Ngjarje/Personazhe

“Ti ruajmë sa nuk është vonë”: Banorët e Beratit kërkojnë më shumë vëmendje për rrugicat e kalldrëmta, vlerën e trashëguar prej shekujsh

18 nëntor 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat

Një prej vlerave të trashëguara ndër breza,  në qytetin muze të Beratit,  janë dhe rrugicat e kalldrëmta. Ky qytet ka mijëra metra katrorë rrugë të kalldrëmta, të shtrira në lagjet muzeale të tij, por jo vetëm. Sfida për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre vë përpara përgjegjësisë Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit, ndërkohë që qytetarët apelojnë për të ndërhyrë sa nuk është vonë, pasi nga viti në vit ky qytet po humbet këto rrugë, që konsiderohen si hijeshia e tij, dhe çdo humbje është e pakthyeshme.

Punimet për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit të ri, në qytetin e Beratit, të cilat aktualisht janë duke u kryer në lagjet “Çlirim 1” dhe ‘Çlirim 2” në rajonin me numër 1, në hyrje të qytetit,  janë mirëpritur nga banorët, pasi më në fund do të kenë mundësi që të kenë më shumë ujë të pijshëm në banesat e tyre. Por, punimet do të prekin shumë shpejt dhe lagjet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Goricë’, ku ka shumë rrugë të kalldrëmta, ndaj banorët kërkojnë që punimet e tyre të bëhen mirë, siç është dhe tradita e qytetit.

Rrugët e kalldrëmta në Berat nuk shtrihen vetëm në lagjet muzeale të qytetit, por në shumë lagje të tjera. Për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme, mënyrës së ndërtimit dhe fanatizmit me të cilin ato janë ruajtur, rrugët e kalldrëmta konsiderohen si një nga vlerat e qytetit.

Në zemër të lagjeve, ato dredhojnë bukur falë gurit të bardhë dhe të lëmuar, punuar me mjaft mjeshtëri. Rrugët e kalldrëmta, tërheqin vëmendjen e vizitorëve në këtë qytet, duke u bërë kështu një tjetër element i rëndësishëm i tij.

Sipas Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, rrugë, trotuareve dhe ndriçimit në inventarin e saj  janë 80,649 metra katrorë rrugë të kalldrëmta. Mirëmbajtja e tyre është pjesë e së përditshmes së punonjësve të saj, të cilët veç punës së shërbimeve të ndryshme publike, kanë detyrë të kujdesen dhe për rrugët e kalldrëmta.

Kjo ndërmarrje që është në varësinë e Bashkisë së Beratit, ka 42 punonjës dhe tetë prej tyre punojnë me gurin. Për shkak të eksperiencës së gjatë me punimin e gurit, ata ia kanë dalë që të quhen mjeshtra, ndërkohë që si ndihmesë u vijnë dhe punonjës të tjerë të ndërmarrjes.

Rrugë të kalldrëmta në qendër të qytetit të Beratit. Foto: E.Azizolli

Fakti që ky qytet ka sipërfaqe të konsiderueshme rrugë me kalldrëm dhe vlera që ato kanë për qytetin e bën të rëndësishëm procesin e mirëmbajtjes, ndërkohë që shqetësues është fakti se në rastet e investimeve të reja publike, punimet e gurit lënë shumë për të dëshiruar.

Kozma Nova, një pensionist në lagjen simbolike “Kala”,  i kujton rrugët e kalldrëmta me fanatizëm dhe ajo që kërkon është që çdo punë e re të bëhet mirë.

Investimi për rrugën e kalldrëmta që çon drejt kalasë së qytetit, ishte investimi më i madh që kjo pjesë e qytetit ka përfituar gjatë viteve të fundit.

Krahas punimeve për sistemimin e ujërave të larta, ndriçimit, rrugës u ndërtua dhe kalldrëmi i ri, punime të cilat përfunduan në vitin 2018, por shkaktuan jo pak debat në qytet, në lidhje me cilësinë e tyre.

Pa kaluar as dy vite nga përfundimi i punimeve, banorët shohin se në shumë pjesë të kalldrëmit ka spostime dhe lëvizje gurësh, që zemëron së pari banorët më të vjetër të kalasë.

Ne thamë më në fund një investim i ri në rrugën e kalldrëmta, që nuk ishte parë prej vitesh. Por nuk u bë mirë sepse shumë pjesë kalldrëmi kanë lëvizur nga vendi në kaq pak kohë, ndaj duhet kujdes i madh në këto punime”, thotë një banor i lagjes për Porta Vendore.

Punimet që u realizua drejt rrugës së kalasë në pjesën e shtrimit të kalldrëmit, por dhe të tjera, kanë lënë jashtë mjeshtrit e gurit, të cilët nuk e kanë parë veten të përfshirë në asnjë punë që është realizuar dhe që ka lidhje me gurin, gjatë viteve të fundit. Vetë mjeshtrit i konsiderojnë punimet e reja të gurit si mungesë profesionalizmi.

Origjinaliteti në rrugët e kalldrëmta është sfida e këtyre punimeve të reja që kryen, se me riparimet është më e lehtë”, thotë Isa Avdyli, një mjeshtër guri nga lagja “Kala”.

Isai, pasionin për gurin, si shumë banorë të tjerë të lagjes “Kala” e ka kthyer në profesion, por ndjen keqardhje që nuk ka qenë pjesë e punimeve të gurit në qytetin e tij.

Berati ka shumë mjeshtra guri, të cilët punojnë jashtë vendit, por dhe në qytete të tjerë, sepse firmat private paguajnë shumë pak këtu, krahasuar me atë që meriton një mjeshtër guri, ndaj as unë as kolegët e mi nuk jemi përfshirë në punimet e gurit që janë bërë në qytet”, thotë ai.

Avdyli, sekretin e punës me gur e lidh me mënyrën e punës si shtrohet guri, por dhe cilësinë, gjë e cila sipas tij e bën një punë rezistente, por dhe brenda ruajtjes së traditës.

Cilësia e gurit është shumë e rëndësishme, lloji i tij, po ashtu dhe mënyra e shtrimit. Nëse zgjidhet guri i duhur, punohet mirë, do të kemi rrugë të kalldrëmta më të mira, jo rrugë që ende pa mbushur viti, lëvizin gurët”, thotë Avdyli.

Guri i bardhë në rrugicat e lagjes “Mangalem” dhe “Goricë”  spikat për një përkujdesje gati artistike në vendosje, duke i dhënë lagjeve një hijeshi që bashkuar me vlerat e tjera, i bën mjaft tërheqëse.

Pjesë nga kalldrëmi i ri i ndërtuar në lagjen Kala. Foto: E.Azizolli

Banorët autoktonë i kanë ruajtur me mjaft fanatizëm rrugët e kalldrëmta me gjithë ndryshimet e viteve të fundit.  Në lagjet simbolike, kujdesi është më i veçantë, jo vetëm për faktin se ndërhyrjet janë rreptësisht të ndaluara, por dhe për shkak të fanatizmit të vetë banorëve.

Kujdesi që ne tregojmë për rrugën jashtë shtëpisë është i njëjtë me kujdesin që tregojmë dhe për oborrin brenda shtëpisë, sepse nuk i ndajmë nga njëra-tjetra, ndaj ato janë ruajtur ndër breza”, thotë me krenari Kozma Nova.

Por mjafton që në një ditë të zakonshme të jesh për disa orë vizitor i qytetit në lagjet e tij, për të parë dhe kuptuar se shumë rrugë me kalldrëm ose janë  mbuluar pjesërisht nga betoni, ose ndodhen mes ujit, baltës dhe pluhurit.

Shumë rrugë të kalldrëmta në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, po humbin origjinalitetin.  Në to kanë ngelur pak gjurmë kalldrëmi. Nevoja për më shumë hapësira ka bërë që betoni të zëvendësojë pjesë të tyre, ndërkohë që në shumë raste dhe riparimet e bëra lënë shumë për të dëshiruar.

Rrugicat e kalldrëmta në lagjen Mangalem. Foto: E.Azizolli

E njëjta situatë paraqitet dhe shumë pranë qendrës së qytetit. Në sheshin përpara godinës së Poliklinikës së Specialiteteve, rrugët e kalldrëmta kanë humbur krejtësisht.

Në lagjen “10 Korriku”, pas godinës të Gjykatës së Shkallës së Parë, banorët më të vjetër i kujtojnë me mjaft nostalgji rrugët e kalldrëmta, ndërsa pak dëshmi kanë ngelur sot nga origjinaliteti i tyre.

Po kështu nga vëzhgimi që Porta Vendore  bëri rezulton se dhe disa rrugë me kalldrëm, në lagjen simbolike “Mangalem” janë dëmtuar dhe po humbasin vlerat e tyre.

Moskujdesja, punimet publike të realizuara në rrugë gjatë viteve të fundit, ndërhyrjet nga vetë qytetarët e papërgjegjshëm, kanë prekur rrugët me kalldrëm në shumë pjesë të qytetit.

Mirëmbajtja e tyre është një tjetër sfidë që më shumë se investime kërkon vullnet për t’i bërë punët mirë dhe me përgjegjshmëri.

Artur Çepani e drejtoi “Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit’, nga maji i vitit 2006 deri në korrik të vitit 2011 dhe  mbahet mend nga banorët për punën e mirë që ka kryer me mirëmbajtjen e rrugëve të kalldrëmta.

Për ish drejtorin, puna e mirëmbajtjes së rrugëve të kalldrëmta kërkon organizim, mjeshtëri, por dhe  shumë vullnet, pasi materialet e gurit dhe rërës janë të siguruara lehtësisht në këtë qytet.

Krahas shërbimeve të tjera ndërmarrja kreu dhe një punë të lavdërueshme me kalldrëmet, pasi unë isha i prirë drejt tyre falë dashurisë që më lidh me rrugicat e kalldrëmta.  Janë realizuar çdo vit rreth 4300 metra katror  mirëmbajtje kalldrëmi gjatë këtyre viteve dhe kulmi është arritur në vitin 2010”, kujton Çepani për Porta Vendore.

Me gurin dhe rërën e siguruar nga lumi dhe mjeshtërinë e punonjësve, që kanë punuar pa u lodhur,  gjatë këtyre viteve kjo ndërmarrje shkeli në shumë rrugica të qytetit, duke u mirëpritur nga banorët.

Ishte kënaqësi të shikoje se dhe vetë banorët ndihmonin gjatë punimeve, pasi ata janë të lidhur me rrugicat e tyre”, thotë Çepani.

Më pas, nga viti në vit më pak mirëmbajtje rrugësh janë kryer dhe kjo i ka shqetësuar dhe vetë banorët.

Po nuk po i shohim më ata mjeshtër të gurit nëpër lagje, si më parë”, thotë pa fshehur keqardhjen Civeja.

E ndërsa më pak punëtorë shihen në terren, si rezultat më shumë rrugë të kalldrëmta zhyten mes ujit dhe baltës në dimër dhe pluhurit në verë.

Burime zyrtare nga “Ndërmarrja e shërbimeve publike, rrugë, trotuare dhe ndriçimit”, bëjnë me dije zyrtarisht për Porta Vendore se gjatë këtij viti janë mirëmbajtur 680 metra katror rrugë të kalldrëmta dhe si objektiv për vitin e ardhshëm është ndërtimi i 3000 metra kalldrëm të reja.

Situata në terren dhe pesimizmi i banorëve tregojnë se objektivat e vendosura për ndërtim kalldrëmesh të reja, janë shumë larg realitetit, që kërkon përgjegjshmëri dhe ndërhyrje emergjente për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese sa nuk është vonë.