26 nëntor 2020/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Durrës
Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 shkatërroi mijëra shtëpi në fshatrat e Bashkisë Durrës, por edhe brenda në qytet, duke detyruar që shumë qytetarë të braktisin strehën e tyre. Edhe pse kaloi 1 vit, situata për shumë qytetarë është e njëjtë si me ditën e tërmetit. Disa jetojnë ende në çadra, të tjerë në kontejnerë, më fatlumët jetojnë në shtëpi me qira falë bonusit, por asnjë prej tyre nuk e di se kur do të kenë gati shtëpinë e premtuar nga qeveria.
Më 1 Nëntor 2020 Porta Vendore udhëtoi drejt 3 Njësive Administrative, Ishëm, Sukth e Manzë duke vëzhguar procesin e rindërtimin në disa fshatra.
Ndalesa e parë ishte fshati Radë, e Njësisë Administrative Manëz. Një grua me flokë të zeza por me shpirtin plot po vëzhgonte teksa po pyesnim të tjerë banorë se cilat ishin shtëpitë që ishin dëmtuar nga tërmeti. Fatmira Sefa u afrua sa dëgjoi pyetjen se cilat shtëpi janë dëmtuar nga tërmeti famëkeq, dhe nxitoi të na tregonte menjëherë hallin e saj. Fatmira na drejtoi të shtëpia e saj private, e cila në fakt nuk ishte më, ajo ishte shembur nga IKMT pasi ishte shpallur e pabanueshme si pasojë e dëmtimeve që mori nga tërmeti. Zonja Sefa na tregoi se ajo me 4 anëtarë të familjes prej disa muajsh jetojnë në çadër. Fatmira u përlot teksa na tregoi kushtet e vështira ku jetonte duke theksuar se nuk ka një vend ku të lahet.
“Shtëpia është dëmtuar në tërmetin e 21 shtatorit, por në 26 nëntor ajo u shkatërrua totalisht. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qëndruar në çadër, vet i pestë. Nuk kam marrë asnjë ndihmë nga shteti. Nuk kam marrë bonusin e qirasë. Kam marrë vetëm 5 batanije, 20 thes me miell, 5 pjata dhe asnjë ndihmë tjetër nuk kam marrë më. Jetesa në çadër është shumë e keqe, jetë më të vështirë nuk ka, edhe mos më rëntë pandemia se në kushtet që po jetoj unë është problem. Unë nuk kam ku të lahem”, tha Fatmira Sefa.

E pyetur nëse besonte se do ta ketë shtëpinë gati për Vit të Ri, siç ka premtuar kryeministri që shumicat e shtëpive individuale do të përfundojnë në 31 dhjetor, Fatmira u shpreh skeptike. “S’ma merr mendja kurrë që do të hyj në shtëpinë e re para vitit të ri apo në vit të ri, pale sa do të shkojë ndërtimi i shtëpisë time”, u shpreh e trishtuar ajo.
Pavarësisht fatkeqësisë që kishte ngelur pa shtëpi dhe vështirësive financiare, Fatmira tregoi se pasurinë më të madhe kishte shpirtin e saj, duke ofruar mikpritjen dhe humanizmin me kushtet që kishte. Zonja Sefa këputi disa mandarina te pema që kishte në oborrin pa shtëpi, dhe na i dha duke thënë “merrini, ne i kemi këto, prandaj merrini’’.
Afër Fatmira Sefës ishin edhe dy shtëpi të tjera të dëmtuara nga tërmeti, njëra ende në këmbë e cila ishte e shpallur e pabanueshme, tjetra ishte shembur dhe kishte nisur rindërtimi, teksa ishin hedhur themelet e shtëpisë së re. Shtëpia e Rrahman Sefës ishte e dëmtuar nga tërmeti. Në oborr ishte vendosur një çadër në të cilën qëndronte më përpara familja e tij, pasi tani po jetonin me frikë në shtëpinë e dëmtuar. Vajza e Rrahman Sefës, Alma Sefa tregon se shtëpia e prindërve të saj është dëmtuar nga tërmeti, por babai nuk dëshiron t’ia shembin shtëpinë pasi është i lidhur emocionalisht për investimin që ka bërë, duke kërkuar riforcim.
“Shtëpia e prindërve të mi është dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, kërkuam ndihmë dhe na sollën çadrën. Babin e kam me probleme shëndetësore, ka aparat në zemër, është azmatik dhe nuk jeton dot në çadër, prandaj janë rikthyer në shtëpinë e dëmtuar. Qëndrimi i tyre në shtëpinë me mure të çara është e rrezikshme, ata jetojnë me frikë, sidomos kur bie shi situata bëhet më e rënduar, hyn uji nga tavani dhe rrezikon shembjen e saj. Shtëpia është për shembje, por babi nuk pranon pasi është i lidhur emocionalisht dhe kërkon ta riforcojnë. Nuk e besoj që prindërit e mi ta kenë shtëpinë gati dhe të rregulluar deri në 31 dhjetor”, tha vajza e Rrahman Sefës, Alma Sefa.

Rrahman Sefa na tregoi shtëpitë e tjera të dëmtuara nga tërmeti në lagjen ‘Sefa’. Sipas tij në këtë lagje ishin dëmtuar rreth 13 shtëpi, nga të cilat 10 janë shembur ndërsa 3 të tjera ende nuk janë shkatërruar nga IKMT, për të hapur rrugën e rindërtimit. Në lagjen ‘Sefa’, nga 13 shtëpi të dëmtuar, dy shtëpi kishin nisur të rindërtoheshin.
“Në të gjithë fshatin Radë janë dëmtuar nga tërmeti rreth 36 shtëpi, gjysmat janë shembur. Por ndërtimi i një shtëpie kërkon kohë, nuk bëhet përnjëherë”, tha Rrahman Sefa.

Rrahmani na dërgoi tek shtëpia e një fqinji, e cila edhe ajo ishte shkatërruar nga tërmeti dhe ishte shpallur e pabanueshme. Trokitëm të porta e shtëpisë së zonjës Resmie Gjergji.
“Unë jetoj në kontejner me burrin dhe fëmijët, ndërsa vjehrra dhe kunati jetojnë akoma në shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti, pasi nuk kanë ku të qëndrojnë, kontejneri është i vogël, nuk ka hapësirë mjaftueshëm. Deri tani akoma nuk kanë ardhur me e shemb shtëpinë. Nuk e besoj që brenda 31 dhjetorit të kemi shtëpinë të rindërtuar siç kanë deklaruar”, tha Resmie Gjergji për Portën Vendore.

Largohemi nga Rada me konstatimin se procesi i rindërtimin ishte i ngadaltë dhe se banorët e fshatit ishin shumë humanë e me shpirtin plotë, edhe pse të goditur nga fatkeqësia natyrore një vit më parë.

Porta Vendore u ndal në Hamallaj, fshat i Njësisë Administrative Sukth, në të cilën procesi i rindërtimit nuk kishte nisur akoma, ndërsa shtëpitë të cilat ishin dëmtuar lehtë nga tërmeti ishin rikonstruktuar. Kryetari i fshatit Hamallaj, Xhelil Kryeziu tregoi se tërmeti ka dëmtuar rëndë përafërsisht 15 shtëpi, të cilat një pjesë janë për shembje, ndërsa të tjerat janë për riforcim.

“Këtu janë shembur 2 pallate në të cilat jetonin 40 familje, të gjithë ata banorë që jetojnë në Shqipëri trajtohen me bonus qiraje. Bashkia vijon projektet, procedurat, na ka thënë që do fillojë së shpejti ndërtimi i tyre. Janë rreth 15 banesa individuale që janë për shembje dhe riforcim. Janë bërë gati të gjitha dokumentacionet dhe presim nga dita-ditës të nis shembja dhe procesi i rindërtimit për banesat e reja. Grantet për banesat e dëmtuar të shkallës DS1, DS2, DS3 janë shpërndarë të gjitha dhe banorët kanë kryer riparimet në banesat e tyre”, u shpreh kryetari i fshatit Hamallaj për Portën Vendore.

Në njërin nga dy pallatet të shembur nga IKMT, pasi ishin shpallur të pabanueshme nga tërmeti, dikur jetonte Luljeta Habibaj, 60 vjeçe.
“Kam jetuar në katin e tretë te njëri nga pallatet të cilat janë shembur. Kemi ndjerë atë tërmetin shumë të fuqishëm, tani presim të na bëhen sa më shpejt banesat. Prej një viti jetoj me qira, kam marr bonusin e qirasë. Na kanë thënë që presin planimetrinë dhe do fillojnë ndërtimin së shpejti. Ishalla na fillojnë punimet sa më shpejt”, tha Luljeta.


Porta Vendore udhëtoi drejt fshatit Lalëz, të Njësisë Administrative Ishëm, ku edhe këtu procesi i rindërtimit ende nuk ka nisur. Në 4 shtëpi që vëzhguam, shënjimi me kryq të kuq, qëndronte si relike e së shkuarës, teksa klasifikohen si të pabanueshme. Sipas banorëve të fshatit Lalzit ende nuk ka filluar rindërtimi i shtëpive.

Shpresa, një nga banoret e fshatit po mblidhte ullinj në buzë të rrugës teksa u afruam për ta pyetur se cilat ishin shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. Shtëpia e saj ishte e shënjuar me kryq të kuq, në pritje për t’u shembur nga fadromat. Teksa hyje brenda në shtëpinë njëkatëshe me muret e tavane të çara, të rikujtonte edhe njëherë forcën që kishte tërmeti i 26 Nëntorit. Që prej një viti, zonja Shpresa bashkë më bashkëshortin jetojnë me qira, pasi qëndrimi në shtëpi ishte i rrezikshëm.
“Shyqyr që kemi shpëtuar, që nuk na u rrëzua shtëpia e nuk ramë në humnerë pasi është ndërtuar në cepin e kodrës. Nuk kam marrë asnjë bonus qiraje”, tha Shpresa mes lotëve.

Shpresa na tregoi se përveç shtëpisë së saj, tërmeti kishte shkatërruar edhe shtëpinë e vjehrrit, të cilat ishin ngjitur. Ajo u shpreh dyshuese për deklaratën e kryeministrit dhe ministrit të Rindërtimit se shumica e shtëpive të dëmtuara do të rindërtohen dhe do të jenë të përfunduara brenda 31 dhjetorit.
“Shtëpia ime, por edhe shtëpia ngjitur ku jetonin vjehrri dhe kunati, janë shkatërruar nga tërmeti, janë shpallur të pabanueshme, por nuk e di kur do t’i shembin. Nuk e besoj se do ta kem shtëpinë të rregulluar brenda vitit të ri, pasi kjo akoma nuk është shembur”, tha Shpresa.
Pak metra më larg ndalemi në një tjetër shtëpi, në të cilën tërmeti nuk ishte kursyer në goditjet që i kishte dhënë. Elvina Ismailaj, është një tjetër banorë e fshatit Lalëz, e cila tregon për Porta Vendore së shtëpia ngjitur me të sajën, ku jetonte vjehrra me kunatin është shkatërruar totalisht nga tërmeti. 32-vjeçarja, nënë me 3 fëmijë, tregon se vjehrra dhe kunati jetonin në çadër, por me fillimin e shirave i strehuan në shtëpinë e tyre edhe pse nuk ka vend mjaftueshëm.
“Shtëpia e vjehrrit dhe vjehrrës është dëmtuar, ndërsa e imja jo, ata bashkë me dy kunetërit rrinin në çadër, por i strehova në shtëpinë time sapo filluan shirat. Kanë thënë që të heqim plaçkat nga shtëpia e prishur dhe se do vinin për një javë për ta shembur, por nuk kanë ardh fare. Familjarët e mi nuk kanë marrë bonusin e qirasë, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria përveçse një pako me ushqime dhe çadrën”, tha Elvina Ismailaj.

Pasi vizituam 3 fshatrat, Radë, Hamallaj, Lalëz, vumë re se shumica e shtëpive ishin në pritje të fadromave të IKMT që të shemben për t’i hapur rrugë rindërtimit. Banorët e 3 fshatrave ishin të kapur fort pas shpresës që shtëpitë e tyre do të rindërtohen, por se kur, ata akoma nuk e dinin.
Porta Vendore bëri një vëzhgim edhe në Manzë të Re, në të cilën 6 pallate, kopshti dhe godina e Njësisë Administrative ishin dëmtuar nga tërmeti dhe shembur nga IKMT. Banorët e pallateve të shembura, jetonin në kontejnerë në hapësira të ngushta, por edhe në shtëpi me qira, të cilët ende nuk dinin për fatin e shtëpive të tyre se kur do të rindërtohen. Naile Farruku është njëra nga banoret që jetonte në njërin nga pallatet e shembura. Ajo tregon se nuk ka shkuar asnjë person që t’i thotë se kur do ndërtohet pallati që të hyjnë në shtëpinë e re.
“Shyqyr që shpëtuam shëndosh e mirë. Pallati im në fillim u dëmtua lehtë nga tërmeti i 21 shtatorit, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit e shkatërroi fare, i preu mes përmes të gjitha dhomat. Nuk dimë asgjë se kur do të fillojë ndërtimi i shtëpive, nuk ka ardhur asnjë këtu. Unë jetoj me qira në Durrës, kam marrë bonusin”, tha Naile Farruku.
Ajo që vihej re në qendër të Manzës, ishin grumbuj me inerte të pallateve të shembura si dhe një lagje e krijuar me kontejnerë, në të cilat jetonin afro 40 familje. Një ndër banoret që jetonte në kontejner me familjen e saj është Albina, nënë e 2 fëmijëve. Ajo tregon se jetesa në kontejner pavarësisht kushteve, është e vështirë.
“Jam vet i katërt që jetoj në kontejner, nuk dihet ça bëhet me shtëpitë tonë, na kanë thënë se do t’i rindërtojnë por se kur nuk e dimë. Nuk kam marrë asnjë ndihmë nga qeveria përveçse tre muaj nga kryqi i kuq”, tha Albina.
Pas vëzhgimit, Porta Vendore kërkoi informacion nga Bashkia Durrës se në çfarë faze është procesi i rindërtimit në 11 Njësitë Administrative. Bashkia Durrës në përgjigjen e kthyer bën të ditur se Këshilli Bashkiak ka vlerësuar për shembje 35 pallate dhe 1025 banesa individuale të cilat do të rindërtohen. Nga 35 pallate të cilat janë për t’u ndërtuar nga e para, rindërtimi nga nisur vetëm në dy prej tyre, ndërsa pjesa tjetër është në fazë projektimi. Ndërsa sa i përket banesave individuale, nga 1024 që janë për shembje, ka nisur rindërtimi i 537 banesave pasi ka mbaruar procesi i tenderimit nga FSHZH. Në lidhje me lagjen e re të rindërtimit, është hartuar Plani i Ri i Detyruar Vendor i Spitallës me kapacitet 996 apartamente.
Për të kuptuar nëse procesi i Rindërtimit ka ecur në ritmet e premtimeve nga qeveria, Porta Vendore zhvilloi një intervistë me inxhinieren e ndërtimit Luljeta Bozo. Sipas ekspertes së ndërtimit, procesi i rindërtimit nuk ka ecur me ritmet e parashikuara për disa arsye, kryesisht për vonimin e alokimit të fondeve nga BE.
“Për procesin e rindërtimit ka shumë komponentë të cilat mund të kenë bërë që ato të mos ecin në ritmin e parashikuar më herët. Besoj se problem kryesor janë fondet. Nëse s’ka lekë nuk mund të nisësh rindërtimin. Ka pasur vonesë për alokimin e fondeve të BE, për të nisur procesi i rindërtimit, deri tani me sa kam dijeni ndërtimet janë bërë nga buxheti i shtetit. Ecuria varet edhe nga forca teknike që besoj nuk mungon, ka plot firma ndërtimi. Që një shtëpi të ndërtohet kërkon kohën e vetë, duhet një studim gjeologjik për forcim nëse është e nevojshme e më pas bëhet ndërtimi. Ajo që mund të them është se nuk do të ketë më ndërtim pa planimetri, por u studiuar me profesionalizëm në mënyrë që ato të jenë sa më të forta e të mos ndodh përsëritja e dëmtimeve të shtëpive nga një tjetër tërmet”, tha inxhinierja Luljeta Bozo për Portën Vendore.
Premtim i parë i kryeministrit Rama, duket se është shumë larg plotësimit për shumë fshatra të Durrësit. Në 30 dhjetor 2019, kreu i qeverisë, në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, u premtoi se deri në 31 dhjetor 2020 do të ndërtohen të gjitha shtëpitë individuale të cilat u dëmtuan nga tërmeti. “Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që kanë humbur banesën individuale, do të hyjnë në një banesë të re”, tha kryeministri.
Po në të njëjtën video-mesazh, Rama premtoi se deri në gjysmën e parë të vitit 2020, do të jenë ngritur të gjitha kantieret e lagjeve të reja. Sipas informacionit zyrtar nga Bashkia Durrës të kthyer në datën 3 Nëntor, është hartuar Plani i Ri Vendor i Spitallës për ndërtimin e lagjes së re, ku do të jenë 996 apartamente. Pra sipas të dhënave zyrtare, deri në datën 3 nëntor, ende nuk është ngritur kantieri i lagjes së re, edhe pse ka kaluar 3 muaj nga afati i parashikuar nga kreu i qeverisë. Në vijim të video-mesazhit, Rama theksoi prioritetin për rindërtimin e qendrave shëndetësore dhe shkollat të cilat u dëmtuan nga tërmeti. “Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm”- deklaroi kryeministri në 30 dhjetor 2019. Në kërkesën për informacion drejtuar Bashkisë Durrës, informohemi se procesi për rindërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore ende vijon, pra 3 muaj larg afatit të premtuar nga qeveria për t’i përfunduar. “Për 10 shkolla ka filluar procesi i rindërtimit dhe për 2 shkolla ka mbaruar rikonstruksioni. Të tjerat janë në fazë projekti. Janë 2 qendra shëndetësore në Draç e Likmetaj në Ishëm, dhe 3 godina në Njësitë Administrative Ishëm, Manëz dhe Katund i Ri për të cilat ka filluar procesi i rindërtimit”, bëhet e ditur në përgjigjet e dërguara nga Bashkia Durrës, pas kërkesës për informim.
Por me kalimin e muajve kryeministri dhe ministri i Rindërtimit kanë shtyrë afatet e premtuara për rindërtimin e shtëpive apo shkollave. Një konferencë për mediat në datë 29 shtator 2020, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ka njoftuar se shumica shtëpive individuale do përfundojnë në 31 dhjetor 2020, pjesa tjetër brenda 3-4 muajve të parë të 2021. Pra premtimi i qeverisë shtyhet me disa muaj. Por edhe me premtimin e dytë, pra se brenda 31 dhjetorit 2020 do të përfundojnë shumica e shtëpive, në Durrës mbetet ende larg plotësimit. Nga vëzhgimi në terren shumë shtëpi vijonin të jetonin si një vit më parë, me çadra e kontejnerë. Por edhe nga informacioni zyrtar, në Durrës janë hedhur themelet për gati gjysmat e shtëpive dhe jo për shumicat siç u premtua. Pra ka nisur rindërtimi për 537 banesa individuale, ndërsa 487 shtëpi të tjera nuk dihet se kur do të nisë rindërtimi.