Vëzhgim/Analizë

COVID ‘ngërthen’ shkollat, MAS reflekton me mësim të kombinuar

1 dhjetor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

Çdo ditë raportohen mësues e nxënës të infektuar në shkollat e vendit, ndërsa disa prej tyre kanë nisur të mbyllin dyert e të pezullojnë mësimin për një afat 14-ditor, për të kryer karantinën e detyrueshme në rastet kur infeksioni është përhapur në masë. Porta Vendore mblodhi edhe një sërë ankesash nga mësues, prindër e nxënës, si dhe bëri një përmbledhje në nivel vendor të rasteve të paraqitura deri më tani me Covid 19. Gjithashtu iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit për të dhëna konkrete, por kjo e fundit nuk ktheu përgjigje, pavarësisht kërkesës zyrtare për informacion.

Rastet me Covid 19, vëzhgimi i Portës Vendore

Porta Vendore, në bazë të burimeve jo zyrtare bëri një vëzhgim në nivel kombëtar, ku sipas shifrave deri më tani rezultojnë të prekur nga Covid 19, 647 mësues të infektuar, 1300 nxënës të infektuar, ndërsa 11 mësues kanë humbur betejën me Covid 19. Kurse për sa i përket sistemit parashkollor, në nivel kombëtar janë 8 kopshte të mbyllura, 100 edukatore të infektuara dhe 10 sanitare e kuzhiniere. Situata shfaqet më e rëndë tek sistemi arsimor, ku Covid 19 ka depërtuar në shumë shkolla të vendit, duke sjellë infektime masive.

Infektimet me Covid

Këto të dhëna mendohet të jetë edhe më të larta, por që nuk janë deklaruar nga institucionet përkatëse, ose qoftë edhe nga drejtoritë rajonale të shëndetësisë, kjo pasi jo të gjithë e kanë kryer tamponin pavarësisht simptomave të Covid 19. Të dhënat e mëposhtme janë siguruar në mënyrë jozyrtare nga institucionet shëndetësore në bashkitë kryesore.

Rekordi më i rëndë për rastet me Covid 19 shënohet në Korçë, ku janë shënuar 230 mësues të infektuar, ndërkohë që 110 prej tyre janë ende aktivë dhe të karantinuar. Po ashtu, në Korçë janë aktualisht mbi 130 nxënës të infektuar me Covid. Pas qarkut të Korçës, në vendin e dytë është Tirana me 120 mësues të prekur nga Covid, të cilët janë të karantinuar, ndërkohë që numri i të prekurve, por që tashmë e kanë kaluar këtë situatë është shumë më i lartë. Tirana mban rekord për numrin e lartë të nxënësve të prekur nga koronavirus, ku janë 280 raste aktive. Kjo vjen dhe për shkak të mbipopullimit të shkollave në kryeqytet. Ndërkohë, raste të shumta janë shënuar dhe në rrethet e tjera arsimore, ku sipas shifrave të marra nga institucionet shëndetësore lokale, rezulton se situata më alarmante është në Elbasan, Berat, Lushnjë, Shkodër dhe Gjirokastër.

Prindërit, mësuesit e nxënësit janë trinomi i kësaj situate të vështirë, ku nga njëra anë mësuesit duket se janë heronjtë e heshtur, që po përpiqen në çdo moment t’i sigurojnë përveç mësimdhënies adekuate, edhe masat anti-covid në mbrojtje të vetes dhe nxënësve të tyre, që jo gjithnjë vijnë nga familje që mund ta përballojë financiarisht maskën dhe alkoolin çdo ditë teksa ata vijnë në shkollë. Ndërsa prindërit, mes dëshirës për të mos mbetur pas me mësimet fëmijët e tyre, pranojnë të çojnë me frikë në ambientet shkollore këta të fundit, teksa jo të gjithë respektojnë masat anti-covid.

“Kam vajzën te 1 Maji në Tiranë. Mësuesja kujdestare ka një javë që nuk shkon në shkollë për shkak të Covid. Dy ditët e para i bëni mësim 3 mësueset e tjera. Futeshin me radhë në klasë nga 10 minuta sa njëra sa tjetra. Mësim për të thënë. Ngrita shqetësimin tek grupi i ëhatsapp që kemi si prindër, që është thënë që mësuesit me COVID do zëvendësohen dhe tani drejtoria të marrë masa të dërgojë një mësuese zëvendësuese. Shqetësimi im kishte shkuar në drejtori, dhe më thanë se mësuesja kujdestare ishte bërë me fjalë. Nuk e di pse, por ç‘faj ka mësuesja që është prekur me COVID?! Drejtoria e shkollës duhet të marrë masa ta zëvendësojë, kaq. Pse duhet të vihen në siklet mësuesit se sëmuren, ndërkohë që janë njerëz si gjithë të tjerët. Pas tre ditësh vajzës i erdhi në klasë një studente praktikante. Pas saj një tjetër praktikante. Dhe tani duket se i kanë sjellë një mësuese zëvendësuese derisa ti kthehet mësuesja kujdestare. Pra vetëm në 1 javë vajza ime ka ndërruar rreth 7 mësuese. Nuk e di sa cilësor është ky mësim”, tregon Aida nga Tirana.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe një prind tjetër, teksa e takojmë pranë derës së shkollës, në zonën e tregut të biçikletave. Ai tregon i indinjuar se këtë panoramë është i detyruar ta shohë çdo ditë teksa merr djalin e tij nga shkolla.

“Kështu bëhet këtu në çdo ndërrim turni, miting. Prindër që presin fëmijët e tyre, nxënës që dalin, mësues që hyjnë etj. Kjo është në fakt panorama me të cilën po përballemi prej muajsh tanimë. Kjo situatë nuk është e vështirë vetëm për mësuesit, por edhe për ne prindërit, pasi ka shumë prind që kanë lënë punën që të mund të marrin e çojnë fëmijët e të përshtatin oraret me turnet e këtyre të fundit. Është një situatë e vështirë për të gjithë, ku edhe financiarisht po rrënohemi. Unë kam 3 fëmijë, dhe praktikisht bëj roje këtu tek shkolla gjithë ditën pasi ata kanë turne të ndryshëm dhe janë ende të vegjël për ta menaxhuar situatën vetë, ndërsa nga ana tjetër ne na duhen çdo javë një pako maska e një alkool i madh në mënyrë që të respektojmë masat anti-covid, ndaj shpenzimet në familje janë shtuar ndjeshëm, ndërsa puna është pakësuar, se jemi në shërbim të fëmijëve”, tregon ai duke mos dashur të bëjë publik emrin, por veçse shqetësimin e tij, ku në fakt janë të shumtë prindërit që e mendojnë njësoj.

Ndërsa situata paraqitet më problematikë kur del nga rrethi i kryeqytetit, pasi në zonat periferike ku llogaria është edhe më e ulët, sfidat në përballje me Covid 19 janë më të larta, kështu në një nga shkollat e mesme të Kamzës, mësuese Almira na shpjegon se po përjetojnë një situata vërtetë të vështirë, ku nxënësit nuk respektojnë masat anti-covid dhe ku mungojnë detergjentet për të larë e dezinfektuar duart.

“Çdo ditë na mungon nga një koleg, dhe situata është vërtetë shumë e vështirë për tu menaxhuar. Teksa jemi në një kohë kur edhe shenjat e gripit stinor përafrohen me ato të Covidit, të gjithë janë në alarm, ndërsa ne jemi çdo ditë e më të lodhur duke zëvendësuar njëri tjetrin dhe kemi shumë frikë për veten e familjarët tanë në këto kushte, pasi dimë shumë mirë që në momentet e lodhjes nuk është shumë e vështirë që virusi të depërtojë edhe tek ti, me të gjetur terrenin e përshtatshëm. Kemi shumë pak informacion në fakt pasi drejtoria na i mban të fshehta rastet e mësuesve dhe fëmijëve dhe nuk dimë nga të mbrohemi, plus që me adoleshentët është e vështirë të punosh, sepse jo gjithnjë i respektojnë masat anti-covid, ndërsa në shkolla mungon detergjentet dhe dezinfektimi”, tregon mësuese Almira për Portën Vendore, duke theksuar se shkolla funksionon me 3-4 turne dhe nuk ka kohë e para për dezinfektim pas çdo turni.

“Kjo është e tmerrshme, trumbetohet se dezinfektohen ambientet, por përveç alkoolit etilik që blejmë vetë ne mësueset dhe nxënësit, nuk dezinfektohet me gjë tjetër ambienti, ndaj kjo na shton edhe më shumë frikën dhe rrezikun e infektimit, plus që momenti i ndërrimit të turneve teksa tufa nxënësish presin në dyert e shkollës, të tjerë dalin është padyshim një mundësi shumë e lartë infektimi”, përfundon mësuese Almira, e cila ka 30 vite që ushtron profesionin e arsimtares.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Sonila, e cila është mësuese fillore në një nga shkollat periferike të qytetit të Durrësit.

“Termometrat nuk punojnë në shkollën tonë tanimë prej kohësh, matjen e temperaturave e kryejmë me dorë tek nxënësit. Gjithsesi xhepat e ne mësuesve po boshatisen nga dita në ditë, sepse e blejmë vetë alkoolin dhe përveçse maskave për vete e për familjen tonë, detyrohemi që të pajisim me to edhe nxënësit që nuk kanë mundësi t’i blejnë e që vijnë nga familje të varfra, ku këtu në shkollën tonë, ky komunitet është pak a shumë i tillë. Jemi në çdo moment të rrezikuar, pavarësisht se po përpiqemi në maksimum të respektojmë protokollin dhe masat anti-covid, sërish është i vështirë identifikimi i rasteve pasi ato mbahen në fshehtësi të plotë, dhe u bë disa herë që kolegët tanë dalin pozitivë, dhe as neve as atyre nuk i bëhet tamponi nga ana e shtetit, por veçse privatisht, të mos flasim pastaj për gjurmim të rasteve dhe kontakteve që nuk ekziston të paktën këtu në shkollën tonë si koncept”, tregon e shqetësuar mësuesja për Portën Vendore.

Ekspertët: Në shkolla nuk u morën masa. Kishte skenar për imunizimin e tufës

Ndriçim Mehmeti, ekspert për arsimin, për Portën Vendore thotë se situata në shkolla është shumë e vështirë. Ai pretendon se shkollat u hapën pa asnjë plan dhe se skenari ka qenë që të imunizohej tufa. “Situata është skandaloze. Por po fshihen shifrat si kudo. Imagjino u mbyll një shkollë në Sarandë ku popullsia është e vogël dhe situata mund të menaxhohej lehtë. Imagjino çfarë ndodh në Tiranë ku mësimi bëhet me 4 turne”, shprehet Mehmeti, i cili thotë se 10 mësues e 1 pedagoge kanë ndërruar jetë nga COVID ndërsa ministritë fshehin statistikat.

Në kushtet aktuale ai thotë se është vonë për një propozim të ri, por qeveria duhet të kishte bërë hapje graduale të shkollave. “Propozimi tani s’ke ç’bën. Ne duhet të bënim një hapje graduale. Pra nxënësit e fillores të futeshim në shkollë nga e hëna në të enjte. Me alternim, të premte të shtunë e të diel nxënësit e 9-vjeçares. Edhe me gjimnazet të veprohej me ditë. Që të kishim më pak nxënës në shkollë dhe të shmangeshin infektimet. Pasi shkollat bëjnë 4 turne dhe s’kanë dezinfektim. Aty ku bën mësim një turn, vijnë ulen të tjerë nxënës, por klasat nuk pastrohen”, thotë Mehmeti. Ai gjithashtu ngre një tjetër shqetësim, teksa ministria e arsimit nuk po paguan si duhet mësuesit. “Mësuesit vijnë në 1 e ikin në 6-7 të darkës, kurse këta i paguajnë për 7 orë punë në muaj, po i llogaritin edhe minutat. Harrojnë që po punojnë në kushte lufte. As që bëhet fjalë për të dhënë shpërblime siç bën Kosova. Madje Kosova mori masa më shumë se ne, se i bëri tampon mësuesve mbi 40 vjeç dhe atyre që kishin sëmundje bashkëshoqëruese. Ne nuk morëm masa të tilla”, shprehet Mehmeti.

Ish zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj tha për Porta Vendore se çdo ditë merr mesazhe shqetësuese nga mësues të ndryshëm që janë të prekur me Covid apo kanë kolegë të tyre në luftë me jetën. Ajo thotë se të paktën 600 mësues, dhe një numër i lartë nxënësish, janë të infektuar ndërsa në shumë klasa mësuesit zëvendësojnë njëri-tjetrin sa për të shpjeguar 10 minuta. “Situata është bërë shqetësuese dhe COVID është kthyer në problem në shumë shkolla. Unë marr çdo ditë mesazhe alarmante nga mësues që më tregojnë se kemi një përkeqësim e infeksion masiv me Covid në radhët e mësuesve. Për arsye etike nuk i publikoj emra,t por ju garantoj se mesazhet janë të shumta”, tregon Malaj. Ajo thotë se nga informacionet që disponon të paktën 14 mësues kanë ndërruar jetë për shkak të COVID, ndërsa numri i të prekurve është me qindra, megjithëse këto shifra nuk bëhen publike nga institucionet përkatëse. “Vetëm një shembull , në shkollën ‘Ahmet Gashi’ në Tiranë, 12 mësues i ka zënë Covidi , vetëm 6 mësues kanë mbetur të pa infektuar. Këta të 6 mbajnë shkollën dhe lëvizin nga një klasë në tjetër duke i mbajtur nga 10 minuta shpjegim, për të fluturuar te tjetra. Kësaj i thonë të veshësh ‘këmishën e forcës’ dhe si robot të vraposh nga një klasë në tjetrën. Një fakt tjetër, vetëm në gjimnazin ‘Qemal Stafa’ , në çdo klasë ka nga 15 nxënës mesatar të infektuar me Covid! Jemi në situatë kur duhet të flasim për gjërat që na shqetësojnë. Situata është alarmante. Janë mbi 600 mësues të sëmurë dhe 1500 nxënës të prekur nga Covid!”, shprehet Malaj.

Opozita: Mosmarrja e masave po i shndërron shkollat në vatra të rrezikshme COVID

Ish deputetja Albana Vokshi, në disa deklarata ka shprehur shqetësimin për situatën COVID në shkolla duke thënë se ato po kthehen në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Ajo akuzon qeverinë se nuk ka siguruar kushtet minimale në shkolla.

“Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID 19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. Situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve”, shprehet Vokshi.

Sipas saj, në shkollat e Tiranës gjatë ditëve të fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur ose karantinuar. Në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur me COVID-19. Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues. Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues të infektuar me COVID dhe janë karantinuar mbi 1300 nxënës.

Vokshi thotë se çdo ditë merr denoncime nga mësues e prindër për situatën në shkolla, të cilët kërkojnë mbështetje e ndihmë.

“I kërkojmë përsëri qeverisë: Testim masiv e periodik i mësuesve dhe personelit ndihmës në shkolla, hetim epidemiologjik te nxënësit e familjet e tyre në mënyrë që të shkëputet zinxhiri i infeksionit. Pajisjen me maska mbrojtëse, dezinfektant , alkool, termometër dhe dezinfektim të rregullt të ambienteve mësimore. Mbylljen e shkollave që nuk plotësojnë asnjë kusht higjeno – sanitar e sigurimi i ambienteve të tjera të përshtatshme. Kontraktimi i mësuesve shtesë që të lehtësohet ngarkesa mësimore e mësuesve që japin 2-3-4 turne. Pagesë ë plotë për të gjitha orët shtesë si dhe paketë mbështetëse për mësuesit: shpërblime mujore 100-150 Euro”, përfundon Vokshi.

Ministria e Arsimit refuzon të japë shifra, Kushi: Shkollat me mësim të alternuar

Lidhur me të gjitha shqetësimet e mësuesve, prindërve, vëzhgimin e kryer nga Porta Vendore por edhe shifrat që japin ekspertët dhe përfaqësuesit e opozitës, Porta Vendore iu drejtua Ministrisë së Arsimit, por edhe Ministrisë së Shëndetësisë me një kërkesë zyrtare për informacion, se si paraqitet situata COVID në shkollat e vendit. Kërkesa për informacion nisur të dyja ministrive duke iu kërkuar nëse kanë një bilanc me shifrat e mësuesve që kanë ndërruar jetë nga COVID, apo sa është numri i të infektuarve në radhët e tyre, shënojnë datën 9 nëntor, ndërsa deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pasur një përgjigje nga këto institucione. Cilat qytete paraqesin situatë më të vështirë dhe cilat shkolla janë ‘zonë e kuqe’. Në Ministrinë e Arsimit, Porta Vendore pyeti gjithashtu edhe si po menaxhohet mësimi në ato shkolla ku mungojnë mësuesit, a po zëvendësohen mësuesit dhe si po ecën procesi? Por asnjëra nga ministritë, si ajo e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Portës Vendore.

Ndërkohë në datën 26 nëntor, ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një deklaratë njoftoi se Ministria e Arsimit kishte pranuar propozimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për alternim të mësimit, fizik dhe online. Ministrja ka theksuar se maturantët dhe klasat nga e para në të pestë do të duhet të shkojnë në ambientet e shkollës, pra do përjashtohen nga mësimi online.

Por teksa asnjë nga institucionet publike nuk jep shifra mbi infektimet e stafit pedagogjik dhe nxënësve të konfirmuar me Covid 19, duke qenë hermetikë sa i përket transparencës, sërish numri i infektimeve në vendin tonë po njeh rritje nga dita në ditë, duke rrezikuar jetën e stafit arsimor dhe nxënësve.