3 dhjetor 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
Me 24 shtator 2014 u vodh pjesa më e madhe e linjës elektrike, ndriçuesve të rrugës dhe prozhektorëve që ndriçonin kalanë e Lezhës prej nëntorit të 2012-tës. Hajdutët nuk kursyen asgjë dhe nuk u shqetësuan nga askush. Në këtë mënyrë, kalaja mesjetare e Lezhës ra sërish në errësirën e natës. Sistemi i ndriçimit u vodh në pjesën më të madhe dhe hajdutët nuk u identifikuan asnjëherë. Ndriçuesit, pjesët e metalta të rrjetit të ndriçimit dhe objekte të tjera u shkëputën dalëngadalë nga trupi i kalasë mesjetare nga persona të paidentifikuar, vetëm 2 vite nga përfundimi i investimit si pjesë e projektit të 100- vjetorit të pavarsisë, në shtator 2012-të.
Në të vërtetë, ndriçimi i plotë mbijetoi vetëm 2 muaj, nga ku më pas nisi rrjedhja e materialeve, kabllove dhe gjithçkaje që krijonte ndriçimin në kalanë e Lezhës.
Përgjegjësi në kalanë mesjetare të Lezhës, Ded Margjoni, ka qënë pjesë e këtij aseti historik të Lezhës gjatë periudhës së vjedhjeve. Ai thotë se sistemi jetoi shumë pak dhe vjedhjet kryheshin vazhdimisht.
“Sa herë që mungonte energjia elektrike dikush ishte përreth kalasë duke gërmuar për të nxjerrë kabllot elektrike, duke marrë ndonjë shtyllë ndriçimi apo vetë ndriçuesit”, thotë Ded Margjoni për Portën Vendore.
Kështu ndodhi disa herë, por denoncimet e bëra nuk sollën asnjëherë persona të dyshuar për këto vjedhje, e aq më tepër autorët e këtyre vjedhjeve. Bashkë me ndriçimin e kalasë filloi të dëmtohej e vidhej edhe ndriçimi i rrugës së kalasë që në fakt ishte rruga drejt lagjes së vjetër Sheher, e vendosur mbi kodrën e qytetit. Ky segment i ndriçuar, si pjesë e investimit prej 170 milion lekë për rikonstruksionin e plotë, ku përfshiheshin edhe vendosja e sistemit të ndriçimit e humbi hijeshinë dhe për pasojë edhe lëvizja e qytetarëve do të vijonte tani e tutje në errësirë.
“Vjedhjet kryheshin gjatë natës pasi hajdutët e dinin mirë se kalaja nuk kishte roje dhe ishte shumë e thjeshtë për ta që të vepronin. Ne bënim denoncime në polici, por kurrë nuk pati të arrestuar dhe vjedhjet vazhduan deri në 2014, kur përfundimisht në kala thuajse nuk mbeti asgjë”, vijon përgjegjësi i kalasë Margjoni.
Hajdutët u ndihmuan edhe nga vetë institucionet shtetërore. Energjia nuk ndërpritej vetëm si pasojë e defekteve në rrjet, pasi pagesa e faturave të energjisë për ndriçimin e kalasë përplasën Ministrinë e Kulturës me Bashkinë e Lezhës. Debia e krijuar nga mos pagesa e faturave solli ndërprerjen e energjisë nga OSSHEE. Hajdutët e patën më të lehtë gjatë kësaj periudhe sepse ministria dhe bashkia ia pasuan njëra tjetren faturat, dhe zgjidhja nuk erdhi asnjehërë.
Ded Margjoni – “Ndërsa bashkia dhe ministria ziheshin se kush duhet të paguajë faturat e energjisë, hajdutet bënë kompromis mes tyre për të vjedhur aq sa mundeshin nga ndriçimi i vendosur në këtë aset historik dhe në përfundim nuk mbeti asgjë”.
Në fillim janarin e vitit 2015, rruga drejt kalasë dhe vetë kalaja përfundimisht nuk kishin më ndriçim. Vendimi i OSSHEE për të ndërprerë energjinë pasi faturat nuk po paguheshin dhe se ministria dhe bashkia nuk po gjenin asnjë zgjidhje, solli edhe vjedhjen e plotë të sistemit. Ringarkimi me rrymë për të penguar vazhdimin e vjedhjeve nuk ndodhi e për pasojë vijoi vjedhja.
Bardh Dedegjonaj ishte Drejtor i Turizmit dhe Kulturës në Bashkinë e Lezhës gjatë kohës që u kryen vjedhjet dhe sigurisht pranon përgjegjësinë morale për atë që ndodhi, por shpjegon se: “sistemi i ndriçimit ishte vendosur si një aset që administrohej asokohe nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër, dhe ashtu siç merrte të ardhurat, kishte detyrimin edhe të mbulonte shpenzimet. Kjo gjë u anashkalua prej tyre, ndaj edhe ndodhi më pas ajo që nuk duhej kurrsesi të kishte ndodhur”, tha ai.
Kalaja e Lezhës vijon të mbetet në errësirë që prej vjedhjes së sistemit të ndriçimit disa vite më parë. Kjo ka bërë që në mbrëmje të mos ketë vizitorë dhe të mos identifikohet më nga automjetet që përshkojnë superstradën në Lezhë, një pamje që në 2014 bënte shumë përshtypje. Kjo solli zbehje të interesit të vizitorëe e turistëve për të vizituar këtë objekt historik mjaft të rëndësishëm.

Pas 6 vitesh, Bashkia e Lezhës, planifikoi sërish të rikthejë energjinë për kalanë e qytetit. Planifikimi për të vënë në ndriçim këtë vlerë të rëndësishme historike solli realizimin vetëm për gjysmën e projektit, ndriçimin e rrugës që vijon drejt lagjes së vjetër Sheher. Pasi u rivendosën ndriçuesit e dëmtuar dhe u zëvëndësuan kabllot elektrikë të djegur përgjatë rrugës së kalasë dhe deri në lagjen Sheher, situata ndryshoi. Nënkryetarja e bashkisë, Oliana Moriseni, tregon angazhimin e institucionit të saj për ti rikthyer lavdinë kësaj kalaje dhe arsyet e mos realizimit të ambicies së tyre, ndriçimin e hyrjes dhe vetë kalasë. Sipas saj, ndërhyrje të tilla janë mëse të domosdoshme.
“Bashkia e Lezhës hartoi një projekt me vlerë 31 milionë lekë dhe për të vendosur ndriçimin LED në të gjithë territorin e bashkisë e ku patjetër përfshihej edhe rruga e kalasë. Pjesë ishte dhe ndriçimi i brendshëm i kalasë dhe i jemi drejtuar me shkresë Ministrisë së Kulturës në korrik që na thanë se kjo kala dhe 14 të tjera në vend do jenë pjesë e projektit të tyre për t’u ndriçuar, ndaj ne nuk ndërhymë dot. Këto ndërhyrje kanë si objektiv turizmin dhe ku kalaja e Lezhës ka rol të rëndësishëm për të tërhequr vizitorë apo për tu dhënë një mundësi ndryshe pushuesve gjatë sezonit turistik veror” , tha zonjë Moriseni.
Për rastin kanë reaguar edhe Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Ajo pretendon se kjo situatë do të ndryshojë shpejt dhe se kalaja e Lezhës do të ketë një vemendje të madhe.
“Kalaja e Lezhës është përfshirë në programin e rindërtimit. Është një nga projektet që do hartohet dhe financohet nga Delegacioni Europian, sepse është në zonën e termetit. Sa i përket ndriçimit, dua të them se janë 15 kala që janë përfshirë në një projekt që po bën Ministria e Kulturës për ndriçimin e tyre, dhe aty bën pjesë edhe kalaja e Lezhës. Ndriçimi do të përfundojë deri në fund të vitit, periudhë kur do të përfundojë edhe projekti i rindërtimit të kalasë për të vijuar më pas punën”, tha për Portën Vendore, Arta Dollani, Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Vizitorët në këtë kala janë të paktë, sepse vëmendja ndaj këtij objekti është e ulët. Ura e ndërtuar në rrugën drejt hyrjes për në kala është kalbur. Dërrasat janë thyer e sigurisht mund të përbëjnë rrezik për banorët, vizitorët dhe turistët. Këta të fundit thonë se është e frikshme për tu kaluar kjo urë dhe nuk do të donin që tu ndodhte ndonjë aksident gjatë lëvizjes drejt kalasë. Edhe për këtë kërkohet që të ndërhyhet dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ura është kalbur krejt, ajo që ka bërë pergjegjësi i kalasë, duke zëvëndësuar dërrasat e kalbura është maksimumi që ai mund të bëjë, por jo ajo që duhet të ndodhë realisht. Aty dikush mund të thyejë këmbën, por nëse vjen gjatë natës se mungon edhe ndriçimi, atëherë situata është më keq akoma dhe rreziku më i madh as që diskutohet”, thotë një banor i lagjes.
Përgjegjësi i Kalasë së Lezhës në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Ded Margjoni, mendon se ura e ka kryer funksionin e saj dhe kaq mund të mbajnë këto element druri të vendosur që në tetor të 2012-tës. Ai ka bërë të ditur se në dijeninë e tij është miratuar si projekt kjo urë, dhe pritet alokimi i fondeve.
Kjo gjë ende nuk ka ndodhur dhe nuk ka ende diçka zyrtare nëse do të ketë riparime dhe kur do të ndodhin. Kështu vazhdon prej 1 viti dhe pritja vetëm sa dëmton edhe më shumë imazhin e kësaj kalaje mesjetare tek ata vizitorë që vazhdojnë ta frekuentojnë.

Vizitorët e turistët gjatë një viti në kalanë e Lezhës nuk e kalojnë numrin 2 mijë. Këto janë statistikat që paraqesin specialistët e Drejtorisë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër që ka në varësinë e saj edhe Qarkun e Lezhës. Kjo shifër është sa 15% e vizitorëve në kalanë e Shkodrës dhe shifër e papërfillshme krahasuar me vizitorët në kalanë e Krujës që janë rreth 300 mijë, dy atraksione turistike shumë pranë Lezhës. Pavarësisht rëndësisë, ky aset po harrohet. Numri kaq i ulët nuk mund të jetë i rastësishëm. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi, thotë se janë disa problematika që po sjellin këtë situatë.
“Edhe ata që ngjiten me automjete të vogla apo në këmbë duhet të tregojnë kujdes. Ura në hyrje të kalasë është kalbur. Mbi të kalojnë vizitorë, turistë e banorë e kjo mund të jetë e rrezikshme”, paralajmëron Zefi.
Paulin Zefi flet edhe për një problematikë ende të pazgjidhur që solli edhe vjedhjen e ndriçimit. Organika aktuale për kalanë e Lezhës nuk është shumë funksionale, madje është e mangët. Sipas tij mungon vëmendja për ta bërë më tepër atraktive këtë vlerë të historisë.
Nga verifikimi i bërë në kalanë e Lezhës, e cila varet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, referuar asaj që bën të ditur Paulin Zefi, rezulton se aty shërbejnë vetëm dy punonjës që hapin e mbyllin biletarinë. Ndonjëherë ata bëjnë edhe ciceronin kur ka grupe të mëdha apo edhe inspektime në objekte të tjera që janë pjesë e trashëgimisë kulturore duke u detyruar që ta lënë vetëm kalanë. Kjo është një vështirësi e madhe për ta, por organika për Lezhën kaq është planifikuar pas kalimit në trashëgimisë kulturore në drejtori rajonale dhe brenda saj synohen të bëhen zgjidhje. Pas mbylljes se orarit të punës, që në verë zgjatet deri në orën 20:00 por nuk rritet numri i punonjësve, kalaja nuk mbikëqyret dhe aq më tepër të ruhet. Në fakt kjo kala nuk ka patur në asnjë rast roje prej vitit 1994 e në vazhdim, edhe pas vendosjes së ndriçimit, fakt që solli vjedhjen e shpejtë të saj.
Ruajtja e saj është përgjegjësi direkte e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, pasi është kjo drejtori që administron kalanë e Lezhës. Ajo nuk i ka dhënë ende zgjidhje nevojës për të rritur e numrit total të punonjësve në sektorin e Trashëgimisë Kulturore në Lezhë. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme që i adresohet Ministrisë së Kulturës, por ka hasur në pengesë tek Ministria e Financave. Kjo e fundit, sipas informacioneve të marra nga specialistët e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, nuk hap fond shtesë duke kërkuar ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave për shtim fondesh dhe rritje të strukturës në Sektorin e Trashëgimuisë Kulturore në Lezhë.
Duke u kthyer pas në kohë, duke analizuar atë çfarë kanë thënë e thonë protagonistët, projektet nuk janë ende zgjidhja përfundimtare. Sërish nuk ka qartësi nëse do të ketë roje nate për të mbrojtur investimet, kush e paguan energjinë që do të konsumohet dhe a do të ndryshojë struktura e punonjësve te Trashëgimisë Kulturore për rajonin e Lezhës. Këto janë pikëpyetje që në fakt duan përgjigje, por që askush nuk mund të japë përgjigje.
Për fat të keq ndriçimi i kalasë mesjetare të Lezhës zgjati vetëm dy muaj. Për aq kohë sa rezistoi, i dha panoramë të bukur dhe hijeshi këtij objekti historik, jo vetëm për lezhjanët por për çdo vizitor dhe kalimtarët e natës. Sot kësaj i shtohet edhe problematika në hyrje, teksa ura e kalbur është një rrezik, një ndërhyrje që nuk duhet zgjatur. Ministria i ka gati projektet, këto janë pretendimet e tyre, por fakti që ende asgjë nuk ka ndodhur krijon mungesë interesi të vizitorëve e turistëve për ta parë e vizituar këtë vlerë historike