Vëzhgim/Analizë

Të detyruara nga COVID 19 bashkitë përgjysmojnë investimet. Sektorët ku bie “gërshëra”

29 tetor 2020/ Aurora Sulçe/ Porta Vendore

Ky vit po rezulton i vështirë për bashkitë, të cilat kanë më pak para në dispozicion. Fillimisht tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar dhe më pas pandemia e COVID 19 kanë kushtëzuar një situatë aspak të lehtë financiare. Sipas raportit të gjashtëmujorit të parë të Financave Vendore, publikuar nga Co-PLAN dhe Ministria e Financave (financatvendore.al), bashkitë shpenzuan rreth 38.1 miliardë lekë në fund të pjesës së parë të këtij viti. Kjo vlerë rezulton në rënie me rreth 11.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në ndarjen sipas natyrës ekonomike në periudhën 2017 – 2019, shpenzimet korrente përfaqësuan rreth 69.8% dhe shpenzimet kapitale rreth 30.2% të shpenzimeve totale. Kjo do të thotë që për çdo 100 lekë të shpenzuara nga bashkitë, rreth 69.8 lekë shkuan për shpenzime korrente dhe rreth 30.2 lekë për shpenzime kapitale. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, shpenzimet korrente përfaqësuan rreth 85% dhe shpenzimet kapitale, të njohura ndryshe si investimet, përfaqësuan rreth 15% të shpenzimeve totale të kryera në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. E thënë më thjeshtë, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga bashkitë në vend, 85 lekë shkojnë për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe 15 lekë për mbulimin e investimeve. “Zhvendosja e shpenzimeve në favor të atyre korrente lidhet ngushtë me situatën aktuale nëpër të cilën po kalojnë 61 bashkitë, në proces ripërtëritje post tërmete (pagesa për subvencionim qiraje, tërheqje të materialeve inerte nga shembjet etj.), si dhe pandemisë së COVID-19 (blerje materiale konsumi për stafin, dezinfektantë, rritja e pagesave për buxhetet familjare etj.). Të dyja këto fatkeqësi përcaktuan një mori shpenzimesh të paparashikuara nga bashkitë dhe që janë të domosdoshme për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve të përfaqësuara”, theksohet në raport.

Grafik 1. Shpenzimet sipas kategorive klasifikimit ekonomik*

*Të dhëna në fund të tremujorit të dytë (apo gjashtëmujori i parë i vitit 2020), stok në fund të periudhës.

Rritja e shpenzimeve korrente

Por sa fonde janë përdorur për shpenzimet korrente? E thënë ndryshe për funksionimin e administratës së pushtetit vendor dhe mbulimin e nevojave të tjera? Sipas të dhënave të raportit të Financave Vendore, në gjashtëmujorin e parë, ato shënuan një nivel prej rreth 32.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 7.7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Zgjerimi i shpenzimeve korrente u diktua në masë të madhe nga rritja e shpenzimeve për transferta për buxhetet familjare dhe pagesën e PAK me rreth 33.1% në terma vjetorë, kryesisht në vijim të ndryshimeve të aplikuara në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë në vijim të pandemisë së COVID-19. Në paketën e parë antiCOVID-19, MFE përfshiu mbështetjen për kategoritë në nevojë, duke dyfishuar pagesën e të ardhurës nga papunësia dhe pagesën e ndihmës ekonomike.  Në paketën e dytë, u përfshi dhe një ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike të cilët ndonëse aplikues nuk ishin përzgjedhur fitues sipas sistemit të pikëzimit të ndihmës ekonomike. Në të njëjtin kah, por në masë më të vogël, kontribuoi, gjithashtu, rritja e shpenzimeve për personelin. Më saktësisht, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 bashkitë shpenzuan rreth 11.3 miliardë lekë për personelin, në rritje me rreth 2.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Përgjysmimi i investimeve

Përballë rënies të ardhurave (sipas raportit, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan një nivel prej rreth 11.1 miliardë lekë, në rënie me rreth 23.8% (apo rreth 3.4 miliardë lekë) krahasuar me nivelin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë), bashkitë u detyruan t’iu vinin gërshërën investimeve, të cilat rezultojnë të përgjysmuara. Sipas raportit të Financave Vendore, gjatë pjesës së parë të këtij viti shpenzimet për investime shënuan një nivel prej rreth 5.7 miliardë lekë, në rënie me rreth 56.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në klasifikimin sipas funksioneve të qeverisjes, shpenzimet kapitale rezultojnë të jenë tkurrur pothuajse në të gjitha funksionet, përjashtuar funksionin rendi dhe siguria publike. Në këtë të fundit, investimet rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm duke shënuar një nivel prej rreth 150.7 milionë lekë nga rreth 25 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Niveli i investimeve rezulton të jetë ulur në funksionet çështjet ekonomike me rreth 56.2% (ku përfshihet infrastruktura e transportit); strehimi dhe komoditetet e komunitetit me rreth 54% (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik) dhe në arsim me rreth 55.8% (ku përfshihen shpenzimet për infrastrukturën arsimore parashkollore dhe para-universitare) të cilat së bashku përthithin rreth 89% të shpenzimeve kapitale totale të kryera në periudhën në analizë. Në rënie të theksuar vjetore rezultojnë shpenzimet për funksionet: shërbimet e përgjithshme publike me rreth 65%; argëtim, kulturë dhe çështje fetare me rreth -92.3%; mbrojtja e mjedisit me rreth -84.3%.

Grafik 2. Shpenzimet totale sipas funksioneve të qeverisjes*

“Në nivel bashkie, mesatarisht shpenzimet për personelin rëndojnë me rreth 49.4% në totalin e buxhetit vendor, ndjekur nga shpenzimet operative dhe të tjera me rreth 30.9% dhe ato kapitale me rreth 19.7% (bazuar në të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2020). Kjo strukturë e shpenzimeve të bashkive pasqyron një zhvendosje drejt mbulimit të nevojave emergjente nisur nga situata në të cilën operojmë dhe frenim / shtyrje të investimeve”, theksohet në raport.

Kështu, sipas të dhënave, vetëm rreth 16 bashki nga 61 në total alokojnë më shumë se niveli mesatar prej rreth 19.7% të buxhetit të tyre në investime. Rënia vjetore e nivelit të investimeve duket të ketë ndodhur në 55 nga 61 bashki përgjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Në të kundërt, në 9 bashki shënohen norma pozitive rritjeje të investimeve, konkretisht në bashkitë Skrapar, Rrogozhinë, Pukë, Libohovë, Kukës, Këlcyrë, Dibër, Divjakë dhe Belsh. Ndërkohë, bashkitë Shijak, Pustec, Fushë Arrëz dhe Memaliaj nuk rezulton të kenë ndërmarrë investime me fonde të veta në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Grafik 3. Shpenzimet sipas natyrës ekonomike për 61 bashki (total shpenzime bashkia = 100%)