Ndodhi

Gjergj Fishta bëhet me shtëpi muze, rikonstruksioni kushtoi 5.5 milionë lekë

19 nëntor  2020/ Porta Vendore/ Lezhë

Më 23 tetor në 149 vjetorin e lindjes së poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, shtëpia e tij e cila prej vitesh ishte lënë në mëshirë të fatit, është rikontruktuar, duke çelur kështu dyert e saj si një shtëpi muze. Nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë së Covid 19, shtëpia muze e poetit u vizitua nga zyrtarët më të lartë shtetërore, ndërsa banorë e historianë, të cilët nuk u lejuan të afroheshin pa ftesë, ndanë me Portën Vendore mendimet e tyre përsa i përket rëndësisë së këtij rikonstruksioni dhe se si do të përkthehet kjo në shifra turistësh për vetë zonën.

Për gjithë zonën, e rëndësishme është se pas viteve të tëra, përpjekjet nga banorët e zonës, historianët dhe bizneset e njohura që operojnë në këtë zonë, më në fund u bë realitet. Poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta ka shtëpinë e tij muze, pikërisht në Fishtë të Lezhës. Objekti i cili ishte degraduar përgjatë viteve e viteve pa mundur të vihet dorë nga institucionet vendore e qendrore, u kthye në identitet.

“Është një investim shumë i madh për zonën, për trashëgiminë kulturore, për turizmin historik. Duke pasur parasysh edhe bujarinë e kësaj zone, kulinarinë, etj. Kolegji i Troshanit dhe shtëpia e Fishtës plotësojnë atë itinerar që turistët mund të shohin në Lezhë. Ne do të përpiqemi që të bëjmë diçka me qeverinë shqiptare edhe për vendin ku ka lindur Fishta”, tha kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu.

Në ceremoni nuk u lejuan të ishin banorët e zonës ose persona të tjera, pasi protokolli ishte shumë i limituar e kjo krijoi ndër të tjera edhe hatërmbetje të banorëve.

Megjithatë Porta Vendore pyeti një nga banorët dhe historianët e zonës, shtëpia e të cilit është disa metra larg shtëpisë muze të Gjergj Fishtës. Arsimtari Lin Shtjefni tha se do të kishte dashur të ishte pjesë e kësaj ceremonie, por megjithatë për të e shumë të tjerë rëndësi në fund të fundit ka rezultati final, pasi Fishta e meritonte një muze të tillë për të jetësuar gjithë veprën e madhe të tij.

Mendoj se tanimë, ky është investimi shumë domethënës për ne si zonë. Ne e kemi kërkuar ngaherë, ku edhe ju gazetarët keni kontributin tuaj të pashoq, pasi çështja e emergjencës për këtë rikonstruksion të nevojshëm të shtëpisë së poetit kishte vite e vite që ishte në vëmendjen tonë”, thotë historiani, ndërsa thekson se shtëpia e Fishtës ka qenë e harruar si gjatë komunizmit ashtu edhe gjatë 30 viteve të demokracisë. “Aty Fishta ka punuar për ‘Lahutën e Malësisë’, ndaj ajo shtëpi mbart shumë vlera. Megjithatë kam vënë re gjatë punimeve që jo gjithçka i është ruajtur, si autenticiteti i saj, me përjashtim të shkallëve e tavaneve që janë e kanë qenë prej druri, ka pasur edhe modifikime”, shpjegon më tej Lin Shtjefni.

Foto e shkrepur në ditën e përurimit të shtëpisë muze të poetit Gjergj Fishta.

Ai gjithashtu shtoi për Portën Vendore se me shtëpinë e Fishtës banorët e zonës e sidomos bizneset që operojnë aty, të cilët kanë shtruar edhe rrugën me paratë e tyre, do të mirëpresin një numër më të madh vizitorësh.

Kurse, Paulin Zefi, historian dhe iniciator i rikonstruksionit të shtëpisë së Fishtës tha për Portën Vendore se është dashur një periudhë e gjatë kohore dhe insistimi nëpër dyert e institucioneve shtetërore dhe donatorëve që kjo ëndërr të bëhej realitet. “Unë mendoj që tashmë Fishta ka një shtëpi muze ashtu sikurse e ka merituar gjithnjë. Pak vonë si investim, por kthimi në identitet i kësaj banese ishte me shumë rëndësi për vetë atë që Fishta përfaqëson në letërsinë shqiptare, për banorët e zonës, por edhe për Lezhën”, tha ai.

Ky investim i nisur prej disa muajsh në Fishtë të Lezhës kushtoi 5.5 milionë lekë, dhe është një investim i Ministrisë së Kulturës, duke e kthyer e shndërruar në atraksion turistik që nxit potencialin e të gjithë zonës. Fsahti Fishtë është gjithashtu pjesë e programit “100 fshatrat turistikë”.