Ngjarje/Personazhe

Landfilli i Laçit, ende në punë, rrezikon jetën e banorëve

12 dhjetor 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Kurbin

Mbetjet e Kurbinit vazhdojnë të depozitohen në landfillin që është ndërtuar prej vitesh në Kurorën e Gjelbër mbi qytetin e Laçit, duke shkaktuar një ndotje të ajrit, por shpesh herë dhe të ujit, pasi pak metra më poshtë ndodhen depozitat e ujësjellësit. Edhe pse disa herë është premtuar se ky landfill do të mbyllet, Bashkia e Kurbinit ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare.

E gjitha kodra mbi qytetin e Laçit është e mbuluar nga mbetjet. Aty shkarkohen çdo natë tonelata mbetjesh, e në disa raste u vihet edhe flaka, fakt që pranohet dhe nga roja i cili është vënë nga bashkia gjatë dy viteve të fundit për të ndaluar zjarrvënien.

“Kam tokën time këtu dhe ka dy vite që bashkia me ka punësuar si roje. Makinat që grumbullojnë plehrat në qytetin e Laçit dhe zonat përreth shkarkohen çdo natë këtu. Ky është i vetmi vend depozitim mbetjesh për Kurbinin. Unë e mbaj nën kontroll se më parë këtu shpesh herë u vihej dhe flaka dhe rrezikohej pylli e banesat përreth”, tregon roja.

Nuk mungojnë dhe njerëzit që kërkojnë për hekurishte apo dhe bagëti që ushqehen në këto pirgje mbeturinash.

“Kam shtëpinë këtu afër dhe kërkoj në vazhdimësi për hekura të cilat i shes. Po ashtu siç e shikoni vendi ku hidhen mbetjet është i mbushur me derra të cilët ushqehen këtu. Ka gati 20 vite që ky vend është kthyer në landfill mbeturinash, dhe të them të drejtën ndotje është shumë e madhe. Unë e kam shpinë rreth 300 metra nga këtu dhe ka një aromë shumë të rëndë që krijohet. Gjithashtu më parë na janë rrezikuar dhe banesat nga flakët që u viheshin mbetjeve. Kanë thënë prej kohësh se ky landfill do mbyllet, por asgjë nuk është bërë”, tregon banori për Portën Vendore.

Elton Laska, përfaqësues i një organizate rinore në Kurbin, tregon se situata është tejet alarmante. Sipas tij, mbetjet po e shkatërrojnë mushkërinë e qytetit dhe asnjë masë nuk është marrë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi disavjeçar.

“Kjo është një situatë shumë alarmante, ashtu siç dhe ju vetë po e shikoni, është një pikë në mes të pyllit, ku rrethohet me gjelbërim, por që ka këtu ka një kancer të madh, jo vetëm për këtë vend, por për të gjithë qytetin. Shpesh herë këtyre mbetjeve u vihet edhe flaka dhe tymi mbulon të gjithë qytetin, duke u kthyer në rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Pak metra më poshtë ndodhet dhe depo e ujësjellësit të qytetit çka e bën më të rëndë situatën. Gjithë uji që mblidhet këtu derdhet në depon e ujësjellësit që furnizon qytetin. Mbeturinat shpërlahen kur ka shi dhe përzien me ujin e pijshëm dhe ka rrezik për ndonjë epidemi shumë të madhe se sa kjo që po përjeton gjithë bota sot”, thotë Laska.

Ai shton se Bashkia e Kurbinit shpenzon sasi të konsiderueshme parash për menaxhimin e mbetjeve, por nuk dërgohen atje ku është vendi i posaçëm në landfillin e Bushatit.

“Çdo vit harxhohen sasi të mëdha parash për menaxhimin e mbetjeve. Firmat e pastrimit i marrin lekët për t’i grumbulluar mbeturinat dhe për t’i dërguar atje ku është vendgrumbullimi për gjithë veriun në landfillin e Bushatit, por kjo nuk ndodh, duke sjellë këtë katastrofë ekologjike në mushkërinë e qytetit“, shton Laska.

 

Mbetjet urbane në Bashkinë Kurbin. Foto: E. Hila

Laska apelon për ndërhyrje që t’i jepet sa më parë zgjidhje kësaj problematike. “Thirrja ime dhe e gjithë qytetareve të Laçit është që t’i jepet zgjidhje sa më parë kësaj problematike, pasi kjo situatë po e mbyt qytetin. I lutem bashkisë që të marrë masa që mbeturinat të mos hidhen më këtu, por të dërgohen atje ku është vendi i duhur siç bëjnë bashkitë e tjera”, shton më tej ai.

Edhe një banor i Laçit shprehet se shpesh herë qytetit mbulohet nga tymi nga zjarri që u vihet mbeturinave. “Ndodh shpesh që mbeturinave që hidhen tek kodra u vihet zjarri. Tymi mbulon të gjithë qytetin dhe është mjaft e vështirë të marrësh frymë. Kjo është një rrezik serioz për jetën e gjithë banoreve të Laçit. Ky problem vijon prej vitesh dhe askush nuk po i jep zgjidhje. Është e turpshme që mbeturinat e Kurbinit të depozitohen në kurorën e gjelbër dhe të krijohet ajo katastrofë në atë perlë natyrore”, tregon banori për Portën Vendore.

Eksperti i Mjedisit Jak Gjini thotë se ky volum i madh mbetjesh që hidhet në landfillin e krijuar në natyrë ka ndikim mjaft të madh në mjedis.

“Ky volum i madh mbetjesh ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedis. Krahas panoramës që është krijuar aty dhe në zonën përreth, këto mbetje kanë ndikim dhe në rrjetin hidrik. Në kohë me shi nga shpëlarja, mbetjet përfundojnë përmes rrjetit hidrik në det. Kjo ndotje dëmton rëndë biodiversitetin. Duhet të merren masa urgjente për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, e cila vijon prej vitesh në qytetin e Laçit. Është detyra e bashkive që të hartojnë strategji konkrete për menaxhimin e mbetjeve. Paratë janë të parashikuara në buxhet dhe me pak vullnet arrihet diçka e tillë”, thotë Gjini.

Në lidhje me këtë çështje Bashkia Kurbini bë n të ditur se problematika është futur në rrugë n e zgjidhjes dhe falë mbështetje së projektit “Bashki të Forta” brenda një kohe të shpejtë mbetjet urbane do të depozitohen në Landfillin e Bushatit.

E kemi pasur të pamundur ta përballojmë koston e lartë financiare për transportin dhe depozitimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit. Falë mbështetjes financiare të projektit ‘Bashki të Forta’ tashmë problematika po merr zgjidhje. Vendimmarrjen pë r ti depozituar mbetjet në Bushat e kemi marrë në Kë shillin Bashkiak dhe brenda një kohë të shpejtë do të nisë zbatimi. Në kuadër të Master Planit, në Kurbin është propozuar të ndërtohet një Stacion Transferimi (ST) nëpërmjet të cilit mbetjet që do të mblidhen do të transportohen në landfill-in e Bushatit. Nëpërmjet Planit Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2021 – 2025, bashkia do të synojë grumbullimin e mbetjeve në të paktën 93 % deri 95% të territorit dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet për reduktimin e mbetjeve që depozitohen në landfill së paku me 8 % të mbetjeve nëpërmjet ndarjes së mbetjeve për riciklim dhe kompostimit, kështu do të arrijë të gjitha objektivat kombëtare dhe kriteret e integrimit Evropian” , bë n të ditur Bashkia Kurbin.

Ky institucion raportoi edhe kostot e parashikuara për zbatimin e projektit të synuar.

Është vlerësuar se arritja e objektivave në harkun kohor 2021 – 2025, do t’i kushtojë bashkisë rreth 270.8 milion Lekë me t.v.sh. ekuivalente me shumën prej 2.2 milion EURO ose mesatarisht rreth 444 mije euro/vit. Plani synon vendosjen e një sistemi efektiv për grumbullimin e mbetjeve duke kombinuar disa mënyra, kontejnerë të ndryshëm, përfshirë këtu investimet kapitale dhe mbulimin e kostove operacionale të cilat do të mbulohen, kryesisht nga buxheti i bashkisë”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Kurbin.

Fusha e mbetjeve që  ndodhet në kurorën e gjelbër të qytetit të Laçit është ngritur në vitin 2005 dhe përgjatë kë tyre viteve ka sjell një ndotje të madhe të mjedisit.

Qyteti i Laçit dhe rrethinat në Bashkinë Kurbin, sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, prodhojnë rreth 13,439 ton mbetje çdo vit, prej të cilave arrihet të grumbullohen 10,022 ton. Çdo familje paguan 1,500 lekë çdo vit si tarifë për menaxhimin e mbetjeve, ku sipas të dhënave zyrtare në Bashkinë Kurbin gjenerohen rreth 20 ton mbetje në ditë. Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kurbin përfton rreth 34,887,000 lekë çdo nga arkëtimi i taksave që qytetarët dhe bizneset paguajnë për menaxhimin e mbetjeve.