Vëzhgim/Analizë

Qeveria zgjidh qesen për vendorët në vit elektoral. Më 2021–in buxheti i bashkive rritet me 5.9%

3 nëntor 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Vitin e ardhshëm, që është edhe vit zgjedhor, bashkitë do të marrin më shumë financime nga buxheti i shtetit. Në projektbuxhetin 2021, të publikuar nga Ministria e Financave evidentohet se buxheti vendor parashikohet në masën 56.3 miliardë lekë ose sa 3.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Krahasuar me buxhetin vendor të 2020, konstatohet një rritje prej 5.3%, ekuivalente kjo me 2.9 miliardë lekë më shumë. “Me buxhetin e vitit 2021, do të financohen funksionet e transferuara, dhe të gjitha funksionet e tjera të parashikuara në ligj, të cilat njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë për detyrë t’i ushtrojnë në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksojnë Financat.

Të ardhurat nga taksat dhe tarifat e veta vendore për vitin 2021, parashikohet të kenë një rritje me mbi 2.3 miliard lekë më shumë se sa plani i vitit 2020 ose e thënë ndryshe me një rritje prej 10%. Ministria e Financave rendit në relacionin që shoqëron projektbuxhetin arsyet e rritjes së të ardhurave. “Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, ndryshimet që po zbatohen në taksën e pronës, kadastrën fiskale parashikojnë të ndikojnë në peshën e rritjes së të ardhurave në buxhetin vendor”, theksohet në raport.

Por përveç të ardhurave që bashkitë do të grumbullojnë vetë, vitin e ardhshëm qeveria tregohet e kujdesshme për të alokuar më shumë fonde për to. Sipas të dhënave të detajuara, pesha specifike e shpenzimeve të buxhetit vendor ndaj totalit të shpenzimeve të buxhetit të shtetit është rritur ndjeshëm në vitin 2021, në 9.58 përqind nga 9.23, për qind që janë planifikuar në vitin 2020.

Ekspertët vlerësojnë se buxheti vendor i vitit të ardhshëm është shumë optimist dhe kjo lidhet me faktin se kemi përpara një vit elektoral. Por parashikimet e shifrave nuk reflektojnë realitetin, veçanërisht në një vit të vështirë si ai po kalojmë, për shkak të pandemisë së COVID 19.

“Në këndvështrimin dhe eksperiencën me financat publike vendore, Projektbuxheti i vitit 2021 për pjesën e qeverisjes vendore është më shumë se optimist dhe me një qasje të fortë elektorale. Parashikimet për rritje të të ardhurave nga burimet e veta vendore janë tepër optimiste nisur nga zhvillimet aktuale që vërehen përgjatë vitit 2020. Viti i ardhshëm nuk mendoj do të jetë pa probleme…nuk besoj që COVID – 19 në fund të vitit 2020 do zhduket dhe jeta do të vijojë normalisht. Mendoj që nëse bashkitë do të arrijnë të mbajnë të njëjtin nivel të ardhurash me atë që patën përgjatë vitit 2020 do të jetë arritje e mirë”, shprehet për Porta Vendore Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.

Në një analizë më të detajuar, ekspertja argumenton se aktualisht, gjendja financiare e biznesit dhe familjeve është përkeqësuar dhe dobësuar shumë, çka lihet të besohet që në vitin 2021 vështirë se bashkitë do të arrijnë të regjistrojnë rritjen e pritur nga Ministria e Financave në Projektbuxhetin 2021. “Për më tepër, të mos harrojmë se duke filluar nga viti 2015 është e vërtetë që kemi një prirje në rritje të të ardhurave në terma nominalë por ndërkohë, bashkitë kanë rritur nivelin e taksave dhe të tarifave vendore. Përkeqësimi i gjendjes financiare të taksapaguesve dhe niveli aktual i lartë i taksave dhe tarifave vendore, lënë pak hapësirë për rritje gjatë 2021. Mjafton të mendohet në këtë drejtim për rritjen e nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, e cila aktualisht është në nivelin 8%, dhe rritjes së taksës së ndërtesës. Ndonëse janë rritur në terma të nivelit, të ardhurat e arkëtuara gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 për të dyja këto taksa janë në rënie të theksuar. Ndaj, si eksperte dhe studiuese e financave vendore publike më lind pyetja “nga do të vijë rritja”?”, shprehet Toska.

Përsa i përket transfertës së pakushtëzuar të parashikuar nga buxheti i shtetit për bashkitë, për vitin 2021 ajo do të jetë në nivelin e 18.2 miliardë lekëve, e njëjtë me atë të vitit 2020. Por Ministria e Financave shpjegon se kësaj shume do t’i shtohen edhe fondet prej 7.8 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja dhe 500 milionë lekë si transfertë specifike për funksionin e “Mbrojtjes civile”. Në total, në vitin 2021, transferta e pakushtëzuar do të jetë 26.5 miliardë lekë.

“Ajo çka rezulton është se Transferta e Pakushtëzuar e Përgjithshme nuk ka ndryshim nga viti 2020, dmth është ruajtur i njëjti nivel prej rreth 18.2 miliardë lekë. Efektivisht në këtë komponent nuk ka rritje, por të paktën është ruajtur niveli i vitit të mëparshëm (ashtu si dhe ligji për financat vendore parashikon). Rritja vjen nga transfertat sektoriale, të cilat ndonëse janë pjesë e transfertës së pakushtëzuar, janë me destinacion, që do të thotë, bashkitë duhet ti përdorin për ato funksione për të cilat janë destinuar.  Shtesa e transfertës specifike/sektoriale për Mbrojtjen Civile është një përpjekje për t’u vlerësuar edhe pse e vonuar”, shprehet për Porta Vendore Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.

Ajo shton se Projektbuxheti 2021 nuk trajton një problematikë të madhe për financat e vendorëve dhe që lidhet me vendimin e qeverisë për të hequr tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. “Reduktimi i detyrimit të pagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël (5-8 milionë lekë) dhe zerimi i tij për biznesin e madh(8-14 milionë lekë) deri në vitin 2029, mbart dy problematika që në dokumentet e buxhetit nuk janë të adresuara:- Si do të kompensohen bashkitë për humbjen e një burimi të të ardhurave. Në vitin 2019 bashkitë morën rreth 376 milionë lekë nga ky burim dhe në gjashtë muajt e parë të vitit rreth 332 milionë lekë.  Bazuar në parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 34 mbi parimet themelore për financat e vetëqeverisjes vendore, pika 5 citohet “Në rast se ndryshimet në politikën fiskale shoqërohen me ulje të niveleve, normave dhe bazës së taksave vendore apo të pjesës së të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore nga taksat e ndara, Ministria e Financave është e detyruar të marrë masat për kompensimin e uljes, nëpërmjet rritjes së transfertave financiare dhe mundësive për huamarrjen vendore dhe/ose formave të tjera”,shprehet Toska.

Rezerva për buxhetin vendor 2021 ka bërë edhe Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive. Ai rendit disa probleme që do të hasin bashkitë gjatë këtij viti, teksa paralajmëron se vështirësitë e funksionimit të pushtetit vendor do të jenë të mëdha, edhe për faktin se pandemia e COVID 19 nuk dihet sesa do të zgjasë. 

“Së pari, problemet që lidhen me pasojat e tërmetit të 2019, që thuajse në vitin 2020 nuk marrin zgjidhje fare dhe do të jetë viti 2021 dhe buxheti tij që do t’i mbart, por jo se do t’i zgjidhë. Së dyti, problem me pandeminë që konsumoi buxhet të madh kombëtar dhe vendor për 2020 dhe pasojat do t’i kalojnë vitit 2021 për rimëkëmbje, por pa harruar që pandemia mund të vazhojë dhe sërish, do të jenë bashkitë që të mbulojnë me këtë buxhet të 2021 edhe vazhdimin e pasojave. Së treti, problem është vetë buxheti i vitit 2021, i cili për hir të rrethanave të krijuara nga pandemia dhe efektet e rimëkëmbjes, por edhe nën efektin e një ekonomie të dobët dhe të një niveli të ulët të fuqisë së taksapaguesve nuk është optimist dhe është në të njëjtat vlera me vitin që po mbyllim. Pjesa e Përgjithshme e Transfertës së Pakushtëzuar (TP) për vitin 2021 është 18.2 miliardë lekë, e njëjtë me atë të vitit 2020. Ky nuk është një lajm që do të pritet mire nga bashkitë”, shprehet Haxhimali për Porta Vendore.

Risku më i madh për financat e bashkive, por edhe ato të pushtetit qendror vitin e ardhshëm mbetet koronavirusi. Zgjatja e pandemisë dhe një mbyllje e mundshme do të ngadalësonte aktivitetin ekonomik dhe rrjedhimisht, do të përkeqësonte aftësitë paguese të qytetarëve dhe bizneseve, duke detyruar ekzekutivin që të rishikojë shifrat e projektbuxhetit 2021 si për qeverisjen qendrore, ashtu edhe atë vendore.