Ngjarje/Personazhe

Fshati turistik i Spillesë pa kanalizime, ujërat e zeza derdhen në det

5 nëntor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Rrogozhinë

Fshati turistik i Spillesë është rreth 1 orë larg Tiranës, dhe këtë sezon turistik ishte i mbushur jo vetëm me turistë vendas, por edhe të huaj, kryesisht sllavë. Rëra e bardhë dhe e pastër e kuruar me kujdes nga ‘beach baret’, shëtitorja e bregut e ndërtuar vitet e fundit, pylli i dendur i pishave dhe deti fantastik janë një oaz i denjë për pushime verore të gjata, por edhe për fundjava të shkurtra. Por e gjithë kjo panoramë shëmtohej nga një kanal i ujërave të zeza që kishte dalje deri në breg të detit, dhe era e rëndë e tij veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes kur shëtitorja mbushej plot, krijonte shqetësim dhe ndjenjë pakënaqësie tek pushuesit.

Ndryshe nga ç’pritej për shkak të situatës së Covid 19, në plazhin e Spillesë, numri i pushuesve nuk ka pësuar ulje, përkundrazi. Kjo për shkak se operatorët turistikë nuk abuzojnë me çmimet dhe i mbajnë ato në nivele të përballueshme, ndërsa Spilleja është e njohur si një zonë e qetë ku mund të bësh pushime familjare.

“Gjynah, gjithë ky plazh e prishin më këtë kanal të shpifur. Na qelbi me këtë erë. Si nuk vë dorë shteti dhe e lë kështu. Pale mushkonjat që na grinë. Nga kanali vijnë”, shprehet Shpresa nga Elbasani, e cila ka ardhur me familjen për të kaluar pushimet në Spille. Si ajo janë të shumtë pushuesit që mbajnë hundën me dorë kur kalojnë mbi urën e drunjtë mbi kanal, ndërsa kamerieri i lokalit ngjitur thotë se era e rëndë që kanalit i ka larguar pushuesit.

“Të them të drejtën, neve na vijnë më pak pushues vetëm se jemi afër këtij kanali dhe mban erë. Unë rri gjithë ditën këtu dhe u mësova tani, po të gjithë kush vjen këtu ankohet. Ca të bëjmë ne duhet ta pastrojnë këta të komunës, a shteti ku e di unë”, thotë Andi.

Por Andi nuk është as i pari e as i fundit nga rreshti i biznesit që ankohet në lidhje me këtë situatë të pakëndshme.

“U bënë vite që ankohemi për këtë kanal, po askush nuk vë dorë. Ja shikoje edhe vetë gjithë plazhi është plot, këtu afër kanalit ka më pak pushues se normal asnjë s’do të rrijë afër erës së rëndë, megjithëse me 5 mijë lekë shezlongu. E kam bërë vetë ofertën që të kem një gjë plus nga të tjerët, por s’vijnë prej kanalit. Të betohem që edhe vetë e kam pastruar, madje kam hedhur rërë që mos të ketë dalje në det. Ka raste që thahet, por ka shumë njerëz në fshat, në kulmin e sezonit kanali mbushet plot e derdhet në det. Kjo nuk është normale”, thotë Besniku administratori i lokalit ngjitur.

Përveç kanalit që ka dalje në det, në rrugën e makinave përtej pyllit është një tjetër kanal i hapur, i rrethuar nga ferrat e shkurret edhe ky me erë të rëndë, ndërsa hotelet anës rrugës kanë hapur gropa septike nga mungesa e sistemimit dhe e kanalizimit të ujërave të zeza.

Kanali me mbetje në Spille. Foto: Eljona Ballhysa

Mirela, administratore e një prej hoteleve të zonës, tregon se në Spille prej vitesh mungon rrjeti i kanalizimit të ujërave të zeza, gjë që penalizon turizmin. “Jo vetëm ne si hotel, por të gjithë çfarë shikon kanë hapur gropa septike, për ujërat e zeza, pasi këtu nuk ka kanalizime. Ka nga ata që i derdhin në kanal, siç e shikon aty të ferrat, ose të tjerë banorë të zonës që kanë shtëpi, i derdhin nëpër ara. Prandaj vjen era e rëndë, prandaj ka dhe shumë mushkonja pavarësisht se ne e spërkasim vazhdimisht hotelin e dezinfektojmë zonën”, thotë ajo e cila shton se shumë turistë të huaj nuk rrinë gjatë, vetëm për këtë arsye. “Të them të drejtën e kam pasur plot hotelin këtë vit. Prisja më keq për shkak të virusit, por gjynah të qahem. Ajo që më vjen keq është se kam pasur familje nga Maqedonia, nga Serbia, madje edhe nga Bullgaria, por kanë ndenjur pak ditë, 3-4 ditë se nuk duronin mushkonjat dhe erën e rëndë që vjen në darkë nga kanali i ujërave të zeza. Ata s’janë mësuar kështu. Kanë frikë edhe nga infeksionet e lëkurës”, thotë Mirela.

Fshati i Spillesë është pjesë e Bashkisë së Rrogozhinës. Për këtë arsye Porta Vendore kontaktoi me kryetaren e bashkisë së këtij qyteti, Antonela Dedej e cila përmes zyrës së shtypit konfirmoi mungesën e kanalizimit të ujërave të zeza në këtë fshat turistik.

“Fshati i Spillesë nuk ka rrjet kanalizimi të ujërave të zeza. Nga ana e Bashkisë Rrogozhinë është hartuar projekti i zbatimit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe është dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve dhe jemi në pritje të financimit të projektit. Theksojmë faktin që vlera e projektit është e konsiderueshme dhe vetë Bashkia Rrogozhinë e ka të pamundur ta financojë me buxhetin e saj për këtë arsye është aplikuar pranë AKUM”, njofton Bashkia e Rrogozhinës.

Madje, Bashkia konfirmon faktin se shumë hotele në Spille kanë hapur gropa septike dhe një pjesë e ujërave të zeza derdhen pikërisht në kanalin që ka dalje në det.

“Të gjitha hotelet dhe bar-restorantet që operojnë në zonën e Spillesë janë të pajisura me gropa septike dhe ujërat e zeza që derdhen në kanalin me dalje në det janë pasojë e derdhjes nga ana e banorëve të fshatit Spille dhe Greth”, konfirmon Bashkia e cila thotë se “plazhi i Spillesë dezinfektohet në mënyrë periodike sipas një plani të miratuar dhe të zbatuar nga Instituti i Shëndetit Publik”, për sa i përket mushkonjave.

Por fakti se ekziston një kanal i ujërave të zeza në rërë, dhe një tjetër në anë të rrugës kryesore, ndërkohë që i gjithë fshati është i mbushur me gropa septike, pavarësisht dezinfektimit, mushkonjat dhe shumë insekte të tjera, s’kanë se si të zhduken duke u kthyer edhe në burim infeksioni dhe shqetësuese për shëndetin e turistëve.

Ujërat e zeza në kanalet që derdhen në Spille. Foto: Eljona Ballhysa

Porta Vendore.al kërkoi informacion edhe nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, ku ky institucion u shpreh se: “Bazuar në kuadrin ligjor të sektorit të ujësjellës- kanalizimeve dhe autonomisë së vetëqeverisjes vendore, shërbimi i ujësjellës – kanalizimeve është një sektor që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit vendor dhe ky i fundit e ka detyrim ligjor ta ofrojë këtë shërbim ndaj konsumatorëve, ndaj sa i përket shërbimit të mos ofruar duhet të drejtoheni pranë organeve vendore përgjegjëse sipas ligjit, UK Rrogozhinë Sh.a. dhe Bashkia Rrogozhinë”. Në përgjigjen drejtuar Portës Vendore ky institucion sqaroi gjithashtu se:

“Qeveria qendrore është përgjegjëse për politik-bërjen dhe mbështetëse me financim për infrastrukturën për pushtetin vendor, kur ky i fundit nuk ka kapacitetet për të përballuar. Qeveria qendrore në punën e saj udhëhiqet nga dokumentet strategjikë të sektorit dhe një ndër më të rëndësishmit ndër ta MasterPlani (i mbështetur dhe financuar nga KfW , Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria Gjermane )Sipas këtij masterplani , nevojat deri në vitin 2040 në sektorin e kanalizimeve janë rreth 9 herë më të mëdha se nevojat në sektorin e furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm e me cilësi. Prioritetet e këtij MasterPlani i cili ndiqet në kuadrin politikbërës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe zbatohet nga AKUM, në disa nga komponentët e tij, prioriteti numër një sugjerohet furnizimi i pandërprerë me ujë të pijshëm e me cilësi për qytetarët shqiptarë bazuar në nevojat dhe emergjencat që paraqet sektori në nivel kombëtar”, thuhet në përgjigjen e AKUM për Portën Vendore, duke theksuar në lidhje me Bashkisë Rrogozhinë, se është mbështetur me financim nga qeverisja qendrore në të 2 fazat si projekt ide dhe si projekt zbatimi për projektin e përgatitur.

“ Të dyja këto faza janë financuar nga qeveria qendrore përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nga agjencia zbatuese ish-DPUK, AKUK sot AKUM. Projekti përfshin sistem të plotë të integruar për infrastrukturën e kanalizimeve dhe si dhe impiantin ITUN. Projekti që është miratuar në organin e Këshillit Teknik të AKUM i hap rrugë zbatimit , sapo të sigurohen fondet për investim qoftë nga pushteti vendor qoftë nga ai qendror”, përfundon në përgjigjen e tij ky institucion.

Megjithatë, ujërat te zeza që derdhen në det, nuk largojnë vetëm turistët, por ndikojnë dhe në florën dhe faunën e zonës. Klaudio Hyseni, aktivist në qarkun e Durrësit për çështje mjedisore tha se ujërat e zeza që derdhen në det ndikojnë në florën e faunën në ekosistemin e zonës dhe shëndetin e qytetarëve. “Ndryshimet e parametrave biologjik zhdukin peshqit dhe gjallesat e tjera që jetojnë në vendin e derdhjes të ujërave të papërpunuara dhe rrezikon livadhet e poseidonias ose siç quhet rëndom barishtja e detit, që ka si qëllim çlirimin e oksigjenit dhe mundëson jetesën e gjallesave në ujë”, thotë për Portën Vendore aktivisti, ndërsa shton se gjatë sezonit të verës pushuesit që frekuentojnë këto zona përballen me rrezikun e marrjes e sëmundjeve të lëkurës dhe infeksioneve të brendshme që shkaktohen nga larja në plazheve ku bëhet shkarkimi i ujërave të ndotura. “Fëmijët janë më të rrezikuar për shkak të sistemit imunitar të dobët dhe larjes së tyre pranë bregut ku gjendet përqendrimi më i madh i elementeve përbërës të ujërave të zeza. Mjekët ngrenë shqetësimin se institucionet duhet të njoftojnë qytetarët për plazhet e ndotura, të marrin masa të menjëhershme në parandalimin e derdhjes së ujërave të zeza në zonat që frekuentohen nga pushuesit”, përfundon Hyseni. Ndërsa të njëjtin mendim në lidhje me riskun që vijnë nga ujërat e ndotur në infeksionet e lëkurës dhe jo vetëm, e përforcon edhe më shumë doktoresha infektive e një prej qendrave shëndetësore në Tiranë, ku rrëfen se nuk kanë munguar rastet e paraqitura me këto simptoma.

“Jo vetëm gjatë këtij sezoni turistik por për çdo vit na vijnë pacientë me sëmundje të lëkurës ose infeksione të ndryshme urinare të përftuara nga një ujë jo i pastër. Larja në pishina ose plazhe të ndotura bën që shumica prej tyre të vuajnë nga infeksionet, ku trajtimi varet sipas shkallës së sëmundshmërisë, që përfshihet nga i lehtë deri tek më i rëndi” , rrëfen Entela, mjeke në sistemin parësor për Portën Vendore.