Ndodhi

Lezha “krijon” Udhërrëfyesit e parë turistikë, garancia për një sezon më të mirë në 2021

7 nëntor 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë

Turizmi vijon të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë në Lezhë. Pavarësisht pandemisë, ky sektor, edhe pse punoi me 50% të kapacitetit gjatë sezonit veror, zbuti sado pak gropën e krijuar nga mbyllja gjatë muajve mars-prill dhe kufizimeve të shumta të majit. Për shkak të kësaj rëndësie sektori i turizmit po synon të përmirësojë shërbimet e saj. Brenda 3 muajve të ardhshëm, në Lezhë do të krijohen për herë të parë udhërrëfyesit turistikë.

Këtë shtator nisi edhe kursi i parë i udhërrëfyesve në Lezhë, që pavarësisht se i reduktuar për shkak të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, sërish shihet si një armë e fortë në zhvillimin e këtij sektori. Kjo risi shikohet si një domosdoshmëri për të ndikuar në mënyrën e promovimit direkt tek vizitorët dhe turistët, si dhe të prezantojë resurset e shumta ende të pashfrytëzuara siç duhet në këtë njësi vendore. Një kurs 4 mujor intensiv, i mundësuar falë bashkëpunimit të Bashkisë Lezhë me Zyrën Rajonalë të Punësimit në qark, u ka dhënë mundësi disa të rinjve të papunë që të profilizohen dhe certifikohen në këtë fushë. Kursi është pa pagesë dhe kriteri është që duhet të jesh kërkues i papunë, por duhet të kesh mbaruar shkollën e mesme.

Kërkesën e kanë plotësuan 15 persona sepse disa nuk besuan se do të bëhej. Përzgjedhja është bërë duke u bazuar tek kërkesa e tyre, disponibiliteti pasi çdo ditë ata janë 4 orë mësim dhe duke dorëzuar dokumentet që janë fotokopje e shkollës së mesme dhe aplikimi nëpërmjet e-albania. Kursi i cili ka nisur rreth 1 muaj më parë është bashkëpunim me kërkesë dhe angazhim të bashkisë dhe me mbështetje të zyrës rajonale të punësimit.

Ka çdo vit thuajse 1.5 milionë turistë vendas e të huaj, por Lezhës i kanë munguar udhërrëfyesit turistikë, duke bërë që agjencitë turistike të shmangnin këtë zonë, ose në rastin më të mirë të kontraktonin udhërrëfyes nga qytete të tjera. Kjo mangësi u identifikua nga zyra e Turizmit në bashki, që mundi të tërheqë vëmendjen e Drejtorisë Rajonalë të Formimit Profesional Shkodër, duke krijuar këtë kurs enkas për t’i ardhur në ndihmë sektorit të turizmit në Lezhë.

Florinda Kola është një prej aplikanteve që po ndjek kursin për Udhërrëfyes Kombëtar dhe ndjehet mjaft mirë që është pjesë e këtij grupi të parë. Ajo thotë se gjatë verës pati kontakte të vazhdueshme me pushues në plazhin e Shëngjinit, të cilët kërkonin që të vizitonin zona apo rajone të tjera, duke e nxitur që të orientohet drejt certifikimit si udhërrëfyese. Florinda shpjegon se turizmi është një sektor që e pëlqen shumë dhe se është diplomuar në Universitetin e Shkodrës në degën Turizëm, dhe se tashmë sheh mundësinë ngritjes së biznesit të saj në këtë fushë. Sipas Florindës, Lezha i ka të nevojshëm udhërrëfyesit dhe kjo do të nxisë edhe më shumë zhvillimin e turizmit, duke ndikuar në lëvizjen e turistëve nga një zonë në tjetrën duke vizituar dhe argëtuar edhe më shumë gjatë qëndrimit të tyre në Lezhë. Për shkak të pandemisë pati vonesa në nisjen e kursit, por Florinda është e bindur se në përfundim të kursit do të jetë ajo një prej promovuesve të Lezhës turistike dhe pa diskutim një profesion që do t’i sigurojë punë të vazhdueshme dhe të ardhura të mjaftueshme.

Florinda Kola në kursin e udhërrëfyesit. Foto: Gj. Figuri

Bashkia e Lezhës nëpërmjet nënkryetares së saj znj. Oliana Moriseni thotë së këta të rinj që do të certifikohen si udhërrëfyes turistikë, do të jenë pjesë e promovimit të Lezhës që mirëpret qindra mijëra vizitorë e turistë çdo vit.

“Ky kurs ka qenë një domosdoshmëri për Lezhën. E them me bindje se këta udhërrëfyes do të japin kontributin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në zonën tonë duke ofruar informacion, shërbime dhe prezantim të çdo elementi turistik që për fat të mirë janë të shumtë në Lezhë. Kursi për udhërrëfyes është në dobi të këtyre të rinjve që janë pjesë e tij, do të jetë në shërbim të operatorëve turistik që duan të afrojnë më shumë për klientët e tyre, por është mbështetje edhe për bashkinë e Lezhës që të prezantohet denjësisht dhe të ofrojë shërbime që kanë munguar më parë. Ata do të jenë nxitje edhe për shtimin e numrit të vizitave në objekte kulti, zona malore, atraksione natyrore, në sitet arkeologjike dhe asetet e historisë duke kaluar nga një turizëm që zhvillohet vetëm gjatë stinës së verës në një turizëm që njeh rritje edhe gjatë periudhës tjetër të vitit. Ne po presim që grup i parë i këtyre udhërrëfyesve të rinj të vijojnë punën e tyre me qëllim që ne të shkojnë në të tjera nisma e projekte në shërbim të sektorit të turizmit”, thotë ajo.

Mangësitë e konstatuara gjatë 10-vjeçarit të fundit, periudhë kur edhe mori zhvillimin më të madh sektori i turizmit në Lezhë, po synohet që të minimizohen. Për shkak se kanë munguar udhërrëfyesit turistik, kanë munguar organizimet për pushuesit në këtë zonë turistike duke e fokusuar gjithçka tek uji dhe rëra. Nuk kanë munguar kërkesat e pushuesve për të njohur më mirë Lezhën, për të vizituar zona të tjera apo për të marrë sugjerime për një ditë ndryshe ndërsa kalojnë pushimet verore në bregdet, por sigurisht ka munguar orientimi. Kjo edhe për shkak se kanë munguar ata që do të përmbushnin kërkesat e tyre.

Këtë problematikë e ka identifikuar edhe Gentjan Marku. Ai është një prej studentëve që pasi ka mbaruar studimet në Itali është kthyer për të dhënë kontributin e tij në qytetin e lindjes. Është bërë pjesë e kursit për udhërrëfyes turistik si një mundësi e mirë për të arritur të përmbushe pasionin që ka për të eksploruar sa më shumë në fushën e turizmit. Ai beson se menjëherë pas certifikimit do të ketë një punë të sigurt. Gentjani mendon se nuk do të presë verën për të bërë udhërrëfyesin, por do të bashkëpunojë me agjenci turistike apo operatorë turistikë për të nxitur fluks vizitorësh drejt Lezhës. “Unë mendoj se nuk mungon interesi që kanë njerëzit për të udhëtuar, argëtuar, për të eksploruar gjëra të reja apo për të bërë një ditë ndryshe por duhet që ‘ti’ t’ua afrosh diçka të tillë. Lezha ka ende shumë për të dhënë në turizëm dhe e them pa frikë se është një ansambël i plotë vlerash turistike tek të cilat mund të mbahesh për të krijuar itinerare të ndryshme apo destinacione të mundshme. Jam bërë pjesë e kursit që të kem mundësi që eksperiencën time të fituar Itali në turizmin e eventeve ta zhvilloj edhe këtu por duke ofruar edhe më shumë se aq. Kjo është puna që dua “, thotë Gentjan Marku për kursin që sapo ka nisur.

Gentjan Marku duke folur për Portën Vendore. Foto: Gj. Figuri

Lezha mund të jetë ndër të paktët qytete që nuk ka agjenci turistikë për turistët, duke operuar vetëm nëpërmjet agjencive të Tiranës apo Shkodrës, për të dërguar vizitorë nga Lezha drejt shteteve të tjera. Kjo duket se ka ndikuar edhe për mos pasjen e udhërrëfyesve turistikë, mungesën e paketave turistike që përfshijnë të gjithë zonën dhe më pak promovim. Në këto kushte, në këtë bashki ka nisur të mendohet për një fushatë të plotë promocionale, por duke mundësuar edhe shërbime të përmirësuara. Udhërrëfyesit e parë turistik të Lezhës do të jenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm të pranverës, duke pritur që të ketë edhe më shumë vëmendje të agjencive ndaj kësaj zone turistike.