Ngjarje/Personazhe

Tranzit në Shqipëri, për të mbërritur në Europë. Emigrantët sirianë enden rrugëve të qytetit të Durrësit

10 nëntor 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës

Lufta civile e më pas kriza që ka përfshirë Sirinë, bëri që mijëra sirianë të shkelin në Shqipëri, vend të cilin e shohin si mundësi për të mbërritur drejt vendeve europiane. Dhe pse shtetin e vogël në zemër të Europës, e njihnin pak për mos të thënë fare, shumë shpejt ai u shndërrua në shpresë për ta, ku merr udhë ëndrra për të mbërritur në destinacionet e dëshiruara. Durrësi portual është një nga qytetet, ku prezenca e emigrantëve ka nisur të ndeshet çdo ditë e më shumë, ndërkohë që jo rrallë herë ata janë bërë protagonistë të ngjarjeve të trishta.

Ahmed Ibara, është 21 vjeç dhe ka lënë qytetin e tij të Halepit, në Siri, që prej më shumë së pesë muajsh, me dëshirën për të mbërritur në Gjermani, ku ka mbërritur më herët pjesa tjetër e familjes së tij. Me një smartphone në duar, 21-vjeçari përpiqet të gjejë valë interneti falas, përgjatë lokaleve në rrugën e portit, për tu lidhur me familjen e tij. Sapo shikon që dikush i afrohet, Ahmed shton me shpejtësi hapat dhe përpiqet të largohet. Interesimit të Porta Vendore për të, ai i përgjigjet me kërkesën e vetme, që kthehet në lutje, për të mos e denoncuar në polici, pasi do të ishte kthim pas në rrugën e tij drejt familjes.

Kam disa ditë që kam ardhur në Durrës dhe dua që të iki në Itali, por deri më sot asgjë nuk po arrij”, thotë i riu, një ndër shumë emigrantët sirianë që i ndesh në Durrës.

Rrugëtimi i Ahmed ka nisur më shumë se pesë muaj më parë, kur nga Siria ai udhëtoi drejt Shqipërisë, me shpresën e vetme për të shkuar drejt Gjermanisë, ku jeton nëna dhe dy vëllezërit e tij më të rritur.

Kam pesë muaj që vetëm eci, ndaloj dhe prapë eci, thotë i riu që dhe pse përpiqet shumë tregon frikë dhe humbjen e sensit të kohës. Me një anglishte të mirë, të cilën e mëson dhe ndërsa qëndron në Durrës nëpërmjet fjalorit që s’e ndan nga vetja, Ahmed ka vetëm një ëndërr, Gjermaninë.

Ahmed Ibara, emigrantë sirianë në Durrës. Foto: E. Azizolli

“U nisa nga Siria, shkova në Turqi, pastaj mbërrita në Greqi dhe më pas në Shqipëri. Kam disa ditë këtu dhe dua të iki në Itali, pastaj në Gjermani tek familja ime. Ata kanë një vit që kanë shkuar atje dhe dua t’i arrij dhe unë”, thotë ai.

Ahmed nuk e njihte fare Shqipërinë kur ishte në Siri, por kur familja e tij arriti të largohet nga vendi, mënyrë të cilën ai nuk e tregon sepse e quan pjesë të planit familjar për të shpëtuar nga konflikti, ai u informua dhe muaj më parë nisi udhëtimin.

Shqipëria është në qendër të Europës. Ka porte me Italinë, kufi tokësor me Greqinë. I pashë të gjitha këto në harta, në internet dhe me kontaktin e një kushëriri u nisa dhe unë dhe ja ku jam”, tregon ai.

Ahmed nuk pranon të flasë për ditët e tij të udhëtimit në disa shtete, por paraqitja tregon se ka pasur lodhje dhe jo më pak vuajtje.

Nëpër male. Kush na gjente rrugës na merrte, mua dhe grupin. Shumë ditë ecje dhe jam këtu”, shprehet ai.

Në Durrës prezenca e emigrantëve sirianë dhe vendeve të tjera të konfliktit ndeshet në disa pjesë të qytetit, ku ata ndalin me shpresën se mund të gjejnë një mënyrë për të shkuar drejt Italisë dhe kur nuk ia dalin nisen drejt Tiranës, për të tjera mundësi.

Laarbi Walkach, është nga Tarabulluz, ose Tripoli, Libi dhe ndodhet në Durrës me shpresën e vetme që të shkojë në Milano për të punuar dhe bërë para që t’ia dërgojë familjes që ndodhet në Libi. 22-vjeçari ka mësuar aq fjalë në anglisht sa për të treguar dëshirën e tij, mbërritjen në tokën italiane, të cilën e identifikon me Milanon.

Miku i familjes time është në Milano. Ka gjetur punë atje. Unë do të shkoj atje, do punoj për të bërë para që dhe familja ime të iki nga Libia”, thotë ai.

Edhe 22-vjeçari ka përshkuar shumë rrugë për të mbërritur deri në Durrës, ndërkohë që për të fjetur për të, strehë janë objektet e dëmtuara nga tërmeti.

Objekti i prishur. Është i hapur dhe atje kam fjetur, thotë 22-vjeçari duke treguar me dorë drejt një pallati të dëmtuar në lagjen 13, në zonën e “Plazhit”.

Laarbi Walkach, emigrantë që qëndron në Durrës, me shpresën për të ikur drejt Italisë. Foto: E. Azizolli

Emigrantët e ardhur nga vendet e konflikteve në Durrës i ndesh në rrugën përgjatë portit, në zonën e plazhit dhe në objektet në ndërtim e sipër, ku ata kalojnë netët, me shpresën për të larguar një orë e më parë drejt destinacioneve të tyre. Jashtë supermarketeve, apo në baret e hapura, në lulishte e sheshe, ata bashkohen me njëri-tjetrin, pa u përzier me qytetarët me frikën se mund të përfundojnë në polici, nëse denoncohen.

Wifi dhe ushqime. Ka byrek shumë të lirë”, thotë dhe tregon me dorë drejt dyqaneve Laarbi, duke përsëritur një ndër të paktat fjalë që ka mësuar në shqip, “byrek”.

Emigrantët sirianë, por jo vetëm, shpesh janë bërë protagonistë të ngjarjeve të trishta që kanë ndodhur në Durrës. Ata shpesh bihen preh e grabitjeve mes grupeve të ndryshme emigrantësh, ndërkohë që nuk kanë munguar as aktet e dhunës deri dhe tek humbja e jetës.

‘Më datë 12.09.2020, rreth orës 21:00, në lagjen nr.4 të qytetit, tek Rruga e Re e Portit, dyshohet se i ndodhur në kushte të rënda psikologjike ka dëmtuar veten me thikë në dorë, shtetasi sirian A.A., i cili është dërguar në spital nën kujdesin e mjekëve dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën’. Është ky një prej njoftimeve të organit blu në Durrës, që bën me dije ngjarjen e rëndë të ndodhur me një emigrant sirian në këtë qytet.

Por, kjo ngjarje nuk është e vetmja, madje një edhe më e rëndë është regjistruar në qytetin bregdetar, pak muaj më parë.

 ‘Më datë 02.06.2020, rreth orës 06:30, në lagjen nr.1,Durrës , në rrethana ende të paqarta është gjetur i pajetë, një shtetas sirian, rreth 20 vjeç, i seksit mashkull. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes’. Ky është një tjetër njoftim zyrtar i policisë së Durrësit që tregon humbjen e jetës së në një riu, që pas hetimeve rezultoi se ishte vrarë si rezultat i një konflikti mes grupeve të tjera të emigrantëve, për shkak të grabitjes.

Me nevoja jetike për veshje dhe ushqim, ata i sheh në çdo orë të ditës dhe të natës nëpër qytet, gjithmonë në shoqëri të njeri tjetrit, gjithmonë duke nxituar dhe në pritje për të ikur.

Italia, Milano. Dua të punoj atje. Jo Durrësi. Jo Shqipëria”, thotë 22-vjeçari që nuk dëshiron që të kthehet në Libi dhe pse atje ende jeton familja e tij.

Jo Libi. Kurrë. Familja ime do të iki që atje, unë nuk kthehem atje”, shton me bindje ai, pa dashur të tregojë rreth planit të tij për të shkuar në Itali.

Të rinj në moshë dhe që të gjithë djem, emigrantët e ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme në Durrës, dallohen lehtë për shkak të gjuhës të tyre dhe qëndrimit nëpër rrugë dhe sheshet e qytetit. Pak kohë më parë, Drejtoria Vendore e Policisë në Durrës, shoqëroi një grup emigrantësh sirianë që endeshin në sheshin përpara bashkisë së qytetit.

Mungesa e një qendre për emigrantët nuk krijon mundësi zgjedhje për policinë vendore, ndërkohë që nuk ekziston asnjë shoqatë në ndihmë të emigrantëve, që mund të ofrojë diçka për ta. Emigrantët arrijnë që të mbijetojnë me të ardhurat e tyre të mara me vete nga vendet nga vijnë, për të cilat nuk pranojnë që të flasin, sepse i tremben grabitjeve, gjë e cila do të thotë mos realizimi i ëndrrës.

Paratë më dalin që të ushqehem, dhe për të ikur në Itali do m’i dërgojë familja nga Gjermania, sepse nuk kam”, thotë Ahmend Ibara, i cili në Siri ka ndjekur studimet për ekonomik.

Për vështirësitë e udhëtimeve, emigrantët flasin pak, ose nuk i konsiderojnë si vuajtje, pasi ëndrra që kanë për tu larguar nga vendi i tyre është më e madhe se gjithçka tjetër.

Jam lodhur shumë, kam ecur shumë, por do të vazhdoj që të eci, sepse nuk dua të kthehem në Siri, atje humba babanë nga lufta dhe unë nuk do të kthehem më kurrë atje”, thotë Ahmed.

Ndonëse emigrantët qëndrojnë vetëm në shoqëri të njeri-tjetrit, shqiptarët i quajnë njerëz të dashur.

Isha jashtë surpemarketit dhe po flisja me familjen time në whatsapp dhe një grua më dha ushqime dhe pse unë nuk i kërkova asgjë. Ajo më pa në rrugë, më dëgjoi që isha i huaj dhe më dha të ha”, thotë Rais Ahmed, një tjetër emigrant që Porta Vendore kontaktoi jashtë një restoranti në qendër të qytetit.

Interneti është lidhja e tyre e vetme me familjet nga vijnë, dhe me njerëzit ku ëndërrojnë që të shkojnë. Me kufje në vesh, me çanta të mëdha shpine, gjithmonë në nxitim, emigrantët vihen në kërkim të një vale interneti dhe sa më shumë qëndrojnë në qytet, aq më mirë i njohin vendet ku mund të lidhen.

Wifi, problem në Shqipëri, me kode. Por gjeta falas, kam disa ditë që flas me familjen dhe me mikun tim që do më çojë në Itali”, thotë Raisi, ndërsa qëndron në bordurën e rrugës, jashtë restorantit.

Porti i Durrësit, është një nga mundësitë që ata shikojnë për të ikur drejt Italisë dhe pse Autoriteti Portual në Durrës, shpesh në postimet e tij në faqen zyrtare në Facebook, bën me dije se kontrollet e sigurisë në të gjithë teritorrin portual janë të një shkalle mjaft të lartë.

Shpesh, roje të sigurisë portuale, gjatë viteve të fundit, janë ndeshur me raste ekstreme ku emigrantë sirianë janë gjetur të varur në gadinat (zinxhirët) e trageteve, duke vënë në rrezik dhe jetën.

Para ngritjes së spirancës, kontrollohet edhe një herë rreth mjeteve detare, dhe ka pasur raste kur kemi parë emigrantë sirianë që janë gjetur të varur nëpër zinxhirë dhe menjëherë është bërë largimi i tyre”, thotë për Porta Vendore një roje i sigurisë portuale që nuk pranon të identifikohet.

As Ahmed, as Larbi, as Rais, apo dhe emigrantë të tjerë që Porta Vendore kontaktoi nga afër në Durrës, nuk pranojnë të tregojnë se cila është mënyra që ata mendojnë që do të ikin në Itali. Prezenca e tyre në qytet dhe endja për ditë të tëra nëpër rrugë tregon se synimi është deti, dhe nëse nuk ia dalin, nisen drejt Tiranës, për të tjera alternativa.

Nuk kuptoj. Nuk e di. Dua të iki në Itali, tek kushërinjtë e mi. Nesër do të iki në Tiranë kam mikun tim, atje, ai do më ndihmojë”, thotë Rais.

21-vjeçari ka një dëshirë për të cilën do të bëjë gjithçka, “Europën”, duke të kujtuar pikërisht të rinjtë shqiptarë rreth 30 vite më parë, kur me çdo mjet të mundshëm, nga deti dhe toka mësynë rrugët e Europës.