Vëzhgim/Analizë

Sinica, fshati në kufi të dy bashkive, nuk njeh investime që nga koha e komunizmit

30 tetor 2020/ Roland Beqiraj/ Porta Vendore/ Devoll

Prej gati tri dekadash, Sinica një nga fshatrat e thellë të Bashkisë së Devollit, dhe në kufi me Bashkinë e Korçës, është lënë në harresë të plotë nga strukturat vendore dhe qendrore. Mungesa e rrugëve lidhëse me njësinë administrative dhe qendrat urbane, por edhe mungesa e shërbimeve të tjera jetike, detyroi banorët të shpërngulen masivisht nga fshati. Dora e shtetit në Sinicë nuk ndihet që nga periudha e komunizmit, ndërsa banorët po investojnë vetë për të përmbushur disa prej nevojave të domosdoshme, me perspektivën për t’iu rikthyer vendlindjes me histori shekullore, bukuri të shumta dhe potenciale turistike.

Të udhëtosh drejt Sinicës, fshatit më skajor të Bashkisë së Devollit, që gjithashtu shënon kufirin ndarës prej Bashkisë së Korçës, duhet të mendohesh mirë dhe midis dy rrugëve të pakalueshme, të zgjedhësh të keqen më të vogël. Vendosëm të udhëtojmë nga Devolli, pasi rruga prej 3 km nga Dardha në Sinicë, mund të qarkullohet vetëm nga mjet me kalueshmëri të lartë.

I gjithë aksi nga Bilishti deri në Miras është i asfaltuar dhe mirëmbajtur, ndërsa pas Mirasit në drejtim të Arrzës dhe Sinicës, udhëtimi është i mundimshëm. Distanca prej gati 7 km deri në Sinicë përshkohet për rreth 70 minuta. Në të gjithë gjatësinë aksi është aq i degraduar, sa mjeti kalon nga gropa në gropë, ndërsa pjerrësia dhe kthesat buzë honeve, e bëjnë të rrezikshëm lëvizjen në këtë segment.

Pluhuri na shoqëron gjithë udhëtimin, gjatë të cilit u shkëmbyem me dy apo tre mjete të mëdha. Rruga e keqe detyron banorët e kësaj zone t’i përshkojnë distancat drejt fshatrave në afërsi të kufirit me Greqinë, Arrzës, Qytezës, Nikolicës dhe Sinicës kryesisht me kafshë, me të cilat transportojnë sipas nevojës edhe persona të sëmurë.

Pasi lemë Qytezën, ndeshim në rrugë një familje nga Bilishti, e cila po kthehej nga Sinica, ku kishin shkuar për të parë ujëvarën e fshatit, një atraksion i rrallë turistik, të cilin edhe ministri i turizmit Blendi Klosi e promovoi si një destinacion që duhet vizituar këtë verë.

Familja kishte udhëtuar mbi 4 orë në këmbë nga kurioziteti, por shumica e banorëve që kanë mbetur në këtë zone të thellë dhe të harruar, rrugën në këmbë kanë një jetë që e bëjnë nga halli. Një segment me pjerrësi të madhe na dikton të shtojmë kujdesin dhe pak metra më tej shfaqet memoriali i Luiza Dules, mësueses 48-vjeçare që humbi jetën mëngjesin e 20 dhjetorit të dy viteve më parë. Mjeti me të cilin udhëtonte së bashku me kolegët për në Arrëz, doli nga rruga për shkak të ngricës, duke zënë poshtë gruan, që sapo kishte fituar betejën me një sëmundje të rëndë.

Edhe pas aksidentit tragjik ku mbetën të plagosur edhe dy mësues të shkollës së Arrzës, askush nga institucionet vendore dhe qendrore nuk u kujtua të ndërhynte në këtë segment të rrezikshëm, ku udhëtimi mund të kthehet në fatalitet në çdo kohë.

Mesdita shënoi fundin e një rruge që dukej sikur nuk do mbaronte kurrë. Para nesh u duk Sinica e kornizuar nga një reliev mahnitës, ku gjelbërimi i thellë thyhej butësisht nga arkitektura fine e shtëpive dy dhe trekatëshe, të cilave grija e gurëve iu shtonte nuanca misteri, duke të kthyer pas në kohë. Kurora e pyjeve dukej sikur shtrihej në pafundësi, ndërsa gurgullima e përrenjve, që zbrisnin rrëmbyer nga shpatet, bënin që të mos ndihej zhegu i gushtit.

Në hyrje të fshatit, bie në sy kisha post-bizantine e Shën Nikollës, një pjesë e së cilës u prish në vitin 1967. Nga oborri i kishës shihet një ndërtesë e rrënuar, dhe një gjysmë çatie e shkollës së vjetër. Pak metër më tej ndodhet shkolla e re, e cila ka vite e mbyllur, si na thonë edhe vetë banorët.

“Nga 60 nxënës që ka pasur shkolla në fillim të viteve ‘90, sot kanë mbetur vetëm dy fëmijë të cilët pas mbylljes së shkollës u transferuan në atë të Arrzës. Vit pas viti fshati u tkurr, sidomos nga emigracioni, por edhe lëvizjet drejt qendrave urbane. Sot jemi a s’jemi 30 banorë nga më tepër se 200, që ishim pas ndryshimit të sistemit”, tregon i keqardhur ish-drejtori i saj Stavri Dimashi. “Për një copë rrugë që nuk u bë kurrë këto 30 vite, u detyruan dhjetëra familje të ikin nga Sinica. Kemi një jetë që kërkojmë dhe lutemi të bëhet të paktën njëri prej segmenteve, ose ai që na lidh me Dardhën ose segmenti me Mirasin, por deri sot asnjë lopatë çakull nuk kanë hedhur, as Bashkia e Devollit dhe as ajo e Korçës, duke na detyruar edhe ne pleqve të marrim rrugën në këmbë, kur na duhen ushqime ose ilaçe”, thotë 72-vjeçari.

Të paktët banorë që kanë rezistuar dhe nuk e kanë braktisur ende fshatin ndihen të zënë në kurth dhe të izoluar, pasi dy segmentet që i lidhin me Korçën dhe Devollin, në pjesën më të madhe të vitit janë të pakalueshëm.

Stavri Dimashi (Ish drejtori i shkollës së fshatit, tani në pension). Foto: R. Beqiraj

Jam ndër të parët, -vijon Dimashi –që e lashë Sinicën dhe u vendosa në Korçë sepse nuk kisha ku t’i shkolloja vajzat. Shkolla e Arrzës është larg dhe fëmijët në mungesë të mjeteve të transportit duhet ta bënin rrugën në këmbë në mes të dimrit dhe acarit”.

Muajt e izolimit për shkak të pandemisëe bënë edhe më të vështirë jetën e banorëve të Sinicës, shumica e të cilëve janë të moshuar dhe jetojnë të vetëm. “Në fshat nuk ka dyqan, -thotë ish-mësuesja Adriana Dimashi. -Ecim gati një orë në këmbë bashkë me burrin deri ku fillon rruga e Dardhës për të marrë ushqimet, që na sjellin vajzat nga Korça. Ne e dimë ç’kemi hequr kohën e izolimit kur s’kishim kush na sillte edhe një dorë kripë”, vijon 70-vjeçarja për Portën Vendore.

Për dhjetë vite me radhë Adriana e ka bërë në këmbë rrugën nga Sinica deri në Drenovë, pasi familja e saj jetonte mes Korçës, ku shkollonte vajzat, dhe Sinicës ku kishte bashkëshortin. “Prej atëherë asgjë nuk ka ndryshuar. Rruga është bërë më e keqe se ç’ishte 20 vite më parë, për shkak të gërryerjes nga ujërat e përrenjve dhe në dimër të zë frika të kalosh edhe me kafshë. Sikur Sinica të lidhet me rrugë me Korçën dhe Devollin, kthehet në një parajsë të turizmit dhe banorët e ikur kanë për tu kthyer”, thotë e dëshpëruar e moshuara.

Dhe në fakt nuk janë të pakët sinitarët që janë kthyer pas vitesh në emigracion dhe kanë rindërtuar shtëpitë, edhe pse në fshat mungojnë edhe shërbimet minimale të domosdoshme. “Vitet e fundit, -tregon Stavri Dimashi – janë restauruar mbi 15shtëpi ekzistuese dhe 5 janë bërë të reja, të cilat banorët i përdorin kryesisht për të pushuar gjatë verës“. Edhe banorët e tjerë mundohen t’i mirëmbajnë me sa munden shtëpitë, koston e restaurimit të të cilave e dyfishon transporti i materialeve të ndërtimit për shkak të rrugës së keqe.

Me gati të njëjtën lartësi mbi nivelin e detit si Dardha, pasuri natyrore të paprekura dhe klimë alpine, Sinica po konsiderohet nga banorët edhe si mundësi për të zhvilluar turizmin e aventurës, aq i preferuar nga të huajt.

Theofan Gjelou u kthye në vendlindjen e të atit, dy vite më parë dhe njërën prej shtëpive e restauroi dhe ktheu në bujtinë. Një ndërtesë ku ruhet me fanatizëm çdo element i traditës së fshatit dhe zonës. “Numri i turistëve sa vjen dhe bëhet më i vogël, –ankohet i zoti i bujtinës. –Mund të ketë kuriozitet dhe interes për fshatin nga turistët vendas dhe të huaj, por mungon ndihma dhe promovimi nga strukturat shtetërore. Nga ana tjetër rrugët e pakalueshme i stepin vizitorët të ndërmarrin risqe në zona kaq të thella”, pohon 60-vjeçari. I pashpresë që situata do ndryshojë edhe për shkak të pandemisë, duke mbyllur derën e bujtinës, ku ka mbi një vit që s’shkel kush, Theofani thotë se po bëhet gati për ta nxjerrë në shitje ndërtesën e të parëve të tij, ku investoi kursimet e gjithë jetës.

Theofan Gjelo duke pozuar për Portën Vendore. Foto: R. Beqiraj

Shteti inekzistent për Sinicën, banorët investojnë vetë për shërbimet jetike

Rruga nuk është halli i vetëm për banorët e Sinicës, por infrastruktura e keqe është shkaku i një zinxhiri të tërë shërbimesh jetike, të munguara thuajse plotësisht ndër vite.

Shqetësimi më i madh për Vasilika Dushkun, e cila gjysmën e vitit jeton në Sinicë me nënën e saj 93-vjeçare, mbetet mungesa e shërbimit shëndetësor, i cili është ndërprerë pas largimit për në Gjermani të infermierit të qendrës shëndetësore të fshatit.

Ka tre vite, -shprehet Vasilika-që fshati nuk ka as infermier, as mjek. Nuk kemi kush të na matë tensionin dhe të na bëjë një vizitë rutinë. Për të shkuar në qendrën shëndetësore të Mirasit, sidomos gjatë dimrit, i cili këtyre anëve është i ashpër dhe na le muaj të tërë në izolim, duhet të nisem një ditë më parë dhe të fle tek motra që kam në Qytezë. E shtymë jetën me frikë dhe ankth se këtu në fshat nuk vjen dot as ambulanca për shkak të rrugës së keqe. Në rastet e urgjencave, transporti i të sëmurit në spitalin e Korçës na kushton 3 mijë lek të rinj”, rrëfehet 65-vjeçarja për Portën Vendore.

Edhe pse të larguar masivisht, sinicarët e kanë mbajtur gjithmonë kokën pas nga vendlindja, në kushtet kur dora e shtetit s’është parë kund dhe të vetmet investime që mbajnë mend banorët, janë ato të periudhës së komunizmit.

Vasilika Dushku duke folur për Portën Vendore. Foto: R. Beqiraj

Po të mos ishte Albert Hysolli, ne do vdisnim për pikën e ujit, – thotë Vasilika, e cila na tregon se Hysolli është emigranti që ndërtoi depon e ujit dhe shtroi me shpenzimet e tij rreth 2 km tubacione, duke siguruar kështu ujin e pijshëm për të tri lagjet e fshatit.

Edhe rrugët e brendshme të fshatit, edhe urat tregojnë banorët janë riparuar me kontributin e emigrantëve, të cilët së fundi po investohen për ta kthyer në muze shkollën e fshatit, e cila u mbyll për shkak të mungesës së nxënësve.

“Por emigrantët nuk mund t’i bëjnë të gjitha, –konstaton Stavri Dimashi, i cili na tregon kanalin e ujërave të zeza, që përshkon mes përmes fshatin dhe për të cilin banorët presin ndërhyrje nga Bashkia e Devollit.

Porta Vendore kërkoi informacion nga Bashkia e Devollit për investimet që ishin kryer ndër vite në fshatin Sinicë, i cili para ndarjes së re administrative i përkiste komunës Miras dhe sot Bashkisë së Devollit. Kryetari i bashkisë, Eduart Duro, i pohoi Portës Vendore se prej vitit 1992 në Sinicë nuk rezulton të jetë kryer ndonjë investim apo të jenë zbatuar projekte, si nga vendorët ashtu edhe nga pushteti qendror, pavarësisht kërkesave të përsëritura për ndërhyrje në infrastrukturën rrugore dhe shërbime të domosdoshme për banorët. “Duhet pranuar, se deri sot në Sinicë nuk është hedhur asnjë lek dhe investimet në shtrirje kohore janë zero. Ne si bashki kemi gati dy projekte jetike për banorët e fshatrave të kësaj zone, që janë ujësjellësi i Sinicës dhe ndërtimi i dy akseve, atij Kryqëzimi Dardhë-Arrëz- Nikolicë dhe Miras-Arrzë, duke zgjidhur në mënyrë përfundimtare problemin e infrastrukturës të këtyre fshatrave të thellë”, tha kryebashkiaku Duro.

Referuar njoftimit të Agjencisë së Prokurimeve Publikenë 25 gusht, është shpallur procedura e tenderit me objekt rikonstruksionin e rrugës Miras-Arrëz, me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me njëfond limit prej 375 milionë lekë. Në të njëjtën ditë, Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi edhe hapjen e procedurës së tenderimit për rikonstruksionin e rrugës nga kryqëzimi Dardhë-Arrëz deri në fshatin Nikolicë, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe fond limit prej 247 milionë lekë. I pyetur nëse këto dy projekte përfshinin edhe rikonstruksionin e rrugës që lidh Arrzën me Sinicën, kryebashkiaku Duro pohoi se në këtë segment do ndërhyhej në një fazë tjetër. “Ndërtimi i unazës, -tha Duro –do reduktojë ndjeshëm kilometrat e pakalueshëm për banorët e Sinicës, të cilëve u mbetet pa rikonstruktuar një segment prej 1.7 km”.

Zbatimi i projektit për ndërtimin e unazës që do të lidhë me rrugë të gjithë fshatrat e skajshëm të Devollit, përveç Sinicës, pritet të fillojë në dhjetor dhe të përfundojë pas një viti, ndërsa rehabilitimi i akseve që lidhin Sinicën me Mirasin dhe Dardhën, konsiderohet emergjent nga prefekti i Korçës, Dhori Spirollari. “Rruga nga Mirasi deri në Arrëz dhe Sinicë, është problematike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, për tu bërë të paktën e kalueshme për mjetet. Kam kërkuar dhe insistuar që Bashkia e Devollit, të fillojë ndërhyrjen në këtë aks para vjeshtës, për të lehtësuar lëvizjen e banorëve drejt Bilishtit dhe shmangur ngjarjet e rënda, si aksidenti i mësueses së Arrzës gati dy vite më parë”, pohoi prefekti i Korçës Spirollari.

Sipas tij, Këshilli bashkiak tashmë e ka miratuar fondin prej 4.1milionë lekë që do të përdoret për rehabilitimin provizor të këtij segmenti, ku priten të angazhohen edhe mjetet e ushtrisë sipas një marrëveshje paraprake me vendorët.

Rrugës që s’i del zot askush

Ndërsa Bashkia e Devollit dhe Prefektura duket kanë gjetur zgjidhje për rrugën që lidh Sinicën me Mirasin dhe Bilishtin, për aksin tjetër nga Sinica deri në Dardhë nuk ka ende opsione për ta rehabilituar, pasi administrimi i tij mbetet i papërcaktuar dhe nuk merret përsipër nga njësitë vendore respektive.

Bashkia e Devollit, sipas kryebashkiakut Duro ka në administrim gjysmën e rrugës Sinicë-Dardhë, dhe gjysma tjetër i përket Bashkisë së Korçës. I pyetur nga Porta Vendore, për përkatësinë territoriale të këtij segmenti, nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Thanas Tona, u shpreh se kufiri që ndan dy bashkitë është fshati Dardhë dhe rruga prej jo më shumë se 3 km që të çon në Sinicë, është në administrim të Bashkisë së Devollit. “Deri para ndarjes së re administrative, Dardha ishte pjesë e komunës Miras të Devollit dhe pas reformës, Dardha kaloi në administrimin e Bashkisë së Korçës. Përtej fshatit turistik të Dardhës, të gjitha akset rrugore i përkasin bashkisë së Devollit”, sqaroi Tona për Portën Vendore.

Por nga një hartë e ndarjes territoriale, e siguruar nga Porta Vendore, konstatohet që pavarësisht argumenteve të vendorëve, kufiri mes dy bashkive nuk është fshati Dardhë.

Bashkia Devoll hyn në kategorinë e bashkive të vogla, ku varësia nga pushteti qendror është shumë evidente i tha Portës Vendore, ekspertja e ekonomisë Sorina Koti.
“Për fat të keq bashkitë e vogla nuk kanë fonde të mjaftueshme, për të investuar në infrastrukturë (kryesisht rrugë, shkolla apo qendra shëndetësore). Nga afër vërehet se njësitë administrative dhe fshatrat e tyre nuk marrin shërbimet jetike nga bashkia. Një shembull i tillë është edhe fshati Sinicë, një nga fshatrat më të vjetër të Shqipërisë, me një natyrë të bekuar, por e lënë në harresë nga pushteti vendor”, pohoi Koti.

Në vazhdim të argumentit, Koti pohoi se Bashkia e Devollit nga viti 2019 deri në 2020 ka përfituar më pak fonde nga transferta e pakushtëzuar dhe kjo për shkak të uljes së numrit të popullsisë (efektet e emigracionit). Përsëri fondet nga qeveria , të cilat arrijnë në 75% të totalit të të ardhurave, mbeten burimi më i madh që ka kjo bashki.

Ekspertja e ekonomisë konstaton përpos të tjerash edhe keqmenaxhimin e burimeve, Bashkia e Devollit pjesën më të madhe të fondeve e shpenzon për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime korrente, të cilat zënë 81%të totalit të të ardhurave dhe vetëm 16% e të ardhurave përdoren për investime kapitale.

Sipas Kotit, ky është edhe problemi më i madh që kanë bashkitë, pas miratimit të Reformës Territoriale në vitin 2015, ku mungesa e fondeve është kyçi i ngërçit të investimeve.

“Objektivi i reformës administrative ishte të shkurtonte shpenzimet administrative të pushtetit vendor dhe fondet e gjeneruara të alokoheshin për shpenzime kapitale. Por realiteti na tregoi të kundërtën”, vijon ekspertja, e cila e konsideron këtë reformë një dështim, në drejtim të forcimit të pushtetit vendor dhe rritjen e të ardhurave.

Sorina Koti tha se bashkitë janë edhe më të varfra seç kanë qenë para reformës dhe nga viti në vit, janë më të varura nga pushteti qendror.

Koti përforcon argumentin që Bashkia Devoll nuk ka parashikuar asnjë fond për investime në infrastrukturën rrugore. “Kjo na bën të themi me bindje se edhe këtë dimër, banorët e Sinicës do mbeten të izoluar nga dimri i gjatë dhe i vështirë, pa asnjë lloj shërbimi jetik dhe pa rrugë. Edhe 30 vite pas rënies së komunizmit, vendi vuan ende për shërbime jetike; si rrugët, mungesën e ujit dhe energjisë, aksesin në arsim dhe shërbim shëndetësor”, përfundon ekspertja e ekonomisë Sorina Koti.