26 tetor 2020/ Arben Vata/Porta Vendore/Kukës
Sipas të dhënave nga INSTAT vendi ynë ka 6.2% të popullsisë në moshë madhore të deklaruar me të paktën një aftësi të kufizuar.Personat me aftësi ndryshe, siç vërehet dhe nga monitorimi i kryer nga Porta Vendore në qytetin e Kukësit, janë të privuar nga shumë shërbime, nga jeta sociale e kulturore, kjo si rezultat i hendekut të madh mes ligjit dhe realiteteve lokale.
Përfshirja sociale e personave me aftësi ndryshe mbështetet nga legjislacioni, strategjitë dhe programe të ndryshme si Ligji nr.7995 “Për nxitjen e punësimit”, Ligji nr.10221 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, Ligji nr.10039 “Për ndihmën ligjore”, Ligji për Shfrytëzimin e Hapësirave Publike nga Personat me Aftësi të Kufizuar”, Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësitë dhe Strategjia për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar”.
Neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton që: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”, pra është rasti ku personat me aftësi ndryshe konsiderohen si persona me mundësi të barabarta me të tjerët, me dinjitet dhe të drejta të patjetërsueshme.
Kujdesi, respekti dhe vëmendja ndaj personave me aftësi ndryshe varion sipas qyteteve të ndryshme, por në shumicën prej tyre shoqërohet me problematika të ndjeshme dhe thelbësore siç mund të shihet nga raporte, evidenca, opinione dhe publikime të Shoqatave të Invalidëve të Punës, të Verbërve, Personave që nuk dëgjojnë, Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë dhe grupeve të interesit.
Porta Vendore realizoi një vëzhgim në 20 institucione publike në qytetin e Kukësit, dhe pas vëzhgimeve të bëra, situata rezulton të jetë në kufijtë minimalë ose inekzistentë të përmbushjes së nevojave të tyre dhe respektimit të dispozitave ligjore në fuqi.
Porta Vendore kreu një vëzhgim disa ditor nëpër institucionet më të rëndësishme në Kukës, jo vetëm në ato me varësi direkte të pushtetit vendor por edhe në organet e qeverisë qendrore dhe pa mundësitë për të aksesuar këto institucione personat me aftësi të kufizuar. Situata është alarmante dhe ekspertët rekomandojnë të merren masa urgjente për përmirësimin e infrastrukturës për këtë target-grup njerëzish.
Prefektura e Qarkut Kukës, si një institucion administrativ që verifikon ligjshmërinë e akteve të miratuara nga organet e qeverisjes në nivel vendor është e pozicionuar në sheshin “Skënderbej” të qytetit, ku janë të lokalizuara dhe një sërë institucionesh të tjera të rëndësishme publike si Bashkia, Gjykata, Zyra e Gjendjes Civile, Zyra e Punës etj. Në përgjigje të kërkesës sonë për informacion rezulton se Prefektura e Qarkut Kukës, së bashku me funksionet e deleguara, ka të punësuar 29 persona, mes të cilëve 1 është me aftësi ndryshe, ndërkohë që nuk ka asnjë guidë, lexues apo interpret të gjuhës së shenjave. Prefektura e Kukësit në hyrjen e saj po ashtu nuk ka të ndërtuar asnjë rampë në ndihmë të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve. Në brendësi të Prefekturës mungojnë ashensorë apo zyra shërbimi të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara. Katet e sipërme nuk janë të aksesueshme me rampe.
Bashkia Kukës, si njësi e qeverisjes vendore është e lokalizuar në qendrën e sheshit “Skënderbej”. Bashkia edhe pas planit të ri urbanistik, në hyrjen e saj nuk ka të ndërtuar rampe. Në brendësi të saj mungojnë mjetet e tjera të aksesueshmërisë si shkallë elektrike a ashensor. Duhet përmendur që në një raport të institucionit të Avokatit të Popullit, të publikuar në prill të vitit 2013, Bashkia Kukës është listuar në vendin e parë për numrin më të lartë të personave me aftësi të kufizuar të punësuar, me 12 të tillë për 218 persona të punësuar në institucion. Në përgjigje të kërkesës tonë për informacion protokolluar me nr.4187, date 25.08.2020, na është vënë në dispozicion informacioni i mëposhtëm:
Numri total i të punësuarve në Bashkinë Kukës është 690 mes të cilëve 7 janë punonjës me aftësi të kufizuar. Në Bashkinë Kukës nuk ka guida, lexues ose interpretë profesionistë të gjuhës së shenjave. Ndërkohë, në ambientet e brendshme nuk ka shirita të verdhë për personat që nuk shikojnë dhe mungon orientimi për personat që nuk dëgjojnë. Po ashtu Bashkia Kukës në faqen e saj zyrtare të ëeb-it nuk ka formate të përshtatshme që sigurojnë akses për personat që nuk dëgjojnë.
Po ashtu Bashkia Kukës në të gjithë territorin e saj nuk ka asnjë vend të rezervuar për parkim që mund të përdoret nga personat me aftësi të kufizuar, që sipas standardeve teknike të aksesueshmërisë, ky duhet të përbëjë 5 % të parkimit të përgjithshëm. Rrjedhimisht mungojnë dhe vijëzimet horizontale dhe vërtikale për këtë shërbim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, e pozicionuar në sheshin “Skëndërbej”, përmbush detyrimin e saj kushtetues për dhënien e drejtësisë, në funksion të të cilit ushtron veprimtari procedurale dhe administrative në përputhje me Ligjin. Organika e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës përbëhet nga 16 punonjës mes të cilëve një është me aftësi ndryshe. Në këtë institucion nuk ka asnjë guidë, lexues apo interpret të gjuhës së shenjave.
Në hyrjen e Gjykatës është ndërtuar një rampë, por që është jashtë standardeve, sepse ka pjerrtësi të lartë, nuk ka gjerësinë e duhur, mungojnë parmakët anash dhe nuk përmban material jo të rrëshqitshëm. Brenda ambienteve të gjykatës mungojnë mjetet e tjera për akses, si shkallë elektrike, ashensor, shiritat e verdhë për personat që nuk shikojnë, orientim për personat që nuk dëgjojnë. Neni 13 i Konventës përcakton se shtetet palë do të sigurojnë akses efektiv në organet e drejtësisë për personat me aftësi të kufizuar, njësoj si pjesa tjetër e popullsisë, duke përfshirë akomodime të përshtatshme procedurale dhe sipas përkatësisë të moshës, me qëllim lehtësimin e rolit të tyre si pjesëmarrës direkt dhe indirekt, duke përfshirë edhe rolin e dëshmitarit, në të gjitha procedurat ligjore.
Neni 30 i Konventës për Personat me Aftësi të Kufizuar përcakton qartë se shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për të marrë pjesë njësoj si gjithë të tjerët në jetën kulturore të vendit dhe do të marrin të gjitha masat e duhura për të garantuar që personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë akses në materialet kulturore në të gjitha formatet e aksesueshme në institucionet apo shërbimet kulturore, si p.sh: teatrot, muzeumet, kinematë, bibliotekat dhe shërbimet për turistët, dhe për sa është e mundur të gëzojnë akses në monumentet dhe qendrat me rëndësi për kulturën kombëtare.
Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” Kukës, me lokacion në sheshin “Skëndërbej” vazhdon që të ushtrojë rolin e tij në ruajtjen dhe pasurimin e jetës kulturore në qytet. Brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës ushtrojnë veprimtaritë e tyre dhe disa sektorë të tjerë publikë dhe OJF, si Biblioteka e Qytetit, Këndi i BE-së, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, American Corner dhe Rrjeti Rinor i Bashkisë Kukës. Pallati i Kulturës ka 20 persona të punësuar në organikën e tij mes të cilëve një është me aftësi ndryshe, ndërkohë që nuk ka asnjë guidë, lexues apo interpret profesionist të gjuhës së shenjave. Në hyrjen e Pallatit të Kulturës mungojnë rampe, çka privon ndjeshëm pjesëmarrjen e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve në rastet kur ka shfaqje artistike në Pallatin e Kulturës. Në sallën e Pallatit të Kulturës nuk ka vende të përshtatura për personat me aftësi ndryshe, ndërkohë që standardet teknike të aksesueshmërisë përcaktojnë qartë që në mjediset çlodhëse e argëtuese si teatro, salla koncertesh, kinema, salla sporti etj për 100 deri 300 vende ulur minimumi dy prej tyre duhet të jenë të përshtatura. (Vendim Nr.1503, datë 19.11.2008 për rregulloren “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”. ).
Zyra e Gjendjes Civile Kukës, një shërbim që ushtrohet edhe si funksion i deleguar i organeve te qeverisjes vendore, plotëson, përditëson dhe administron regjistrin themeltar të shtetasve në territorin e Bashkisë Kukës. Ka të punësuar 3 persona mes të cilëve asnjë me aftësi ndryshe. Në institucion nuk ka asnjë guidë, interpret a lexues profesionist të gjuhës së shenjave. Në hyrjen e institucionit është i ndërtuar një rampë, por jashtë standardeve të duhura, pasi ka pjerrtësi të lartë, mbi 5 %, material jo të përshtatshëm për karrocat e personave me aftësi ndryshe, çka nuk siguron akses për paraplegjikët dhe tetraplegjikët. Zyra e Gjendjes Civile Kukës është e vendosur në hapësirat e përbashkëta të Pallatit të Kulturës Hasan Prishtina Kukës. Ka hyrje të përbashkët me një sallë ku bëjnë prova e praktikë instrumentistët e Pallatit të Kulturës.
Muzeu Etnografik Kukës, nën varësinë e Drejtorisë së Pallatit të Kulturës, Bashkia Kukës, është i pozicionuar mu në qendër të Sheshit “Skëndërbej”, përballë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Edhe pse i ndërtuar vonë dhe me një potential të lartë frekuentimi vizitorësh vendas dhe të huaj, nuk ka të ndërtuar rampë në hyrje, i cili mund tu jepte akses personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë për tu njohur me pasuritë etno-grafike të Kukësit. Ka të ndërtuara disa rampe të brendshme, por që janë jashtë standardeve të duhura. Rampat e brendshme janë me pjerrtësi të lartë, të ngushtë dhe të shtruara me material jo të duhur për personat me aftësi të kufizuar. Po ashtu nuk ka guida, interpet a lexues profesionist të gjuhës së shenjave.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit Kukës, tanimë prej pak muajsh me lokacionin e ri në fillimin e rrugës ”Ramadan Zaskoci”, ka të punësuar 7 persona mes të cilëve 0 me aftësi ndryshe. Në këtë institucion nuk ka asnjë guidë, interpret a lexues profesionist të gjuhës së shenjave. Në hyrje të institucionit, në krahun e djathtë është e ndërtuar një rampë, e cila lidhet me trotuarin duke u dhënë mundësi dhe akses grupit të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve që të marrin informacion dhe shërbime pranë këtyre zyrave.
B.G, e punësuar prej 3 vitesh në një institucion publik, me statusin e te verbrit, shprehet për Portën vendore që ka vështirësi që lidhen me mungesën e teknologjisë së përshtatshme. “Nuk më kanë mundësuar kompjuter me program të posaçëm për persona që nuk shikojnë, prandaj punoj me telefon”, tregon ajo.
Sa i takon marrjes së shërbimeve në institucione publike, ajo shprehet se tek të gjitha institucionet i duhet të shkojë e shoqëruar, pasi nuk i merr dot e vetme. Pagesat për transport publik, drita, ujë, kinema a muze ajo tregon se i paguan të plota, jo të reduktuara. “Personalisht ndjej se nuk marr frymë në momentin që nuk lëviz dot për shkak të mungesës së infrastrukturës. Këtë nuk ma jep mungesa e shikimit, por fakti që ata që bëjnë politikën, që merren me qytetet, kategorinë time nuk e mendojnë fare. Nëse njerëzit që shikojnë kanë trotuare, rrugë, semaforë, shkallë të përshtatshme, pse nuk ka kategoria ime ndërkohë që janë të mundshme dhe mund të bëhen. Për libra nuk ankohem sepse na ndihmojnë programet pasi teknologjia nuk diferencon”, përfundon B.G për Portën Vendore.
Drejtoria e ALUIZNI-t, Dega e Thesarit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Enti Kombëtar i Banesave, Inspektorati i Punës, Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Kukës, të gjitha të lokalizuara brenda të njëjtës godinë, në sheshin “Skënderbej, në krah të Prefekturës, kanë hyrje të përbashkët dhe janë të shpërndara përgjatë tre kateve të ndërtesës. Në hyrjen e institucionit nuk ka të ndërtuar rampa. Po ashtu në ambientet e brendshme nuk ka shkallë elektrike apo ashensor, madje dhe ato ekzistuese përgjatë gjithë kateve janë të amortizuara dhe drejt shkatërrimit të plotë. Mungojnë guida, interpret dhe lexuesit profesionistë të gjuhës së shenjave.
Radio Kukësi, tanimë prej muajit maj të vitit 2020, funksionon edhe si televizion RTSH Kukësi, me lokacionin e saj në hyrjen e qytetit Kukës, Bulevardi “Dituria”, ka si qëllim dhënien e informacionit mbi aktualitetin për qytetarët kuksianë. Ka të punësuar gjithsej 18 punonjës mes të cilëve një me aftësi të kufizuarA. Radioja nuk ka guida, interpret apo lexues profesionistë të gjuhës së shenjave. Radio në hyrjen e saj ka rampë në krahun e majtë të hyrjes por që është e paaksesueshme dhe jashtë standardeve. Rampa ka pjerrtësi të lartë, është e ngushtë dhe nuk ka mbajtëse anash që personat me aftësi të kufizuar të mund të ngjitën në mënyrë të pavarur. Po ashtu mungojnë shiritat e verdhë për personat që nuk shikojnë apo shenjat e orientimit për ata që nuk dëgjojnë. Duhet theksuar që Radio Kukësi është një ndër radiot më të vjetra në vend, e ndërtuar që në vitin 1959.
Neni 25 i Konventës për Personat me Aftësi të Kufizuar përcakton se shtetet palë njohin faktin që personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtën të gëzojnë standardin më të lartë të mundshëm shëndetësor, pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar. Shtetet palë do të duhet të marrin masat e duhura për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuar ndaj shërbimet shëndetësore të lidhura me gjininë, përfshirë rehabilitimin lidhur me shëndetin.
Spitali Rajonal Kukës me funksion ofrimin e shërbimit shëndetësor për banorët e qarkut Kukës, ka të punësuar në organikën e tij gjithsej 338 persona, nga këta dy janë me aftësi ndryshe. Në spital nuk ka guida, interpret a lexues profesionistë të gjuhës së shenjave. Në të dyja hyrjet e Urgjencës ka rampa, të cilat janë të aksesueshme dhe brenda standardeve. Brenda ambienteve të spitalit nuk ka mjete lëvizëse si shkallë elektrike apo ashensor. Në spital mungojnë shiritat e verdhë a shenjat e orientimit për personat që nuk dëgjojnë.
Qendra Shëndetësore Kukës ka në organikën e saj të punësuar 51 persona mes të cilëve 0 punonjës me aftësi ndryshe. Në Qendrën Shëndetësore nuk ka guida, interpret a lexues profesionist të gjuhës së shenjave. Në hyrjen e ndërtesës nuk ka të ndërtuar rampe. Brenda ambienteve nuk ka mjete të tjera që influencojnë aksesueshmërinë si shkallë lëvizëse a ashensor.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Kukës ka për mision zbatimin e politikave, legjislacionin e ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimeve shoqërore për banorët e qarkut Kukës. Ajo ka të punësuar gjithsej 8 persona mes të cilëve 0 me aftësi ndryshe. Nuk ka të punësuar punonjës që janë të trajnuar për gjuhën e shenjave. Rampa që ndodhet në hyrjen e institucionit është jashtë përdorimit për arsye të mosfunksionimit të zyrës me të cilin lidhet.
Drejtoria e Shërbimeve Sociale Kukës ka si funksion ofrimin e shërbimeve sociale për familjet vulnerabël dhe personat me aftësi të kufizuara. E pozicionuar në Rrugën e Xhamisë ka gjithsej të punësuar në organikën e saj 26 punonjës mes të cilëve 0 me aftësi ndryshe. Ka të ndërtuar një rampë në hyrjen e godinës, por që ka një pjerrësi të lartë dhe është jashtë standardeve duke e bërë të paaksesueshme për grupin e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës me lokacion në rrugën Sul Elezi ka si funksion ruajtjen e rendit dhe sigurisë në qytet. Policia Kukës nuk i është përgjigjur kërkesës tonë për informacion, por në një raport të punuar nga vullnetarët e organizatës “Partnerë për Fëmijë”, rezulton se në vitin 2019 Policia Kukës kishte të punësuar 130 persona, mes të cilëve 0 me aftësi ndryshe. Në hyrje ka të ndërtuar një rampë që është e aksesueshme dhe me pjerrësinë e duhur. Katet e tjera të rajonit të policisë janë të paaksesueshme nga personat me aftësi ndryshe.
Rampat janë vlerësuar në vëzhgimin e kryer në bazë të të dhënave të gjetura në Udhëzuesin e UNDP për projektimin dhe zbatimin në fushën e ndërtimit bazuar në Rregulloren “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, ku ndër të tjera thuhet se rampa nuk duhet të ketë pjerrësi më të madhe se 5%.
Institucionet Arsimore
Neni 24 i Konventës për Personat me Aftësi të Kufizuar thekson se shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për arsim duke garantuar një sistem arsimor gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe arsimin gjatë gjithë jetës, me synim zhvillimin nga ana e personave me aftësi të kufizuar të personalitetit, talenteve dhe krijimtarisë së tyre, si edhe të aftësive të tyre mendore dhe fizike, në potencialin e tyre të plotë. Në 6 shkolla 9 vjeçare dhe të mesme të qytetit të Kukësit që Porta Vendore monitorojë rezulton se në asnjë prej tyre nuk ka rampa dhe infrastrukturë të përshtatshme për këtë kategori, edhe pse shumica prej këtyre institucioneve arsimore kanë nxënës më aftësi të kufizuar që studiojnë në to.
D.L, ish nxënëse në shkollën “Havzi Nela”, me statusin e të verbrit, kategoria e dytë, tregon për Portën Vendore që e ka pasur shumë të vështirë procesin e të mësuarit dhe të edukuarit në këtë shkollë për shkak të infrastrukturës por edhe të komplekseve që të jep kjo sëmundje. “Mes shumë vështirësive unë kam pasur fatin që të shoqërohem nga shoqja ime e ngushtë, e cila më shoqëronte çdo ditë tek shkolla, më ndihmonte në çdo proces, atë të vajtjes dhe kthimit nga shkolla, orientimit në tualetet e shkollës, ngjitjes dhe zbritjes së shkallëve a qëndrimit në bankat e shkollës. Por mësuesit më aq mundësi sa kanë pasur më kanë mbështetur moralisht dhe për këtë i jam falënderuese”, shprehet ajo.


Sazan Haxhiu, prindi i një prej fëmijëve me aftësi ndryshe në këtë shkollë rrëfehet për Portën Vendore se është shumë i zhgënjyer me gjendjen në të cilën ndodhet grupi i personave me aftësi ndryshe, e konkretisht me infrastrukturën në shkollë. Ai ka vajzën në klasën e nëntë, 16 vjeçe, që ka probleme me shikimin dhe të ecurën. Ai shprehet se ka qenë iniciator shpesh herë i disa nismave për ndryshimin e gjendjes në vend, duke marrë pjesë në takimet e Këshillit bashkiak në Bashkinë Kukës, duke bërë kërkesa tek Bordi i Shkollës, DAR Kukës, apo kontaktuar me organizata që kanë në fokus personat me aftësi të kufizuar. Duke parë mosreagimin dhe mungesën e ndjeshmërisë ndaj situatës ai shprehet se në një rast ka ndërruar vetë derën e klasës ku studion vajza e tij pasi ka qenë e dëmtuar dhe nuk po e riparonin. “Shkolla ka probleme me ndriçimin, dyshemetë, por problem thelbësor mbetet uji dhe tualetet. Vajza nuk mundet dot të shkojë në tualet e vetme pasi nuk ka të tilla në katin e tretë të shkollës ku ajo ka klasën. Shkolla ka tualet vetëm në katin e parë të saj. Po ashtu tualetet nuk kanë ujë, dhe nuk di tjetër çfarë të listoj më përpara”, shprehet i shqetësuar Sazani. “Është shumë e dhimbshme për një prind të kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuar dhe të shoh me sytë e tij pamundësinë e ofrimit të disa kushteve që janë krejt minimale dhe thelbësore për zhvillimin e fëmijës por që tek ne nuk ofrohen për shumë arsye”, ka përfunduar ai.




Mësuesja mbështetëse M.K, e cila ofron asistencë në procesin edukativ për një prej nxënësve me aftësi ndryshe në Kukës, shprehet për Portën Vendore se problematike për këto nxënës mbetet infrastruktura e shkollës e cila limiton dhe kufizon ndjeshëm edukimin e tyre, kjo sigurisht në varësi të problematikës së secilit fëmijë. “Si mësues kemi pasur mbështetjen e prindërve të këtyre fëmijëve për punën që bëjmë. Problem mbetet dhe numri i pakët i mësuesve mbështetës për numër nxënësish nëpër shkolla si dhe mungesa e shërbimit të mësuesve mbështetës në shkollat nëpër fshatrat e Kukësit pasi edhe atje ka nxënës që kanë nevoja të veçanta”, tregon mësuesja mbështetëse M.K.
Punësimi i PAK, një ëndërr e largët…
Duke qenë se numri i institucioneve publike që janë në shkelje të nenit 20, të Ligjit për Nxitjen e Punësimit, ishte i lartë, ne kontaktuam me Inspektoratin e Punës Kukës dhe në përgjigje të kërkesës tonë për informacion rezulton se Inspektorati i Punës për realizimin e objektivave ka prioritet më shumë kontrollin e zbatimit të legjislacionit të punës në subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë private. Nga të dhënat e mbledhura nga Inspektorati rezulton se janë dy subjekte private në shkelje të nenit 20 të Ligjit për “Nxitjen e Punësimit” të cilët nuk zbatojnë ligjin dhe nuk derdhin kontributin në Fondin Social të Punësimit. Ndaj këtyre subjekteve Inspektorati ka marrë masa në lidhje me moszbatimin e këtij detyrimi ligjor duke iu lënë detyra me afat korrigjimi dhe duke marrë masa administrative “paralajmërim”. Ndërkohë nenet 20 dhe 22, të Ligjit për Nxitjen e Punësimit parashikojnë detyrimet e punëdhënësve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara si dhe njëkohësisht detyrimin e Institucioneve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës për kontrollimin dhe zbatimin e këtyre dispozitave.
“Çdo punëdhënës duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes; Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja ‘c’, të këtij ligji, që ai duhet të kishte punësuar, sipas këtij neni”, thuhet në nenin 20 të këtij ligji.
Siç shikohet nga monitorimi, numri i institucioneve publike që nuk respektojnë nenin 20 të Ligjit për Nxitjen e Punësimit, është tejet i lartë në krahasim me institucionet e tjera që e përmbushin këtë kriter. Janë gjithsej 11 institucione publike në Kukës që nuk respektojnë këtë nen, dhe këto janë kryesisht institucionet publike si Bashkia Kukës, Drejtoria e Shërbimit Social, institucionet e kujdesit shëndetësor si Spitali Rajonal, Qendra Shëndetësore dhe të gjitha institucionet e arsimit të ulët dhe atij të mesëm në Kukës, ku mes 251 të punësuarve në total në këtë sektor kemi 0 me aftësi të kufizuar, pra asnjë shkollë në qytetin e Kukësit nuk ka të punësuar persona me aftësi ndryshe.
Ekspertët për mungesën e shërbimeve ndaj PAK
Sa i takon aksesueshmërise fizike, konkretisht atë të pajisjes me rampa për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, nga 20 institucione publike të monitoruara në Kukës, janë gjithsej 17 institucione që nuk sigurojnë akses për personat me aftësi të kufizuar dhe vetëm 3 prej tyre sigurojnë akses dhe janë pjesërisht brenda standardeve. Nga ana tjetër, institucionet private që ofrojnë shërbime publike nuk figurojnë aspak në hartën e lehtësirave dhe aksesueshmërisë për personat me aftësi ndryshe.
Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, që po implementon projektin “Të veprojmë për aksesueshmërinë” në tre qytete, Durrës, Shkodër dhe Mat, një projekt i financuar nga Lëviz Albania, që ka për qëllim rritjen e aksesueshmërisë për personat me aftësi ndryshe, shprehet që rampat dhe aksesueshmëria e personave me aftësi ndryshe në institucionet publike është e rëndësishme dhe thelbësore për përfshirjen e tyre në shoqëri. Respektimi dhe përmbushja e të drejtave të personave me aftësi ndryshe është e rregulluar me ligje të veçanta siç është ai për “Shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”. “Megjithëse, Shqipëria ka përmirësuar legjislacionin në fushën e aksesueshmërisë, prania e barrierave vazhdon të pengojë personat me aftësi të kufizuar të marrin pjesë në aktivitete të jetës së përditshme, të punojnë, të arsimohen, të marrin shërbime shëndetësore etj. Çdo njësi qeverisje vendore duhet të jetë më e përgjegjshme në hartimin e planit të masave të heqjen së barrierave dhe kjo të shoqërohet me buxhetin përkatës. Po ashtu duhet të rritet dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe punonjësve të shërbimit publik mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet trajnimeve dhe aktiviteteve gjithëpërfshirëse”, sugjeron Suela Lala. Po ashtu, duke qenë problem evident në disa institucione publike, Znj. Lala na kujton dhe rastet e rampave të ndërtuara gabimisht, ku shpesh herë janë kthyer në burim aksidenti për personat me aftësi ndryshe dhe jo duke i shërbyer qëllimit për të cilin janë krijuar.
Një nismë interesante dhe e vlefshme për përmirësimin e infrastrukturës fizike për personat me aftësi ndryshe në qytet, konkretisht atë të ndërtimit të rampave/pjerrinave në trotuaret e qytetit, është ndërmarrë në vitin 2018 nga Qendra për Progres Rinor. Ndërhyrja është bërë e mundur falë shumës modeste financiare (4300 dollarë) të mundësuar nga Ëorld Connect, nëpërmjet vullnetarit të Corpusit të Paqes Michael Righter. Falë kësaj iniciative janë ndërtuar rreth 160 rampa në rrugët kryesore të qytetit.
Sa i takon interpretëve të gjuhës së shenjave Nikoleta Spahi, interprete profesioniste shprehet që situata me këtë target grup është paksa më e vështirë dhe specifike në krahasim me spektrin e aftësive të tjera të kufizuara. “Kjo fushë është më pak e njohur në Shqipëri dhe si rrjedhojë nuk ka as treg pune. E jo rastësisht janë vetëm tre interpretë në të gjithë Shqipërinë”, sqaron Znj Spahi. Trajtimi i këtyre personave shoqërohet nga problematika siç është identifikimi i tyre, trajtimi, mungesa e plotë e aksesueshmërisë së tyre në institucionet publike, e konkretisht ato arsimore dhe edukuese.
Bazuar në të dhënat e INSTAT, Censusit 2011, numri i personave që nuk dëgjojnë është rreth 39,000 në të gjithë Shqipërinë. Problem i madh mbetet dhe arsimimi i tyre që në shumicën e herëve mungon ose është i ulët, dhe sipas një deklarate të bërë (2019) nga Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës se Njerëzve që nuk Dëgjojnë, 98% e këtyre janë analfabetë.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Invalidëve të Punës, dega Kukës, Z. Mustaf Lugja, invalidët e punës vazhdojnë të hasin ende vështirësi në marrjen e shërbimeve që atyre u takon sipas akteve ligjore në fuqi. Problem serioz vazhdon të mbetet taksimi i tyre i njëjtë me qytetarët e tjerë, pra për invalidët e punës nuk aplikohet pagesë e reduktuar ndaj disa shërbimeve publike, me përjashtim të tarifave nga Drejtoria e Transportit Rrugor për automjetet që ata drejtojnë. Ndërsa sa i takon pagesave për shërbimet e transportit publik, tarifës telefonike fikse, dritave, ujit, taksës së pastrimit, taksës së tokës etj, ata vazhdojnë të paguajnë njëlloj si të tjerët. Shoqata e Invalidëve të Punës është OJF, e shtrirë në 61 degë të saj në Shqipëri, që advokon për përmirësimin e legjislacionit. Sipas Z. Lugja, objektivin e saj për përmirësimin e legjislacionit përveçse daljeve publike, kontakteve me institucionin e Avokatit të Popullit, takimeve të vazhdueshme me anëtarët e saj, shoqata është munduar ta kryejë dhe në pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit bashkiak, ku kanë shprehur qartë dhe me vendosmëri kërkesat e tyre kundrejt njësisë së qeverisjes vendore por dhe Shoqërive të Transportit në veçanti, meqë ky është një shërbim që ata e përdorin më së shumti. Por deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje mes Bashkisë dhe Shoqërive të transportit në ndihmë të personave me aftësi ndryshe. Ndërsa pengesat në infrastrukturën e godinave vazhdojnë të jenë një problem shoqërues i kahershëm, i cili vjen nga moszbatimi i ligjit dhe mungesa e kontrollit e monitorimit nga autoriteti përgjegjës. Të njëjtat problematika hasin dhe përfaqësuesit nga Shoqata e të Verbërve Kukës.
Semaforët akustik, alfabeti Braille për të verbrit, shërbimin mjekësor falas në shtëpi për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fondet për vendet e pushimit bregdetar dhe malor për personat me statusin e invalidit, sinjalistika horizontale dhe vertikale për vendet e parkimit etj, vazhdojnë të mbeten sërish luks përballë përmbushjes së nevojave bazë të tyre dhe shkeljeve flagrante të ligjeve mbështetëse për këtë kategori.
Lëvizjet e fundit të shoqatave të invalidëve të punës, të verbërve, të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, personat që nuk dëgjojnë, kanë synuar ndryshimin e terminologjisë së përdorur nga “aftësi e kufizuar” në “aftësi ndryshe”.