Ngjarje/Personazhe

Mungesa e ujit rikthen Mborjen historike të Korçës në mesjetë

23 nëntor 2020/ Sidorela Xhomaqi/ Porta Vendore/ Korçë                                  

I ndodhur shumë pranë qytetit të Korçës, fshati Mborje ka vite që vuan për pikën e ujit, megjithëse një vend me tradita që në mesjetë dhe pasuri uji të jashtëzakonshme, rreth 600 familjet e këtij fshati hasin vështirësi në këtë drejtim. Ata pohojnë gjithashtu se edhe në sektorë të tjerë ky fshat nuk e ka parë dorën e investimeve nga pushteti vendor.

E shtrirë rrëzë malit të Moravës, me ajrin e pastër dhe burime të shumta ujore, por jo vetëm, fshati Mborje është dëshmi e gjallë e gjurmëve historike që ka lënë ky vendbanim i hershëm. Fshati që sot mban emrin Mborje, dikur është quajtur Emporje, që në greqishten e lashtë do të thotë treg. Mborjarët e vjetër krenohen dhe tregojnë për këtë qendër mjaft të rëndësishme tregtare në shekujt e XIV- XV, e cila nuk krahasohej me Peskopje-n apo e thënë ndryshe me Korçën e sotme. Në kodrat e Moravës ka pas ekzistuar kalaja, e cila ndër vite është lënë në harresë. Rrënojat e saj sot janë të pakta, ndërsa askush nuk mund të vizitojë atë pjesëz historie të Mborjes për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së një rruge për të shkuar në drejtim të këtij objekti historik që dita-ditës i dorëzohet edhe më shumë gllabërisë së amortizimit.

Bashkëjetesa fetare në këtë fshat është për tu admiruar. Fshati ndahet në lagje, ajo e Xhamisë dhe e Kishës. Ky fshat me objekte kulti të shumta numëron 12 kisha, ku më e hershmja e më e veçanta i përket vitit 1389. Për kishën e Ristozit, e cila ka marrë edhe statusin e monumentit të kulturës, mborjarët shprehen se ka pas ekzistuar shumë kohë më parë se ky vit. Objekt kulti i rëndësishëm është edhe xhamia, e cila në kohë është relativisht më e re, pasi banorët dhe dokumentet historike dëshmojnë që ajo është ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II në 1446, i cili qëndroi disa muaj në zonën e Mborjes dhe ngriti këtë xhami. Disa banesa dhe disa rrugë ruajnë traditën e hershme, të ndërtuara me gurë dhe me çatinë me plloça, por shumë të tjera janë modernizuar, duke u shndërruar në banesa shumëkatëshe.

Fshati Mborje në Bashkinë e Korçës. Foto: S. Xhomaqi.

Pavarësisht ndërthurjes së lashtësisë dhe historisë, Mborja mbart problematika të shumta.

Papunësia është një ndër ato shkaqe që ka çuar në emigrim masiv të të rinjve. Duket se fshati po braktiset nga banorët vit pas viti, ku mborjarët pas demokracisë udhëtuan nëpër botë dhe lanë pas fshatin e lindjes dhe prindërit e tyre. Sot ky fshat i ndodhur shumë pranë qytetit të Korçës, numëron rreth 600 familje.

Tako Gorica, 84 vjeç, e takojmë në rrugët e fshatit duke shkuar për të bërë pazar. Nga biseda me të, kuptojmë se shpirtin ia djeg malli për fëmijët që i kanë në emigrim.

“Jam babai i 4 fëmijëve, të gjithë janë në emigrim. Ngrysem e gdhihem vetëm me plakën. Kam punuar në minierën e Mborje-Drenovës, ku hyje me frikën a do dilje i gjallë e do e shikoje familjen. Megjithatë, e kuptoj që të rinjtë do shohin jetën e tyre, u larguan se këtu nuk jetohet, s’ka punë, s’ka të ardhme. Malli me djeg shpirtin edhe pse i dëgjojmë e i shikojmë nga telefonat, por prapëseprapë nuk i kemi afër. Unë jam 84 vjeç, plaka po ashtu, e sa vite do jetojmë? Kur të vijnë ata ne do kemi mbyllur sytë e veshët, por jam i qetë se e kanë rregulluar jetën e tyre”, tregon për Portën Vendore Tako Gorica.

Banorët e këtij fshati që tashmë konsiderohet si një lagje e Korçës, shumë pak merren me bujqësi dhe blegtori. Pjesa më e madhe e banorëve zbresin drejt qytetit për punësime, e disa të tjerë shkojnë në emigrim për të mbajtur familjet.

Gurali Golka 58 vjeç, është një banor tjetër në Mborje. Sipas tij, jetesa këtu në fshat është shumë e vështirë jetesa për të dhe familjen e tij. “Jam babai e 3 fëmijëve, çupën e martuar në Tiranë dhe 2 djemtë, njëri prej të cilëve është i martuar dhe ka 1 fëmijë të vogël, është pa punë. Vetëm djali i vogël punon. Unë marr një ndihmë ekonomike dhe përpiqem të ndihmoj djalin e madh. Ç’të bësh? Është shumë e vështirë të jetosh vetë i 6-të me këto të ardhura që kemi. Vetëm për ushqim mendojmë, për asgjë tjetër. Unë s’kam dashur që fëmijët të ikin jashtë Shqipërisë, kam dashur t’i kem ndër sy, por kam bërë gabim se tani e kuptoj sa po vuajmë. Të paktën po të ishin jashtë do kishin rregulluar jetën, familjet. Djali i madh është dhe familjar, askush s’e ka marrë në punë. Ku është shteti që kemi votuar? Mirë jeta jonë u pa, por pse të vuajnë fëmijët?, pyet me të drejtë Gurali Golka.

Shtëpitë e braktisura në fshatin Mborje. Foto: S. Xhomaqi.

Por hallet e Mborjes nuk kanë fund. Mes varfërisë dhe braktisjes, qytet-fshati i dikurshëm vuan prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Rreth 2500 banorë të këtij fshati furnizohen vetëm 3-4 orë në ditë dhe zgjidhja e vetme alternative është mbushja e depozitave. Pozita e favorshme gjeografike dhe burimet ujore nuk kanë munguar në këtë zonë, por menaxhimi jo i duhur sidomos nga bizneset private, bëjnë që fshati të përballet me këtë situatë, e cila rëndohet më tepër në 3 muajt e verës. Banorët nuk pranojnë furnizimin nga Korça, por duan zgjidhje për ujin nga burimet e fshatit. Kjo gjendje pranohet edhe nga kryeplaku i fshatit Mborje.

“Problematikë kryesore në fshatin Mborje është ujë i pijshëm. Me nisjen e thatësirës bie prurje e burimeve që kemi ne. Të gjithë kanë depozita në shtëpi. Është shumë problem orari kaq i reduktuar i ujit. Një burim ka mbetur në mal, e quajmë burimi i Rakipes por e ka marrë një firmë. Urojmë që kjo situatë të zgjidhet”, rrëfen Arben Venxha për Portën Vendore.

Banorët gjithashtu konfirmojnë mungesën e ujit të pijshëm, ku ironikisht Bezatja tregon se prej kohësh nga mungesa e furnizimit me ujë nuk lahet më në vaskë, por me kanaçe. “Mborja i ka pas dhënë ujë gjithë fshatrave përreth, por tani është bërë keq puna për ujë. Lahemi me kanaçe kur vjen ujë me vrap. Ne jemi dy pleq në shtëpi dhe mezi e menaxhojmë situatën. Një herë në dy javë lahem, sepse s’kemi fuqi. Ka angari të mbushesh ujë e të lahesh me kanaçe”, tregon ajo për Portën Vendore.

Një tjetër problem i këtij fshat ka të bëjë me mbetjet urbane. Mbledhja e mbeturinave bëhet 2 herë në javë nga bashkia, por këto të fundit duhet të qëndrojnë jashtë banesave për disa ditë të grumbulluara, ku shpesh herë kafshët endacake në kërkim të ushqimit i hapin dhe fshati merr një pamje që është për të ardhur keq.

“1 herë në katër ditë që vijnë e marrin plehrat është tmerr këtu, mban era qelbësirë. Mborja është nga fshatrat e paktë që i paguan të gjitha taksat rregullisht. Do të doja shumë që të kishim një shpeshti më të madhe të mbledhjes së mbetjeve dhe që kazanët rreth e qark të dezinfektoheshin”, përfundon kryeplaku i fshatin Mborje, Arben Venxha.

Problemi i menaxhimit të mbetjeve urbane, një tjetër shqetësim i këtij fshati. Foto: S. Xhomaqi.

Në varrezat e fshatit hasim një problematikë akoma edhe më të rëndë. Shpesh herë këto të fundit kanë rënë pre e vjedhjes, prishjes dhe e përdhosjes nga ana e personave të papërgjegjshëm. Ky fshat edhe pse paguan taksa e detyrime karshi institucioneve askush nuk ka vendosur një punonjës për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varreve. Mbeturina të hedhura ngado, rubinetet e çezmave të shkatërruara, bëjnë që uji të depërtojë në varre. Edhe uji i sjellë në varreza është bërë në mënyrë private nga dy emigrantë, njëri që jeton në Greqi dhe njëri në Amerikë. Në sy bien edhe rrethimet e varreve, ku në pjesën më të madhe janë vjedhur dhe kolonat janë rrëzuar.

Zymbule Murteza është një mborjare e vjetër që u martua e punoi në komunizëm për të ushqyer fëmijët. Sot jeton e vetme, vetëm me atë pak pension prej 130 mijë lekësh të vjetra. Është braktisur nga të gjithë, madje edhe nga fëmijët megjithëse e ka të vështirë ta pranojë dhe shprehet se fëmijët kanë hallet e problemet e tyre.

“Burri ka vite që më ka vdekur dhe jetoj fare vetëm, kështu qenka jeta, fëmijët kanë jetën e tyre, nuk kam dashur tu bëhem barrë, pak kanë hallet e tyre të merren me mua, plakën. Unë rregullohem me atë pension që marr. Varret janë harruar bashkë me ata që dergjen atje. Unë paguaj taksa e me vështirësi ia bëra varrin tim shoqi, por atje nuk ka një njeri që të kujdeset. Edhe të vdekur nuk gjejnë qetësi. Para 5 vitesh u dëmtuan varre, hajdutët hynë edhe i shkatërruan e morën hekur. Nuk gjejnë qetësi njerëzit as të vdekur. Po unë kam frikë se s’kam të paguaj prapë për varrin”, tregon gruaja mes lotëve dhe dëshpërimit.

E kontaktuar nga Porta Vendore, Bashkia Korçë është shprehur se është në dijeni për këto problematika.

Sipas bashkisë, banorët kanë kërkuar të përfitojnë vetë nga burimet që fshati ka dhe jo që ata të merren nga privati. E ndërkohë për mbeturinat, bashkia është shprehur se makina e mbledhjes së mbeturinave shkon 3 herë në javë. Problem është një lagje e cila ka kërkuar koshat e mbeturinave dhe po behet prokurimi i marrjes së koshave plastikë për të pajisur këtë lagje.

Mborja që sot “rënkon” për gjërat më elementare, i dha vendit figura të shumta historike, patriotë të mëdhenj, njerëz të ditur, sportistë e artistë të njohur, njerëz me karakter të fortë e të qëndrueshëm, si Koçi Beu, ky mborjar me famë në të gjithë Perandorinë Osmane ose Haki Mborja, i shpallur ” Qytetar Nderi i Qarkut të Korçës”, mbështetës dhe përkrahës si i Kongresit të Lushnjës, e si i qeverisë së Ismail Qemalit. Nuk harrohen “pionieri” i Kirurgjisë Shqiptare, doktor Selaudin Mborja, profesori i Shkencës dhe Arsimit Shqiptar Sali Mborja, akademiku Hekuran Marra, apo edhe historiani Petrika Thëngjilli.