14 nëntor 2020/ Sulejman Dida/ Porta Vendore/ Kukës
Kukësi është nga qytetet e paktë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë që rrethohet nga aq shumë ujë, përkatësisht nga tre lumenj si dhe nga liqeni i Fierzës që e bën qytetin si një gadishull, e megjithatë, është nga të paktët, ose ndoshta i vetmi që aktualisht furnizohet me vetëm 60 minuta ujë në 24 orë. Gjatë dekadave të fundit janë bërë dy investime të mëdha në ujësjellës, duke ndërtuar deri edhe sistem të ri të furnizimit, me një garanci më shumë se gjysmë shekullore dhe për trefishin e popullsisë që ka Kukësi aktualisht. Megjithatë në një terren abuziv asgjë nuk është e mjaftueshme. Porta Vendore sjell një vëzhgim të situatës së furnizimit, abuzimet, përpjekjet për të vënë rregull si dhe sjelljen e konsumatorit.
Ditët e fundit të kësaj vere
Gjatë gjithë verës, konsumatori në qytetin e Kukësit është furnizuar me vetëm 60 minuta ujë në 24 orë, dhe kjo është konsideruar si normale për faktin se gjatë kësaj kohe të shkurtër, familjarët mbushin bidonët si dhe depozitat që rëndojnë në tarracat e pallateve. Mirëpo për katet e sipërme të pallateve si dhe për lagjet e skajshme, uji i pijshëm është një luks, një mollë e ndaluar edhe për spitalin civil, në mënyrë të veçantë për repartin e infektivit, pasi asnjë pikë ujë nuk mbërrin në çezmat e spitalit. Këto ditë të pandemisë, spitali nuk ka shumë pacientë, por gjithsesi kujdesi për higjienën është rritur në skajshmëri. Drejtori i Ujësjellësit, Asllan Hoxha, tha se ka angazhuar autobotet për të mbushur depon e spitalit, ndërsa mbetet shumë problem edhe furnizimi i institucioneve të tjera. Sanitaret e spitalit mbushin ujë me kova në vende të afërta me spitalin, apo në katet përdhese të pallateve, në lagjen përbri në orare të kufizuara. “U mbytëm duke mbajtur ujë, i raftë pika kush e solli këtë situatë, u qelbëm” thotë Resmija, dhe shtoi se ka marrë një bidon ujë nga shtëpia, ku edhe atje nuk e kishte nga çezma e vet, sepse e ka shtëpinë në katin e katërt, por e kishte mbushur në katin e parë të pallatit natën në orën 04.30. “Në kohën e komunizmit kështu rrinim në radhë për qumështin”, thotë një infermiere me ironi.
Pasditeve vonë, kur është orari që lëshohet uji në sistem, dëgjohen gratë që bërtasin dhe mallkojnë nga katet e sipërme të pallateve. “Zoti u mallkoftë dhe u faroftë që na latë pa një pikë ujë, ku është kjo qeveri e dreqit”, bërtiste dje një grua në lagjen tre, ndërsa një grua tjetër kacafytet me disa gra të kateve të para, të cilat mbasi kanë mbushur ujë, ujitin bahçet, e për këtë shkak uji nuk ngjitet në katet e sipërme.
“A ju vjen uji në çezma?”, kjo është pyetja më e shpeshtë që bëjnë njerëzit kur takohen në rrugë, në pazar apo në kafe. “Kurrë mos ardhtë, sepse më shumë bëjmë sherr sesa kënaqemi”, shprehet një koleg gazetar, duke shpjeguar se në shtëpi bëhet hataja nëse shpërdoron një tas me ujë. Kaq shumë e ka vështirësuar jetesën e banorëve mungesa e ujit të pijshëm, sa kohët e fundit ka rënë edhe çmimi i banesave. Në qytet, ose edhe midis banorëve nuk mungojnë ndërkohë edhe ironitë që kanë për subjekt ujin e pijshëm. “Banorët e Kukësit kërkojnë si shumë, e duan edhe ujin direkt e në çezmë, kur ja ku e ke lumin, ke liqenin, ik he dreq shko e lahu në lumë”, kështu citohet të jetë shprehur një nëpunës bashkie para disa kohësh, sipas banorëve të Kukësit.
Në javën e parë të shtatorit ndodhi edhe incidenti, apo atentati i fundit ndaj ujësjellësit të Kukësit. Në fshatin Nangë, ku uji i pijshëm shkon në çdo shtëpi, përdorimi i ujit të pijshëm devijohet për vaditjen e tokave bujqësore.
“Prapë sot në fshatin Nange na kanë dëmtuar një pusetë tjetër. Kanë marrë ujë 24 orë në tub, ua kam ndërprerë, prandaj e kanë hedhur në erë me lëndë plasëse”, thotë drejtori i Ujësjellësit, Hoxha, teksa vë në dispozicionin tonë edhe fotot e pusetës së shkallmuar.
“Nga kjo pusetë, 30 familje kanë marrë ujë pa ndërprerje për të vaditur arat, ata kanë një borxh rreth 11 milionë lekë, pra vetëm nga kjo pusetë, të cilën e kemi rivendosur dje ku kemi punuar deri në orën 10 të darkës”, shprehet Asllan Hoxha.

Kështu në fushat e fshatit bëhet përmbytje, ndërsa në çezmat e konsumatorëve në Kukës, edhe në spital apo institucione të tjera, nuk ka pasur asnjë pikë ujë. Banorët tregojnë se ka qenë një lemeri e vërtetë. “E dimë vështirësinë e vendosjes së rregullit, dhe kemi blerë depozitë uji”, tregon Miftari nga Lagje nr.2. “Kemi blerë depozitë 1000 litërshe si dhe pompën për ta furnizuar, mirëpo përsëri mbetet bosh sepse nuk vjen fare në katin e pestë”.
A ka ujë të mjaftueshëm dhe ku po shkojnë investimet?
Banorët në tërësi, por veçanërisht ata që e vuajnë mungesën e ujit, mendojnë se uji i pijshëm thjesht shpërdorohet tej mase dhe kompetentët e lejojnë këtë gjë. Kukësi aktualisht ka dy sisteme ujësjellësish. Ujësjellësi kryesor, ai i Kolesjanit, që sjell rreth 100 litra në sekondë, ndërsa i dyti, ai Lojmes, rreth 20 litra. Në aksin e ujësjellësve përveç banorëve të qytetit (rreth 25 mijë) furnizohen edhe 20 fshatra. Por dukuria që po e çon drejt falimentimit ujësjellësin është shpërdorimi. Në Kukës ka ujë për të gjithë, por jo për të gjithë shpërdoruesit.
Të dy sistemet e ujësjellësve janë ndërtuar në 20 vitet e fundit, dhe ka qenë llogaritur nga ekspertë të huaj që Kukësi të kishte ujë 24 orë në ditë për gjysmë shekulli. Në vitin 1999, me këto banorë që kishte Kukësi dhe me rreth 300 mijë refugjatë të luftës së Kosovës, kishte ujë 24 orë në ditë. Dhe kishte vetëm një ujësjellës. Arsyeja është se në atë kohë, kur të gjithë e kishin mendjen tek përfitimi i ndihmave humanitare, askush nuk u mor me prodhimet e fushës, prandaj nuk u shpërdorua uji.
“Shpërdorues të konsiderueshëm janë edhe rreth 600 lokale bar-kafe etj të cilët, të pajisur me banjo turke shpenzojnë maksimumin e mundshëm duke hapur rubinetin gjatë gjithë kohës që sistemi ka ujë. Për to vetëm kur uji të mbarojë ka mbaruar edhe shpërdorimi, janë të pandreqshëm” tha një nëpunës i ujësjellësit.
Ujësjellësi i Kukësit, i rikonstruktuar totalisht vitet e fundit, duhej të mjaftonte për furnizimin e një komuniteti me shumëfishin e Kukësit 24 orë në ditë. Aktualisht në çezmat e apartamenteve është fatlumësi nëse uji shkon për disa minuta.
Investimi i parë i madh u bë në vitin 2000, me 10 milionë dollarë nga Emiratet e Bashkuara, ndërsa investimi dytë i madh u bë në vitin 2010 nga buxheti i shtetit në masën rreth 5 milionë dollarë. Duke mos preferuar të merret me reduktimin e shpërdorimit të ujit, pushteti lokal i asaj kohe kërkoi nga qeveria një investim të ri mbi rrjetin ekzistues. Thjesht vendosjen e tubave mbi tubat e shpuar me kazma nga ku fshatarët vidhnin ujin. Edhe ky investim rezultoi korruptiv dhe i pa rezultat. Le të shohim pak më poshtë se si shpërdorohet uji i pijshëm.
Drejtori Asllan Hoxha duket se po lufton i vetëm në aventurën e vendosjes së rregullit. “Këto ditë kemi zbuluar rreth 250 ndërhyrje të paligjshme në sistemin e ujësjellësit”, thotë drejtori Hoxha duke shtuar se nga këto 10 lavazhe në qytet, ndërsa të tjerët familjarë dhe biznese. “10 subjekte i janë dërguar prokurorisë për ndjekje penale, ndërsa 30 subjekte janë gjobitur me masa që shkojnë deri në 50 mijë lekë të rinj”. Ai sqaron se gjoba i bashkëngjitet faturës së ujit për ta paguar në arkën e ujësjellësit, nëse nuk e paguan në afatin kohor prej 5 ditësh, i ndërpritet furnizimi me ujë. Në të vërtetë, efektivët e rendit e kanë mbështetur ujësjellësin në çdo aksion për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, por nga ana tjetër ende nuk ka një person që drejtësia ta ketë dënuar meritueshëm për shpërdorim të ujit të pijshëm.
Në institucionet shtetërore dhe publike, kudo në ambientet sanitare, gjenden fuçi hekuri dhe rubinete të prishura. Gjatë dimrit, askund në katet e para të institucioneve, ku mund të ketë banjo, nuk gjendet njeri që të mbyllë çezmat, pasi fuçia të jetë mbushur, ndërsa në verë ato janë bosh. Në disa institucione, edhe banjot janë mbyllur për mungesë uji. I pyetur nga Porta Vendore, drejtori zyrës vendore të arsimit Skënder Ahmeti tha se: “Uji i rrjedhshëm është një problem gati në të gjitha shkollat, sidomos në ato që nuk janë të lidhura me sistemin e ujësjellësit”. Ai tha gjithashtu se dërgimi i ujit të pijshëm me autobote, siç ka premtuar bashkia përmes kryetarit Safet Gjici, është një sfidë gati e pamundur.
Sa shpenzojnë konsumatorët për ujin e pijshëm
Kur flasim për shpenzimin e konsumatorëve për ujin e pijshëm në Kukës, nuk është fjala për faturën, e cila në masë dërmuese paguhet pa hezitim. Shpenzime të tjera marramendëse bëhen për ujë, e ndërsa nuk ka ndodhur e as mendohet që të ndodhë që dikush nga qeveria të reflektojë.
Tarracat e pallateve të qytetit të Kukësit janë të mbushura me depozita plastike apo metali të ujit të pijshëm. Nga një shitës i materiale të ndërtimit në Kukës mësuam se vetëm për dy vitet e fundit, ai dhe të tjerë kanë shitur 1.600 depozita, por këtyre duhet tu shtojmë edhe disa mjete të tjera si dhe pompën. A.Sh., një teknik hidraulik tha se llogaritet që në Kukës të ketë rreth 5.000 depozita uji si dhe po aq pompa, këtu llogariten familjarët, por edhe bizneset që shpenzojnë për ujin përtej faturës. Nga një përllogaritje e thjeshtë 5.000 depozita kushtojnë mesatarisht 750 milionë lekë të rinj, shtojmë 375 milionë lekë të rinj për pompat, e barabartë me 1 miliard e 125 milionë lekë ose 10 milionë Euro. Mendoni edhe faktin që depozitat që sjell tregu shqiptar, si dhe pompat nuk kanë afat më shumë se katër vite garanci.
Pra në një situatë të tillë, kur Kukësi ka ujë plot për banorët, por që shpërdorohet në mënyrë abuzive, banorët veç faturës së ujit, u duhet të shpenzojnë dhe për sigurimin e tij, që nuk u sigurohet dot nga institucionet shtetërore.