16 dhjetor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Porta Vendore kreu një monitorim në 9 bashki të vendit në lidhje me menaxhimin nga pushteti vendor, të situatës së dhunës gjatë periudhës së Covid-19. Nga 9 bashki prej të cilave u kërkua informacion i detajuar në lidhje me rastet e dhunës dhe menaxhimin e tyre të mëtejshëm, vetëm 6 bashki kthyen përgjigje, ndërsa 3 të tjera, konkretisht Durrësi, Vlora dhe Laçi nuk kthyen përgjigje lidhur me këtë çështje. Porta Vendore, në lidhje me trendin e shifrave të dhunës gjatë periudhës së pandemisë, pyeti dhe një sërë ekspertësh mbi performancën e pushtetit qendror e vendor lidhur me këtë plagë të shoqërisë shqiptare e cila ishte doemos prezente edhe gjatë pandemisë së Covid-19.
“Ku ishe, pse dole? Pse s’më the që do shkoje në dyqan? Pse nuk pastron, pse gatuan keq, je e përdalë…..Dhe pa mbaruar fjalinë një grusht në fytyrë, dy në kokë, shkulje flokësh e shkelma në trup….” Kjo është një pjesëz e historisë dramatike të Albanës (emër i vendosur nga redaksia për të ruajtur anonimatin) nga një fshat i Pogradecit, e cila ka qenë viktimë e përsëritur e dhunës në familje. Arbi Basho, specialist pranë Drejtorisë së Shërbimit Social në Bashkinë Pogradec, i cili ka trajtuar me dhjetëra raste të dhunës në familje veçon pikërisht këtë histori si më dramatiken. “Albanën e kam njohur pasi kishte denoncuar dy vëllezërit e saj dhe mund të them se kjo është historia më dramatike pasi kishte qenë dy herë viktimë e dhunës, një herë në familjen e bashkëshortit dhe njëherë në familjen e prindërve nga dy vëllezërit e saj”, tregon Arbi për Portën Vendore. Albana 40 vjeçe, e martuar prej 13 vitesh në një fshat te Pogradecit, me tre femijë, dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti. Pavarësisht urdhrit të parë të mbrojtjes, ai e thyente dhe vijonte të ushtronte dhunë fizike mbi të. Ajo kishte shenja të dukshme mavijosje në fytyrë, e qafë por edhe shenja të prerash me thikë në trup, ndërsa gjendja e saj psikologjike ishte tejet e rënduar. E denoncoi sërish bashkëshortin dhe ky i fundit u arrestua. Pas arrestimit të tij mori fëmijët dhe u kthye në fshatin e origjinës sërish në Pogradec, në shtëpinë e prindërve për të gjetur sado pak qetësi. Por e kundërta ndodhi, Albana aty gjeti dy dhunues të tjerë, pikërisht vëllezërit e saj. Për shkak të mentalitetit tejet të prapambetur ata e konsideronin të përdalë, pasi kishte lënë bashkëshortin, e kyçnin në shtëpi dhe e dhunonin jo vetëm psikologjikisht por edhe fizikisht, madje edhe në sy të tre fëmijeve të cilët kanë pësuar traumë. Albana nuk duron dhe i denoncon edhe vëllezërit. Për tre ditë strehohet pranë qendrës sociale të bashkisë së Pogradecit, por për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, mungesës së punës dhe të një banese për të jetuar, detyrohet dhe e tërheq denoncimin, duke u kthyer sërish në shtëpinë e vëllezërve dhe duke qenë vazhdimisht nën presion e dhunë. Arbi Basho thotë se bashkia po bën gjithçka për t’i mundësuar një shtëpi me qira, dhe për t’i regjistruar fëmijët në shkollë. “Por fillimisht ne po punojmë fort me trajtimin e saj psikologjik, pasi ajo është shumë e traumatizuar për shkak të dhunës së vazhdueshme fizike. Në momentin që Albana do të marrë veten do të fitojë besimin tek vetja dhe do të jetë e aftë të punojë, ne do ta ndihmojë si duke i gjetur një shtëpi me qira ashtu edhe duke e punësuar”, thotë Basho.
Në Bashkinë e Pogradecit, për vitin 2020, nga janari deri në gusht janë 22 raste të dhunës në familje gjithsej. Arbi Basho, specialist pranë drejtorisë së Shërbimit Social në Bashkinë e Pogradec thotë se numri i rasteve të dhunës në familje është ulur gjatë periudhës së karantinës vetëm për shkak se njerëzit nuk e denonconin dot si pasojë e izolimit, por rritje e rasteve u shënua menjëherë pas hapjes së masave, në periudhën qershor-gusht. “Si numër rastesh të denoncuara duke e krahasuar me një vit më parë janë më të pakta. Por nuk mund të themi se është ulur dhuna në familje, kjo ka ndodhur për shkak të izolimit dhe pamundësisë për ta denoncuar atë. Gjatë periudhës së verës Qershor-Gusht janë shtuar rastet e denoncimit të dhunës në familje krahasuar me një vit më parë”, shprehet Basho. Në këtë qytet rastet e dhunës trajtohen në bazë të Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me USAID, ndërkohë që operon edhe qendra e emergjencës për viktimat e dhunës në familje e cila është ngritur në vitin 2017. Basho bën të ditur se kjo qendër mund të strehojë deri në 9 viktima në të njëjtën kohë, dhe nuk është mbyllur në asnjë moment, edhe gjatë periudhës së pandemisë. Pikërisht gjatë muajve të karantinës në këtë qendër janë strehuar 2 viktima të dhunës në familje. Strehimi i ofrohet viktimave sipas nevojës deri në marrjen e Urdhërit të Menjëhershëm të Mbrojtjes nga gjykata. Basho vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me policinë për asistimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe bashkëpunimin me disa Organizata Jofitimprurëse te cilat japin shërbim psikologjik dhe juridik falas për viktimat e dhunës në familje. Lidhur me integrimin e viktimave të dhunës në tregun e punës, Basho thotë se Bashkia e Pogradecit në bazë të Planit Social 2019-2023 i referon këto raste tek zyrat e punës në mënyrë që të punësohen.
Bashkia Patos
Në Bashkinë Patosit gjatë periudhës së pandemisë, nga muaji mars deri në muajin gusht janë trajtuar gjithsej 12 raste të dhunës në familje, konkretisht 11 gra dhe 1 burrë, duke shënuar rritje me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Alba Golloshi, specialiste e Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje në këtë bashki për Portën Vendore, bën të ditur se për çdo rast dhune është bërë vlerësimi i riskut dhe është plotësuar kërkesë padia për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. “Për çdo rast është hartuar plani individual i trajtimit dhe rastet janë në trajtim në vazhdimësi. Gjithashtu, me mbështetje e PNUD, bashkia i ka mbështetur rastet e dhunës në familje me asistencë ligjore dhe psikologjike falas, me paketa ushqimore si dhe i është ofruar transport falas dhe i sigurt për në institucione ku është dashur për të marrë shërbim si gjykata, zyra përmbarimore etj”, shprehet Golloshi. Ndërkaq Bashkia e Patosit nuk ka qendra sociale dhe si rezultat viktimat e dhunës në familje strehohen në qendrën “Vatra” në qytetin e Vlorës ose në qendrën kombëtare pritëse për viktimat e dhunës në familje në Tiranë. Bashkia e Patosit, në bashkëpunim me drejtorinë vendore të punësimit në Fier, bën të mundur integrimin e viktimave të dhunës në tregun e punës, përmes kurseve të aftësimit profesional si dhe punësimit në profile të ndryshme sipas kushteve të secilit rast.
Bashkia Elbasan
Në Bashkinë e Elbasanit janë identifikuar 36 raste të dhunës në familje përgjatë periudhës janar-prill 2020, nga të cilët 11 raste janë me urdhër mbrojtje të menjëhershme, 10 raste me urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata e rrethit, dhe 7 raste të tjera janë mbështetur me shërbime për të parandaluar dhunën në familje. Nga këto bie në sy se janë 24 gra viktima të dhunës, 4 burra dhe 2 fëmijë. Bashkia e Elbasanit bën të ditur se ka një rënie me 19 raste të urdhrave të mbrojtjes së menjëhershme krahasuar me një vit më parë; ndërkohë që urdhrat e mbrojtjes kanë të njëjtin ritëm si të një viti më parë.

Sipas të dhënave të policisë së Elbasanit, rastet e dhunës në familje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, gjatë muajve Mars – Prill kanë pësuar rritje për sa i përket kërkesës për Urdhër Mbrojtje. Bashkia e Elbasanit e përbërë nga 6 lagje, 12 Njësi Administrative dhe me një popullsi prej 212,534 banorësh, fatmirësisht përgjatë periudhës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 ka shtuar më tepër kujdesin e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit për sa i përket dhunës në familje. Bashkia e Elbasanit bën të ditur për Portën Vendore.al se gjatë periudhës së karantinës është ofruar këshillim përmes telefonit ose online për viktimat e dhunës. “Komunikimin, monitorimin dhe menaxhimin e rasteve e kemi realizuar nëpërmjet bisedave telefonike dhe takimeve të drejtpërdrejta duke ruajtur distancat e sigurisë. Ky proces është mbështetur edhe nga specialistët e Policimit në Komunitet dhe anëtarët e tjerë të MKR-së, për identifikimin dhe mbështetjen e rasteve te dhunës në familje. Gjatë situatës së pandemisë Bashkia Elbasan ka koordinuar punën me Policinë Vendore Elbasan duke i kushtuar rëndësi të veçantë rasteve të dhunës në familje, duke i ofruar shërbimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë. Policia është paraqitur menjëherë në familje për të verifikuar situatën duke respektuar rregullat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe dorezave, informimin e të dy palëve viktimë-dhunues, këshillimin psiko-social online, shpërndarjen e paketave ushqimore dhe sanitare si dhe të ilaçeve”, njofton Bashkia e Elbasanit. Gjatë gjendjes së emergjencës së shkaktuar nga Covid-19, Bashkia Elbasan ka shpërndarë informacion online. Në faqen zyrtare të Bashkisë së Elbasanit në Facebook si dhe në mediat lokale, janë dhënë mesazhe kundër dhunës në familje; si dhe informacion si mund të kërkohet ndihmë nëse je i/e dhunuar, duke venë në dispozicion kontaktet e nevojshme si të Koordinatores vendore, Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, policisë dhe psikologe. Është theksuar fakti që dhuna në familje është vepër penale, e cila nëse ndodh do të ndiqet menjëherë dhe me përgjegjshmëri, edhe në kushtet e kufizimeve për shkak të COVID-19. Madje, në Bashkinë e Elbasanit funksionon “Zyra për këshillimin e burrave dhunues”, e manaxhuar nga Shoqata ‘Tjetër Vizion’, e cila ofron programe këshillimi dhe rehabilitimi për dhunuesit. Përgjatë kësaj kohe ata kanë vazhduar ofrimin e shërbimeve të tyre nëpërmjet këshillimit online dhe përmes telefonit. Për periudhën Mars- prill 2020 kjo shoqatë ka ofruar këshillim për 6 raste burrash dhunues, ndërsa Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza gjatë kësaj periudhe ka marrë 132 telefonata, specifikisht 68 telefonata në muajin mars dhe 64 të tilla në muajin prill. “Bashkëpunimi me organizatat jofitimprurëse që operojnë në territorin administrativ të bashkisë ka qenë dhe mbetet i frytshëm pasi organizatat jofitimprurëse janë partnerët tanë më të mirë që lehtësojnë dhe ofrojnë shërbime për grupet e marxhinalizuara”, vlerëson Bashkia e Elbasanit.
Bashkia Lezhë
Në Bashkinë Lezhë gjatë periudhës së pandemisë janë regjistruar gjithsej 32 raste të dhunës në familje me urdhra mbrojtje, ndërkohë që përgjatë një viti përgjithësisht sektori i dhunës në familje në këtë bashki trajton mbi 100 raste të tilla. Bashkia e Lezhës për Porta Vendore bën të ditur se gjatë periudhës së pandemisë kanë pasur një rritje të lehtë të rasteve të dhunës krahasuar me vitin kaluar. “Gjatë periudhës së pandemisë janë regjistruar 32 raste të Urdhrave të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe Urdhra Mbrojtje por asnjë rast nuk ka pasur nevojë për tu shoqëruar pranë një strehëze sociale pasi janë akomoduar ose pranë familjes së origjinës ose kanë jetuar në banesën e tyre pasi dhunuesi është larguar prej saj ose është burgosur”, bën të ditur bashkia. Gjatë periudhës së pandemisë pavarësisht vështirësive për të organizuar aktivitete dhe takime në terren, Bashkia e Lezhës njofton se ka mbështetur me pako ushqimore të gjitha rastet e urdhrave të mbrojtjes të cilat kanë qenë në nevojë. “Duke qenë se kjo situate ka ndryshuar mënyrën e ndjekjes rasteve dhe krijimit të një protokolli të ri për Covid 19 për ndjekjen e rasteve ne kemi qenë aktiv edhe në krijimin e mënyrave të reja të mbështetjes së rasteve duke publikuar në median sociale mesazhe ndërgjegjësuese dhe informuese se ku mund të kërkojnë ndihmë nëse gjenden në një situatë dhune gjatë pandemisë. Gjithashtu brenda në paketat ushqimore të shpërndara kanë qenë të përfshira informacioni se ku mund të kërkojnë ndihmë nëse ndodhen në një situatë të tillë dhe informacion për mbrojtjen nga Covidi”, njofton Bashkia Lezhë, e cila gjithashtu thotë se tryezat teknike të Mekanizmit të Referimit për menaxhimin e rasteve të dhunës gjatë kësaj periudhe kohore janë zhvilluar përmes aplikacionit zoom si dhe ka mbajtur korrespondence me email.
Bashkia Roskovec
Në Bashkinë e Roskovecit gjatë periudhës së pandemisë janë referuar 5 raste të dhunës në familje. Në Bashkinë e Roskovecit falë mbështetjes së UNDP që prej vitit 2018 është ngritur dhe funksionon “Strehëza e Emergjencës” e cila ofron strehim për viktimat e dhunës në familje deri në lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, pra për 48 orë dhe aktualisht kjo strehëz menaxhohet nga bashkia. Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë kësaj bashkie, Delina Hoxha bën të ditur për Porta Vendore se deri tani në këtë qendër janë strehuar 6 raste të dhunës në familje, të cilat janë trajtuar me mbështetje psikologjile me paketa ushqimore dhe veshmbathje sipas nevojës dhe rastit. Hoxha bën të ditur se çdo muaj zhvillohen mbledhje ku shqyrtohen rastet e dhunës dhe mënyra e asistimit të tyre, ndërkohë që në bashkëpunim me zyrën e punës disa viktima të dhunës referohen për punësim në mënyrë që të integrohen në tregun e punës. “Gjatë periudhës së pandemisë angazhimi dhe vëmendja e anëtarëve të MKR-së ka qenë maksimal për ti ardhur në ndihmë çdo viktime të dhunës në familje, apo të mundshme të dhunës, në situatën e vështirë të izolimit, në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale të bashkisë janë publikuar online fletëpalosje dhe kontaktet e koordinatores vendore, policisë së shtetit linjës kombëtare të këshillimit. Bashkia e Roskovecit ka gjithmonë në vëmendje sensibilizimin fuqizimin ekonomik të grave duke mbështetur në mënyrë të veçantë veprimet për integrimin gjinor në të gjitha planet si në ato vendimmarrëse dhe në ato bashkëqeverisëse”, thekson Hoxha.
Bashkia Shkodër
Edhe qyteti i Shkodrës ka shënuar rritje të dhunës në familje përgjatë periudhës së pandemisë krahasuar me një vit më parë. Bashkia e Shkodrës bën të ditur se përgjatë periudhës mars-qershor 2020 janë trajtuar, menaxhuar e monitoruar 40 raste të dhunës në familje, ndërsa vitin e kaluar për të njëjtën periudhë janë regjistruar 11 raste më pak. Për të gjitha rastet janë hartuar dhe dërguar raportet përkatëse të monitorimit për çdo 60 ditë, ndërsa është shtuar kujdesi i stafit të drejtorisë së shërbimeve sociale ndaj viktimave të dhunës. “Gjatë periudhës së pandemisë është shtuar kujdesi i stafit ndaj viktimave të dhunës në familje, ndërsa komunikimi me to është realizuar përmes telefonit dhe në disa raste ku ishte e nevojshme janë realizuar edhe vizita në familje në bashkëpunimin me policinë duke marrë masat anti-covid. Sipas nevojave dhe vlerësimit të situatës viktimat e dhunës janë mbështetur me pako ushqimore dhe pako higjieno-sanitare. Viktimat e dhunës kanë marrë mbështetur e duhur psikologjike dhe ligjore nga stafi i qendrave komunitare për familjen”, njofton Bashkia e Shkodrës. Në këtë qytet një ndihmë të veçantë japin edhe organizatat e shoqërisë civile “Gruaja tek gruaja” dhe “Shpresë për botën”. Që nga viti 2015 janë krijuar dhe funksionojnë strehëzat për rastet emergjente të dhunës, e cila menaxhohet në bashkëpunim me organizatën “Gruaja tek gruaja”. Përgjatë periudhës së pandemisë Covid-19 në këto strehëza është strehuar vetëm një rast urgjent për disa orë derisa është pajisur me urdhër të menjëhershëm mbrojtje nga gjykata. Ndërkohë në Bashkinë e Shkodrës janë krijuar dhe funksionojnë qendrat komunitare “Për Familjen”. Aktualisht janë në funksion 12 qendra të tilla; 7 në zonën urbane dhe 5 në njësitë administrative. Në këto qendra ofrohet informim, këshillim e mbrojtje e viktimave të dhunës dhe veçanërisht u shërbehet fëmijëve.
Raportet e publikuara kundrejt shoqërisë civile
Për këtë çështje, Projekti Bashki të Forta doli me një raport final në fillim të qershorit për situatën e dhunës në familje gjatë pandemisë dhe karantinës shkaktuar nga Covid 19.
“Bashki të Forta u informua se shifrat e raportuara nga qendrat e mbrojtjes ndaj dhunës të menaxhuara nga shoqëria civile nuk korrespondonin me ato të ofruara nga policia. Në fakt shifrat e këtyre qendrave tregonin për një numër më të lartë krahasuar me një vit më parë, kur ato që ofron policia ishin më ulta edhe se një vit më parë. Gjithashtu gjatë Ëebinareve me anëtarë të komisioneve të barazisë gjinore u vu re se vetëm 38% e pjesëmarrësve kishin dijeni për dhunën në familje që ndodhte në komunitetet e tyre dhe vetëm 14% e këtyre pjesëmarrësve kishin dijeni për mekanizmat të cilat bashkia ka në dispozicion për të lehtësuar dhunën”, thuhet në raportin e publikuar për qershorin.

Projekti Bashki të Forta ofroi ndihmë në hartimin e një rezolute tip për monitorimin dhe raportimin e situatës së dhunës. “45 komisione nga 60 e miratuan dhe po veprojnë në menaxhimin e situatës. Covid-19 kësisoj prodhoi kushte dhe mundësi për rritjen e njohurisë të kapaciteteve të komisioneve gjinore mbi rolin e tyre mbikëqyrës (më së shumti në fushën e dhunës në familje). Nga sistemi i raportimit në këshillat bashkiakë, janë 167 raste të identifikuara të dhunës në familje në kuadër të rezolutës të miratuar. Raportimi i koordinatorit të dhunës në familje (pranë çdo bashkie, përfaqësuesi i zyrës së shërbimeve sociale shërben si koordinator vendor për dhunën në familje), është periodik dhe ofron informacion pranë këshillit për rastet e identifikuara. Viktimat kryesisht kanë qënë gra (përfshirë edhe trafikimin njerëzor), por gjithashtu fëmijë dhe të moshuar”, thuhet me tej ndër të tjera në raportin e Bashki të Forta.

Për sociologen Entela Binjaku, pandemia i vendosi strukturat e shoqërisë në kushte të reja: të panjohura, të pazakonta dhe të panatyrshme. “Çdo aktivitet jashtë-familjar u ndërpre dhe çdo aktivitet brenda mureve të shtëpisë u kthye në të vetmet e mundura. Të ndodhura në të tilla kushte, shumë prej familjeve u detyruan të bashkëjetonin intensivisht me ato emocione që e përshkonin këtë qelizë dhe me funksionet që ka për detyrë të kryejë një strukturë e tillë e mbështetur mbi martesën. Si e tillë, rastet kur zemërimi, ndjenja e të paduruarit të tjetrit, zënkat, mungesa e komunikimit, ose komunikimi konfliktual jo vetëm nuk munguan por nuk kishin më asnjë kanal tjetër për ti ardhur në ndihmë. Siç kishte familje që gjetën mënyra nga të më larmishmet për të përballuar këtë mënyrë të re, kishte dhe familje që nuk e arrinin dot këtë përballje me situatën pa u konfliktuar. Në kushtet e pandemisë edhe rastet e denoncuara nuk kanë munguar dhe kanë kërkuar ndihmë. Por jo çdo rast i konfliktit raportohet sepse edhe mënyra sesi e konceptojnë dhunën është e ndryshme dhe pamundësia apo stepja se nuk ka asnjë zgjidhje i detyron shumë prej atyre që janë në pozitat e viktimës, të mos ndjehen”, tregon Binjaku për Portën Vendore.
Porta Vendore ka raportuar edhe më parë gjatë pandemisë së Covid 19 në vend përsa i përket dhunës në familje.
Ndërsa statistikat tregojnë se Linja Kombëtare për Gratë e Vajzat 116117, gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë Mars – Maj, ka shënuar një trefishim të telefonatave në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019, megjithatë nga organizatat e shoqërisë civile është konstatuar se numri i rasteve të denoncimeve në komisariatet e policisë ka qenë më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e numrit të denoncimeve është reflektuar edhe në rënien e numrit të çështjeve me objekt lëshimin e urdhrit të mbrojtjes të shqyrtuara nga gjykata. Kështu gjatë periudhës Janar-Maj 2020, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë depozituar 390 kërkesë padi me objekt lëshimin e UMM/UM.
Sipas ekspertëve, përqindja e denoncimeve/raportimeve në polici nuk paraqet asesi situatën reale të dhunës në familje. Sociologia Binjaku rrëfen se gjatë periudhës së pandemisë së Covid 19, ka pasur kontakte me shumë gra të dhunuara.
“Po më kanë kontaktuar dhe jam përpjekur tu vij në ndihmë. Zakonisht ndihma që më kanë kërkuar ka qenë e natyrës ligjore: nëna që nuk takojnë dot fëmijët për shkak se ish bashkëshorti nuk i lejon, ose që nuk arrijnë të marrin detyrimin ushqimor për fëmijët e që vazhdojnë në një spirale të re dhune. Një lloj dhune që tek nuk trajtohet e që flet për dhunën shpirtërore që është e përhapur dhe shumë e dëmshme. Unë jam përpjekur të kërkoj ndihmë tek specialistë që njohin ligjet por kjo lloj asistence duhet të jetë e institucionalizuar dhe e shtrirë kudo ku ka nevoja”, sqaron ajo ndërsa shton se këshillimi psikologjik është ende në kushtet e legjendës urbane tek ne. “Çfarë ndodh ne terren nuk përkon me atë që thuhet se ofrohet. Disa organizime të zbehta ka pasur por ndikimi i tyre në komunitet është i pakët, i pandjeshëm dhe as nuk kam takuar ndonjë që të ketë marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbim, sikundër di që kur është ofruar nga vullnetarë që njohin fushën e shërbimit psiko-emocional ai as nuk është përfillur. Kishte dhe ka mjaft për të bërë: fushata ndihmëse përmes medias”, përfundon sociologia Entela Binjaku për Portën Vendore.
Afërdita Prroni përfaqësuese e qendrës “QDNJD – Për të drejtat e njeriut në demokraci” shprehet se rënia e numrit të denoncimeve është vënë re sidomos gjatë periudhës së karantinës së plotë kur në vënd pati masa të rrepta izolimi (periudha Mars-Maj 2020). “Nga eksperienca jonë, gjatë kësaj periudhe kjo rënie e numrit të denoncimeve lidhet kryesisht me situatën e vështirë me të cilën po përballej vendi, fokusimi i strukturave shtetërore tek menaxhimi i situatës së pandemisë, vështirësia për të aksesuar institucionet (frika, pa siguria, mungesa e besimit), monitorimi i lëvizjeve nga ana e dhunuesit, kufizimi i lëvizjes si pasojë e rregullave të vendosura, sanksionet e vendosura, etj. Nga praktika jonë e punës kemi konstatuar se pavarësisht rënies së numrit të denoncimeve problematikat e dhunës në familje janë shtuar, e lidhur kjo me një sërë faktorësh social-ekonomik si: rëndimi i situatës psiko emocionale për shkak të situatës së krijuar, ndërprerja e marrëdhënieve të punës apo humbja e vendit të punës, vështirësitë për të krijuar të ardhura për përballimin e jetesës, mungesa e mbështetjes apo mbështetja minimale nga strukturat shtetërore etj”, shpjegon ajo për Portën Vendore.
Gjatë kësaj periudhe QDNJD ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm me kliente të mbijetuara nga dhuna por edhe me institucionet përgjegjëse të linjës si Policia, Bashkia, gjykata, institucionet shëndetësore etj, me qëllim që shërbimet mbështetëse për këtë kategori të vazhdojnë të ofrohen me të njëjtën cilësi.
“Kemi konstatuar që gjatë kësaj periudhe ka pasur raste zvarritjeje në ofrimin e mbështetjes dhe shërbimeve për të mbijetuarat/it nga dhuna. Problematika janë vërejtur edhe në gjykatë (Rrethi Gjyqësor Tiranë) ku si pasojë e masave të sigurisë në gjykata, sidomos gjatë tre mujorit të parë të pandemisë janë vërejtur zvarritje të proceseve dhe vonesa në vënien e vendimeve në dispozicion të viktimave në një kohë që çështjet e dhunës duhej të cilësoheshin si urgjente dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrat e mbrojtjes duhet të lëshoheshin menjëherë për të siguruar mbrojtjen e grave dhe vajzave viktima të dhunës”, tha ajo duke shtuar se: “Periudha e karantinës e ka vështirësuar shumë situatën e viktimave të dhunës në familje pasi në pjesën më të madhe të rasteve ato janë të detyruara të qëndrojnë të izoluara bashkë me dhunuesit e tyre. Përveç rëndimit të situatës social-ekonomike kjo situatë i ekspozon ato edhe më tepër ndaj episodeve të mundshme të dhunës”, vijon Prroni përfaqësuese e qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci”.
E pyetur nga Porta Vendore nëse ka funksionuar sa duhet ndihma ligjore, këshillimi psikologjik qoftë nga pushteti vendor ose qendror, apo edhe në mënyrë vullnetare, dhe çfarë mund të bëhej më shumë gjatë pandemisë, ajo shprehet se:
“Sa i përket ndihmës ligjore të ofruar nga shteti, kjo ndihmë vazhdon të përkthehet në një numër sporadik të rasteve të dhunës në familje të mbështetura. Numri i kufizuar i rasteve të mbështetura me ndihmë ligjore nga shteti është i lidhur me një sërë faktorësh duke filluar tek mungesa e informacionit të të mbijetuarve nga dhuna dhe deri tek procedura e komplikuar për të përfituar nga kjo mbështetje”, thekson Afërdita Prroni, ndërsa ndalet tek disa pika të cilat mund të mbahen në konsideratë për tu bërë më mirë.
“-Ndërmarrja e fushatave të vazhdueshme ndërgjegjësuese (media sociale ose platforma të tjera) për të informuar gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje për shërbimet mbështetëse të ofruara nga shteti ose organizatat e grave/shoqërisë civile.
-Bashkëpunimi më i mirë ndërmjet OJF- ve të grave dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile për t’iu përgjigjur nevojave për shërbime të grupeve që janë më të rrezikuar, siç janë: gratë me aftësi të kufizuara, gratë rome e egjiptiane, gratë që jetojnë në zona rurale, gratë e moshuara që jetojnë vetëm, gratë kryefamiljare, etj.
-Trajtimi me afate me të shpejta kohore i çështjeve nga gjykatat dhe në rastet kur viktima nuk paraqitet mos të konsiderohet si “heqje dore” nga ana e viktimës, si dhe vënia në dispozicion e vendimeve nga ana e gjykatës në një afat të shkurtër kohor në mënyrë që ato të përfitojnë nga shërbimet dhe programet mbështetëse.
-Shoqërimi i viktimave nga policia për të marrë pjesë në procesin gjyqësor për marrjen e UM në rastet kur ato e kanë të pamundur lëvizjen për shkak të kufizimit/ndalimit të transportit publik.
-Monitorim i zbatimit të UM nga Njësitë vendore në bashkëpunim me Policinë.
-Koordinim më i mirë i shërbimeve ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë.”
Gjatë periudhës Janar–Shtator 2020, QDNJD ka ofruar ndihmë ligjore për 223 raste viktima të dhunës në familje, nga të cilat 72 raste janë përfaqësuar falas në gjykatë në lidhje me çështjen me objekt lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrit të mbrojtjes.