20 nëntor 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Tiranë
Gjashtë muaj hetime pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Avokati i Popullit ka arritur në konkluzionin se policia e Shtetit ka shkelur ligjin në disa raste gjatë ndërhyrjes për largimin me dhunë të artistëve dhe aktivistëve që ishin kundër shembjes së tij. Avokati i Popullit ka përgatitur një raport të gjerë, duke vënë në dukje shkeljet e policisë, për të cilat u është kërkuar autoriteteve më të rëndësishme ligjzbatuese në vend si Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të ndërmarrin një sërë masash administrative dhe ligjore për të ndëshkuar një seri sjelljesh individuale apo të organizuara, që u vërejtën në veprimtarinë e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
Porta Vendore ka siguruar raportin e plotë të Avokatit të Popullit (AP), ku shkeljet janë të ndryshme, nga ato administrative, deri tek ato ligjore, ku dy më të rëndat, të evidentuara gjatë hetimit administrativ të Avokatit të Popullit, janë ajo e përdorimit të Forcës Lëvizëse Operacionale (FLO), një shërbim policor për elementë të rrezikshëm kriminalë, dhe ushtrimi i dhunës fizike dhe verbale ndaj artistëve dhe aktivistëve.
Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në kohë pandemie
Në këtë raport deklarohet se shkelja e parë e konstatuar nga AP është aksioni i ndërmarrë me grumbullim punonjësish policie në kohë pandemie, për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion, Avokati i Popullit vëren se Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i kishte dërguar shkresë Drejtorisë së Policisë së Tiranës më 15 maj 2020 për të mbështetur prishjen e Teatrit Kombëtar, me qëllim për të parandaluar veprime të dhunshme nga përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe mbështetës të tyre. Por sipas AP, policia nuk duhet të ishte mjaftuar vetëm me këtë vlerësim për të ndërhyrë. “Policia e Shtetit nuk duhet të mjaftohet vetëm me vlerësimin nëse do të ketë ose jo rezistencë të dhunshme nga qytetarë ndaj punonjësve të administratës. Policia e Shtetit nuk mund të veprojë si një ‘ushtar që bindet verbërisht’ kur merr një kërkesë për mbështetje nga një institucion tjetër”, shprehet në raport AP, duke shtuar se “detyra për të qenë më i vëmendshëm ndaj kërkesave të institucioneve që i jepet Policisë së Shtetit, nga rregullat e përcaktuara në urdhrin e
Sa i përket faktit të pandemisë, AP vë në dukje se reagimi i qytetarëve që kishin dalë në mbrojtje të idesë se godina e TK nuk duhej shembur, ishte i pritshëm. Gjithashtu, referuar Planit të Masave, vetëm nga Policia e Shtetit do të angazhoheshin në operacion 449 punonjës të strukturave të ndryshme pa përllogaritur numrin e punonjësve të Forcës Operacionale Lëvizëse, numri i të cilëve nuk i është dhënë Avokatit të Popullit. “Pra një numër i konsiderueshëm personash, protestues dhe punonjës shtetërorë, do të gjendeshin pranë njëri-tjetrit në një kohë kur ishin në fuqi masat që parashikonin ndalimin e grumbullimeve masive dhe detyrimin për distancim fizik dhe zbatimi i rregullave të tjera në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, konstaton AP.
Avokati i Popullit ka kërkuar shpjegime për masat e marra nga policia në kohë pandemie, por policia i është përgjigjur me faktin se “punonjësit e policisë kanë qenë të pajisur me maska dhe doreza”. “Nga këqyrja e pamjeve rezulton se një pjesë e punonjësve të Policisë nuk mbanin maska. Dinamika e ngjarjes ka sjellë mos respektimin e distancimit nga punonjësit e policisë me njëri-tjetrin. Jo vetëm dinamika e ngjarjes në rastin konkret, por çdo dinamikë e mundshme e saj, do të çonte në mënyrë të padiskutueshme në shkeljen e masave anti-COVID-19 në fuqi, ndaj për këtë arsye në vlerësimin tonë, do duhet të ishin vënë në balancë, shkelja me vetëdije e masave anti-Covid-19, apo shtyrja e kryerjes se shembjes së teatrit dhe mbështetja e tij me anë të operacionit policor në një kohë të dytë”, shprehet AP.
Pyetja 1 milion dollarëshe, pse operacioni u zhvillua që me natë?
Shumëkush ngriti pyetjen se përse operacioni duhet të niste menatë, rreth orës 04:30 të mëngjesit dhe jo gjatë paradites. Avokati i Popullit ia ka ngritur këtë pyetje policisë, duke marrë shkas dhe nga fakti se në kërkesën e IMT nuk ishte vendosur orar. “Koha e fillimit dhe përfundimit të shërbimit gjatë mbështetjes nuk është përcaktuar nga policia, por është diktuar nga grafiku i punimeve dhe koha e ndërhyrjes që bëri IMT-ja dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera”, është përgjigja që ka dhënë policia.
Avokati i Popullit konstaton se orari i veprimeve të IMT-së për të shembur objekte ka qenë edhe më parë objekt shqyrtimi nga Institucioni i Avokatit të Popullit. “Qytetarë të banesave private që do të shembeshin janë ankuar se veprimet e IMT-së janë kryer në orët e para të mëngjesit, pa njoftim paraprak, kur ata kanë qenë në gjumë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre”, thotë AP për rastet e tjera. Për AP kjo është një tjetër shkelje e ligjit, pasi vendimet e marra nga administrata shtetërore ekzekutohen ndërmjet orës 07:00 – 19:00 dhe ekzekutimi ndërmjet orës 19:00 – 07:00 mund të kryhet vetëm në rast urgjence nëse, si pasojë e mosekzekutimit, cenohet interesi publik, bazuar në një urdhër me shkrim të arsyetuar të organit kompetent për ekzekutimin. Megjithatë, Avokati i Popullit nuk ka gjetur dhe nuk i është vënë në dispozicion asnjë urdhër të tillë.
“Një nga personat e shoqëruar në komisariat në orët e para të mëngjesit të datës 17.05.2020, gjatë kohës që ndodhej në makinën e policisë, ka regjistruar në fshehtësi fjalët e punonjësve që e kanë prangosur dhe shoqëruar. Nga biseda e regjistruar kuptohet lodhja nervore e punonjësve, të cilët fajësojnë personat e ndodhur tek godina e TK se i kanë lënë pa gjumë dhe përdorin ndaj tyre fjalë fyese. Citojmë: “Na lanë pa gjumë këta …… lidhe qenin”, argumenton AP, duke ligjëruar përcaktimet e vendosura nga autoritetet.
Forcat speciale, në shembjen e Teatrit Kombëtar
Një tjetër shkelje e konstatuar nga Avokati i Popullit është ajo e përfshirjes së Forcës Lëvizëse Operacionale (FLO) gjatë ndërhyrjes për shembjen e godinës së TK. FLO është një strukturë policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike nga elementë të rrezikshëm kriminalë, ku brenda kësaj strukture është edhe reparti special RENEA.
“Po t’i referohemi ligjit dhe informacionit të Policisë së Shtetit, kjo e fundit ka vlerësuar se kishte pritshmëri që situata të mos kontrollohej vetëm nga strukturat e tjera policore dhe punonjësve mund t’u kërcënohej jeta. Për këtë arsye është kërkuar mbështetja e FLO. Vlerësojmë se ndërhyrja e FLO në rastet e parashikuara në shkronjën “ç” dhe “d” të nenit 135 të Ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, për rivendosjen e rendit publik dhe ruajtjen e personave që u kërcënohet jeta për shkak të detyrës, duhet të bëhet vetëm në raste kur me të vërtetë ka informacion për një rrezik të shtuar, të diktuar nga pjesëmarrja e elementëve me rrezikshmëri të lartë dhe përdorimi i armëve. Në të kundërt mund të kërkohet mbështetja e FLO në çdo grumbullim, protestë apo qëndresë të qytetarëve, sepse pothuajse çdo herë bëhen deklarata kërcënuese, ngrihen tonet dhe ka kundërshtim pasiv ose aktiv të punonjësve të policisë. Për t’u evidentuar është fakti që Policia e Shtetit nuk ka referuar për gjetjen e armëve te TK, dhe në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 6 punonjës policie me lëndime të lehta, të cilat janë shkaktuar gjatë protestës që ka pasuar shembjen e godinës së TK. Protesta ka qenë e përmasave shumë më të vogla se ato të mbajtura nga subjekte politike dhe kur nuk është parë ndërhyrja e FLO”, shkruhet në raport.
Avokati i Popullit deklaron se nuk mund të nxjerrë një përfundim objektiv nëse ishte e domosdoshme dhe e diktuar nga një rrezik i shtuar ndërhyrja e forcave të armatosura brenda TK. “Kjo për arsye se dokumentacioni dhe filmimet e kërkuara nuk na janë vënë në dispozicion nga DPPSH, me justifikimin se janë të klasifikuara ‘Sekret’ dhe duhet të zbatohen procedurat e përcaktuara në ligj për njohjen e tyre”, shprehet AP. Por edhe argumenti i sekretit rrëzohet nga AP, pasi ky është një institucion kushtetues, i cili ka të drejtë të administrojë sekrete shtetërore.
“Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të klasifikuara si sekret shtetëror. Në këto raste, ai është i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e sekretit shtetëror. Disa nga punonjësit e institucionit tonë që po shqyrtojnë këtë çështje janë të pajisur me Certifikatën e sigurimit të personelit”, argumentohet në raport. Megjithatë, për këtë çështje, Avokati i Popullit i është drejtuar Prokurorisë.
“Mbetemi në pritje të përfundimit të hetimit nga organi i prokurorisë për të kuptuar nëse ndërhyrja e FLO ka qenë e përligjur ose jo. Mosvënia në dispozicion e pamjeve tregon se policia nuk është transparente dhe as pranon të ketë rishikim objektiv të situatës dhe veprimeve të kryera”, deklaron Avokati i Popullit.
Policët, pa numër personal në uniformë
Ajo që u vu re qartë në media, ditën e kryerjes së ndërhyrjes te TK ishte mungesa e numrit të identifikimit në uniformën e një pjese të punonjësve të policisë. Vëmendja tek elementët e uniformës u tërhoq edhe nga disa qytetarë, të cilët u ankuan se punonjës të policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe verbale dhe se ata e kishin të pamundur identifikimin e tyre. Avokati i Popullit i ka kërkuar shpjegime policisë për mungesën e numrit personal në uniformë. “Ka pasur disa punonjës policie që nuk kanë qenë të pajisur me numrin personal të identifikimit për shkak sepse ky element i uniformës nuk është prodhuar për arsye objektive”, thuhet në përgjigjen e policisë për AP, i cili argumenton se sipas ligjit të Policisë së Shtetit “Uniforma dhe shenjat dalluese janë pjesë e pandashme e figurës së punonjësit të Policisë së Shtetit dhe legjislacioni në fuqi parashikon një sërë rregullash për paraqitjen dhe mbajtjen e tyre. Një nga elementët që duhet të mbajë uniforma e punonjësit të policisë është numri i identifikimit”. Ndërsa Ministri i brendshëm, ka deklaruar më herët se : “Duan të identifikojnë policët. Policët në 17 maj, nuk ishin individualisht, nëse doni përgjegjësi penale apo ligjore, kërkojeni tek unë, kërkojeni tek drejtori i përgjithshëm i policisë dhe tek i Tiranës. Pse? Për t’i linçuar dhe intimiduar që nesër të mos jenë më në radhët e saj?”.
Ankesat për ushtrim dhune fizike dhe verbale
Por mungesa e numrave personalë ka lënë pa përgjegjës dhunuesit e artistëve dhe aktivistëve gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar. Kjo është evidentuar dhe nga Avokati i Popullit, i cili vë në dukje se ka pasur ankesa për ushtrim dhune fizike dhe verbale.
“Dhuna pretendohet se ka ndodhur në çastet e para të ndërhyrjes së punonjësve të policisë për të larguar qytetarët nga TK, në makinë gjatë shoqërimit për në ambientet e policisë të disa prej tyre, dhe gjatë protestës që ka pasuar shembjen e godinës së TK. Nga praktika e deritanishme, vlerësojmë se pretendimet për ushtrim dhune, veçanërisht të dhunës verbale, nuk janë të lehta për t’u provuar. Fjalët kërcënuese nuk regjistrohen, goditjet mund të mos lenë gjurmë, edhe nëse vihen re shenja në trupin e ankuesit duhet të kuptohet si dhe kur janë shkaktuar ato, a kemi të bëjmë me forcë të ligjëruar të ushtruar nga punonjësi i policisë e diktuar nga qëndrimi i ankuesit apo ka pasur tejkalim të forcës nga pakujdesia apo me dashje”, shprehet AP, duke përmendur dhe disa nga ankesat e bëra pranë këtij institucioni dhe që janë dërguar në prokurori, pasi mendohet se është përdorur forcë e paarsyeshme, mes të cilëve edhe gazetari Alfred Lela. Megjithatë, sipas AP, Policia e Shtetit ka raportuar se gjatë ekzekutimit të vendimit për prishjen e godinës, qytetarë të ndryshëm janë grumbulluar në kundërshtim me kërkesat e Aktit normativ, i cili ndalon në situatë pandemie grumbullime dhe protesta, ata kanë kundërshtuar veprimet e punonjësve të IMT, kanë protestuar duke shtyrë me forcë kordonin e policisë, goditur me sende të forta, gurë dhe kapsolla punonjësit e policisë si dhe kanë bllokuar rrugët pranë vendit të ekzekutimit te vendimit. “Sigurisht që nuk është e lehtë të kërkosh që qytetarët të zbatojnë detyrimin e mosmbledhjes në grupime masive kur vetë ky rregull nuk konsiderohet nga disa organe shtetërore e gjegjësisht IMT, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit”, argumenton AP.
Abuzimi me “teknikën e kufizimit fizik”
Teknika e kufizimit fizik është mënyra e neutralizimit të një personi nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. AP ka marrë në analizë dhe një rast, ku punonjësit e policisë, kanë tejkaluar veprimet e ligjëruara për prangosjen e një të riu, kur një grup të rinjsh u ul këmbëkryq në shenjë proteste në rrugë, pasditen e ditës së shembjes së godinës së teatrit. “Një nga të rinjtë që nuk ka pranuar të largohet ka bërë rezistencë pasive, duke qëndruar ulur dhe shtrirë në rrugë. Punonjësit e policisë e kanë kufizuar fizikisht me pranga me duar nga mbrapa shpine, ndërkohë që i riu qëndronte përdhe” sjell në vëmendje AP. Sipas argumentimit të AP, kur kërkohet të vihet nën kontroll sjellja e një individi, intensiteti i forcës së ushtruar ndaj tij nuk duhet të jetë më shumë nga sa është e nevojshme dhe të minimizohen dëmet që mund t’i shkaktohen. “Teknika e përdorur nga punonjësi i policisë në rastin e lartpërmendur jep mundësinë e neutralizimit të shpejtë të individit duke siguruar më mirë mbrojtjen nga një sulm i mundshëm i tij, por rreziku i dëmtimeve të individit është më i madh. Presioni i ushtruar në pjesë të trupit, si koka, qafa, diafragma etj., mund të shkaktojë dëme të përhershme ose mund të rezultojë fatale. Për këtë arsye kjo teknikë duhet të shmanget në raste si ai në fjalë ku nuk kishte një rrezik real dhe të çastit për punonjësit e policisë që po prangosnin të riun, rezistenca ishte pasive dhe protestuesit të pakët në numër rreth e përqark ishin të shpërndarë”, argumentohet në raport. Po ashtu, Avokati i Popullit vëren mangësi dhe në dokumentacionin e plotësuar për personat e shoqëruar, ku disa prej tyre kanë pretenduar se gjatë shoqërimit kanë pësuar dhunë fizike dhe psikologjike. Por, Komisariatet e Policisë nuk kanë dhënë përgjigje si është proceduar për të verifikuar këto pretendime.
Duke u bazuar në këto fakte të zbuluara gjatë hetimit administrativ 6-mujor, Avokati i Popullit ka nxjerrë 10 rekomandime, mes të cilave, fillimin e ecurisë disiplinore për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e policisë për shkeljet e konstatuara gjatë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, por dhe përshpejtimin e hetimit nga ana e prokurorisë për kallëzimet e bëra pranë këtij organi për “shpërdorim detyre”.
Ankesa që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestave kanë qenë objekt shqyrtimi edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo Gjykatë ka çmuar se ka pasur shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut kur ka vënë re se lëndimet e ankuesit nuk justifikoheshin me rrethanat dhe tejkalimi i forcës për personin konkret kishte ndodhur vetëm për faktin se duhej të shpërndahej protesta. Gjithashtu Gjykata ka tërhequr vëmendjen ndaj autoriteteve shtetërore se nuk kishte pasur përpjekje serioze për të përcaktuar rrethanat e përdorimit të forcës dhe shkakun e lëndimeve të ankuesit, punonjësit e përfshirë në ngjarje nuk ishin hetuar dhe as personi që kishte dhënë urdhra nuk kishte qenë subjekt i një hetimi.