Ndodhi

Investime jo transparente, qytetarët në Durrës kërkojnë edhe ndërtimin e korsive të biçikletave

3 nëntor 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Qytetarët dhe aktivistët në Durrës protestuan për punimet që bashkia po realizon në rrugët e qytetit, duke kërkuar transparencë për projektet që ndërmerren dhe përfshirjen në to të korsive dedikuar biçikletave.

Përfaqësues të grupimit qytetar që përfaqëson përdoruesit e biçikletës, “Bicycle Durrës” parashtruan nevojën që investimet e reja të realizohen në bazë të përcaktimeve të Planit Vendor të Rregullimit të Territorit dhe Kodit Rrugor.

Rruga riparohet në vitin 2020 me standardet e viteve’ 90. Ajo përshtatet vetëm për kalimin e këmbësorëve dhe të automjeteve”, parashtroi Ogert Keçi, përfaqësues i grupimit.

Muajt e fundit Bashkia Durrës ka rikonstruktuar disa segmente rrugore, si ai tek rruga “Aleksandër Goga”, nga Mauzoleumi i Dëshmorëve në drejtim të sheshit qendror të qytetit, rruga përbri portit, ajo pranë stacionit të trenit dhe tani është përqendruar tek Sheshi Pranvera.

Ai po ri-konstruktohet me ndërhyrje të tjera, duke zgjeruar trotuaret me pllaka mermeri dhe duke ngushtuar rrugën e automjeteve, që ndikon ndjeshëm edhe në lëvizjen me biçikletë.

“Edhe sa përdorues biçiklete duhet të vdesin që Bashkia Durrës të zgjohet dhe të marri masa për t’i mbrojtur”, pyet aktivistja Livia Kreko. “Ne kërkojmë që nga sot, bashkia duke nisur nga ky investim të marri masa menjëherë për të ndërtuar pista dedikuar biçikletave”, shton ajo.

Transparenca me investimet dhe raporti i përfshirjes së komunitetit përmes dëgjesave publike ishte një tjetër shqetësim që ngritën aktivistët.

“Më datë 6 maj i kemi dërguar një kërkesë zyrtare Bashkisë Durrës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke i kërkuar që për këto projekte të zhvillojë dëgjesa dhe konsultime publike, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri më sot”, shpjegoi për Portën Vendore Ogert Keçi.

Projekti i investimit tek Sheshi Pranvera është hartuar nga Bashkia Durrës, ndërsa zbatimi po realizohet me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me një vlerë rreth 190 milion lekë ose  1.5 milion euro, teksa punimet duhej të kishin përfunduar në muajin gusht.

Projektet infrastrukturore të Bashkisë Durrës edhe në raste të tjera, përveç kostove në disa miliona euro kanë qenë përsëritje e punëve publike, në tejkalim të afateve, punime pa cilësi dhe të klasifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si “dëm ndaj buxhetit të shtetit”.

“Ky është një reagim për jetën, për shëndetin. Së pari për sigurinë rrugore, që të mos shohim më çdo muaj biçiklistë të vdekur apo të plagosur në rrugë”, parashtroi Klaudio Hyseni, “Bicycle Mayorof Durrës”, i njohur si kryetari i biçikletave në Durrës, që koordinohet nga një Organizatë Jo-qeveritare në Holandë.

Aktivistët e grupimit “Bicycle Durrës” njoftuan se në kuadër të projektit “Lëviz për korsitë pedalo i sigurt”, që mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, do t’i dorëzojnë Bashkisë Durrës një peticion me mbi 1000 firma qytetarësh, që kërkojnë ndërtimin e infrastrukturës dedikuar biçikletave në qytet.

Aktivistët e grupimit “Bicycle Durrës” të shtrirë në tokë në shenjë proteste për mungesën e korsive të biçikletave, që nxisin aksidentet rrugore. Foto:Geri Emiri.

Në mënyrë simbolike ata u shtrinë në tokë së bashku me biçikletat, në kujtim të të gjithë biçiklistëve që kanë humbur jetën apo janë lënduar gjatë lëvizjes me biçikletë në rrugët e qytetit. Trëndafilat e kuq përkujtonin biçiklistët e aksidentuar për vdekje në muajt e parë të këtij viti.

Rasti i fundit u shënua mëngjesin e 20 gushtit në Shkozet, ku humbi jetën një 65 vjeçar, i cili u godit nga një veturë teksa lëvizte me biçikletë. Ndërsa një fëmijë 8 vjeçar u përplas teksa lëvizte me biçikletë pak javë përpara këtij rasti.

Trëndafilat e kuq përkujtonin biçiklistët e aksidentuar për vdekje në muajt e parë të këtij viti. Foto:Geri Emiri.

Sipas të dhënave zyrtarë të marra nga Drejtoria e Policisë Durrës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2020 në total në Durrës u shënuan 70 aksidente, me 61 të plagosur lehtë, 11 persona të plagosur rëndë dhe 15 raste të humbjes së jetës.