25 Nëntor 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
‘Lokomotiva’ e investimeve të Bashkisë Lezhë për kufirin e qytetit, nuk ka përshkruar ende 1 km rrugë për të mbërritur në lagjen SMT, aty ku rruga që bëjnë çdo ditë banorët vijon të ketë gropa me ujë, baltë e pluhur 12 muajt e vitit.
Pavarësisht afërsisë që ka me godinën ku qëndrojnë politikë-bërësit lokalë, banorët e Ish Pularisë në këtë lagje të qytetit, vijojnë të kalojnë nëpër një rrugë e gjitha në baltë. Shirat e ditëve të fundit rikthyen vëmendjen, e po ashtu edhe vështirësitë e lëvizjes përgjatë këtij aksi. Në pjesë të ndryshme kalimi është gati i pamundur, ndërsa edhe mjetet duhet të kenë shumë kujdes. Banorët e zonës nuk hezitojnë të ngrenë shqetësimin e tyre për këtë problematikë, që nuk e ka gjetur ende zgjidhjen. Ndërsa po kthehej në shtëpinë e tij hipur mbi motoçikletë, një prej tyre ndalon e na thotë se shpresat janë gjithmonë të zgjedhjet, sepse është koha kur ndërhyhet me investime sepse kështu ka ndodhur gjithmonë.
“Nuk kemi çfarë të bëjmë. Kjo situatë ka rreth 20 vite që vazhdon kështu. Vështirë të lëvizësh, por kur bie shi është edhe me keq sepse gropat mbushen me ujë dhe unë që lëviz me motor nuk e di se ku mund të bie. Ndoshta ishalla na ndihmojnë në këto zgjedhje sepse vetëm për kohë zgjedhjet ndërhyhet e punohet”, tha ai për Portën Vendore.
Ndoshta pakkush mund ta mendojë që mund të ketë një rrugë të tillë në qytet, kur infrastruktura rrugore është përmirësuar ndjeshëm edhe në zonat rurale. Asfalti duket si një dëshirë e pafundme e banorëve të Ish Pularisë në lagjen SMT të Bashkisë Lezhë. Këtu nuk flitet për kilometra rrugë, por thjesht për 850 metra, e ndoshta duke shtuar ndonjë rrugicë mund të bëhet e gjitha 1 km aks rrugor që kërkon asfalt, dhe të jetë lehtësisht e kalueshme për banorët. Këtë rrugë bëjnë çdo ditë edhe fëmijët e shkollës, nuk ka dallim dhe problemi është i njëjtë për të gjithë. Banorët kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme ndërhyrjen e bashkisë. Një prej tyre i tha Portës Vendore se janë dorëzuar disa herë peticione e kërkesa me rreth 250 firma, por ato nuk kanë vlejtur. Rruga ka vijuar të jetë me gropa e pluhur në verë, dhe baltë e ujë në dimër. Kjo rrugë u nis disa vite më parë, por bëri vetëm pak metra, për të ndaluar sërish ashtu siç kishte qëndruar prej 20 vitesh.
“Projekti i para 7 viteve bëri vetëm 300 metra asfalt dhe nuk u vijua pavarësisht se jetojnë rreth 250 familje. I kemi bërë kërkesë edhe bashkisë ku kanë nënshkruar thuajse të gjithë kryefamiljarët, por nuk po bëhet. Kjo rrugë nuk ka ndonjë vështirësi të madhe për tu realizuar sepse nuk ka shpenzime të mëdha. Ne paguajmë taksa por nuk marrim shërbime. Lëvizja është e vështirë dhe kjo situatë vijon prej më shumë se 20 vitesh. Jemi lagje e Bashkisë Lezhë, por nuk mund të thuhet kështu me infrastrukturën rrugore që e përshkon zonën tonë”, tha një tjetër banor.
Kalimi nëpër këtë rrugë bëhet shpesh i pamundur. Kjo ndodh jo vetëm në ditë me shi, por edhe disa ditë pasi shiu të ketë pushuar. Gropat e mbushura me ujë janë pengesa kryesore, pasi asnjëherë nuk mund ta mendosh sa e thellë do të jetë. Ata që e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë e dinë mirë këtë fakt. Nuk hezitojnë ta thonë sepse janë lodhur me pritjen që të bëhen pjesë e qytetit jo vetëm në hartë por edhe si infrastrukturë. Këtë na e pohon edhe një tjetër banor që kërkoi të thoshte fjalën e tij për këtë shqetësim.
“Kjo rrugë është vetëm për IFA e gjitha, nga fillimi e deri në krahun tjetër që lidhet me rrugën e Manatisë. Këtu nuk mund të lëvizin as këmbësorët dhe as makinat e vogla. Kështu ka vazhduar prej krijimit të kësaj lagjeje, që sot njihet si rruga e pularisë. Në bashki thonë është e Njësisë Kolsh, tek njësia thonë nuk kemi fonde, si përfundim asnjë zgjidhje për ne. Tani që bie shi, ne duhet të qëndrojmë në shtëpi se rruga është e pakalueshme, por edhe kur del dielli në prapë kemi vështirësi për të lëvizur, pasi gropat vijojnë të jenë të mbushura me ujë dhe vetëm me çizme mund të kalohet”, sqaron ai.
Rruga ka një projekt të përfunduar që do të zbatohet së shpejti. Bashkia e Lezhës thotë se ka gati zgjidhjen e këtij problemi pasi do të investojë me fondet e veta për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor jetik për qindra familje që kanë ndërtuar prej vitesh shtëpitë e tyre në këtë lagje.
Drejtoria e Urbanistikës në këtë bashki ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit është hartuar projekti për sistemimin dhe asfaltimin e Rrugës Naim Frashëri – Lalm i Ri që përfshin edhe rrugën e lagjes së Ish Pularisë. Sipas kësaj zyre, projekti është në fazë tenderimi dhe do të jetë një investim dinjitoz që pretendohet se do të përmirësojë ndjeshëm dhe do t’i japë zhvillim zonës.
Por, pavarësisht se Bashkia ka tenderuar një projekt, ende nuk ka një datë se kur do të fillojë ky investim kaq i madh, pasi do të duhet financimi i Fondi Shqiptar i Zhvillimit që të mundësojë ndërtimin e rrugës, ndaj banorët do të vazhdojnë të presin.