6 dhjetor 2020/ E. Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Gjatë periudhës së karantinës, kur rrugët e Tiranës ishin bosh, të vetmit plot ishin kazanët e plehrave. Por për të mbajtur larg virusin vdekjeprurës, Bashkia e Tiranës 3-fishoi frekuencën e pastrimit të kontejnerëve të mbetjeve urbane si dhe shtoi dezinfektimin e tyre, nisur edhe nga dispozita ligjore që rrjedhin nga Akti Normativ. Po sa para i kushtoi kjo Bashkisë së Tiranës? Sa i shërbeu kjo uljes së pasojave të pandemisë covid-19 dhe çfarë ndodh sot nëpër kontejnerët e kryeqytetit?
Janë ditët e fundit të tetorit. Është ora 21 e mbrëmjes. Xhevdeti ka zbrazur një nga kazanët e plehrave që ndodhet tek “Ali Demi” pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në kërkim të kanaçeve. “Bereqaves gjeta ca kanaçe. I kontrolloj para se të vijë makina e plehrave. Nuk kam frikë nga Covidi. Kam gjithë jetën që mbledh kanaçe nëpër kazanë, s’më ka gjetur gjë. I kam pa këta të bashkisë para 2 muajsh që i dezinfektuan njëherë kazanët, kurse tani me zor i pastrojnë. Ja shikoje plot janë, kanë gjithë ditën kështu”, thotë Xhevdeti, i cili është i lagjes dhe i njeh mirë kontejnerët e zonës. Madje di edhe sa herë kalon makina e plehrave të bashkisë dhe orarin e saj. Ai thotë se gjatë periudhës së karantinës kazanët mbusheshin plot, po makina e plehrave kalonte më shpesh. “I pastronin se gjasmë do largonin virusin, po tani i plasi më keq”, thotë Xhevdeti, jo pa ironi duke u nisur edhe prej faktit se aktualisht shifrat e viktimave dhe të rasteve me Covid janë disa herë më të larta se gjatë periudhës së karantinës.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe Alma në zonën e rrugës së Kavajës, e cila tregon se pavarësisht faktit që është në një lagje të rëndësishme të Tiranës sërish hera-herës i duket vetja sikur jeton në një zonë periferike për shkak të papastërtisë që mbizotëron.
“Ka raste që nuk vijnë t’i marrim çdo ditë, psh qëndrojnë ashtu kazanët kapicë dhe askush nuk shqetësohet nga pamja. Përsa i përket të dezinfektuarit ka kohë që nuk bëhet këtu në zonën tonë”, tregon ajo për Portën Vendore.
Ndërsa eksperti i mjedisit Sazan Guri thotë se kazanët e plehrave kanë qenë plot edhe gjatë karantinës, madje në mes të Tiranës në zonën e ish-Bllokut.
“Gjatë karantinës unë dilja 3-4 orë se shkoja te puna në zyrë dhe kam parë që kazanët e plehrave kanë qenë plot se konsumohej më shumë ngaqë njerëzit rrinin në shtëpi. Por i kam parë kazanët të pa hequr. Unë ta garantoj që ka pasur plot te Blloku, te sheshi Wilson ku kam zyrën. Plot kanë qenë. Imagjino ç’bëhej në periferi”, tregon profesor Guri.
Vëzhgimi i situatës sot:
Gjatë 10 ditëve Porta Vendore kreu një vëzhgim në disa nga zonat e kryeqytetit për të parë kështu situatën reale në të cilën gjenden koshat e mbetjeve, gjatë orëve të paradites, drekës dhe pasdites. (fotot si më poshtë).















Për mediat Bashkia e Tiranës tha se në periudhën gjatë karantinës ishte rritur 2-3 herë frekuenca e pastrimit të kontejnerëve të mbetjeve urbane. Ndërsa u artikulua gjithashtu se për të ulur sadopak përhapjen e koronavirusit rishikoi kontratat me 5 kompani pastrimi të qytetit të Tiranës duke shtuar gjatë karantinës frekuencën e pastrimit të kontejnerëve.
Kjo konfirmohet edhe nga Qëndresa Qytetare, e cila më 5 qershor publikoi një raport informues për vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak të Tiranë gjatë situatës së Covid-19. Monitorimi është shtrirë në periudhën 9 Mars – 9 Maj 2020. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar rishikimin e 5 kontratave me operatorët e pastrimit të qytetit me qëllim shtimin e frekuencës për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane dhe larjen e dezinfektimin e kontejnerëve. Qëndresa Qytetare thekson në raport se efekti financiar i rishikimit të kontratave me operatorët e pastrimit përllogaritet në vlerën e 7800 euro me TVSH për ditë, dhe për periudhën 60 ditore kjo vlerë përllogaritet në masën e 468 mijë euro.
Për të saktësuar shifrën e parave të shpenzuara nga Bashkia e Tiranës, Porta Vendore iu drejtua institucionit me një listë pyetjesh.
Bashkia e Tiranës konfirmon se rritja e frekuencës së pastrimit të kontejnerëve të plehrave ka zgjatur për 84 ditë, bazuar kjo në Aktin Normativ nr.5, datë 17.03.2020.
Ndërsa shërbimi i zbrazjeve dhe dezinfektimit të kontejnerëve ka kushtuar 79,891,560 lekë ose sipas përllogaritjeve afërsisht 644 mijë euro në total. Vetëm në një ditë, Bashkia e Tiranës ka harxhuar 951 mijë lekë të rinj vetëm për pastrimin e kazanëve të plehrave.
Ndërkohë që në ditë normale, pra jo në periudhë pandemie, Bashkia konfirmon se “kontratat e shërbimit të zbrazjeve dhe dezinfektimit të kontejnerëve është parashikuar 1,744,745 lekë”. Pra bazuar në një llogaritje të thjeshtë, Bashkia e Tiranës ka shumëfishuar shpenzimet për pastrimin dhe dezinfektimin e kazanëve të plehrave gjatë 84 ditëve të karantinës.
Ndërsa në përgjigjen e saj referuar kërkesës për informacion që Porta Vendore ka depozituar në Bashkinë Tiranë sqarohet se fondet janë alokuar nga buxheti i Bashkisë dhe vendimi për të shtuar frekuencën e pastrimit të kontejnerëve është bazuar në Aktin Normativ nr.5, datë 17.03.2020.
Në nenin 5/1 të Aktit Normativ shkruhet se “Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në kuadër të marrjes së masave gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, me pëlqimin e operatorëve ekonomikë, mund të bëjnë amendime të kontratave që kanë me operatorët e pastrimit dhe operatorët e transportit publik për ofrimin e këtyre shërbimeve, sipas nevojave të diktuara nga situata emergjente. Kontrata hyn në fuqi pas miratimit nga këshilli bashkiak përkatës. Kontrata nënshkruhet nga titullari i autoritetit kontraktor. Shpenzimet do të përballohen nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendor”.
Pikërisht bazuar në këtë dispozitë ligjore bashkia e Tiranës ka rishikuar kontratat me 5 kompani që janë kontraktuar për pastrimin e qytetit, dhe gjatë 84 ditëve ka harxhuar një shumë prej 644 mijë euro në total.