familjarët/paditësit mund të zgjasë me vite të tëra.
Në kushtet që është sistemi i drejtësisë aktualisht, është e pamundur të vlerësosh një afat të arsyeshëm brenda të cilit mund të kemi një përfundim të kalvarit të proceseve gjyqësore dhe rivendosjen në vend të të drejtave të këtyre familjeve”, përfundoi avokatja Arbesa për Portën Vendore.
Porta Vendore në korrik të 2020-ës i kushtoi një artikull familjeve, të cilat ende edhe sot, megjithëse kanë kaluar më shumë se 4 vite nuk kanë gjetur zgjidhje për fatin e shtëpive të tyre, të shembura nga IKMT. Familjet, të cilat janë prekur nga ndërtimi i Unazës së Madhe, segmenti ‘Komuna e Parisit – Pallati me Shigjeta’ trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia Tiranë, por shumica prej tyre nuk ka reshtur së kërkuari dëmshpërblim dyerve të gjykatave. I tillë është edhe rasti i familjes Jashari. Këtë rast Porta Vendore e ka sjellë në vëmendje në shkrimin e publikuar në muajin korrik të këtij viti dhe nuk është as i pari e as i fundit si rast, por është dëshmia e gjallë e dy të moshuarve që “luftojnë” për djersën e ballit, pasi siç tregon edhe Fatmira i është dashur rreth 30 vite që ta ndërtojë atë shtëpi.