16 nëntor 2020/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Poliçan
Familja Kelmendi, në fshatin Mbrakull të Poliçanit, prej shtatorit të vitit 2019, jeton në një çadër të vogël, vet i katërt. Deri më tani askush nuk ka mundur t’i ndihmojë, ndërsa ata apelojnë për ndihmë.
Një vit më parë, banesa e tyre u dëmtua nga termeti 21 shtatorit 2019, ndërsa çatia u shemb gjatë momentit kur po dilnin jashtë. “Kemi shpëtuar mrekullisht”, shprehet Rahmani teksa tregon shtëpinë e ndarë në mes. Familja Kelmendi jeton në fshatin Mbrakull, qendër administrative e Bashkisë Poliçan. Ata jetojnë tanimë prej kohësh, në një çadër të vogël, e ngritur në oborrin e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti. Tërmeti i 21 shtatorit i vitit 2019 i shkatërroi banesën ku strehohej burrë e grua dhe dy vajzat. Tmerrin që përjetuan atë mbrëmje njëra nga vajzat e ka kaluar shumë rëndë dhe sot është me kura mjekësore, pasi ende vijon të jetë në depresion.
Rahmani tregon sesi i ka përjetuar ato momente tmerri teksa flinin dhe toka nisi lëkundjen, kërcisnin trarët e shtëpisë dhe muret filluan të çaheshin. “Ishim në gjumë kur ndjemë lëkundjet, u ngritëm menjëherë, ngrita vajzat, të tmerruar dolëm jashtë , më pas shikonim sesi muret po na çaheshin dhe tjegullat e çatisë filluan të binin, më pas dhoma ku flinin vajzat u shemb, çatia gjithashtu. U tmerruam, duke thërritur e gdhimë jashtë atë natë shtatori. Të nesërmen, lajmëruam në Bashkinë Poliçan, erdhi një grup i cili ishte në cilësinë e komisionit për verifikim, erdhi dhe pa gjendjen, ku dolën me konkluzionin se në këtë banesë nuk mund të jetohej më, pasi përbënte rrezikshmëri”, rrëfen kryefamiljari teksa vazhdon se: “Muret ishin të hapura dhe gjysma çatisë në ajër. Më ndihmuan me disa ushqime dhe një çadër. Por çadra është tepër e vogël, as për dy persona”, vijon të rrëfej ai hallet e shumta që i kanë rënë mbi krye.

Rahmani tregon vuajtjet sesi ka ndenjur në këtë çadër, vet i katërt me vajzën e cila pësoi depresion nga përjetimi i natës së tërmetit. Rahmani shprehet se e vetmja ndihmë ishin disa ushqime dhe kjo çadër, gjatë atyre ditëve dhe kaq .”Më pas na premtuan që do të na ndihmonin për ta ndërtuar sërish shtëpizën tonë. Por kaluan një muaj dy, pesë, gjashtë muaj, kaloi dimri dhe pandemia, e ne prapë këtu” shprehet dëshpërimisht ai për Portën Vendore. Rahmani tanimë jeton në çadër, pa ushqime, pa të ardhura dhe me shpresat që po i shuhen nga dita në ditë. “Një vit kemi kaluar këtu, dimrin e ftohtë, pandeminë dhe verën e nxehtë, vapën përvëluese ku gjarpërinjtë na futeshin në rroba kur flinim, një tmerr i vërtet”, tregon me lot në sy bashkëshortja e Rahmanit, teksa lutet dhe shprehet: “Një dhomë duam, nuk e përballojmë dot më në këtë çadër. Fjetja në këtë çadër më sëmuri familjen”, shprehet ajo, teksa tregon se vetë ka marrë të ftohtin në mushkëri.
“Pa punë, pa ndihmë, nuk kam ku të mbytëm”, flet me zë të dridhur. E ardhura e vetme e kësaj familjeje janë krahët e punës së Rahmanit, i cili punon tokat e fermerëve ku të mundet, për të nxjerrë bukën e gojës dhe ilaçet për të sëmurët e familjes. Ndërkohë gjatë periudhës së pandemisë, jetesa në çadër e vështirësoi dhe më shumë mbijetesën e tyre. Rahmani ka kaluar muaj në varfëri ekstreme, herë ngrënë, e herë të tjera i pa ngrënë, me familjarë të sëmurë, pa asnjë të ardhur e ndihmë nga shteti. “Na sollën dy herë pako me ushqime, detergjent dhe kaq” vijon për Portën Vendore, Rahmani teksa kërkon ndihmë që dikush të mund të kthejë sytë nga familja e tij, e cila po vuan në çdo aspekt jetësor.

“Kërkoj ndihmë pasi nuk mundem ta kaloj në këtë gjendje edhe këtë dimër. Dua të më ndihmojnë një dhomë e një banjo, kaq dua të fus kokën. Është e pamundur të jetohet në këtë çadër”, thotë ai gati i përlotur. Rahmani tregon se si çdo javë shkon në Poliçan dhe atje e presin dhe përcjellin me fjalë të mira dhe plot shpresë, por kaloi një vit dhe familja Kelmendi jeton ende në çadër dhe mes një varfërie ekstreme. Apeli i tij është thirrja për ndihmë. “E në rast se nuk do të më afrojnë zgjidhje do futem në çadër me familjen e do vetëflijohem, pasi kështu nuk mundem ta shtyj më”, përfundon i përlotur një baba i lodhur nga gjithë kjo situatë e vështirë.
Nënkryetari i Bashkisë Poliçan Olger Dyrmishi i pyetur nga Porta Vendore lidhur me rastin shprehet se: “Pas goditjes nga tërmeti, kemi marrë njoftimin nga kryeplaku i fshatit Mbrakull, se banesa ku jetonte Z.Rrahman Kelmendi ishte dëmtuar (banesa nuk ishte në pronësi të Z.Kelmendi). Menjëherë komisioni i ngritur me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Poliçan bëri verifikimet në vend, nga e cila rezultoi se banesa përpos faktit që ishte tejet e amortizuar, kishte pësuar dëme për të cilën u mbajt proces-verbali i konstatimit. Afër banesës së Z. Kelmendi jetonte dhe Z.Festim Leka në një banese të vjetër e cila kishte pësuar dëmtime të lehta (plasaritje). Pas kësaj situate u bë kërkesa urgjente për çadër pranë DPEC. Familja pas dy ditësh është strehuar në çadër, edhe pse Z. Kelmendi nuk ka qenë me leje banimi në fshatit Mbrakull”, thotë përfaqësuesi i bashkisë, duke shtuar se familja Kelmendi është ndihmuar nga ana e bashkisë me paketa ushqimore dhe ndihma në veshmbathje dhe në kohën e tërmetit dhe në kohën e Covid 19.

“Gjithashtu pasi Z.Kelmendi u bë banor i qytetit të Poliçanit menjëherë rasti u fut në programin e rikonstruksionit të banesave të komunitetit Egjiptian, për të cilat bashkia i ka bërë kërkesë Ministrisë së Financave për çelje fondi”, përfundon zyrtari i Bashkisë Poliçan lidhur me rastin e raportuar nga Porta Vendore mbi shqetësimin e familjes Kelmendi.