Vëzhgim/Analizë

Vëzhgim/ Udhëtim në 5 fshatra të Fierit; në 30 vjet tranzicion ende pa ujë e rrugë

21 nëntor 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Fier                                

Fshatrat e Fier, ndonëse kanë kaluar 30 vite tranzicion, ende vuajnë për ujë dhe rrugë, ndërkohë që kushtet e vështira i kanë detyruar banorët t’i braktisin ato. Në shumë fshatra, numri i familjeve rezidente është shumë i vogël në krahasim me numrin e të regjistruarve, ndërkohë që të rinjtë janë ata që kryesisht kanë ikur në emigracion, ndërsa ata që kanë mbetur shpesh herë mllefin ndaj premtimeve boshe, nuk duan ta nxjerrin më me zë, por ta mbajnë brenda vetes, pasi nuk kanë shpresë se do të ndryshojë gjë.

Kreshpani është një fshat që aktualisht banohet nga 150 familje, të tre fiseve, Xhemaj, Shahaj dhe Muskaj, të cilët janë të vendosur aty që nga viti 1992. Ata, për 300 metra rrugë të pa shtruar vuajnë mungesën për të dalë në rrugën kryesore Fier–Cakran, për të shkuar në qendër të fshatit, për të çuar fëmijët në shkollë, për shkuar te varrezat apo dhe për të nxjerr prodhimet e tyre bujqësore, kryesisht ullinjë për t’i përpunuar në fabrikë ose për t’i çuar në treg.

Problematikën disavjeçare dhe të trashëguar ndër breza e konfirmojnë vetë banorët, të cilët pohojnë se edhe pse janë ankuar me dhjetra e dhjetra herë, edhe pse u është premtuar nga ish kryetarë komunash e ish kryetarë bashkish, nga ata që kanë kandiduar dhe nga ata që kanë fituar, asnjëherë premtimi nuk është mbajtur.

Banorët tregojnë se janë afërsisht 300 metra rrugë e pa shtruar. Ata nuk kërkojnë luks, por të paktën një shtrim me çakull apo rërë bituminoze. “Po na ikin djemtë nga shtëpitë në emigracion, nuk kthehen se s’ka rrugë” , pohojnë ata.

Bajrami, një burrë që i kalon të 65-at rrëfen për Portën Vendore se edhe këtë rrugë prej dheu e kanë hapur vetë banorët. “Megjithatë, në dimër nuk kalohet sepse reshjet e shiut e gërryejnë. Duhet të hapen kanale anësore dhe të shtrohet me çakull ose rërë bituminoze. Punojmë tokat, vjelim ullinjtë. Detyrohemi të bëjmë transportin me kuaj e gomerë se automjetet nuk futen në tokat tona”, ka sqaruar banori i fshatit Kreshpan.

Infrastruktura rrugore në fshatin Kreshpan. Foto:Xh.Beharaj.

Merjemia teksa na pyet se për çfarë kishim shkuar deri në fshat, na afrohet dhe shprehet se: “Në verë e bëjmë kabull, se verës me të keq makina hyn, por çfarë të bëjmë në dimër që të mbyt balta. Kur del përroi, fëmijët nuk ecin dot që të shkojnë në shkollë se u njomen këmbët, për të mos thënë që djemtë me të mbushur 18 vite ikin në emigracion e nuk mendojnë që të kthehen më”, tregon e moshuara dëshpërimisht.

Edhe pse kanë bërë me dhjetëra e dhjetëra ankesa, asnjëherë problemit të tyre nuk i është dhënë zgjidhje në këto 30 vjet nga instancat shtetërore.

Kreshpani është pjesë e njësisë administrative Cakran dhe përbëhet nga pesë lagje të ndara sipas fiseve e të ndërtuara në faqet e kodrave të këtij fshati. Banorët e fshatit merren kryesisht me vreshtari dhe ullinj dhe kjo duket teksa merr rrugën për të shkuar në këtë fshat ku syri të ndesh brezare të kodrave me ullinj të rinj, edhe shekullorë, ndërkohë që në pjesën e kodrave që janë pranë luginave i kanë sistemuar, duke i mbjellë me vreshta. Dominon vaji i ullirit dhe rakia, prodhime të këtyre kulturave, për të mos lënë pa përmendur likotë e reçelet e varieteteve të ndryshme të rrushit apo varietetet e ullirit kokërr, që serviret në tavolinë, përveç atyre që bëhen vaj ose quhen ulli vajs.

Gjorgozi është një tjetër fshat i Cakranit, ku për të shkuar në të ka gjithashtu dy rrugë. E para është për t’i rënë shkurt nga rruga e vjetër nacionale Fier–Patos– Ballsh, dhe e dyta është rrugë që teksa je në hyrje të fshatit Kreshpan, i ngjitesh një rruge dheu për në Gjorgoz.

Rruga e dytë është më e përdorshme sepse banorët lidhen me shkollën për fëmijët, por dhe për të shkuar në Cakran, në zyrat e njësisë administrative për shërbime të ndryshme, sepse për të bërë psonisje pastaj banorët zgjedhin rrugën tjetër, për t’i rënë shkurt për në Fier.

Megjithatë, 3 km rrugë pengojnë 120 familje të fshatit Gjorgoz për të nxjerrë prodhimet në treg dhe për të çuar fëmijët në shkollë. Gjithë drama e tyre luhet në këto 3 km, pasi ato kushtëzojnë arsimin dhe ekonominë e familjeve të këtij fshati.

Aktualisht në këtë fshat kanë mbetur 120 familje, të cilët kanë mbi 30 vjet që ndiejnë mungesën e një rruge. Për 3 kilometër rrugë fermerët ndiejnë mungesën e nxjerrjes së prodhimeve të tyre bujqësore e blegtorale në Kreshpan, Cakran e Fier për t’i tregtuar, ndërsa fëmijët u duhet të ecin në këmbë mes pluhurit në verë e shiut e baltës në dimër për të shkuar në shkollë.

Banorët pohojnë se drejtues të pushtetit vendor kujtohen për ta vetëm në kohë fushatash për të mbledhur vota, ndërkohë që asnjëherë të majtë e të djathtë nuk kanë vënë dorë për tu bërë një rrugë 3 kilometra të gjatë. Me fondet e tyre, ata shpeshherë kanë paguar biznese ndërtimi për të hapur rrugën kur shembet apo për ta sheshuar, ndërkohë që nga pushteti vendor presin një rrugë më të mirë.

Infrastruktura rrugore në fshatin Gjorgozi. Foto: Xh. Beharaj.

Agroni që është banor i fshatit teksa po kalonte me automjetin e tij na tha se edhe kjo rrugë në këtë gjendje, është bërë me fondet e vetë banorëve që kanë paguar firma private, pasi nuk ka vënë dorë shteti as edhe një metër në këtë rrugë.

Në kohën e dimrit kur nga reshjet shembet rruga këtu nuk kalojnë dot as edhe këmbësorët. Ne vetë me paratë tona paguajmë ndonjë firmë, që kur mban koha e thahet pak toka, vjen dhe e hap rrugën. Nuk mban era shtet fare në fshatin tonë”, pohoi Florija për Portën Vendore.

Ndërsa një fëmijë i klasës së dytë tregon se shkon në shkollë, por në stinën e dimrit kur bie shi nuk mund të shkojë, rri në shtëpi sepse mungesa e rrugës që të shkojë furgoni t’i çojë e t’i marrë nga shkolla nuk funksionon, kjo pasi rruga është prej dheu e nga balta furgoni ngec.

Ndërkohë që qeveritë ndërrohen, 120 familje të fshatit Gjorgoz presin tu shtrohet 3 kilometër rrugë, të paktën me çakëll për të nxjerrë prodhimet e tyre në treg por edhe për të çuar fëmijët në shkollë.

Ada, një tjetër fshat me probleme në infrastrukturën rrugore dhe ujësjellës. Ky fshat bën pjesë në njësinë administrative të Frakullës.

Rreth 150 familje në fshatin Adë, prej afro 30 vjetësh janë pa ujë të pijshëm në banesat e tyre edhe pse tubacioni magjistral kalon përmes fshatit. Kurse rrugët kryesore të fshatit janë të pa shtruara, diku mes baltës e diku mes zhavorrit.

Ngado ku hedh sytë në këtë fshat shikon rrugë të pa shtruara, por ndërkohë sheh banesa të ndërtuara viteve të fundit me depozita uji dhe panele diellore. Shikon gjithashtu toka të punuara, të sistemuara, të mbjella dhe kopshte të mbushura kapicë me lule e agrume.

Banesat e fshatit ndodhen vetëm 800 metra nga puset kryesore të ujit të pijshëm që furnizohet Fieri dhe rrethinat e tij, por këta banorë vuajnë për pikën e ujit të pijshëm. Megjithëse fare pranë zonës së tyre, ata nuk kanë ujë në rubinetet e banesave, por e mbushin me bidonë në puset nga furnizohet Fieri.

Behija, Fatosi, Fatmira, Bajrami, Qaniu, janë disa nga burrat e gratë e fshatit që pohojnë se prej vitesh, që pas 1990-s, uji i pijshëm mungon në fshatin e tyre. “Shtruan dhe tubacionet magjistrale, por uji në shtëpi nuk na erdhi”, thotë Fatosi. “Bëmë kontrata, i paguanim faturat, por ujë s’kishim. Në kushte të tilla, fshatçe i prishëm kontratat me ujësjellësin”, tregojnë banorët thuajse njëzëri.

Më tej Bajrami, një burrë rreth të 70-ve pohon se kanë shpuar puse, disa me krahë e të tjerë me sonda, çka u kanë shkuar shpenzimet nga 300 mijë deri në afro 2 milionë lekë të vjetra, por uji është vetëm për të larë, se për të pirë nuk bën.

Edhe pse në mungesë të ujit të pijshëm dhe të një rruge, askush nuk i ka dëgjuar ankesat e këtij fshati, e aq më tepër të përpiqet të plotësojë kërkesat e tyre.

Qaniu pohon se “Shkojmë të ankohemi, por edhe vet kryeplaku është në gjendjen tonë e kur ia themi ngre supet”, rrëfen shkurt Qaniu për Portën Vendore. Të lodhur nga jeta e vështirë e fshatit, shto këtu edhe problematikat e njëjta që i shoqërojnë vit pas viti, ata ndjehen të zhgënjyer nga sistemi.

E teksa edhe pas 30 vjetësh dora e shtetit nuk është ndier në këtë fshat, edhe pse premtimet nuk kanë munguar në çdo fushatë elektorale për kryebashkiakë e deputetë, banorët e këtij fshati nuk po u besojnë më pushtetarëve, por mundohen që të gjejnë vetë zgjidhje për të plotësuar kushtet e tyre minimale të jetesës.

Porteza është një nga fshatrat e zonës së Mallakastrës dhe një nga zonat që ne vëzhguam. Portëza është fshati që po boshatiset çdo stinë vere. Këtë e konfirmojnë edhe vetë banorët e fshatit, të cilët pohojnë se çdo verë jo vetëm të rinjtë po largohen në emigracion, por tashmë po ikin edhe moshat e treta.

Rrugët e fshatit janë bosh, qarkullim nuk ka dhe teksa takojmë ndonjë kalimtar dhe e pyesim na thotë se nuk është banor i fshatit, por punonjës që kanë ardhur për të kryer ndonjë punim në banesat e pakta të mbetura me njerëz.

Shifrat e dala nga Flamuri, punonjësi i zyrës së gjendjes civile në njësinë administrative të Portëzës, faktojnë se ky fshat ka të dokumentuar afro 1230 familje, ndërkohë që aktivë janë afro 850. Të dhënat tregojnë se 1/3 kanë shkuar në emigracion.

Kudo nga hedh sytë në këtë fshat shikon banesa të rikonstruktuara apo të reja, me mure rrethues e porta të reja e të punuara me merak, çka tregon sipas atyre që ende banojnë këtu, se emigrantët vijnë e investojnë për banesat dhe prindërit e tyre, dhe ikin përsëri andej nga kanë ardhur pa iu dhimbsur fare toka e të parëve, ku ata u lindën e rritën. Kjo pasi ndryshimet në gjithë këto vite kanë qenë të pakta dhe minimale, përveç investimeve personale për shtëpitë e vilat e bukura që ky fshat i ka me shumicë.

Rruga kryesore e fshatit që të çon drejt zyrave të njësisë administrative apo në shkollën e fshatit është e shtruar, ndërkohë që rrugët e rrugicat e lagjeve janë të pa shtruara e mes baltës. Aty-këtu syri ndalet tek disa copëza të shtruara nga vet familjarët, por sado që sforcon vështrimin, nuk duket asgjëkundi “dora” e shtetit.

Sofia, një grua mbi 75 vjeçe pohon se fëmijët i ka në emigracion dhe jeton në fshat vetëm me bashkëshortin e moshuar. “Djali erdhi investoi në lyerjen e banesës e iku përsëri. Këtu janë në emigracion të gjithë. Fëmijët sapo mbushin të 18-tat ikin në emigracion e nuk kthehen. Kush shkon me studime në Tiranë apo jashtë mbetet atje , punësohet e stabilizohen andej, nuk kthehen më”, rrëfen ajo për Portën Vendore.

Të njëjtën gjë rrëfen edhe Petrefi, një pensionist që e gjetëm teksa po saldonte e riparonte kangjellat e murit rrethues. Ai tregon se mungesa e investimeve, mungesa e vendeve të punës, kushtet e jetesës kanë bërë që moshat mbi 17-18 vjeç të ikin në emigracion, ose të shkojnë në universitet, duke mos e kthyer më kokën pas. Veç tyre tashmë po ikin tek fëmijët e tyre në emigracion edhe mosha e tretë.

Ndaluam të pyesnim dhe kalimtarë të tjerë për gjendjen aktuale të fshatit. Kështu menduam dhe për një 40-vjeçar, i cili kishte emigruar në Greqi që pas vitit 1993. Adriani na tha se kishte ardhur për pushime e për të parë banesën e toka,t pasi familjarisht me motra e vëllezër, si dhe njërin nga prindërit ishin zhvendosur prej vitesh në Greqi. “Nuk kam çfarë të them, kam vite larguar, nuk bëhemi më, nuk ka shtet, e kanë mendjen të vjedhin, nuk ka ligje, drejtësi”, përfundon ai.

Të ndodhur në kushte të tilla, pa investime, pa vende pune, pa kushte normale jetese, fshati Portëz edhe pse shumë pranë qendrës së Fieri,t po boshatiset çdo ditë e më tepër prej banorëve.

Gjendja e rrugëve dhe menaxhimi i mbetjeve urbane në fshatin Portëz. Foto: Xh. Beharaj.

Nga Portëza që është në hyrje të Fierit kur vjen nga Berati, udhëtojmë të vëzhgojmë nga afër një tjetër fshat, Sulaj, i cili është afro 4 km larg qendrës së qytetit të Fierit dhe ku banohet kryesisht nga komuniteti kosovar, i ardhur në zonën e Fierit shumë vite më parë, diku rreth vitit 1924. Sulaj ndodhet në njësinë administrative Ndërmenas, teksa kalon rrugën për në plazhet e Darëzezës e Semanit, por kthehesh në Hamil.

Edhe kur kanë kaluar afro 30 vjet nga rrëzimi i diktaturës komuniste, afro 500 banorë të fshatit Sulaj jetojnë në braktisje totale nga ana e pushtetit qendror e lokal.

Banorët nuk njohin ujë në rubinetet e banesave të tyre, sikundër nuk njohin as shtrimin e rrugëve, as kanalizimet për ujërat e bardha e të zeza.

Rrugë të pa shtruara, pa ndriçim, shtëpi të braktisura, aromë fekalesh të kafshëve dhe njerëzve, kjo është gjendja aktuale e këtij fshati.

Banorët ankohen se nuk kanë as qendër shëndetësore, as kopsht e çerdhe për fëmijët. “Këtu nuk ka më asgjë, as shkollë për fëmijët nuk ka. Na ka braktisur pushteti”, pohojnë ata.

Duke udhëtuar përmes rrugëve e rrugicave të fshatit kudo shikon rrugë të pa shtruara, porta të hapura e të mbyllura, fëmijë që luajnë, por dhe gra që punojnë në kopshtet apo bahçet  e banesave të tyre. U afrohemi të komunikojmë. I pyesim se si i kanë kushtet, por nuk të kthejnë përgjigje, veçse pohojnë me gjysmë zëri –Shkoni e flisni me burrat.

E teksa mundohemi të gjejmë burrat, një djalosh rreth të 11-ve na thotë se ata rrinë në një kafene afër fundit të fshatit.

Te lokali gjejmë disa prej tyre. Skënderi një burrë rreth të 35-ve, i martuar dhe me tre fëmijë rrëfen për Portën Vendore hallet e shumta të këtij fshati.

“Taksat i paguajmë, lëmë diçka mangët për fëmijët dhe ato i paguajmë”, sqaron ai. Edhe pse janë ankuar në ish komunë e bashki askush dhe asnjëherë zëri i tyre nuk është dëgjuar. “Na ka humbur besimi, aq sa jemi lodhur e nuk shpresojmë asgjë më”, vijon Skënderi.

Ndërsa të tjerë banorë preferojnë të zhvillojnë “protestën e tyre” në heshtje.

“Kemi folur sa jemi lodhur dhe askush se ka vëne ujin në zjarr që të na zgjidhë problemet e shumta që ka fshati”, thonë ata.

Mes vapës e pluhurit në verë, dhe mes shiut e baltës në dimër, banorëve të fshatit Sulaj i ka mbetur një çerek shprese se deri në zgjedhjen e 25 prillit instancat përkatëse do të marrin masa e do të vënë dorë në infrastrukturën e këtij fshati.

Bashkia: Kemi punuar për ujin dhe rrugët

Por, kur lë fshatin dhe vjen sërish në qytet, zyrtarët e bashkisë, kanë gjithmonë një përgjigje, e cila më shumë justifikon punën e pa bërë se jep një zgjidhje.

Nga ana e saj, Bashkia Fier nëpërmjet nënkryetares Enkelejda Peshkëpia, ka pohuar faktin se  fshati Sulaj dhe Adë e ka të siguruar furnizimin me ujë nga ana e bashkisë, por banorët kanë deklaruar hapur që nuk paguajnë asnjë lek. Ata janë 100% debitorë si fshatra prej vitesh. Mospagesa e faturave ka bërë që tu ndërpritet furnizimi me ujë. “Në lidhje me fshatin Kreshpan, ky fshat furnizohet me ujë nga ujësjellësi Patos, i cili furnizon me orare të reduktuara”, deklaroi ajo.

Edhe për rrugët, bashkia pretendon se ka ndërhyrë, duke përmirësuar situatën, ndonëse banorët e mohojnë një gjë të tillë. “Në lidhje me rrugët, rruga Gjorgoz-Kreshpan është karikuar një vit më parë me zhavorr për të përmirësuar lëvizjen e banorëve. Është ndërhyrë në rrugën e Saliajve po në Kreshpan rreth 2 km. Për sa i përket rrugëve në njësinë Portëz, është ndërhyrë dhe janë përmirësuar rrugët në fshatrat: Portëz, Pluk, Lalar, Kraps. Çdo ditë ndërmarrja e rrugëve rurale punon për përmirësimin e infrastrukturës në fshatra me karikim me rërë bituminoze, apo zhavorr mali si në brendësi të lagjeve ashtu edhe në aksesimin e banorëve të zonave në tokat e tyre”, deklaroi Bashkia Fier.

Megjithatë, në secilin prej fshatrave të vizituar, ndonëse bashkia pretendon se ka investuar, asnjë investim nuk duket në horizont, e një gjë të tillë e konfirmojnë dhe banorët, të cilët të zhgënjyer duan të punësohen, duan të mirën, të bukurën, por janë dhe me sqimë. Janë munduar që dhe me ato pak të ardhura të kontribuojnë vetë në shtrim rrugësh, në ndriçim, por nga ana tjetër janë edhe të revoltuar e mbajnë një lloj mllefi brenda vetes se fonde janë dhënë për shtrim rrugësh dhe tubacione uji, sikurse dhe premtime u janë bërë, por rezultati nuk ka ndryshuar në 30 vite pluralizëm.