Investigime

Rindërtimi në projeksion, bilanci pesimist dhe larg premtimeve

28 tetor 2020/ Eljona Ballhysa/Bledi Gilaj/ Porta Vendore

Rindërtimi do të jetë kali i betejës i mazhorancës qeverisëse në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021. E ndërsa për pak javë mbushet një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria është shumë larg mbajtjes së premtimit se shumica e njerëzve që humbën shtëpitë do të kenëçelësat e banesave të reja brenda 31 dhjetorit të këtij viti. Ky premtim u dha vetëm një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që më 16 mars 2020, kur vendi ishte izoluar nga pandemia, Kryeministri Rama përsëriti se plani i rindërtimit as nuk do shtyhej e as nuk do të ndryshonte. Megjithatë, ky premtim ndryshoi vetëm një muaj më vonë, por sërish ishte tepër ambicioz për qeverinë e vendit tonë. Pikërisht më 8 prill 2020, Kryeministri Rama deklaroi se “Duhet të bëjmë çmos që të përfundojmë brenda këtij viti të paktën banesat individuale. Ndoshta nuk i bëjmë do të gjithë, me tre turne do punojnë, por të paktën banesat individuale do duhet të bëhen”.

Familjet jetojnë në çadra e banesa të pabanueshme

Sot, kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbyllja e vitit 2020, plani i rindërtimit duket shumë larg. Qindra familje jetojnë ende në çadra, ose në shtëpitë e shpallura të pabanueshme, dhe me frikën se ndonjë tërmet tjetër do i zërë brenda.

Një prej tyre është edhe familja e Nexhmije Nikës nga qyteti i Laçit, e cila jeton në banesë të pabanueshme me djalin e paralizuar. Ajo është tmerruar nga lëkundjet e fundit të tërmetit mëngjesin e 7 tetorit 2020 (me magnitudë 4 e shkallës rihter). “Lëkundjet e tërmetit të një natë më parë më rikthyen ankthin dhe frikën, se banesa mund të shembej dhe të na zinte brenda. Arrita të dalim jashtë, por të vështirë e kisha të nxirrja nga banesa djalin, i cili është i paralizuar”, thotë kryefamiljarja për Portën Vendore, e cila mes dhimbjes pas vdekjes së djalit tjetër dhe të bashkëshortit, i duhet të përballet me peripeci të shumta, dhe harresën nga shtetit, pasi që prej tërmetit të parë ajo nuk ka marrë asnjë ndihmë, ndërsa e ka shumë të vështirë ta përballoje jetesën. “Pas tërmetit të 26 nëntorit, ka ardhur vetë kryetari i bashkisë dhe më kanë vënë një çadër, por aty nuk mund të jetojmë se është komplet lagështi. Nuk më kanë dhënë as bonus qiraje dhe asgjë. Prandaj jam detyruar të hyj brenda në këtë shtëpi. Ndihmë tjetër më kanë dhënë vetëm disa ushqime, por unë dua një shtëpi të fus kokën. Edhe kjo shtëpi që kam nëse restaurohet, jam në rregull, por unë e vetme me djalë të paralizuar, ku mund të ankohem, çfarë mund të bëj, ku të drejtohem?”, shprehet Nexhmije Nika.

Por Porta Vendore vëzhgoi dhe familjet që jetojnë në çadra që nga tërmeti i 26 nëntorit, ku situata nuk është aspak optimiste as për këto familje. Tane Voga është një prej këtyre familjeve, e cila jeton në fshatin Halil të Krujës. 84-vjeçarja jeton e vetme, pasi është ndarë nga dy djemtë e saj dhe veç halleve të jetesës në çadër, ajo vuan nga zemra dhe reumatizma. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 i dëmtoi rëndë kullën shumëvjeçare, ku ajo jetonte, duke ia nxjerrë jashtë përdorimi. “Që nga ajo ditë e deri më sot, jetoj e vetme në një çadër që ma dha Bashkia, e cila më ka caktuar 5 mijë lekë bonus, por siç dihet, me aq lekëështë e pamundur të marrësh me qira, qoftë një dhomë të vetme e jo më një banesë të mirëfilltë. Unë marr dhe 8 mijë lekë pension kooperative, i cili nuk më mjafton as për faturat e ujit dhe dritave, e jo më për ilaçe e ushqim”, shprehet e moshuara.

Edhe në Durrës, situata paraqitet e njëjtë, ndërkohë që ka nga ata banorë, të cilët janë dëmtuar dhe nga tërmeti i 21 shtator 2019, ndërsa më 26 nëntor 2019 kanë marrë goditje fatale, por që ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Madje, nuk mungojnë dhe rastet abstrakte, ku banesa është shpallur e pabanueshme më 21 shtator, ndërsa më 26 nëntor, e kanë nxjerrë të banueshme. Një prej tyre ështërasti i Shpresa Guçes në Rrashbull të Durrësit, e cila jeton në një kontejner në 6 metra katrorë. “Më 21 shtator ma shpallën shtëpinë të pabanueshme, kurse pas tërmetit të 26 nëntorit, me vlerësuan në nivelin DS2 dhe më caktuan vetëm 2.5 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e banesës”, rrëfen me lot në sykryefamiljarja Shpresa Guçe torturën dhe vuajtjet e gjata në të cilat ka kaluar ajo me vajzën dhe mbesën, duke mos pasur përkrahje nga shteti. Sipas saj, është absurde sesi me tërmetin e parë ia kanë shpallur të pabanueshme, ndërsa me të dytin të banueshme. Ajo shprehet se me 2.5 milionë lekë nuk ia merr askush përsipër t’ia rikonstruktojë shtëpinë, por edhe ato para, ende nuk janë lëvruar nga Bashkia e Durrësit. Tashmë, veç halleve për të zgjidhur ngërçin për banesën e dëmtuar nga tërmeti, ajo shpjegon se shirat po i shkatërrojnë dhe ato pak mobilje e rroba që i kanë mbetur.

Po ashtu, shtëpia e familjes Shelna në Durrës është një ndër banesat e dëmtuara nga tërmeti më 21 shtator, ndërkohë që me 26 nëntor mori goditjen përfundimtare. Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi fatal për të, duke bërë që ata të detyrohen të largohen nga banesa e tyre dhe të jetojnë në një kasolle, ku kanë kaluar tre muajt e dimrit. Zef Shelna dhe bashkëshortja e tij jetojnë në kasolle në një ndër kodrat e Porto Romanos, ndërsa shprehen se Bashkia Durrës ende nuk i ka dhënë zgjidhje dhe po vjen dimri tjetër. “Banesa është dëmtuar në tërmetin e 21 shtatorit, i cili prishi shtëpinë time. Por dëmtimin më të madh e ka marrë më 26 nëntor. Tashmë shtëpia është pothuajse e rrënuar. Unë e ngrita si problem në çdo institucion, por nuk mu dha asnjë zgjidhje dhe nuk gjeta asnjë mbështetje në asnjë zyrë që është sot në Durrës, ndërkohë që dimri po afron sërish”, shprehet Shelna.

Shifrat e rindërtimit, larg parashikimit

Përgjatë 11 muajve që shkuan, qeveria është kujdesur të mbledhë fonde nga donatorë të huaj e të brendshëm, të hartojë programe pune e tabela bilancesh, dhe të përfundojë vetëm 30 banesa individuale e zero objekte arsimore! Ndërkohë, shifrat e projektuara premtojnë shumë më shumë.

Kjo u deklarua nga vetë kryeministri Rama në konferencën për shtyp të datës 29 shtator 2020. “Asnjë objekt arsimor nuk ka përfunduar ,sepse nëse do kishte përfunduar, ne do duhej të merrnim përsipër të gjitha ndërtimet publike në planet përsa i përket shpejtësisë së ndërtimit. Një pjesë e tyre përfundon më 26 nëntor, një pjesë tjetër janë në ndërtim e sipër”, tha kryeministri Rama. “Janë 14 shkolla nga Bashkia e Tiranës, dhe 37 nga 10 bashkitë e tjera që përfundojnë brenda këtij viti. Janë gati 30 banesa që janë dorëzuar. Praktikisht ne marrim 31 dhjetorin si fazën përfundimtare”, konfirmoi ministri i Rindërtimit Ahmetaj.

Rindërtimi i banesave individuale është parashikuar të kushtojë 7.13 miliardë lekë ose 22% e fondit total. Konkretisht 4.63 miliardë lekë do të kushtojnë banesat individuale dhe 2.5 miliardë lekë banesat kolektive. Aktualisht sipas ministrit Ahmetaj janë në prokurim 3470 banesa individuale prej të cilave 567 do ndërtohen në Shijak, 110 në Kavajë, 215 në Manëz, dhe 17 në Rajoni numër 2 në Durrës.

Ndërkohë ka përfunduar procesi i tenderimit për paketën B, e cila përfshin 743 objekte në bashkitë Krujë e Durrës sipas njësive: 78 në Bubq, 128 në Fushë Krujë, 215 në Manëz, 277 në Ishëm, 28 në Rrashbull dhe 17 në Durrës, Rajoni 2.

Në Tiranë do ndërtohen 63 banesa individuale në njësinë e Farkës, 54 në Baldushk, 53 në Shëngjergj, Dajt, Kashar e Pezë, 9 në Krrabë, 66 në Zall Herr, 74 në Ndroq. Në këto njësi administrative sipas qeverisë kanë nisur punimet në masën 100%.

Ndërkohë është shpallur tenderi për paketën C, e cila përmban 238 banesa individuale sipas bashkive. Konkretisht për Bashkinë Kurbin janë 24 në Fushë-Kuqe, 38 në Laç, 56 në Mamurras, 73 në Milot. Për Bashkinë Mirditë janë 7 banesa në Fan, 8 në Kthellë, 17 në Rrëshen, 9 në Rubik dhe 6 në Selitë.

Janë lidhur kontratat për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e banesave individuale, gjithashtu është shpallur edhe marrëveshja kuadër për tenderin e kolaudimit për banesat individuale.

Ministri Ahmetaj edhe njëherë përsëriti se një pjesë e mirë e banesave individuale do të mbarojnë brenda 31 dhjetorit e këtij viti, ndërsa pjesa tjetër në 3-4 mujorin e par të vitit të ardhshëm, në bazë edhe të procedurës së prokurimit dhe angazhimit të kompanive.

Por, me këtë deklaratë, ministri hodhi poshtë të gjitha premtimet e bëra nga data e tërmetit deri në muajin prill, kur qeveria ishte tejet e fokusuar dhe e bindur se deri në muajin dhjetor 2020, të paktën të gjitha banesat individuale do të ishin rindërtuar. Megjithatë, premtimi është shtyrë dhe katër muaj të tjerë, të cilat korrespondojnë pikërisht me fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku duket se qeveria do të përqendrojë të gjitha forcat e saj për rindërtimin e banesave individuale.

Ndërsa banesat kolektive, që sipas premtimeve duhet të kishin filluar në të 11 bashkitë e dëmtuara, ministri Ahmetaj deklaroi se fillojnë brenda 15 tetorit. Në Tiranë janë planifikuar të ndërtohen 92 banesa kolektive.

Në total janë planifikuar të ndërtohen 4644 banesa kolektive nga FSHZH. Konkretisht në Lezhë 93 apartamente në zonën 1 dhe 116 në zonën 2. Në Laç 500 në zonën 1 dhe 200 në zonën 2. Në Krujë, 45 në Bubq, 93 në Fushë-Krujë, 278 në Thumanë. Në Durrës, 547 në Zonën 1, zona 2, 3 dhe 4 janë në proces hartimi. Në Vorë do ndërtohen 404 apartamente, në Kavajë, 330 dhe në Shijak 565. Në Golem 45, në Marikaj 102 dhe në Mirditë 90. Për këto apartamente ka përfunduar procesi i tenderimit të projektit teknik deri në marrjen e lejes. Për bashkinë Vorë pritet të fillojnë punimet në 10 ditëshin e parë të tetorit, ndërsa për të tjerat pritet të nisin punimet në muajin nëntor.

Shkollat, dhe më larg “dritës jeshile”

Ndërsa premtimi për të paktën banesat individuale duket i parealizueshëm dhe kjo e pranuar dhe nga vetë qeveria, e cila ka shtyrë afatin e dhënë vetë për përfundimin e rindërtimit të tyre, objektet arsimore duket se janë dhe më shumë larg rindërtimit.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj bëri të ditur se procesi i rindërtimit i nisur në vitin 2020 parashikohet të përfundojë në vitin 2022 dhe është i ndarë në 4 programe kryesore në ndërtimin e objekteve arsimore, në ndërtimin e banesave individuale, në grante për rikonstruksion dhe në ndërtimin e infrastrukturës publike. “Për vitin 2022 janë në dispozicion 34 miliardë lekë ose 340 milionë dollarë, ndërsa për vitin 2021, 250 milionë dollarë por pritet që kjo shifër të shkojë deri në 280 milionë dollarë. Për ndërtimin e objekteve arsimore (shkolla, kopshte, çerdhe) është parashikuar një fond prej 7.29 miliardë lekësh, ndërsa janë parashikuar të ndërtohen në total 143 objekte të tilla. 34 do ndërtohet me Fondin Shqiptar të zhvillimit, 14 objekte do ndërtohen nga Bashkia e Tiranës.”, tha Ahmetaj.

Për objektet arsimore, Ministri vuri në dukje se 92 shkolla do ndërtohen nga donatorët, konkretisht përmes dy programeve “EU for School 1” dhe “EU for School 2” që shkojnë të dyja 75 milionë euro për 82 shkolla. Qeveria gjermane do të financojë ndërtimin e 3 shkollave me KFV-në, Sllovenët një 1 shkollë, Sllovakët kanë 4 dhe Katari do të financojë ndërtimin e 3 të tillave. Objektet arsimore janë parashikuar të ndërtohen 21 në Kamëz, 6 në Lezhë , 27 në Tiranë , 12 në Kavajë , 2 në Mirditë , 6 në Shijak.

Porta Vendore vëzhgoi disa nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku vihet re se nga 21 shkolla të dëmtuara në Durrës dhe Lezhë, asnjë nuk ishte gati të përfundonte së rindërtuari. Në Bashkinë e Durrësit, nga 29 godina arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, 14 prej tyre janë në proces rindërtimi, ku 9 i përkasin qytetit bregdetar. Të gjitha godinat që do të ndërtohen nga e para janë shembur dhe ka nisur puna për rindërtimin, por ajo që vihet re në Durrës është se procesi nuk do jetë gati as më 26 nëntor, siç ka premtuar Rama.

Ndërsa në Lezhë situata është edhe më dramatike mbi ecurinë e rindërtimit. Nga shtatë shkolla të dëmtuara nga tërmeti, vetëm në tre prej tyre ka nisur procesi i rindërtimit.  Një nga shkollat që ka ecur me hapa më të shpejtë në Lezhë, është ajo e Njësisë Administrative Shënkoll. Ndonëse punimet për rindërtimin e shkollës se mesme të bashkuar “Llesh Nik Daka” u përgëzuan nga Rama, kjo shkollë ende nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia Lezhë. Në 4 shkollat e tjera ende nuk ka nisur as faza e shembjes së tyre, përfshirë këtu shkollën 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”. Sipas informacioneve të marra nga drejtoria Arsimore për veriun, ky vit i ri shkollor në qarkun Lezhës nis me 3 shkolla të rikonstruktuara plotësisht, ajo në Ishull Lezhë, Rrëshen, dhe Klos.

Grantet për rikonstruksion

Ministri Ahmetaj bëri të ditur se nga vlerësimi që kanë bërë njësitë vendore në të 11 bashkitë, shuma për dëmet e lehta dhe mesatare të shkaktuara nga tërmeti është 9.42 miliardë lekë, ose 94 milionë dollarë. “Qeveria praktikisht ka akorduar këtë vit nëpërmjet buxhetit të shtetit 9.40 miliardë lekë, të cilat do të jenë në duar të familjarëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar lehtë ose mesatare. 50 milionë dollarë tashmë janë shpërndarë dhe procesi vazhdon”, tha ministri.

Konkretisht nga grantet për rikonstruksion janë miratuar për të përfituar 27407 persona. Deri më sot janë lidhur kontrata me emër, mbiemër, adresë dhe numër llogarie për 20381 familje. Janë paguar me para në dorë 19795 familje, të cilat kanë marrë në total 5,44 miliardë lekë.Ndërsa 2000 të tjerë janë në proces vlerësimi. Ahmetaj tha se brenda tetorit do të përfitojnë grante për rikonstruksion mbi 27 mijë familje.

Ekspertët: Zvarritja mund të tërheqë donatorët nga premtimet

Klodian Muço, ekspert ekonomie e pedagog, analizon për Portën Vendore procesin e rindërtimit dhe thotë se është shumë i zvarritur e se qeveria nuk do mund t’i mbajë dot premtimet në kohë. Madje ai bën një paralelizëm me ndërtimin e Shkodrës në kohën e diktaturës kur ra tërmeti, e cila u ndërtua për 4 muaj, ndërsa në 10 muaj procesi sapo ka nisur. “Ideja e procesit të rindërtimit është shumë e zvarritur. Kur në dhjetor u diskutua për rritjen ekonomike të Shqipërisë u diskutua që rritja ekonomike do të ishte diku tek 4 % me idenë se ishte procesi i rindërtimit dhe do stimulonte goxha ekonominë. Pasi mendo një ekonomi të vogël si e Shqipërisë ku do injektoheshin diku tek 1 miliard euro. Baza e rritjes për 2020 pra do ishte procesi i rindërtimit. Por çfarë ka ndodhur në 10 muaj? Procesi ka qenë shumë i ngadaltë. Jo për të bërë krahasime që mund të konsiderohen jo shumë serioze. Por mendoni çfarë ndodhi me rindërtimin e Shkodrës pas tërmetit gjatë kohës së diktaturës. Praktikisht u rindërtua komplet qyteti me kontribut nga shteti vetëm brenda 4 muajsh. U deshën 4 muaj për ta rindërtuar, ndërsa tani kanë kaluar 10 muaj dhe procesi vetëm sa ka nisur. Sigurisht mund të nisemi nga fakti se kishim pandeminë, por nëse do shikojmë të dhënat e fundit të Instat për 3 mujorin e dytë të 2020, dhe thoshte se sektorët që kishin lulëzuar janë bujqësia dhe ndërtimi. Pra ndërtimi përgjatë pandemisë kishte lulëzuar, pra sektori privat. Kështu që edhe teoria që ne kemi ecur ngadalë me procesin e rindërtimi për shkak të pandemisë, sikur nuk qëndron pasi sektori i nderimit gjatë pandemisë ka lulëzuar. Prandaj unë e konsideroj procesin e rindërtimit shumë të vonuar”, shprehet Muço. Shqetësimi i tij më i madh është se për shkak të zvarritjes së procesit edhe donatorët e huaj mund të tërhiqen nga shumat e premtuara. “Kam frikën se edhe fondet e mbledhura nga konferenca e donatorëve që ishte një ngjarje super e suksesshme, mund të tërhiqen mbrapsht me premtimet. Koha ka treguar se shtete të caktuara ndërkombëtare apo institucione të caktuara kanë premtuar se do japin hua, apo donacione, janë tërhequr mbrapsht. Me shumë gjasa kam frikë se këto para të premtuara mund të tërhiqen”, thekson Muço. Eksperti mendon se zvarritja e procesit të rindërtimit ka ardhur si pasojë e shtetit burokratik dhe jo për shkak të shtyrjes së qëllimshme me synim të përfitimeve elektorale. “Sipas qeverisë është pandemia që ka frenuar proceset. Por duke u nisur nga hapat e shtetit shqiptar në këto 30 vite kanë qenë si hapat e kërmillit, mendoj se zvarritja ka ardhur si pasojë e burokracisë. Nuk besoj se bëhet për arsye elektorale, sepse nëse do të ishte e tillë do kishte mbaruar shumë shpejt për t’u treguar banorëve që vazhdojnë të jetojnë në çadra, që shteti shqiptar është eficient dhe di t’ia dalë në situata në tilla”, shprehet Muço. Ai thotë se nga procesi i rindërtimit pritet të injektohen para në ekonomi dhe kjo do të gjenerojë rritjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe pastaj është një reaksion zinxhir që sjell edhe rritjen e konsumit, lëvizjen e parasë.

Kurse Ervin Minarolli, ekspert për infrastrukturën në Partinë Demokratike, e cilëson të pamundur mbajtjen e premtimeve nga qeveria që shumica e banorëve do të marrin çelësat e banesave brenda këtij viti. Në 9 muaj thotë Minarolli, ndryshe nga sa u premtua se fëmijët do të futeshin në shkolla të reja, deri tani nuk ka përfunduar asnjë objekt arsimor. Madje nuk janë hapur ende kantieret e ndërtimit dhe për 3 muaj, ai e sheh të pamundur që të ndërtohen pallate. “Kanë kaluar të gjitha afatet. Vetëm 3 muaj kanë mbetur, kur do bëhen shtëpitë? S’ka hapur asnjë kantier. Njerëzit vijojnë të jenë në çadra. Për 3 muaj s’ndërtohen dot pallatet”, shprehet Minarolli. Por shqetësimi më i madh i tij është cilësia e ndërtimit. Duke iu referuar të dhënave të tenderave që publikon ministria, Minarolli vëren se është ulur kostoja e ndërtimit dhe cilësia nuk është aspak prioritet. Kjo bëhet, thotë ai për të shtuar numrin e banesave që do ndërtohen për të kënaqur sa më shumë qytetarë pasi jemi në vit elektoral.

“Kam shumë vërejtje të tjera që lidhen me transparencën dhe me mënyrën sesi po zhvillohen tenderat, pasi na duken projekte jo cilësore. Ata zakonisht i 5 fishojnë kostot e rrugëve, ndërsa këtu duke dashur të kënaqin sa më shumë njerëz i kanë ulur shumë kostot e ndërtimit të shtëpive. Janë kosto të tilla që nuk e di a i del apo nuk ia del për të ndërtuar një shtëpi. Edhe kompanitë që hyjnë në tendera prioritet kanë koston e ulur dhe jo cilësinë. Edhe kur bëhet gara me kompanitë 10 pikë i merr cilësia dhe 60 pikë i merr kompania që ka koston më të ulët. Ata duke dashur të kënaqin njerëzit, duke qenë se janë në periudhë elektorale, nuk po mendojnë më për cilësinë, por vetëm ulin koston me qëllim që të bëjnë sa më shumë njësi banimi me të njëjtën sasi lekësh”, shprehet Minarolli për Portën Vendore. Sipas tij arsyeja pse ndodh kjo, është se qeveria nuk ka qenë e aftë të tërheqë fondet e premtuara nga organizmat ndërkombëtare. Kjo për faktin se ndërkombëtarët janë striktë dhe kërkojnë një sërë projektesh paraprake të mbështetura në studime të mirëfillta. Por qeveria nuk ka mundur t’i realizojë dhe në këtë mënyrë po ndërton me buxhetin e shtetit, ku shumica e studimeve anashkalohen.

“Kjo ka ardhur për shkak se nuk kanë qenë të aftë të përthithin fondet e premtuara nga donatorët e huaj, sepse ata janë mjaft striktë, kërkojnë të gjitha projektet paraprake, të gjithë analizat gjeologjike, sizmike. Prandaj s’kanë përfituar pasi s’i kanë pasur gati këto. Dhe po i bëjnë me buxhetin e shtetit duke i anashkaluar këto projekte”, sqaron Minarolli, i cili madje thotë se populli nuk do të përfitojë shumë nga ky proces. “Nga ky proces nuk shoh se do ketë ndonjë përfitim. Qeveria do bëjë projektet që do vetë. Siç është rasti i zonës në Kombinat ku u prishën edhe shtëpi që nuk ishin të dëmtuara nga tërmeti, qeveria përfiton pasi ndërton pallate. Kurse për popullsinë e shoh me dyshim se çfarë mund të përfitojmë. Nga nxitimi që ka qeveria, pasi është në vit elektoral, dyshoj shumë te cilësia e dobët e ndërtimit”, thekson ai.

Po këto janë vetëm dy zëra të planit të rindërtimit që ka qeveria pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që situata duket dhe më pak premtuese sa i përket ndërhyrjeve të tjera në infrastrukturë publike, e cila do të kushtojë 2. 48 miliard lekë ose 7% e totalit, dhe do të plotësojë ndërtimin e pallateve, të lagjeve të reja që do krijohen me banesat kolektive apo individuale për t’u afruar me infrastrukturën e shëndetësisë, të arsimit apo dhe infrastrukturën utilitare.

Për procesin e rindërtimit në total janë angazhuar 175 kompani ndërtimi, të mëdha, të vogla dhe të mesme, ndërsa vetëm brenda Fondit Shqiptar  të Zhvillimit janë 104 operatorë, ku ka studim, projektim, mbikëqyrje, e ndërtim, ndërkohë që procesi është nën monitorim të vazhdueshëm nga vetë donatorët.