17 nëntor 2020/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Tiranë
Rehabilitimi njëkohësisht i disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, ka shkaktuar devijim të lëvizjes, ngushtim të akseve nga mjetet e rënda apo nga kantieret të cilat gjenden në rrugë. Kjo situatë prej disa kohësh ka shkaktuar trafik të rënduar të qarkullimit të automjeteve në Tiranë.
Kthimi i ‘Rrugës së Durrësit’ me një sens kalimi por edhe bllokimi i qarkullimit në aksin e Bulevardit ‘Zogu i Parë’ për shkak të rehabilitimit të rrugës, ka bërë që trafiku të grumbullohet te rruga ‘Mine Peza’.

Punimet që po bëhen për ndërtimin rrugëve të reja në kuadër të projektit të Unazës së Madhe, pranë urës së lumit të Lanës afër ish-sheshit ‘Shqiponja’, shpesh ka shkaktuar trafik të rënduar, kryesisht gjatë mëngjesit dhe pasdites.

Nga vëzhgimi qe kemi bërë, zonat me qarkullim më të rënduar automjetesh kryesisht në orën 8:00 dhe në orën 17:00-19:00, janë: Rruga ‘Mine Peza’, Rruga ‘Asim Vokshi’, segmenti nga ish-sheshi Shqiponja te Pallati me Shigjeta.


Por ata të cilët përballen disa herë në ditë me trafikun janë shoferët e autoambulancave dhe taksistët.
Nga vëzhgimi që kemi bërë autoambulancat shpesh herë kanë ngelur në trafik për disa minuta për shkak të bllokimit të rrugës nga trafiku i automjeteve.

Porta Vendore kontaktoi me një shofer autoambulance, i cili punon në këtë profesion prej 20 vitesh në QSUT.
Ilir Hysa tregon se ka ngelur shpesh në trafik teksa në autoambulancë kishte pacientin për ta dërguar në spital, dhe është detyruar të hyp mbi trotuare për të kaluar rrugën.
“Puna jonë është shumë me stres, pasi duhet të bëjmë shumë veprime njëherësh, të cilat kërkojnë përgjegjësi, maturi, qetësi. Nga vetë fjala urgjencë, duhet ta dërgoj pacientin në spital sa më shpejt. Por ecja me shpejtësi është e rrezikshme pasi mund të pësojmë aksidente, dhe marr në qaf veten time, personelin shëndetësor, pacientin, apo këmbësorin / drejtuesin e mjetit me të cilin mund të përplasem. Duhet të veprosh me instinkte në këtë punë të jesh i mirëtrajnuar. Shpesh kam ngelur në trafik ku në autoambulancë kam patur pacient, dhe jam detyruar të hip edhe në trotuare. Por përveç trafikut në Tiranë, punën na e vështirësojnë edhe vetë njerëzit. Në Shqipëri njerëzit janë shumë të pakulturuar, ka disa njerëz që nuk i hapin rrugën autoambulancës”.
Ilir Hysa ngriti edhe një tjetër problem, ai u shpreh se autoambulancat duhet të pajisen me më shumë sinjalistika, të cilat të mund të shikohen nga drejtuesit e mjeteve 100-200 metra larg.

Por edhe taksistët përballen shpesh me trafikun në Tiranë, të cilët transportojnë klientë në destinacionin që kërkojnë.

Taksisti Agim Kajmaku shprehet se nuk po i leverdis puna si taksist, pasi për shkak të trafikut harxhon shumë karburant duke u përkthyer në kosto financiare për atë.
“Kam ngelur shumë herë në trafik, është e pashmangshme sidomos në Astir, duke harxhuar shumë karburant. Çmimin për klientët nuk mund ta rris, pasi kam taksimetrin, por nuk më leverdis, kam shumë pak fitime, por dal të punoj për bukën e gojës”.
Bllokimi i qarkullimit të automjeteve të ish-sheshi ‘Shqiponja’ për shkak të punimeve për projektin Unaza e Madhe, duket se do të shoqërohet me trafikun e mjeteve për 4 muaj, të cilët shpesh përdorin rrugë dytësore duke krijuar radha të gjata.

Porta Vendore me datë 18 tetor 2020 i dërgoi një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit në lidhje me çfarë masash po merren me menaxhimin e trafikut në Tiranë, por deri në momentin që është publikuar shkrimi nuk ka sjellë përgjigjet për informacionet e kërkuara.
Porta Vendore i dërgoi edhe një kërkesë për informim Bashkisë Tiranë më datë 19 tetor 2020, se çfarë masash po merren për menaxhimin e trafikut dhe kur do stabilizohet situata. Në e-mail, Bashkia Tiranë ktheu përgjigje që kërkesa është përcjellë për trajtim Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike, por ende nuk kemi marrë një përgjigje në lidhje me pyetjet tona nga kjo drejtori.
Pavarësisht se në rrugë shohim policë të qarkullimit rrugor që përpiqen të menaxhojnë trafikun, shpesh drejtuesit e mjeteve bllokohen në trafik për minuta e orë.