Vëzhgim/Analizë

Premtimi i ministrit dhe kalimi afateve për qeset plastike

                             

12 nëntor 2020/ Julian Hoxhaj/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore

Në 16 tetor të vitit të kaluar, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, nga fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit në Tiranë, promovoi nismën “Shqipëria vendi i parë Europian pa qese plastike”. Sipas kësaj nisme, synohej që deri në qershor të vitit 2020, pra deri tre muaj më parë, në Shqipëri do të eliminoheshin të gjitha qeset plastike. Qëllimi i kësaj nisme, sipas deklaratës zyrtare të ministrisë, është mbrojtja e mjedisit duke i thënë stop përdorimit të qeseve plastike. “Ka ardhur koha që të bëhet një pakt kombëtar për Shqipërinë e pastër. Nga fillimi i këtij viti të refuzojmë prodhimin dhe importimin e qeseve dhe nga 1 qershori 2020, ne të jemi vendi i parë europian pa qese plastike, për të shkuar më pas në refuzimin e plastikës njëpërdorimshme”, thuhej në deklaratën e ministrit Klosi. Duke folur për zhvillimin e turizmit dhe ndikimin e mjedisit, ministri Klosi tha se problemi më i madh mbetet pastërtia dhe treguesi më i dukshëm janë qeset plastike që e bëjnë pis Shqipërinë

Labirintet ligjore dhe draftet në letër

Fillimi i fushatës për t`i thënë stop përdorimit të qeseve plastike, duke ndaluar përfundimisht prodhimin, importin dhe përdorimin e tyre në vendin tonë, në Parlament u paraqit si një projektligj që sanksiononte gjoba të mëdha për shkelësit e këtij ligji. Në 26 prill të vitit 2018, me vendimin nr. 232 Këshilli i Ministrave ndërhyri në një vendim të vitit 2012 të Këshillit të Ministrave “Për ambalazhet dhe mbetjet e tyre”. Në ndërhyrjen që iu bë VKM-së në vitin 2018, qeveria sanksionoi disa masa shtesë për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike, duke bërë të detyrueshme përdorimin e qeseve plastike të riciklueshme dhe lehtësisht të asgjësueshme. “Prodhimi i qeseve plastike mbajtëse bëhet duke përdorur aditivë biodegradues me një cikël veprimi jo më pak se 36 muaj, i cili mundëson realizimin e ciklit të plotë të përdorimit nga prodhimi, magazinimi, tregtimi, përdorimi dhe kthimi për riciklim përpara se ky produkt të ketë humbur vlerat për riciklim. Qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme nuk konsiderohen si të biodegradueshme. Prodhimi i qeseve plastike mbajtëse, me trashësinë e mureve me të madhe se 35 mikron, bëhet duke përdorur jo më pak se 55% lëndë të parë të përftuar nga riciklimi, ose lëndë të parë ndihmëse alternative joplastike. Qeset plastike mbajtëse, të lejuara për t’u hedhur në treg, mund të ofrohen në pikat e shitjes së mallrave apo produkteve, vetëm kundrejt një pagese të posaçme të identifikuar në faturën apo kuponin tatimor. Ndalohet hedhja në treg apo përdorimi në çdo rast i qeseve të lehta plastike mbajtëse (me trashësi për çdo anë më të vogël se 35 mikron). Ndalohet hedhja në treg apo përdorimi në çdo rast i qeseve plastike mbajtëse të pabiodegradueshme”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2018.

Por duket se Ministria e Mjedisit nuk u ndal me kaq. Një vit pas vendimit të mësipërm u promovua nisma e ministrit Blendi Klosi për heqjen përfundimtare nga tregu të qeseve plastike. Kjo nismë do të konkretizohej dhe me një nismë ligjore dorëzuar në parlament. Fillimisht, më 21 tetor të vitit 2019 u hodh për konsultim publik projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.10463, datë 22.09.2011 “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. Në këtë ligj, në Nenin 29 propozohej të shtohej pika 3 me këtë përmbajtje: “3. Me përjashtim nga sa parashikohet në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, ndalohet përdorimi, hedhja ne treg, prodhimi, importimi, apo futja në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, qeseve të lehta plastike mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme sipas përcaktimit të këtij ligji. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, përcakton masa të hollësishme për zbatimin e kësaj pike”, thuhet në propozimin e projektligjit. Ligji gjithashtu parashikon dhe gjoba të mëdha deri në 1 500 000 lekë për shkelësit e tij. Megjithatë, ligji ka mbetur në sirtarët e Kuvendit dhe nuk është miratuar ende dhe sot, duke tejkaluar afatin e parashikuar nga Ministria e Mjedisit për hyrjen në fuqi të tij me qëllim ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.

Ndikimi në mjedis

Sipas relacionit të projektligjit në fjalë, botuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, nga vlerësim i bërë në kuadër të Strategjisë KombëtareMenaxhimi i Mbetjeve nga Plastika dhe Riciklimi[1], në vitin 2016 është vlerësuar se në Shqipëri përdoren 6 – 9 kg/person/vit artikuj plastike me një përdorim, kryesisht qese plastike mbajtëse. Duke vlerësuar peshën e një qeseje dhe faktin se vlera mesatare në Shqipëri është që një person përdor rreth 3 qese në ditë, mund të vlerësojmë se për një popullsi rezidente prej afërsisht 3 000 000 banorë, sasia e qeseve plastike është rreth 3.2 miliardë qese në një vit ose, afërsisht 26 280 ton/vit”.

Pra shifrat tregojnë një situatë aspak optimiste për nivelet e përdorimit të qeseve plastike në vendin tonë. Por pasojat janë të mëdha në mjedis, të paktën sipas raportit në fjalë, mbetjet plastike cilësohen si ndotësit kryesorë që depozitohen në brigjet e vendit tonë. Ato depërtojnë kryesisht nëpërmjet lumenjve në bregdet, duke shkaktuar ndotje të faunës dhe florës ujore dhe asaj tokësore në vendderdhjet e lumenjve. Nga një projekt pilot, i bërë në grykëderdhjet e lumenjve Bunë dhe Ishëm, ka rezultuar “se plastika në përgjithësi dhe qeset plastike, veçanti, përbëjnë mbetjen kryesore që depozitohet në bregdet nëpërmjet rrjedhave lumore. Si rezultat i vëzhgimit në 3 një sipërfaqe prej 100 m2, në deltën e Bunës ka rezultuar se nga totali prej rreth 46 kg mbetje, që gjendeshin të depozituar, rreth 42.3 kg ishin mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse). Po të njëjtat të dhëna vijnë edhe nga matjet në deltën e Ishmit. Në një sipërfaqe prej 100 m2, nga totali prej rreth 84.5 kg mbetje, që gjenden të depozituar në Kepin e Rodonit, rreth 52,4 kg janë mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse). Këto të dhëna tregojnë se qeset plastike mbajtëse përbëjnë një prej ndotësve kryesore të mjedisit shqiptar, si në shtrirje territoriale ashtu dhe në sasi, duke treguar se masat për të gjetur një zgjidhje definitive janë sa të nevojshme, të justifikuara aq edhe emergjente.”- thuhet në raport. Sipas një studimit të titulluar “Fushata prioritare të ndërhyrjes për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve detare nga paketimet plastike në sektorin e ushqimit dhe pijeve në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Malin e Zi”, rezulton se vendi ynë ka përdorimin më të lartë për kg për person të plastikës në disa vendet të rajonit. Kështu sipas raportit një shqiptar krijon të paktën 45 kg mbetje plastike për një vit. Në Malin e Zi kjo shumë është 34 kg ndërsa në Bosnje Hercegovinë është 31 kg.

Eliminimi i qeseve plastike, sfidë për qeverisjen vendore

Pushteti lokal, sipas ligjit “Për qeverisjen vendore”, është aktor i drejtpërdrejt në menaxhimin e mbetjeve urbane. Sfida kryesore e pushtetit lokal sot është menaxhimi i integruar i mbetjeve, me qëllim pasjen së më pak kosto në mjedis. Në strategjinë ndërsektoriale për pushtetin vendor qartësohej se do të miratoheshin standarde të reja dhe zbatoheshin për administrimin e integruar të mbetjeve urbane. “Do të miratohen standardet e reja dhe do të zbatohen ato për administrimin e integruar dhe menaxhimin e mbetjeve urbane me anë të përdorimit të mekanizmave ekonomikë për të inkurajuar ndarjen dhe mbledhjen e diferencuar të mbetjeve në burim. Do të nxitet riciklimi i mbetjeve si një përpjekje për të ulur depozitimin e mbetjeve dhe për të mundësuar djegien e tyre me qëllim prodhimin e energjisë elektrike. NJQV-të do të inkurajohen të aplikojnë forma të partneritetit dhe bashkëpunimit publik-privat. Qeveria qendrore do të japë mbështetje të fortë për pushtetin vendor në finalizimin dhe miratimin e të gjitha planeve rajonale për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve, duke monitoruar edhe zbatimin e tyre”.

Ndërkohë, Porta Vendore për të mësuar më shumë rreth nismës së Ministrit Klosi për eliminimin e qeseve nga tregu, i dërgoi një kërkesë me shkrimin Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Por ky institucion nuk iu përgjigj pyetjeve tona. Gjithashtu, një kërkesë për informacion, Porta Vendore ia dërgoi dhe Bashkisë së Tiranës, si një ndër bashkitë e para në vend, e cila disa vite më parë e promovoi nismën për pakësimin e qeseve plastike në treg dhe përdorimin e trastave. Në kërkesën që Bashkia ktheu, shprehet se ky institucion e mbështeti kohë më parë këtë projekt, pro nuk dha përgjigje nëse ky projekt vijon të jetë në fokusin e bashkisë apo jo. “Në vitin 2016 deri në fund të vitit 2017, Bashkia Tiranë ka ndërmarrë një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese me banorët e Tiranës, më pas nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me operatorët tregtarë si supermarkete, kompani, qendra tregtare dhe përfaqësuese të Bashkimit Tregtar të Shqipërisë për mos shpërndarjen falas të qeseve plastike në njësitë tregtare dhe heqjen nga përdorimi të tyre në pikat e shitjes së bukës dhe produkteve të burimeve duke i zëvendësuar ato me ambalazh letre”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e bashkisë së Tiranës për Porta Vendore.

E vërteta në terren

Por, Porta Vendore bëri një vëzhgim disa-ditor nëpër disa nga dyqanet dhe marketet e Tiranës për të parë se sa funksionon ky ligj, ku vuri re mungesë totale të qeseve të riciklueshme, duke konstatuar kështu rikthim në pikën 0 sa i përket menaxhimit të qeseve plastike nga tregtarët në drejtim të konsumatorëve. I vetmi ndryshim ishte se qeset shiten me lekë dhe nuk jepen më falas. Porta Vendore pyeti disa tregtarë dhe konsumatorë në lidhje me mosrespektimin e këtij ligji, ku sipas tregtarëve kjo është në të mirën e tyre, pasi nuk shpenzojnë aq shumë sa për qeset e riciklueshme, ndërsa për disa nga konsumatorët, e gjitha kjo është shqetësuese.

Shyqyr që na lanë rehat, se edhe me ato qeset s’po ia dilnim dot. Njerëzit nuk i blenë se u duken shtrenjtë, ndaj ne si zgjidhje kishim ose ta nxirrnin koston nga shitja e produkteve, ose t’ua jepnim me lekë, por me këtë opsionin e dytë rrezikonim të humbitnim klientelën. Ndaj them që shyqyr e harruan dhe na lanë të qetë”, tregon një shitës në një dyqan lagjeje. Ndërsa duket se të vetmit që vijojnë të ndjekin me rigorozitet një pjesë të ligjit për minimizimin e qeseve plastike në mjedis janë marketet dhe supermarketet, të cilat pavarësisht se nuk përdorin qese të riciklueshme, ato i shesin me lekë për të gjithë ata që duan një të tillë, si të nevojshme kur vjen puna për kryerjen e pazareve.

Jemi në një situatë kur thuajse 90% e blerësve i blen produktet bashkëshoqëruar edhe me qeset plastike që ne tregtojmë, ku në varësi të madhësisë ka edhe çmimin ky artikull, duke nisur nga 5-50 lekë të reja. Kjo mbeti si një praktikë dhe ka thuajse 2 vite që qytetarët janë të detyruar t’i blejnë tek marketi ynë, përveç atyre që vijnë me karroca pazari ose trasta, por që kryesisht janë të pakët, pasi ata që bëjnë pazare për 15 ditë ose 30 ditë duan s’duan furnizohen mirë dhe i voliten një sërë qesesh për të bërë transportin e ushqimeve”, tregon Lona një menaxhere supermarketi në kryeqytet.

Ndërsa Tila, një pronare e një pike fruta-perime në zonën e 21 dhjetorit, thotë për Portën Vendore, se qeset e riciklueshme i përdori vetëm një muaj kur nisi edhe kontrolli i tyre nga Bashkia Tiranë, rreth 2 vite më parë. “I përdora qeset e riciklueshme, por ama ishin shumë të shtrenjta dhe ne ishim te detyruar t’i blinim duke shpenzuar kështu nga fitimi jonë, por sa mirë që zgjati fare pak si praktikë, sepse u harrua shumë shpejt, dhe më mirë, se edhe ato qeset që blinim ne ishim pa asnjë lloj standardi dhe kishin krijuar monopolin e tyre kompania, me çmime të kripura. Se ne kemi në këtë punë me 5leksha e 10leksha flasim, përsa i përket fitimit”, tregon ajo.

Por mesa duket edhe konsumatorët që përdorin mjete alternative për të shmangur ndotjen e madhe që vjen nga plastika janë tek-tuk. Sonila është një zonjë rreth të 60-tave, e cila na tregon se nuk ka futur kurrë në shtëpinë e saj qeset plastike, madje edhe më parë ajo i ka kryer pazaret e nevojshme të shtëpisë më karrocën e saj të pazarit. “Skam asnjë qese plastike në shtëpi. Kam lexuar shumë vite më parë derisa jam bindur që plastika shkakton deri kancer, është një e keqe shumë e madhe që po i bëhet njerëzimit. Por për shkak të ritmit të madh e vrullit që ka marrë jeta sot, jo të gjithë kujdesen siç duhet për veten dhe familjen e tyre, këtë e kuptoj. Por unë tanimë jam pensioniste, fëmijët i kam të martuar e rregulluar edhe ndaj kam më shumë kohë e kujdes për t’i parë me detaje këto gjëra. Kam vite që nuk blej e bëj pazare me qese plastike, as kur ato ishin të riciklueshme, që ishte një periudhë e shkurtër që disa dyqane e futën si praktikë, gjithnjë unë kam bërë pazare me karrocën time. Dal dhe furnizohem një herë në javë. Marr aq artikuj sa më duhen se vetëm me plakun jam unë, aq mund të konsumojmë”, thotë ajo për Portën Vendore.

Por jo të gjithë qytetarët ndajnë të njëjtin mendim, pasi shumica prej tyre vijojnë të jenë përdorues të rregullt të qeseve plastike, duke neglizhuar faktin nëse ato janë apo jo të riciklueshme.

“Nuk e kam pas problem, për mua e rëndësishme është të kem të blej produkte, por se me çfarë merren, a me trasta a me qese s’ka shumë rëndësi, pasi siç edhe dihet, Shqipëria është në kaos financiar dhe s’ka më njeri në plan të ndjekë rregullat a ligjet për qeset plastike, tani gjithsecili ka hallin e bukës së gojës”, thotë një tjetër banor në tregun e Vasil Shantos, teksa është duke kryer disa pazare për nevojat e tij.

Ekspertët tregojnë kostot mjedisore të plastikës

Mirëpo pyetja që ngrihet është nëse ky sistem është efikas? Ekspertët kanë mendime të ndryshme rreth nismës së qeverisë për nxjerrjen nga përdorimi të qeseve plastike. Tea Zeqaj, eksperte e politikave të mjedisit foli për Porta Vendore, lidhur me këtë temë. Ajo tregon fillimisht se qeset plastike duhet të ndalohen në gjenezë, pra në pikat e prodhimit të tyre apo në dogana. “Aktualisht shumica e qeseve shumë të holla plastike (pra jo të biodegradueshme) që qarkullojnë në vend, hyjnë në forma ilegale. Duhet të shtohen kontrollet ndërkufitare dhe shmanget lejimi i importeve të tilla. Pas vendosjes së një çmimi për blerjen e qeseve nëpër markete, shumë qytetarë nisën të ndërgjegjësohen dhe të përdorin trasta shumë përdorimshme. Puna me ndërgjegjësimin për formimin e një kulture miqësore me mjedisin është gjithmonë zgjidhje më efikase dhe më pak e kushtueshme”, shprehet ajo. Ajo komenton edhe vendimin e qeverisë për t`i nxjerrë jashtë përdorimit qeset plastike, duke u shprehur se ishte ambicioz dhe i nxituar. Sipas Tea Zeqajt, vendimi nuk pati konsultimin e mjaftueshëm. “Ndalimi përfundimtar i përdorimit të qeseve plastike, ishte një vendim ambicioz, i nxituar, pa konsultim të mjaftueshëm me përdoruesit e gjerë, marketet, furnitorët dhe më të rëndësishmit prodhuesit e qeseve plastike në vend, të cilëve vetëm pak vite më parë iu desh të ndërronin teknologjinë dhe makineri të shtrenjta për të prodhuar qese të biodegradueshme”, shprehet ekspertja e politikave mjedisore, Tea Zeqaj.

Ndërsa për ambientalistin Ened Mato, një nga nismëtarët e shoqërisë civile të nismës për mospërdorimin e qeseve plastike tha se: “Ne jemi marrë me dy nisma të ngjashme. ‘Trasta o Nona’ dhe ‘Unë Ricikloj’. E para ka synim reduktimin, uljen deri në mospërdorim të qeseve, duke i zëvendësuar me një trastë shumë herë më të fortë, të bukur, njerëzore. Ndërsa ‘Unë Ricikloj’ edukon ripërdorimin, reduktimin, dhe riciklimin. Pa të dytën vështirë të ndodhi e para. Janë një kulturë e lidhur në zinxhir”, shpjegon Mato për Portën Vendore, ndërsa thekson se: “Nuk mund t’i thuash hiq qesen, por mbaj të gjitha nënproduktet e plastikës pa problem, dhe mos riciklo asgjë tjetër. Dita që filloi djegia, ra riciklimi si kulturë, edukatë, refleks, si ekonomi, si ushqim për komunitet në nevojë. Për rrjedhojë dhe brezat nuk do mësojnë shumë për ndarjen, ripërdorimin, reduktimin, riciklimin, thjesht do dëgjojnë që vetëm qesja është e dëmshme. Qeset pa një kulture UNË RICIKLOJ nuk zhduken vetëm me Trastën”, përfundon ai, pa dashur të komentojë nëse ligji për këtë kauzë është në një farë mënyre i dështuar për realitetin shqiptar apo jo.

Duket se në të njëjta linja është edhe Lira Hakani, ekspertja mjedisore nga qendra mjedisore EDEN. Ajo thotë për Portën Vendore se ndërgjegjësimi duhet të jetë më i madh.

“Për një ligj është vështirë që të thuhet në mënyrë të prerë që ai ka dështuar, deri në momentin që nuk i janë mundësuar kushtet optimale për zbatimin e tij. Do ishim shumë dakord të thonim që ky ligj ka nevojë ende për instrumente të nevojshëm në mënyrë që të kuptohet e zbatohet nga të gjithë, dhe më tej mund të bëhet një vlerësim më konkret. Ligjet në mënyrë që të zbatohen me sukses duhet të formulohen dhe të miratohen në një kohë kur banorët e kuptojnë rëndësinë e ligjit, pasojat që vijnë jo vetëm nga moszbatimi i tij, si psh vendosja e gjobave etj që mund të shoqërojnë ligjin, por pasoja që lidhen me mjedisin ku jetojnë, me shëndetin e tyre. Të gjithë do donin të jetonin në një mjedis të pastër dhe jo të shikojnë qese të hedhura në mënyrë të pakontrolluar në ambientet publike. Për këtë ka nevojë për një ndërgjegjësim të lartë të shoqërisë që secili banor ta shikoj veten kontribues për zbatimin e këtij ligji”, thotë ajo.

Qendra EDEN si vigjilente e problematikave mjedisore ka kryer monitorim jo zyrtar në lidhje me çështjen me vëzhgime të drejtpërdrejta në terren. Ndërsa ekspertja Hakani ndan me Portën Vendore disa nga rezultatet : “Është vërejtur që përdorimi i qeses plastike në masë të madhe në përditshmëri ka përmirësime, ka më pak përdorim të qeseve plastike dhe është shtuar dhe numri i përdoruesve të torbave të leckës. Megjithatë në sezonin turistik si ai i verës, ku numri i turistëve rritet, vihet re një shtim i përdorimit të qeseve plastike në mënyre vizuale që ndotin ambientet publike dhe kjo shoqërohet nga një papërgjegjshmëri totale që shihet me tepër te të rinjtë”, sqaron Hakani nga qendra mjedisore EDEN.

Ndërkohë, ambientalisti i njohur njëherazi drejtues i Klubit Ekologjik në Elbasan, Ahmet Mehmeti, e shikon problemin në një këndvështrim tjetër. Ai mendon se arsyeja e dështimit të kësaj nisme lidhet me korrupsionin dhe afrimin e fushatës zgjedhore. Ai e quan një pakt të heshtur mes qeverisë dhe biznesit faktin që tolerohet ende që në treg të ketë qese të pariciklueshme, të cilat në shumicën e rasteve u shiten qytetarëve si të riciklueshme. “Arsyeja e moszbatimit të këtij ligji është korrupsioni. Njerëzit që duhet të vendosin gjoba për zbatimin e këtij ligji janë të korruptuar. Mendoj se dhe për shkak të afrimit të zgjedhjeve të reja po bëhet tolerancë. Unë mendoj se duhet parë interesi publik, këtu futet media që është në krye të detyrës. Qeset e riciklueshme janë më të kostueshme, sepse kanë materiale që i shpërbëjnë. Ne vazhdojmë t`i paguajmë qeset e pariciklueshme. Kjo ka dy të këqija; e keqja financiare për xhepin tonë dhe e keqja mjedisore, paguajmë helmin tonë. Pra ne paguajmë ndotjen. Ka një cak dhe ndërgjegjësimi, këtu ndërhyjë shteti me ligjet që i ka vënë vetë. Shteti nuk i zbaton ligjet, për këtë ligj shteti ka dalë jashtë loje. Shteti është pajtuar me biznesin kundër mjedisit”-shprehet Ahmet Mehmeti.

Të pyetur nga Porta Vendore se çfarë do të sugjeronin ekspertët dhe ambientalistët për mbarëvajtjen e këtij ligji, ata shprehen thuajse njëzëri se:

“Sugjerojmë fushata të vazhdueshme mediatike, duke përfshirë të gjitha grup moshat. Bashkëpunimi i instancave shtetërorë me shoqërinë civile për zhvillimin e fushatave të gjata në kohë, trajnimeve, workshopeve me qëllim edukimin dhe informimin e popullatës së gjerë për rrezikshmërinë që ka përdorimi i qeseve plastike dhe ndikimi ndotjes në mjedis dhe ndikimet në

shëndet. Sigurisht që ndërgjegjësimi është shumë i vështirë dhe nuk përcaktohet dot shkalla e vështirësisë, por puna e vazhdueshme dhe informacioni i vazhdueshëm do të ndikonte për mirë. Në situatën që ndodhemi nuk do të thonim që për tu ndërgjegjësuar njerëzit do ishte mirë dhe një

masë administrative, pasi kjo periudhë është shumë e vështirë si për aspektin e shëndeti si fizik dhe mendor, por ashtu dhe social dhe ekonomik”, shprehet Lira Hakani, eksperte mjedisi.