Ngjarje/Personazhe

Tropojë/Sfidat e grave sipërmarrëse dhe mungesa e mbështetjes nga pushteti vendor

14 dhjetor 2020/ Albina Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tropojë

Vitet e fundit është advokuar fort në drejtim të emancipimit të gruas. Projektet nuk kanë munguar në kuadër të këtij qëllimi, por çfarë ka ndryshuar në të vërtetë. Nëse analizojmë faktet, shohim se roli i gruas në shoqëri është përmirësuar pak ose aspak, shifrat e grave dhe vajzave në pozicione drejtuese apo sipërmarrëse nuk janë rritur, përkundrazi në vitin e fundit këto shifra kanë rënë. E megjithatë të dhënat tregojnë konkretisht se çfarë ndodh në secilën bashki.

Dy bashkitë me më shumë gra sipërmarrëse në raport me bashkitë e tjera

Tirana dhe Durrësi janë dy bashkitë me numrin më të lartë të sipërmarrëseve sipas statistikave të INSTAT për vitin 2018. Të dhënat bazohen vetëm në subjektet e regjistruara ligjërisht. Konkretisht në Tiranë janë regjistruar si sipërmarrëse ose administratore gra e vajza 15,467, ndërkohë që meshkuj sipërmarrës në Tiranë janë 31,090 persona. Raporti anon dukshëm në favor të meshkujve, ndonëse kryeqyteti ofron më shumë mundësi për sipërmarrëset sesa qytetet e tjera, kjo edhe në bazë të emancipimit shoqëror. Ndërkohë, në Durrës numërohen 3,025 sipërmarrëse përkundrejt 6,990 sipërmarrësve. Edhe në këtë qytet raporti dukshëm anon nga meshkujt.

Bashkitë me më pak sipërmarrëse femra

Pusteci dhe Fushë Arrëzi janë dy qytetet me më pak gra sipërmarrëse. Konkretisht në Pustec janë 16 sipërmarrëse ose administratore, ndërsa në Fushë Arrëz janë 29 sipërmarrëse. Por ajo çka bie në sy në këto të dhëna është diferenca mes dy gjinive në raport me biznesin. Në Pustec janë 102 sipërmarrës, ndërsa ë Fushë Arrëz janë 78. Pra diferenca gjinore është e dukshme.

Porta vendore mori në shqyrtim Bashkine e Tropojës dhe analizoi se çfarë tregojnë në detaje shifrat, por edhe vetë sipërmarrëset apo pushteti vendor.  Bashkia e Tropojës ka shënuar luhatje të shifrave, herë më mirë e herë të tjera jo, por vitet e fundit vihet re një rënie e shifrave të grave sipërmarrëse ose në funksionet administruese. Statistikat tregojnë se nga viti në vit ka pasur luhatje të shifrave të sipërmarrëseve në Bashkinë e Tropojës. Nëse në vitin 2014, sipas INSTAT, në Tropojë ka pasur në tërësi 261 biznese, ndër të cilat, vetëm 53 prej tyre drejtoheshin ose administroheshin nga gratë, ose 20.3 për qind e tyre. Një vit më pas, pra në 2015 ka pasur 393 biznese ndër të cilat 103 drejtoheshin ose administroheshin nga gratë, ose 26.2 për qind e tyre. Pra ka një rritje me 6.2 pikë në favor të grave e vajzave nga viti paraardhës. Nëse shqyrtojmë të dhënat e vitit 2016 janë 478 biznese nga të cilat 106 drejtohen nga gratë, ose 22.17 për qind e tyre.  Në 2017 janë 556 biznese në total dhe 156 (32.6%) drejtohen nga gratë, ndërsa në vitin 2018 nga 571, vetëm 126 (22%) drejtohen nga gratë. Këto të dhëna tregojnë rënie të ndjeshme në përqindje në vitin e fundit, pra në 2018-n, ndonëse numri i bizneseve aktive në këtë bashki ka ardhur në rritje.

E pyetur nga Porta Vendore për programet e punësimit, reflektimin në ulje taksa për kategorinë e grave sipërmarrëse etj, Bashkia Tropojë nuk u prononcua deri në publikimin e këtij shkrimi.

Shoqatat: Gratë sipërmarrëse nuk kanë mbështetje nga pushteti

Ish deputetja e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj, e cila tashmë drejton qendrën “Gratë në Shërbim Publik”, ka zgjedhur Tropojën të parën për të integruar gratë dhe vajzat e zonës nëpërmjet projekteve. Hajdarmataj thotë se ka mbi 20 biznese të turizmit malor siç janë bujtinat dhe restorantet, të cilat drejtohen nga gra dhe ku janë punësuar shumë vajza, por nuk kanë asnjë rrethanë lehtësuese nga shteti në taksa apo grante subvencionuese.

Nuk kam parë asnjë rast të vetëm të mbështetjes së ndonjë biznesi agro-turizmi në Tropojë, por edhe në veri në tërësi për të mos folur për një braktisje të politikave mbështetëse për gratë ”, shprehet ajo.

Hajdarmataj nënvizon se ky ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë por edhe mungesës së infrastrukturës në zonën turistike të Valbonës, ku mungoi furnizimi me ujë të pijshëm, furnizimi me energji elektrike si dhe mungesë internetit. Nga ana tjetër, ajo thekson se gratë e zonës nuk kanë përfituar mbështetjen nga shteti përgjatë karantinës, të ashtuquajturën “paga e luftës”.

“Ne si organizatë kemi punuar dhe punojmë në vijimësi për të fuqizuar gratë dhe vajzat në pikëpamje të ndryshme veçanërisht në edukimin joformal, aftësimin profesional në fushën e turizmit dhe menaxhimin e bizneseve të agro-turizmit. Nga ana tjetër ne kemi ndërmarrë nisma mbështetëse qoftë dhe bamirësi për dhjetëra gra në nevoja të mëdha ekonomike, sidomos për gratë kryefamiljare që po rrisin të vetme fëmijët e tyre. I kemi informuar dhe trajnuar për mundësitë e hapjes së bizneseve të vogla, familjare dhe i kemi nxitur e promovuar për të shitur produktet artizanale të tyre”, përfundon ajo.

Artizania: Synimi, të hap një punishte

Punët artizanale janë gjerësisht të përhapura në Tropojë. Vajzat dhe gratë e kanë trashëguar traditën e punës së dorës nga brezi në brez, e fillojnë me pajën dhe e përfundojnë atëherë kur “nuk u shohin më sytë”, për të bërë një punë cilësore siç e duan ato. Grepi, shtizat (krrabza-në dialektin e zonës), qëndisje, çentro me rruaza, veshjet tradicionale të Tropojës e deri të qilimat e sixhadetë janë “punë” që çdo vajzë e grua di t’i bëjë. Një prej tyre është Dafina Gjeloshi, e cila ka zgjedhur që pasionin për punën e dorës me rruaza ta kthejë në një biznes fitimprurës për të dhe familjen e saj. Siç është traditë në këtë zonë, gratë zgjohen sapo zbardh mëngjesi e nisin angazhimet e tyre, kështu ndodh edhe me Dafinën, e cila 80% të ditës së saj ia kushton punës me dorë. Në bazë të punës qëndron tradicionalja, motivet e Tropojës dhe veshja karakteristike e zonës, të cilat me mjeshtëri Dafina i kthyer në punime me rruaza. Ajo tregon se ky vit ka qenë i vështirë për të, pasi pandemia ka ndikuar edhe te puna e saj. “Punimet e mia i ekspozoj në një pikë turistike në Valbonë dhe turistët janë ata që shprehin interes dhe blejnë bizhuteritë”, shprehet ajo. Për Dafinën synimi është që të ndërtojë një punishte ku të mbledhë gratë dha vajzat dhe të punojnë së bashku duke ofruar larmishmëri punimesh por jo vetëm. Ngjyrat dhe elementët e motiveve të Tropojës do të dominojnë në punimet të cilat do të hidhen në treg nga duart tona, shprehet ajo.

Bujtinat në Valbonë, sfida e grave për të ndërtuar biznes

Një formë tjetër punësimi, apo sipërmarrje ndonëse e vogël, janë bujtinat në Valbonë. Rasti konkret është ai i Edmira Selimajt, e cila pasi punoi në një biznes të ngjashëm për 8 vite me radhë, e ku më pas i lindi ideja të shndërronte shtëpinë e saj në biznes. Me dëshirën e madhe për të fituar para e për të jetuar, në kushtet e papunësisë në këtë zonë, kjo ishte e vetmja alternativë, prandaj familja prej 5 anëtarësh e mbështeti tërësisht Edmirën. Ajo rrëfen për Portën Vendore peripecitë e fillimit . Filluam rindërtimin e bujtinës prej dy katesh, katin e parë e kemi vënë në punë prej 3 vitesh dhe katin e dytë do e vëmë në punë pranverën e ardhshme. Kapaciteti i dy kateve është 25 persona. Deri tani menaxhimin e bujtinës e kam bërë vet, por kur kam pasur nevojë për pak ndihmë familja më është përgjigjur menjëherë”, thotë ajo. Edmira tregon gjithashtu se fitimet iu mjaftojnë për të jetuar dhe përpiqen që hera herës të investojnë në biznesin e tyre, por nga ana tjetër tregon se ndonëse iniciativa ishte e saj, nuk ka pasur mbështetje nga askush tjetër, pushteti vendor apo ndonjë përkrahje sado e vogël të jetë. Pandemia ka ndikuar në punë, pohon ajo, duke treguar se me sa vështirësi ia del të fitojë të ardhura. Ne mbajmë kuaj për t’i vënë në dispozicion të turistëve për të shkuar nga Valbona në Theth, ose për të transportuar bagazhet e turistëve. Vitin e kaluar bashkëshorti im Demushi ka bërë çdo ditë rrugën nga Valbona për në Theth dhe anasjelltas për 4 muaj, ndërsa këtë vit ka bërë vetëm dy ditë. Imagjinoni vetë humbjen që kemi pas këtë vit” , shpjegon ajo paksa e deprimuar. Nga ana tjetër pavarësisht se ia ka dalë të ngrejë dhe menaxhojë bujtinën, është skeptike për mundësitë që i ofron gruas në rolin e sipërmarrëses. “Në zona të thella malore është më kollaj të hapë biznes një burrë se një grua. Gratë janë paragjykuar edhe për të shkuar për të punuar, por me kalimin e kohës mendoj se paragjykimet do të zhduken. Personalisht nuk jam ndikuar, megjithatë dukshëm është prezent”, sqaron Edmira.

Në vijim të bisedës, ajo tregon se cila do të ishte forma e duhur për të ndihmuar në këtë lloj biznesi në këtë zonë, duke vënë në dukje mungesat. “Bujtina ime mund të ndihmohet me ujësjellësin, me ujin e pijshëm që kemi shumë probleme, në 24 orë në verë mund të kemi ujë vetëm 4 në ditë, jo vetëm bujtina ime, por i gjithë fshati. E kemi zgjidhur këtë me depozita uji. Nga ana tjetër kemi shumë nevojë për internet, pasi nuk kemi dhe çdo turist kërkon akses, dhe kur nuk ua mundësojmë këtë shërbim, largohen nga bujtina. Një kompani mund të gjente një zgjidhje për zonën. Hotelet e mëdha kanë vënë me satelit, por për në bujtinat është shumë i kushtueshëm. Furnizimi me energji elektrike mbetet ende një problematikë për zonën”, radhit ajo një sërë problemesh, teksa rrëfen për Portën Vendore sfidat me të cilat i duhet të përballet çdo ditë.

Edmira Selimaj na tregon se nuk e ka regjistruar biznesin e saj si të tillë për shkak të taksave që detyrohen të paguajnë. Një periudhë të shkurtër kohore ka zgjedhur të realizojë një regjistrim të pjesshëm, pra vetëm si guidë turistike për turistët, ku specifikon shoqërimin me kuaj të turistëve, nga Valbona në Theth dhe anasjelltas. Por aktualisht nuk ka të regjistruar asgjë për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia, e cila ka ndikuar edhe në sipërmarrjen e saj. Nda,j kjo është arsye pse ajo nuk ka përfituar pagën e luftës, nga qeveria shqiptare. Edmira gjithashtu rrëfen se do të donte të ishte formale në biznesin e saj, por këtë, me kalimin e kohës, pasi hë për he mundësitë financiare në mes të një situate pandemie në vendin tonë janë të pakta për të, dhe për shumë gra të tjera të zonës, të cilat me shpirtin e biznesit mbajnë në këmbë bujtinat në shërbim të turistëve.